LUFTA PËR VLORËN – 1920 NË NJË TJETËR PAMJE NGA ZENO JAHAJ
Zeno Jahaj, autori i librit Lufta për Vlorën, 1920
Nga Albert HABAZAJ
Sa më ra në dorë libri “Lufta për Vlorën – 1920” i autorit Zeno Jahaj, e lexova me ëndje dhe vëmendje, sepse, veç të tjerash, më interesonte të informohesha për ç’ka shkruan autori mbi një temë që e kam si të shtëpisë në studimtarinë time të thjeshtë.
Nuk do të merrem me përmbajtjen e librit, se ç’kuptim ka, por vlen të kujtoj sadopak se për këtë ngjarje të madhe historike dhe në rrafsh kombëtar kanë shkruar së pari ata që e bënë këtë luftë, si Halim Xhelo Tërbaçi, Avdurrahman Çiraku, Ago Agaj, Gani Ilias Habazaj, janë bërë botime serioze, të nivelit akaddemik, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, se kanë shkruar historianë, qysh nga Sali Hallkokondi (1923), Tajar Zavalani, Sejfi Vllamasi, R. Zeqiraj, prof. Muin Çami, akad. Aleks Buda, akad. Kristo Frashëri, prof. Shahin Leka, prof.as.dr. Bernard Zotaj, prof.as.dr. Aleks Trushaj, Eduard Demo etj., madje janë bërë edhe botime nga studiues të huaj si Nikolas J. Costas, Nikola Guy, Serge Mètais etj.
Po ashtu, janë bërë botime të rëndësishme në rrafshin e folkloristikës nga studiues të fushës, si Qemal Haxhihasani, prof. Agron Xhagolli, prof. Bardhosh Gaçe etj. Edhe autori i këtij kumtimi të shkurtër (A. H) ka botuar dhe ribotuar një monografi mbi raportin sesi e trajton historia këtë ngjarje historike (historianët shqiptarë dhe studiuesit e huaj) dhe si e përjetëson folklori (Epika historike: Neraida; 2016, Maluka; 2020). Pra, kemi një vështrim krahasimtar në optikën e këtyre dy fushave, që shënon të parin punim shkencor i këtij lloji.
Ndërkaq, pasi e lexova librin “Lufta për Vlorën – 1920” e kolonel Zeno Jahaj, përjetova tri ndjesi:
Së pari, ndihem më i pasur në dije në fushën që më intereson, siç është Lufta Kombëtare e Vlorës/ Njëzeta, siç e quan populli;
Së dyti, ndihem mirë në miqësinë me dinastinë diturore – atdhetare dhe kulturore – letrare Jahajt e Mesaplikut;
Së treti, jam krenar për bashkëpunimin e shëndetshëm dhe të dobishëm të autorit me një figurë po aq të shëndetshme, të guximshme dhe vërtetësore, me të cilin më bashkon rrënja e Tërbaçit. E kam fjalën për miqësinë shembullore që ka eksperti ushtarak dhe i diplomacisë ndërkombëtare, kolonel Zeno Sali Jahaj me zëvendëskomandantin për Shkencën e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve [Akademia e Forcave Tokësore], Tiranë (1987-1992), Agron Hysni Berdaj. Nuk kam dëshirë t’i krahasoj para të tjerëve me vëllezërit siamezë, por si miqësinë e dëlirë të Zenos me Agronin, të cilën gjykoj se vlen ta kemi si standardin më të lartë të miqësisë intelektuale dhe atdhetare.
Libri “Lufta për Vlorën – 1920” është shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, të qartë dhe të kuptueshme nga të gjitha shtresat e lexuesit të kulturuar (ç’ka tregon se autori është po aq mjeshtër i komunikimit me njerëzit). Në këtë libër është përdorur terminologjia korrekte, që e zotëron më së miri ushtaraku i lartë Zeno Jahaj, i cili tregon profesionalizëm ushtarak, si një ndër më të mirët ekspertë të shkencës dhe artit ushtarak, po aq dhe të fushës së diplomacisë. Libri është një shikim i kthjellët, me tjetër këndvështrim, me përmasa tej atyre që është parë shpesh nga historiografia shqiptare, i pari këtij lloji në studimtarinë serioze. Autori ka përdorur një term tjetër ndryshe nga deri më sot “Lufta për Vlorën -1920”, në një tjetër pamje, që patjetër do të ketë dhe diskutime, interpretime, mospranime, por ai këmbëngul, logjikon, argumenton.
Jahaj na jep shumë njohuri, por ka edhe kurajën e guximin të debatojë qetësisht e mbushmendshëm dhe kështu u bën leksion disa historianëve tanë, se pse lufta është së pari politikë; përse lufta është interes; përse lufta është edhe diplomaci, përse lufta është ekonomi dhe financë, sidomos ekonomi dhe financë.
Është e vërtetë që Lufta I Botërore u kthye në një lojë të madhe, në të cilën kushdo që do të ngrinte “duart lart” do të përballej me shkatërrrim total. Kjo ishte arsyeja pse kjo luftë u bë aq gjakatare. Sikurse me të tjerat fuqi të mëdha, që u ndanë në dy blloqe (Aleanca e Fuqive Qendrore me Gjermaninë, Austro – Hungarinë, Perandorinë Osmane dhe Bullgarinë, si dhe Blloku i Antantës me Francën, Britaninë e Madhe, Perandorinë Ruse dhe SHBA – në), autori na njeh Italinë fatkeqe dhe famëkeqe të asaj kohe (jemi në vitet 1915), që për interesat e saj të ngushta, u hodh e u përdrodh hu më hu, siç thotë populli dhe nuk llogariti as Vlorën, as Shqipërinë, as parimin e vetëvendosjes së popujve që orientoi idealisti i madh, ëndërrimtari universal Woodrow Wilson dhe as frymën morale.
Libri nis me një përnjohje serioze, ku lexuesi vlerëson situatën e asaj kohe të paqartë ngarkuar me dyshime, konkurencë të heshtur, hile e paqëndrueshmëri. Pasi është është bërë rikonicioni gjeopolitik, diplomatik, strategjik, politik (kemi parasysh Kongresin e Lushnjës, i cili u mblodh më 21 janar 1920, pikërisht ditën e përfundimit të Konferencës së Parisit. Kujtojmë që Kongresi i Lushnjës bëri Tiranën kryeqytet, ndërkohë kemi parasysh mbështetjen e qeverisë së Sulejman Delvinës që i dha luftës dhe Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare me Osman Haxhiun kryetar). Libri nis me një parathënie të Agron Berdajt dhe ka 9 kre, ku qysh në fillim trajton çështjen pse “Lufta për Vlorën” dhe jo “Lufta e Vlorës”, vijon me dinamikat gjeopolitike të Luftës I Botërore, me diplomacinë, me dinamikat strategjike: Ballkani, Shqipëria, Vlora, me politikën: Kongresin e Lushnjës, me pozitën gjeostrategjike të Vlorës si kryeurë, artin e luftës për Vlorën, “kartën” e ishullit të Sazanit, si dhe vlerësime dhe përfundime për këtë luftë, që nuk e quan as nënvlerësim italian, as mit shqiptar. Nëpërmjet pyetjes retorike, është shumë i qartë në shqyrtimin e objektit në lufta për Vlorën ishte humbje italiane, fitore shqiptare apo rikthim i sovranitetit kombëtar. Trajton dhe argumenton fuqinë dhe forcën, tezat armëpushim, dorëzim apo kapitullim, si dhe ku u vendos fati i luftës për Vlorën. Çdo kre përbëhet nga nënkre përkatës dhe, gjatë gjithë tekstit, autori bën një zbërthim të artit ushtarak si eksperti më i mirë i fushës.
Lufta për Vlorën lindi dhe u zhvillua në një terren gjeopolitik e strategjik, jo thjesht në një territor lokal, sepse vetë lufta nuk është asnjëherë zonale, as lokale. Ishte një përballje lufte direkte kundër forcave ushtrake italiane që kishin pushtuar jo vetëm qytetin symbol të SHiqprisë, por edhe një pjesë të Shqipërisë Jugperëndimore. Vërtet raporti i forcave ishte 5:1 për armikun (20000 forca ushtarake të armatosura ata, 4000 luftëtarë vullnetarë ne, veçse fatin e luftrave nuk e vendosin forcat, por fuqitë. Është këndvështrimi i duhur i studiuesit serioz për Ultimatumin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, që iu dorëzua komandës së pushtimit në Vlorë nga kalorësi shqiponjë Mehmet Selimi në emër të kombit shqiptar dhe të qeverisë së tij që i jep këtij dokumenti vlerat reale si deklaratë lufte dhe ka vlerë diplomatike. Po sa vlerë merr Ultimatumi si kod i nderit në ndeshje luftarake! Prishja e këtij kodi lufte nënkuptonte turp dhe diskreditim moral.
Vlen të mos harrojmë pazaret që bëri Ministri i Jashtëm i Italisë Tommaso Tittoni me kryeministrin grek Eleftherios Venizelos në marrëveshjen e fshehtë të Parisit, më 29 Korrik 1919, që përveç fajesh të tjera, pa pikë morali e turpi, e mendonin Shqipërinë si një plaçkë tregu, që vlente sipas tyre për këmbim malli, jo vetëm nga fakti historik se vendi ynë ishte një territor në skaje perandorish, siç pohon dhe autori. Akti i pasardhësit të Tittonit italian, Carlo Sforza, që më 20 Korrik 1920 u shpreh se Italia nuk e mbështeste ndarjen e Shqipërisë mes Italisë dhe Greqisë, se Italia respektonte integritetin territorial të Shqipërisë dhe se që dëshironte të kishte marrëdhënie të mira me të, tregoi se ai e konsideronte të pavlefshme marrëveshjen e zezë Titoni – Venizellos, pasi kishte humbur shumë terren e forca të konsiderueshme në Shqipëri.
Vërejmë interesat e tyre që përputhen, kur Italia ishte e vendosur që Perandoria Austriake të mos zbriste nëpër Adriatik, sepse kështu do të takohej diku me Greqinë dhe, ose njëra, ose tjetra do të zotëronin Vlorën. Shkrimtari Ruggero Fauro Timeus, idhtar i irredentizmit gjatë Luftës I Botërore dhe eksponenti më emblematik i nacionalizmit italian, ndër të tjera shkruante: “…të zotërosh Vlorën,për atë luftë do të thotë jo vetën të kesh një bazë ushtarake, por edhe të kesh një bazë politike për atë politikë ballkanike që ne e konsiderojmë të dodosdoshme për të përgatiturt, shoqëruar dhe zgjidhur luftën kundër Austrisë”. Sidoqoftë – shkruan autori – Italia dhe Austria pajtoheshin në qëndrimin ndaj Serbisë: ishin të vendosura ta mbanin larg nga aksesi në bregdetin Adriatik, prë të parandaluar që të bëhej bazë për flotat ruse. Pra këta ekspansionistë të mëdhenj i shikonin trojet dhe tokat e të vegjëlve, që ishin në shtëpi të tyre, që kur pat lindur jeta, sikur ti kishin tokat e gjyshërve a baballarëve ardhacakë dhe i trajtonin banorët me qesëndi e papërfillshëm. Por, “u hasi sharra në gozhdë, se këtu kishte çeçua biçak”
Kemi një vështrim të thellë të faktorit të brendshëm aq të telendisur e leqendisur, pa kokë, pa shtet, pa bankë, si mos më keq dhe patjetër shfrytëzimin e këtyre rrethanave nga faktori i jashtëm (7 ushtri të huaja vërshuan drejt Shqipërizës sonë të dashur, të bukur e hallemadhe: grekë e serbë, malazezë e bullgarë, francezë e italianë, pa harruar austro – hungarezët). Sidomos mbas Katërmbëdhjetës, me largimin e princ Wilhelm Wied, vendi ynë u kthye në Zulundan, ku fiset, klanet e krerët fetarë (dumbabistët haxhiqamilistë etj.) gjetën shesh e bënë përshesh vendin. Përvoja e mençurisë popullore e ka shprehur qartë këtë të vërtetë të hidhur: “O balo, të hëngërt tënja, e ke të keqen brënda”. Nuk e di pse m’u kujtuan ca vargje të Dritëroit tek “Nëna Shqipëri”, që fqinjët tanë, makutër e barbarë donin ta shqyenin midis vedit “një copë, një copë, një çikë, një çikë”. Mobilizimi mbarëpopullor, bujaria dhe atdhedashuria e njerëzve me emër e kapital, gjendja morale e lartë e luftëtarëve shqiptarë, mbështetja e fuqishme nga populli italian, sidomos nga nënat italiane, që nuk donin t’i humbisnin djemtë e tyre në një luftë pushtuese të padrejtë, mbështetja politike nga qeveria e Sulejman Delvinës, furnizimi me armatim, kafshë transporti, ushqim e veshje nga populli dhe përkrahja nga qeveria, solidariteti kombëtar dhe jehona ndërkombëtare e të tjerë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, shpunë në zgjdhjen diplomatike të kësaj drame që u nis rëndë e u luajt në kurriz të popullit shqiptar, i cili, me luftë trimërore e me gjak, e fitoi Vlorën, e fitoi Shqipërinë, e cila, edhe pse qe jashtë tryezës së Konferencës së Paqes së Parisit, 1919, luftoi me heroizëm dhe dashuri për atdheun, që Shqipëria të mos trajtohej më si “shprehje gjeografike”, por si komb më vete, si shtet sovran, i lirë dhe i pavarur.
Lufta bëhet me dy palë, por shpesh jepet dinamika e njërës palë, zakonisht asaj fituese, ndërsa Jahaj në këtë libër na paraqet në raport të drejtë të dy palët ndërluftuese (edhe fituesit, edhe humbësit) me objektivitet shkencor, duke mbajtur qëndrim të paanshëm.
Njeriu, terreni, arma janë faktorët që të sjellin fitoren në front, kur dëgjohet, vlerësohet dhe ka përparësi mbi çdo faktor tjetër udhëheqja ushtarake e luftimeve, patjetër drejtimi politik dhe karakteri masiv, fuqia popullore me një gjendje morale e lartë, logjistika/ prapavija jetike, dhe fatmirësisht jehona që bëri kjo luftë falë përparimit në beteja e luftime të trupave mbrojtëse shqiptare, të organizuar në formacione të rregullta vullnetare të luftëtarëve shqiptarë jo vetëm nga Vlora, Tepelena, Himara, por nga mbarë vendi, që nga Mallakastra, Skrapari, Tirana, Durrësi, Berati, Gjirokastra, Korça, Elbasani, Kruja, Shkodra, Kosova dhe Çamëria, vllehët e të tjerë banorë të etnive të ndryshme të ngulur tash sa kohë në vendin tonë. Peshën kryesore Vlora e pati, anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare ishin vlonjatë, fshatrat u organizuan në çeta, ku çdo shtëpi do të kishte një pushkë në luftë. Në luftë morën pjesë dhe grate, në front e në prapavijë e në shëndetsi për shërimin e plagëve të luftëtarëve të plagosur. Kishte klerikë të krishterë dhe myslimanë, katolikë, ortodoksë, muslimanë dhe bektashinj që morën pjesë në këtë luftë, e cila pati ndikim pozitiv për ngritjen e moralit të luftëtarëve shqiptarë në Koplik dhe në Dibër. Kishte edhe ushtarë italianë që erdhën si pushtues dhe u radhitën me forcat shqiptare, që zhvillonin një luftë të drejtëm, se mbronin vendin e tyre. Madje, Luftës Kombëtare të Vlorës iu bashkua edhe një grup shqiptarësh të Amerikës, pjesëtarë të orkestrës frymore “Vatra” të Bostonin me në krye profesorin e muzikës simfonike Thoma Nassi, i cili ishte kompozitori i këngës “Vlora – Vlora” me tekst të Ali Asllanit të Madh, që u bë himni i kësaj epopeje termopiliane dhe frymëzimtare e luftëtarëve të lirisë, që hodhën në det Perandorinë Apenine. Edhe nga Egjipti Rumania, Italia e nga vende të tjera të botës, ku ndihej fryma e rrënjëve nga mërgata shqiptare, erdhën ndihma financiare dhe materiale.
Një gjë vlen ta kemi të kthjellët, se pa motivimin tërësor të shqiptarëve për të mbrojtur trojet e tyre, zjarrin e ndezur në vatër dhe nderin e familjes, pa gjendjen e tyre morale të lartë, pa pjesëmarrjen e fisnikëve dhe udhëheqjen e tyre bujare, pa Kongresin e Lushnjës, pa gatismërinë dhe pjesëmarrjen masive të popullit në luftë (karakteri popullor i luftës), pa vënë paria e fshatrave dhe krahinës kapitalin në shërbim të luftës, pa furnizimin me forca, mjete, armë, municion, veshmbathje e ushqime të krahiniva të tjera shqiptare, pa përkrahjen morale, politike, diplomatike, ushtarake dhe ekonomike të Qeverisë së Tiranës, pa solidaritetin e nënave italiane, të popullit italian, të forcës politike të majtë italiane, pa vëmendjen dhe opinionin europian, patjetër pa mbështetjen e padiskutueshme e të fuqishme amerikane do të ishte e diskutueshme apo nuk do të ishte fare në hartën e botës.
Lufta për Vlorën, thekson autori konfirmoi postulatin e famshëm taktik të “fait accompli” (faktit të kryer në terren përpara se sa të nisen negociatat diplomatike) një faktor që i shërbeu qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës për të mbështetur presionin diplomatik ndaj Italisë. Kjo ishte një arritje madhore, sepse asnjëherë më përpara shqiptarët nuk kishin shkuar në negociata diplomatike mbi bazën e praktikës së fatit ushtarak të kryer në terren.
Më vjen mirë që autori i mëshon stilit aristokratik të diplomacisë dhe rolit të saj në luftë, si dhe faktit që i referohet kryediplomatit botëror Henry Kissinger.
Lufta Mbarëshqiptare për Vlorën që nisi atë qershor 1920 nuk mund t’i shmangej aksiomës klasike të gjeneralit prusian Carl von Clausewitz: “Lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera”.

Gjatë përurimit të librit Lufta për Vlorën, 1920 i autorit Zeno Jahaj, Vlorë, 28.02.2026
