22/12/2024

LUFTA PËR TË MBETUR NË… HISTORI

0
Ndue-Dedaj

NGA NDUE DEDAJ

Është e njohur shprehja “Lufta për të mbetur njeri”, si titull librash, përfshi dhe i një përmbledhje artikujsh, intervistash dhe fjalimesh për demokracinë të shkrimtarit dhe politikanit Pjetër Arbnori, që për të mbetur njeri iu desh sakrifica prej 28 vitesh burg politik dhe moskompromisi me padrejtësinë as në demokraci. Edhe pse nuk mund të ketë në jetë një luftë më të madhe se sa ajo për të mbetur njeri, për çudi duket se tashmë është një tjetër “luftë” që na ka kapluar marrëzisht, ajo për të mbetur në histori!? Mund të duket e pakumtimtë, megjithatë është shpërfaqur një realitet i ri social, ku njerëzit përpiqen me të gjitha mënyrat dhe mjetet për t’u arkivuar në histori, që të mos shkojnë ashtu hupët në të ardhmën kur të mos jenë, por të kujtohen me pahir.

Politikanë të rëndësishëm dhe shtetarë të lartë, që u janë shpopulluar krejt malësitë në jug e në veri i kanë vënë syrin historisë, edhe pse ajo, në vend që t’iu ngre piedestale, do t’i ndëshkojë, pasi ata nuk ndoqën politika për ta frenuar e ndaluar këtë zhbimje antihistorike. Disa herë në fushata elektorale është thënë nga kandidatë të ndryshëm për deputetë, kryebashkiakë e gjer kryeqeveritarë: “Unë punoj për historinë”, që emri i tyre të përmendet brez pas brezi. Mirëpo ky është vetëm një iluzion. Një ëndërr e bukur me sy hapur. Kujtesa e historisë është krejtësisht tjetër. Ajo mban shënim jo ëndërrat e një nate vere, por realitetet. Vezirit të Shkodrës, Mehmet Pashë Bushati (shekulli XVIII) i ishte harruar dhe emri në treqind vjet, por “Ura e Vezirit” në Kukës e ndërtuar prej tij thirret kështu dhe sot e kësaj dite, edhe gjysmë shekulli mbasi është përmbytur nga hidrocentrali i Fierzës. Ia hoqën Mbretit të shqiptarëve gjithçka, përfshi dhe të drejtën për të hyrë në Shqipëri nga Kongresi i Përmetit, ama urën mbretërore mbi Mat, ndërtuar më 1927, populli vazhdonte me e quajt “Ura e Zogut”. Askush më Kuçovën nuk e quan “Qyteti Stalin”, kurse qyteti “Bajram Curri” vazhdon në çdo kohë me të njëjtin emër. Kjo është historia.

Ata që i kanë dy para mend në krye veç me historinë nuk “ngatërrohen”, pasi vetëm aty nuk mund ta hapësh vendin vetë. Se ka dalë dhe kjo puna e rishkrimit të historisë dhe ku i dihet, ata që janë mund të dalin e disa të tjerë do të hyjnë pa iu marrë leje historianëve të indoktrinuar. Si, për shembull, disa krerë të malësive shqiptare.

Bajraktarët “reaksionarë”, misionarë të flamurit të Pavarësisë

Dedë Gjo Luli, nga paria e Hotit, e ngriti flamurin shqiptar në majë të Bratilës në Kelmend. Historia me të drejtë ia ka njohur meritat si askujt, por ai nuk ishte vetëm. Aty ishin dhe bajraktarët e malësive shqiptare, ku në një fotografi para flamurit të ngritur atë ditë shihet dhe djali i Kolë Tomës, bajraktarit të Velës. Sot vërehet një gjuhë e kursyer kur flitet për veprën e shquar atdhetare të figurave të tilla, kurse në revistën “Hylli i Dritës” më 1937 shkruhej me stil panegjerik: Kol Toma e Ded Gjo’ Luli, i pari në Malci t’Lezhës, i dyti në Malci të Madhe, qenë dy burra të thatë e të gjatë, të idhtë e kuvendçar, me mende të hollë e të pakrení, burra beset e me shumë burrni, që kanë ma të madhin meritim e ma të shkëlqyshmen lumni në dëshmorët e Shqypnis, se qenë ma të parët trima që filluen veprimet për lirinë e Atdheut. Kjo është dhe dekorata më e lartë për ta.

