22/12/2024

LOTË DHE KUJTIME TE VARRI I BABËS

0
Varri-i-Babes

Tregim nga Qazim Namani

Një shqiptar i lindur në fillim të shekullit XX, tërë jetën kishte punuar murator guri. Me punën që bënte kishte pasur shumë dëshirë, që ti shkollojë fëmijët e tij. Vet kur kishte qenë fëmijë, nuk kishte pasur shkolla për fëmijë shqiptarë.

Fqinjët që i kishte pasur shqiptar, ishin serbizuar dhe me ta nuk shkonte mirë. Për ndershmërinë e tij, ju kishte rënë në sy xhandarmërisë së Kralit. Shpesh herë e rrahën, e munduan me të vetmin qëllim, që të shpërngulet për në Turqi. Edhe pse e rrahën disa herë, dhe ja morën arat e livadhet më të mira, ai e vazhdojë jetën rrëzë një gurishte, duke nxjerrë gurë. Duart e tij me lëkurë të plasur e përgjakur, me vështirësi e mbanin një çekan 5 kg. Për të mbijetuar kishte vendosur, të mos shkojë as në xhaminë  e frashtit.

Kishte dëgjuar edhe për vuajtjet e babës së tij, gjatë kohës së sundimit osman. Baba i tij kishte vuajtur 12 vite burg të rëndë, ne burgun e Idrizovës së Shkupit. Në burgun turk, baba i tij për 12 vite rresht i kishte mbajtur prangat prej 12 okësh, të lidhura me s’ngjire për këmbe. Tregonin për te se kur ishte lëshuar prej burgu lëkurën e kishte pasur të ngjitur për ashti. Gjatë kohës së qëndrimit në burg, babën e tij disa herë e kishin rrahur gardianët afrikan. Nga rrahjet që i kishin bërë me kamxhik, të punuar me lëkurë bualli, me maje të veshur me plumb, shumë herë gjakun ja kishin qitur mbi këmishën e tij. Gardianët afrikan, shpesh herë i kishin shtyrë shqiptarët që të rrahën mes veti. Gjatë vizitave që i kishin bërë familjarët, në burg babës së tij, ai familjarët i kishte porositur. Kur të vini për të më parë herën tjetër, në tulin e bukës që ma sillni, ma sillni edhe një daltë të vogël hekuri. Familjarët kishin vepruar sipas porosisë së tij, dhe kur kishin shkuar për ta vizituar, ja kishin dërguar bukën, dhe në bukë një daltë hekuri. Me daltën e hekurit ai i kishte prerë prangat e rënda në këmbën e tij. Gardianët e zi për këtë rast e kishin goditur disa herë më kamxhik bualli me plumb. Një ditë baba i tij deri sa ishte në gjumë, gardianët e kishin porositur, një shqiptar tjetër të burgosur, që ta vrasin me thikë babanë e tij. Shqiptari i shkret e merr thikën, dhe por sa i ofrohet për ta vrarë babën e tij, lëshon një piskamë fuqie, dhe me thikë e sulmon në kokë. Nga piskama e frikshme, në ato momente i del gjumi, dhe me njërën dorë mundohet të ja largojë thikën, por thika e godet në buzë, duke ja qarë buzën në dysh. Nga ajo gjendje baba i tij e kishte kapur një kaçot me ujë, dhe e kishte goditur pas kokë shqiptarin, që kishte dashur të ja merr jetën më thikë. Shqiptari nga ajo goditje e rëndë, kishte vdekur në vend. Për vrasjen e tij me kaçot, nuk ja kishin shtuar vitet e burgut, por ja kishin shtuar edhe pak kg në prangat e tij.

Pas burgut kur ishte liruar, ishte martuar dhe sa ishte vet gjallë, i kishin lindur 3 fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Baba i tij këtë djalë shpesh herë, e kishte ulur në prehër, dhe i kishte thënë, turku nuk është i mirë. Mbaje mend djali im, këtë vend duhet ta udhëheqim ne shqiptarët. Ky djalë me babën ë tij, kishte jetuar vetëm 11 vite, sepse pasi kishin hyrë serbët, dhe e kishin pushtuar fshatin e tyre, babin e tij ja kishin mbytur me bajonetë në një përrua. Babën e tij atje te përroi, ja kishin varrosur fshatarët e tij. Ky si fëmijë 11 vjeçar kishte pyetur, dhe e kishte mësuar, se ku gjinden varri i babës së tij. Disa herë në vit shkonte dhe e vizitonte. Merrte gurë e rrethonte, e pastronte nga bimët dhe shkurret, ulej dhe lutej për te, duke qarë para varrit të tij.

Shpesh herë i kujtonte, fjalët e babës së tij, kur i kishte thënë për gjyshin e tij se varrin e ka diku në Plevle të vogël. Ai atje ishte vrarë në luftë me Rusinë, dhe varrin nuk ja dinte as kush. Eh more biri im, i kishte thënë, sa varret e shqiptarëve kanë humbur, e nuk dihet ku janë. Baba i tij, i kishte treguar se turqit, për ti zhdukur varret e shqiptarëve, mbi varreza kishin mbjellë kompira (patate).

Gjyshja e tij ishte një bijë fisnike e familjes Orana, që tani pas që ushtria serbe i kishin shpërngulur nga pronat e tyre ishin vendosur në Prishtinë. Atij i rrinin në mendje dajat e babait të tij, dhe shpesh i kujtohej Salih Gogla i cili vinte në fshat me gomarin e tij, për të marrë disa kokrra ashav, dhe pak ushqim për ti ushqyer fëmijët e tij. Kur dajat e babait të tij, dhe shumë shqiptarë tjerë, që ishin shpërngulë nga Sanxhaku i Nishit, ishin vendosur në Prishtinë, kasollet e tyre i kishin ndërtuar në një shpat të mbushur me shkurre. Qytetarët e Prishtinës, që ishin në shërbim të pushtetit osman, këta varfanjak të mjerë i shikonin me përbuzje, dhe tërë atë kompleks të kasolleve e quanin “Mëhalla e Muhaxhirëve” edhe pse ata ishin në tokat e tyre dardane.

Këto familje, që tani i kishin braktisur tokat e tyre, dhe varrezat e të parëve, i krijuan pran kasolleve të tyre.

Axha i tij kishte qenë një plak i urtë, punëtor dhe i mençur. Para Luftërave Ballkanike bashkë fshatarët e tij, e kishin zgjedhur Koxhabash (Kryeplak fshati). Ai kishte qenë i martuar me Mihane Vrapcen, po ashtu bijë e një familje, që e kishte braktisur fshatin e tyre, dhe ishin vendosur në një fshat tjetër brenda kufirit të ri mes P. Osmane dhe shtetit serbë të krijuar në tokat arbërore.

Në luftërat ballkanike edhe këto pjesë të Dardanisë, u sulmuan nga sllavët. Ata u detyruan ta braktisin fshatin e tyre, për të gjetur strehim diku në Prishtinë. E tërë rruga nga fshati i tyre e deri në Prishtinë, kishte qenë e frikshme, shumë shqiptar vriteshin dhe digjeshin në shtëpitë e veta. Familjarët e tij para se të hyjnë në Prishtinë, kishin pas shumë rreziqe. Këtë si foshnje e kishin bartur në supe, kur i kishte mbushur pak më shumë se dy vite jetë, tërë ato ngjarje, ai nuk e mbante mend, por më vonë, i kishte dëgjuar shpesh rrëfimet e familjarëve të tij.

Gjatë ikjes para ushtrisë serbe, diku afër proçkave të Butocit, para se të hynin në Zabelin e Pashës, familjarët e tij i kishin hedhur, të gjitha veshjet dhe shtrojën, që e kishin marr me vete, kur e kishin braktisur shtëpinë në fshat. Për ta shpëtuar kokën, para ushtrisë serbe, duke ikur më shpejtë, kishin hyrë në Prishtinë, dhe ishin vendosur në shtëpitë e dajave të gjyshit të tij diku në “Lagjen e Muhaxhirëve”.

Një ditë axha i tij, për të siguruar pak ushqim, kishte dal në rrugicat e Prishtinës, kur ushtria serbe e vërejti, e ndiqte për ta kapur të gjallë, por ai me shpejtësi kërcen muret e disa oborreve për të shpëtuar. Në këtë rrëmujë, djali i axhës së tij Lahu, i cili posa i kishte mbushur 12 vite jetë, e kishte hapur derën e oborrit, për të kuptuar për fatin e babës së tij, por ai ishte kidnapuan nga ushtria serbe, dhe tërhiqej para bajonetave përpjetë rrugicës së kësaj lagjeje. Nëna e Lahut Mihanja, tërë këtë skenë trishtuese, me vaj dhe mall e shikonte djalin e saj, para bajonetave serbe prej oborrit të shtëpisë ku ishin strehuar. Si kishte treguar shpesh Mihanja, Lahu e dëgjonte vajin e nënës së tij, edhe pse ngrihej zvarrë para bajonetave, ai mundohej që ta kthente kokën prapa, andej kah i vinte zëri i nënës së tij, por goditej nga ushtarët serbë. Mihanja duke qarë e vajtuar e kishte përcjellur me sy, deri në kthesë të rrugicës, që nuk mund të shihej ma me sy.

Pasi kaluan gjashtë muaj dimër, dhe ushtria serbe, fillojë të pakësohet në Prishtinë, familja e tij kishin vendosur, që të ktheheshin në fshatin e tyre.

Në fillim të Pranverës, në një ditë të ngrohtë me diell, ata u kthyen në fshat. Tani familjes i mungonte Lahu i vogël, që e kishin kidnapuar serbët në Prishtinë. Shtëpitë e tyre në fshat, ishin plaçkitur dhe djegur nga ushtria serbe. Nga tërë pasuria e tyre në fshat, kishte mbijetuar vetëm një lopë, e cila tërë dimrin e kishte kaluar në bodrumin e shtëpisë së djegur, dhe ishte ushqyer me dy sanë, që i kishin shpëtuar zjarrit në oborrin e tyre.

Familjarët e kishin adaptuar një kthinë për banim pranë oxhakut të shtëpisë së djegur. Pranë oxhakut qëndronte Mihanja, duke qarë e vajtuar për djalin e saj Lahun. Nga lotët e derdhur Mihanës, ju kishin verbuar të dy sytë. Ajo dhe ashtu e verbër qëndronte ulur, dhe tërë kohën e vajtonte djalin e saj. Çdo njeri që i fliste asaj, ajo e pyeste, a mos ka dëgjuar ndonjë fjalë për Lahun e saj.

Ky tani ishte rritur, dhe përherë i kujtonte rrëfimet e të parëve të tij. Sa herë që vinte në Prishtinë e vizitonte shtëpinë e dajave të gjyshit të tij, dhe varrezat e tyre në “Lagjen e Muhaxhirëve”. Në vitin 1955, pushteti serbë kishte planifikuar që të prishen varrezat e shqiptarëve në “Lagjen e Muhaxhirëve” për ti shndërruar varrezat në park të qytetit!

Një ditë tregu në Prishtinë, e kishte sjellë për ta shitur një dash. Dashin e kishte shitur për 10 banka, ndërsa vetëm lëkura e dashit shitej për 12 banka, por se fshatarët nuk mund ti shisnin lëkurat në qytet, sepse i blinin dhe i shitnin vetëm qytetarët e pasur të Prishtinës mes veti. Sa herë që vinte në Prishtinë, ai gjente kohë, për ta vizituar parkun dhe vendin ku kishin qene të varrosur, dajallarët e babës së tij. Ai shpesh herë tregonte shkakun pse shkonte e ulej në atë vend. Po ulem e mbështetem në një dru, që serbët e kanë mbjell në varrin e Sali Goglës, që për sa kohë, që unë qëndroj aty, të mos lejoj të urinoj mbi varrin e tij, ndonjë qen llaskuç i Prishtinës. Kështu ai e mendonte edhe fatin e varrit të tij, andaj vendosi që ta ndërtoje gurin e varrit të vet.

Dy muaj pasi serbët ja vrasin babën, këtij i kishte lindur edhe një vëlla, që e kishin pagëzuar në emrin e babës së tij. Gjatë pushtimit serbë që të dytë u rriten në mundime, i rrahën dhe i burgosën të dytë, madje edhe me bijtë e tyre, dhe  e persekutuan rënd familjen e tyre. Njëra motër, nga vuajtja dhe varfëria ishte sëmurë rëndë nga tuberkulozi, dhe vdiq e re, duke lënë pas veti shumë fëmijë jetim. Vëllai tjetër së bashku më te, dhe bijtë e tij, në kohën e Rankoviqit i kishin torturuar, me metodat më çnjerëzore, që i bëri ai pushtet. Vëllait e tij nga rrahjet në burg, ja kishin rrënuar shumë shëndetin, e kishin sjellë para vdekjes, madje në peshë deri në 35 kg. Nga vuajtjet e burgut, para kohe u verbua, dhe vdiq në moshë më të re. Motrën tjetër që kur ja kishin mbytur babën, kishte mbetur jetime në moshën 4 vjeçare, pas 80 viteve në moshën 84 vjeçare, serbët në luftën e fundit, ja vranë dhe ja dogjën në shtëpinë e saj. Në moshën 90 vjeçare serbët e shpërngulën prej shtëpisë së vet. Ishte diku larg, kur e mori lajmin, që serbët ja kishin vrarë dhe djegur të vetmen motër, që e kishte pasur ende gjallë. Lajmi për djegien e motrës, e mundonte shumë. Më në fund edhe ky vdiq në vitin 2002, në moshën 93 vjeçare, por la pas një porosi dhe një kujtim për vuajtjet e tij.

Tani këta jetim të rritur në vuajtje, përveç turkut e kishin urryer edhe xhandarmërinë e Kralit, por edhe të kohës së komunizmit. Sa kishte qenë gjallë, kishte punuar punë krahu, dhe vazhdimisht i kujtonte fjalët e babës së tij, por kishte vendosur që të vdes si shqiptar. Disa herë kishte thënë, duhet me lënë shenj se kush je e kush ke qenë. Nuk kishte ditur shkrim e as lexim, por në varrin e tij, nuk dëshironte të lente shenja të pushtuesve. Me çekanin e tij rrëzë atyre maleve, e kishte zgjedhur një guri për vete. Atë guri e kishte punuar, që kur të vdes të ja vendosin te koka e tij. Në atë guri e kishte skalitur plisin e tij të bardhë, me shallin e tij, që edhe si i vdekur të identifikohet si shqiptar.

Para se të vdiste djemve të tij, ju kishte lënë amanet, që kur të vdes këtë guri të ma vëni te koka ime, e të dihet se këtu pushon një shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok