Llafologjia dhe hipokrizia e udhëheqësve tanë
Nga Ndue Ukaj
Kur i dëgjon qysh flasin udhëheqësit tanë kundër Europës, dhe në anën tjetër i njeh sjelljet e tyre të mjera politike, e kupton sesa thellë në zemër ata e kanë të thadruar mendësinë jo perëndimore.
Para se ta drejtojmë gishtin qortues kundër të tjerëve, duhet ta kthejmë kah vetvetja dhe të shohim në ç’ nivel është kultura politike e shtetit tonë ?
E vërteta është se kultura e jonë politike është e shkretë, e dominuar nga mllefi, urrejta e injoranca e thellë dhe këto shëmti askush nga jashtë s’na ka sjellë.
Të pendohesh, të thuash se kam gabuar, të pranosh kritikat, janë cilësi e mendjës së pjekur, dhe këto vërtet janë vlera të nalta perëndimore, prej të cilave duket sikur ne jemi divorcuar moti kohë.
Mjerisht, ka vite prej kur Europa shahet e përbuzet, herë-herë duke u shëbyer me disa vargje të Fishtës, e ndonjherë duke ngjyrë në tabanin ideologjik e kulturor jo perëndimor, por s’ mbaj mend që një udhëhqës i yni njëherë të ketë thënë: Po, edhe ne kemi gabuar.
Kosova qëmoti do të mundë të ishte pjesë e Bashkimit Europian, sikur kjo të varej nga parullat, llafologjia dhe hipokrizia e udhëheqësve mediokër që Europën e kundrojnë prej një pozicioni tejet egoist dhe aspak të sinqertë.
Prandaj, në vend të çirrjeve dhe sharjeve kundër Bashkimit Europian, më mirë është të punojmë që Europën ta bëjmë atdhe të vlerave tona të përbashkëta.
Akuzat ndaj Europës janë të pështira e të pasinqerta përsa kohë oborri ynë politik e kulturor është kaq i parregulluar dhe shoqëria jonë tregon injorancë të thellë në çështje themelore politike dhe kulturore.
Ndryshe, me gjuhë helmuese e shigjeta kundër Europës, ne veç tregohemi shumë qyqarë, mendjeshkretë dhe të pasinqertë.
Të kujtojmë: Europa është ide. Është parim shpirti. Është kulturë. Ajo që a ndanë Europën është politika, ndërkaq ajo që e bashkon është kultura dhe mbi këtë parim është ngjizë ideja e BE-së, të cilën udhëheqësit tanë ende s’ e kuptojnë.
Etërit themelues të Europës, pohonin me vendosmëri se BE- ja para se të jetë aleancë politike është aleancë kulturore.
Shoqëria jonë deri sot s’ e ka kuptuar këtë postulat, ndaj ka flirtuar “tinëzisht” me armiqtë e BE- së. Prandaj është krejt e pakuptimtë ta fajësojmë atë pse oborri ynë është kaq i papastër.
Pa dyshim, Bashkimi Europian u tregua i padrejtë me vendin tonë përsa i përket liberalizimit të vizave, por pakush ka kontribuar më shumë në këtë pengese sesa udhëheqësit e sotëm kryeneçë që na patën bërë gazi i botës.