04/12/2024

LOTËT E ZOGAJ DHE GECIT AKUZË KLANIT TË LDK-SË

0
Idriz-Zeqiraj1

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Dokumentari “Rugova në 18 vjetorin e amshimit”, i realizuar suksesshëm nga shoqëruesi klasik, Adnan Merovci, me ekipin artistik, ngjalli ndjenja të fuqishme malli e dhimbje, duke përlotur shqiptarët e përbotshëm për njeriun unik, Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova.

Në mesin e asaj game bashkëpunëtorësh e miqësh, veçuam dy syrësh: Skëndet Zogaj dhe Fadil Gecin. Shërbimi i këtyre dy veprimtarëve për Rugovën, LDK-në dhe Kosovën, ka qenë sipëror. Gazetari Skënder Zogaj, si gjithherë, profesional e brilant, me guximin e bollshëm qytetar, dinjitar dhe me integritet të plotë, i drejtpërdrejtë në trajtimin e temave të “nxehta”, për Kosovën dhe bijtë e saj të përgjakur, të listuar dhe të ekzekutuar ngeshëm e me sadizëm. Dinjitoz për përfaqësimin diplomatik të Kosovës në Shqipëri, në një kohë të rrëmujshme dhe më vonë drejtues komunar.

Fadil Geci, me vëllezërit e tij, u rrjeshtuan në çetën e parë luftarake drenicare, nismë e mbarim të luftës. Vëllazërisht në shoqërim të Presidentit, në ato kohë të mugëta, kur hafijet e Serbisë në Kosovë, kërkonin hiç më pak se kokën e Rugovës; kur duhej ruajtur gjoksin nga armiku pushtues dhe shpinën nga fara staliniste, LPK-së ekstremiste. Përgjakja në luftë është e pritshme, por, përgjakja në paqe, është e trishtme, zhgënjyese. Përballje loti kursehet, por në bërrylimet cinike klanore, lotët rrjedhin çuditshëm, siç ndodhë me përlotjen mallengjyese të Skënder Zogaj dhe Fadil Gaci, për Presidentin Rugova, të cilët u përjashtuan nga mundësia, për ta mbrojtur LDK-në rugoviane!

Shuarja e dhimbshme dhe e trishtme e Presidentit Rugova, solli në skenën partiake klanorët bërrylorë. Uzurpuan partinë dhe larguan, në heshtje, ajkën e rugovizmit, për t`i pasur duart e lira të veprimit, gjithnjë në kahje të kundërt të parimeve rugoviane. U bënë ortakë me përgjakësit e LDK-së, “me dreqin dhe të birin”, vetëm pak pushtet të ndotur të kishin. I luftuan me heshtje e harresë, të gjithë ata që parimet e dlira rugoviane, i ruanin dhe i mbronin me fanatizëm.

Me selektimet e kuadrove, gjithnjë në kahjen negative, e përskeqën LDK-në, krijesën hyjnore të Rugovës, deri në prag-shuarje. Për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet, disa nuk e pranuan, në pafundësi, “harresën dhe heshtjen” dhe vepruan. Edhe pse u anatemuan, përsëri, në mënyrë të tërthortë, ruajtën një pjesë të elektoratit, për ta kthyer në bazë, në gjenezë, pas ndryshimit të bërë.

Një krua që ka rrjedhur gjithmonë, edhe në mos rrjedhtë ma, do të pikojë”, – thotë populli. Me organizimin e ri të LDK-së, po reflektohet edhe vazhdimi i traditës. Me themelimin e Nëndegës së re të LDK-së në Rosenheim të Bavarisë, Ardian Gërvallën dhe Nehat Gecin i zgjodhën, përkatësisht, kryetar  dhe nënkryetar. Geci ish-roje e afërt dhe besnike e Presidentit Rugova, ndjehej sa i privilegjuar, aq edhe i përmallur, sepse edhe pas amshimit të kryezotit Rugovë, po i jipej rasti për të shërbyer në ruajtjen e trashëgimisë së Tij. Në Hamburg Nëndegën e re të LDK-së e organizoi Rilind Geci, nipi i Nehatit me shokë, duke i prirë asaj.

Fraksioni legal brenda partiak më i pranueshëm, se sa klani mafioz ilegal në parti

Vihet re një riorganizim i klanit Mustafa, për ta rehabilituar atë me rrethin e tij vicioz. Për tërheqjen zvarrë dhe zhveshjen deri në mbathje (brekë) të kryetares së LDK-së në Gjermani, Donikë Gërvalla, nga bodiguardët e ministrave të Isa Mustafës, ky klan kurrë nuk janë penduar dhe nuk kanë kërkuar falje!

Së fundi, në një dabat televiziv PAN-istë, ku nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është bërë -yll televiziv-, bëri një provokim të rëndë. Ai tha se “rasti ishte inskenim!” Kjo është një shpifje dhe fyerje e rëndë si dhe një manipulim i vrazhdët. Si delegat në 4 (katër) Kuvendet zgjedhore të LDK-së, kam përcjellur nga afër maskaradën kuvendore. Mungesa e debatit, analizës dhe prania e aklamacionit, si kancer i demokracisë, rrënuan partinë famoze, LDK-në e Ibrahim Rugovës.

LDK-ja në Mërgatë, në veçanti, në Gjermani e Zvicër, ka ruajtur praktikën rugoviane të votimit të fshehtë. Edhe 9 (nëntë) delegatët nga Gjermania ishin fryt i kësaj përzgjedhje. 6 (gjashtë) syrësh ishin familjarë të ngushtë të heronjve të vrarë nga UDB-a dhe SHIK-u kriminal. Në mes tyre edhe Donikë Gërvalla. Dhe, kryeklanorët e LDK-së nuk i donin në sallë familjarët e viktimave. Sepse ata mendonin dhe do të vepronin ndryshe, nga delegatët kukulla të Kuvendit “Zgjedhor”.

Delegatëve të Degëve Gjermani, Zvicër, edhe pse kishin bërë rrugëtimin 4.000 km., ardhje-kthim, dera e Kuvendit iu mbyll. Kjo ishte kriminale, cinike dhe skajshëm rrugaçërore. Asaj dite, të 25 majit 2015, delegatët e Kuvendit, do të duhej, në shenjë proteste, të largoheshin, duke lënë në sallën kuvendore kryetarin Mustafa, me klanin e tij horrak e marroq. Kjo është e vërteta, madje në shkallën sipërore. Andaj, mos provokoni, se nuk jua kemi borxh!

Klani Mustafa nuk arriti ta realizojë përçarjen në Degën e LDK-së në Gjermani, sepse atje drejtonte Donikë Gërvalla, veprimtarja më luftarake në botë, për çështjen e Kosovës. Ajo në debatet televizive prestigjioze të Evropës dhe në sallat e takimeve, ishte fitimtare në të gjitha përballjet, madje me fakte të pakundërshtueshme, qofshin ata personalitete serbe, ballkanase, evropiane dhe të përbotshme. Por, Isa këmbënguli në vazhdimin e dallavereve të tij në Degën e Zvicrës, duke e përçarë e ndarë “pikë e pesë!” Këto pisllëqe nuk munguan as përgjatë mandatit të kryetarit të suksesshëm Osman Ferizi, shok i armëve të heroit Sali Çekaj, me intrigimet klanore bojkotuese dhe sabotuese. Por, dështimi ishte i pritshëm.

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me ekipin e tij drejtues, ka shpalosur një program ambicioz, për rikthimin e partisë së Rugovës në pushtet. Fillimisht, emërtesa “Rruga e re”, ngjalli huti, sepse i kujtoi elektoratit të LDK-së deklaratën publike të Isa Mustafës: “Do ta krjojmë një -Lidhje të re-! Dhe, vërtet, e mbajti fjalën, duke e harruar LDK-në e vjetër! Rrjedhojat dihen, 14 shkurti 2021, partia “ra në fund të pusit!”

Së fundi, kryetar Lumiri shpjegoi edhe slloganin “Rruga e re”, se nuk ka të bëjë me partinë, por me qeverisjen. Ndërsa rrugëtimi ynë do të mbetet rugovizmi i pacënuar. Lidershipi i ri duhet të punojë që veprimtarët e dëshmuar, në vite e dekada, të vijës rugoviane, të harruar dhe rrast të lënduar, të aktivizohen në ringjalljen e sërishme të LDK-së. Ky do të ishte homazhi, nderimi më i madh i Presidentit Rugova. Përkrahja për kryetarin Abdixhiku, me ekipin e tij, duhet të jetë e parezerva dhe pahile.

Ka një tendencë negative, madje në rritje, për të sabotuar ristrukturimin e LDK-së, nga klani Mustafa. Kjo manifestohet në debatët publike televizive, por, edhe më shumë punohet në mjedise tjera, më pak publike. Po keqpërdoret edhe afrimi i sërishëm i disa syrësh në Kryesinë e LDK-së. Kur ata pyetën për preferencat në koalicione, përjashtojnë me emër një subjekt, pa e deklaruar subjektin e pranueshëm në koalicion për ata. Thënë troç, duke qenë bisht e patericë të PDK-së, personalisht, të Hashim Thaçit dhe të aleatëve të tij, zemra e tyre rrahë për PAN-in, edhe pse eksponentët e tij kriminalë kanë përgjakur LDK-në dhe Kosovën.

Propaganda e tyre destruktive, po dekurajon, çmobilizon, deri në demoralizim anëtarësinë, duke e bërë të mëdyshur se asgjë e re nuk ka ndodhur në LDK-e. Këtë qasje mafioze, e favorizon mungesa e debatit, e analizës së mirëfilltë, pse LDK-ja u katandis 11 %, (jo 12, sepse ka qenë edhe B.Pacolli në koalicion) të elektoratit. Mosndëshkimi i fajit, deri në krim, siç është degradimi, me fund, i LDK-së, gjithsesi lënë mundësinë e përsëritjes, sidomos në koalicionet sa joparimore, aq edhe kriminale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok