Llogoret që ka hapë qeveria e vendit tonë kundër perëndimit, gropa të zeza
Nga Ndue Ukaj
Llogoret që ka hapë qeveria e vendit tonë kundër perëndimit, nuk janë suksese, por gropa të zeza e me pasoja tepër serioze për vendin tonë, disa prej të cilave veçse jemi duke i paguar shtrenjtë.
Parullat patriotike, të cilat i mban lart pushteti, nuk janë vepra patriotike, por shërbejnë si ajo lopa patriotike, për me mjelë, në funksion të pushtetit e sundimit.
Pamundësia për ta realizuar një takim me vlerë në Shtëpi të Bardhë, për kaq shumë vite në pushtet, nuk është shenjë e miqësisë së Kosovës me perëndimin, por e kundërta.
Sanksionet, izolimi, si dhe qortimet e përditshme drejtuar Kosovës, nuk kanë lidhje me miqësi, por janë dëmi më i madh që i është bërë vendit tonë, që nga pas lufta e deri me sot.
Broçkollat për gjoja shtrirje të sovranitetit në veri, janë pije droguese ideologjike për elektorat, sidomos për ata që teshat patriotike i kanë stinore.
Paaftësia që për një mandat e më shumë, mos me mujtë me mbaru një punë me vlerë, që e mban vulën e kësaj qeverie, nuk mundet m’u mbështjellë me gënjeshtra, siç nuk mundet m’u fshehë dielli me shoshë në një ditë të bukur vere.
Këto, janë vetëm disa nga arsyet, përse sot pushteti populist, bërtet e çirret tek numron fitoret dhe entuziazmin e “fitoreve” e propagandon me epsh të pashoq, ama humbjet dhe shkretimin e jetës, e di se ua lë qytetarëve dhe breznive që vijnë.
Këto soj pushtetesh, tregon historia, predikojnë vazhdimisht për parajsën, por popujt i tyre i çojnë në ferr. Kujtone pak Shqipërinë dalëzotëse e të fortifikuar kundrejt imperializimit perëndimor – kjo është logjika që e ka mbërthyer vendin tonë.
Suksesi më i madh i kësaj qeverie, e për çka ka m’u mbajtë mend shumë gjatë, është largimi nga perëndimi dhe degradimi i raporteve me krejt botën, që ishte krahë nesh e me ne.
Pushteti i sotëm, me llavat e egra propaganduese, sajojnë armiq e mbjellin frikë, sepse frika është aleat besnik i pushteteve të këqija.
Dhe kjo është arsyeja pse mundohen t’iu mbushin mendjen besimtarëve të tyre, se ata janë të shenjtë, kurse krejt të tjerët, perëndimi, opozita, Shqipëria, mediat, etj., janë shejtana.
Një stërkeqje kaq të frikshme politike, njeriu normal, do të ndihej keq sikur ta shihte në një vend tjetër shumë të largët, e le më në vendin e vet.
T’i lexosh lajmet e sotme, ngjan si në tregimet e ankthshme komuniste: shteti rri pip përpara partisë, partia është e shenjtë, shfaqet kudo, si një fantazma që vështron gjithçka e di gjithçka, që shenjtron ata që i bashkohen dhe i dënon me flakën e drejtësisë partiake krejt ata që s’ janë me të.
Kjo gjuha kaq e idhët, nuk ka lidhje me vlera demokratike dhe as me interesat e vendit tonë.
Me këto hov të degradimit, asnjë shtet nuk ka nevojë të punojë kundër nesh.