Merita historike është se bajraktarët u ngritën nga flamuri i vogël lokal i bajrakut të tyre tek ai kombëtar. Ky është një hap i madh rilindës. Si në majë të Bratilës – Deçiq më 6 prill 1911, si në Fan e Kimzë të Mirditës më 26 prill 1911, të njëjtët protagonistë – bajraktarët dhe krerët e tjerë të maleve. Në të dy rastet nuk u ngrit flamuri i krahinave, por ai i Shqipërisë. Kjo ishte vetëdija kombëtare e bajraktarëve dhe krerëve në përgjithësi. Preng Marka Prenga, bajraktari i Oroshit për një gjysmë shekulli, njëherësh kryebajraktar i Mirditës, me merita të mëdha si prijës popullor dhe luftarak, ende vazhdon me qenë i “munguari” historisë. Ai këshillohej gjithnjë me Abat Prend Doçin për punët e luftës dhe të paqes, kuvendet dhe flamurin. Është dekoruar më 1962 me medaljen “Për veprimtari patriotike”, është shkruar ndonjë monografi për të në kohën e sotme, por ky flamurtar i pazakontë nuk është vënë në pidestalin e merituar. Ngaqë nuk është rishkruar historia dhe shumë ngjarje historike ende kundrohen bardhë e zi. Teksa rishkrimi i saj bëhet në Tiranë, pasi atje janë arkivat, institutet kërkimore-shkencore, historianët etj. Ka gjasë që bajraktarët ende mbajnë mbi vete hijën që ua lëshoi Partia e Punës. Mëkati i tyre qe se ata nuk e deshën partinë komuniste dhe kjo i ndau gjërat…

Historiografia e djeshme ka qenë ideologjike dhe ka ecur hapur me paragjykim. Kështu nëse njëri nga tribunët e Pavarësisë, me të drejtë njihet si hero kombëtar dhe krejt Malësia e Madhe mban titullin “Nderi i Kombit” edhe prej tij, figura të tjera të dorës së parë si ai nuk janë sot në muze, në tekstet e historisë, guida etj., paçka se ka filluar të ketë një optikë tjetër sa i përket Preng Calit, një hero i gjallë i trojeve shqiptare. Pa hequr paralele mes Dedë Gjo Lulit të flamurit të Bratilës, që u vra në pabesi nga malazezët më 1915 dhe Prengë Marka Prengës së flamurit të Kimzës, ky i fundit nuk njihet kombëtarisht, pasi nuk kishte sesi regjimi i djeshëm të shpallte figurë kombëtare një atdhetar nga Oroshi reaksionar i Gjomarkajve!? Për më tepër, Prengë Marka Prengës, që kishte udhëhequr kryengritjet e Pavarësisë për çlirimin e Lezhës, në krye të ushtrive mirditase, mbas Luftës II i futet në burg politik njëri nga djemtë.

Po për arsye ideologjike ende nacionalisti i njohur Muharrem Bajraktari i Lumës nuk është ndriçuar si figurë historike e kohës së tij, përpos se nga botimet e autorëve kuksianë. Për kontributin në krijimin e xhandarmërisë shqiptare, nga Mbreti Zog qe dekoruar me “Urdhrin e Skënderbeut” etj. Ai ishte njëherësh antifashist dhe antikomunist. Janë lënë jashtë historiografisë zyrtare jo vetëm figura të rëndësishme politike e shtetërore komplekse, por dhe ngjarje si masakra e Buzëmadhes e shtatorit të vitit 1944, ku partizanët e Brigadës V Sulmuese vranë 21 banorë lumjanë, që më pas u quajtën viktima të Luftës. Për mendimin tonë, barra e historiografisë është të shkoqisë pikërisht komleksitetin e këtyre figurave dhe ngjarjeve, duke i dhënë hakun secilës, pa i parë ato tashmë: o vetëm bardhë, o vetëm zi. Kemi frikë ta ngrëmë Muharrem Bajraktarin se na “bie” Bajram Curri, me që historia i pati vënë dikur në pozita kundërshtare?! Po sa përplasje e përballje të tilla, njolla të njërit apo të tjetrit mund të kemi përgjatë historisë? Protagonistët e historisë nuk janë “produkte” laboratorike, që mund t’i kemi të gjithë si Luigj Gurakuqi…

Piedestale të rreme dhe piedestale që presin

Për të kuptuar se sa e dyshimtë është historiografia e deritashme lidhur me ngjarjet e shekullit XX, mjafton një kundrajë në lojërat e Sigurimit të Shtetit pas Luftës, ku ka “heronj të heshtur” të vrarë nga vetë arma e dashur e Partisë!? Edhe në kohën e demokracisë, krahas vlerësimit të disa figurave historike të ndaluara politikisht, janë vënë në fokus dhe të tjerë të pamerituar, prej ndikimit politikës pragmatiste. Mirëpo nuk është e sigurtë se keta të rremit do t’i mbijetojnë historisë. Më të vërtetë që ekziston një si aksiomë që duhet respektuar çdokush që ra për një ideal, po këtu problemi është pikërisht ideali, cili ishte i tillë dhe cili jo.

Heronjtë e kauzave të mëdha, misionarët e shquar të progresit njerëzor nuk ka nevojë t’i identifikojnë klanet e ndryshme, pasi ata kanë zënë vend vetë në panteon. Përherë e më shumë flitet për Papa Klementin XI, po i bëhen buste e shtatore pas treqind vitesh në Tiranë, Mërqi të Lezhës etj. Urojmë që kjo të ndodhë dhe me imzot Prend Doçin, i cili ende nuk ka një shtatore publike në Mirditë, Shkodër apo Tiranë, edhe pse në kryeqytetin shqiptar shkollat e reja mbajnë emra politikanësh bashkëkohës, shuar vitet e fundit. Këto ditë u përkujtua më Muzeun Historik Kombëtar folkloristi i shquar At Bernardin Palaj, njëri ndër sëndërtuesit e kolanës “Visaret e Kombit”, ndërkohë që figura të tilla deri vonë shiheshin si të kishës, kur ishte fjala për t’i nderuar e vlerësuar. Sa më shumë që t’i bëhet jehonë veprës studimore të Aleksandër Xhuvanit, Injac Zamputit, Rrok Zojzit, Qemal Haxhihasanit, Emid Tedeskinit, Ramadan Sokolit, Aristidh Kolës etj. njerëzit jo vetëm që do të njihen me një elitë dijetarësh shqiptarë të rendit të parë, por dhe do të kuptojnë amatorizmin  e disave që besojnë në “veprën” e tyre studimore (reformuese!) në lëmë të gjuhës, historisë, etnologjisë etj.

Njerëzit mirëpresin çdo nismë shkencore që synon t’iu shkojë punëve të historisë në themel. Është njoftuar se me 9 dhe 10 tetor Akademia e Shkencave do të organizojë në Tiranë dhe Mirditë një konferencë shkencore dyditore, kushtuar Shtetit të Arbërit (shteti i parë shqiptar, që i ka fillimet në vitin e largët 1190), me pjesëmarrjen e historianëve më të njohur. Profesor Shaban Sinani, gjatë një komunikimi që patëm me të rreth kësaj veprimtarie, na bëri me dije se është themeluar çmimi “Shuteriqi” për botime dokumentare, është shpallur konkursi dhe çmimet do të akordohen në ditët e konferencës.

Shpresojmë që në të njëjtën vazhdë, në të ardhmen nga Akademia e Shkencave të organizohen konferenca të tilla dhe për ngjarje të tjera madhore, kulmore në historinë e mesjetës së vonë, si Kuvendi i Arbnit (1703).

Të futesh në histori përmes “veprës” prej kartoni…

Është edhe kjo mendësi provinciale. T’i përcillesh historisë si autor! Për çudi, shumë individë që ndryshimi i sistemit politik ua ndërpreu karrierën si nëpunës të administratës, dhe pse nuk kishin asnjë lidhje me punët e shkencës, historisë, shkrimtarisë, u lëshuan pas kësaj “zeje” si të ishte një tokë djerr, duke sajuar libra që vetëm të tillë nuk mund të ishin. Meqë nuk kemi se si të bëjmë karrierë ndryshe për t’u leçitur nesër në histori, hajt o burra të shkruajmë libra!… Është një nga shkaqet që njerëzit janë ftohur me librin, duke e braktisur jo pak atë. U krijua ideja se libra mund të bënte krejt mëhalla. Libromania është një problematikë që e kemi trajtuar qysh nga vitet 2000, kur kishte filluar të përvijohej si dukuri, që jo vetëm nuk ka ardhur duke u zbehur, përkundrazi është kthyer në një epidemi. Teoria e masave, masivitetit i përket monizmit dhe njerëzit vinin në pluralizëm të mbrujtuar me mendimin që njeriu mund ishte “specialist për gjithçka”. Ndërkohë që artet, letërsia, shkenca nuk janë asnjëherë sipërmarrje masive, ku mund të kontribuojë gjithsekush, por zhvillohen vetëm nga njerëz që kanë dhuntitë e duhura. Grafomanët vazhdojnë të besojnë se me “veprën” e tyre po ndihmojnë në emancipimin e shoqërisë, se janë duke dhënë këtë apo atë mesazh etj!? Ata besojnë se nesër seria e veprave të tyre do t’i rrështojë me korrifejtë e kulturës shqiptare. Po Migjeni që nuk ka një seri veprash, por vetëm dy të tilla, si do t’ia bëjë? Po Lasgushi, gjithashtu vetëm me dy libra, “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i zemrës”? Autorët seriozë nuk nisën asesi nga numri i librave, ata nuk i rreshtojnë ato në vitrinë si trofe, se i druhen “syrit të keq”. Më fjalë të tjera ata e dinë se krijimtaria nuk është sasi, por cilësi. Ky është thelbi i qenies së tyre krijuese. Paçka lirisë së botimit, askund në Europë nuk mund të prodhosh libra në këtë mënyrë, pasi në thelb ky nuk është botim, por shumëfishim dorëshkrimesh nga vetë autorët. Botimi është institucion më vete, që nënkupton editimin, redaktimin, korrektimin, promovimin, tregun e librit etj., prandaj janë shtëpitë botuese, po që shpesh as ato nuk e ndalojnë këtë prurje mbarëpopullore “veprash” pa kurrëfarë vlere, produkt i plagjiaturës dhe mediokritetit.

Nuk dimë se cila do të ishte lutja në këtë rast, që të na shpëtonte nga marrëzia e “shkrimtarisë”, pasi asaj lutjes së famshme ironike të Faik Konicës të para një shekulli për të mos shkruar, kur nuk kemi gjë për të thënë, as që ia kemi vënë veshin. Thua kaq hollë të na ketë njohur që atëherë, kur ende nuk kishim lindur, apo “vesin” për të shkruar të gjithë njerëzia vjersha e kishte vënë re te bashkëkohësit e tij? Ëh, grafomania dhe historia nuk takohen askund dhe asnjëherë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok