24/12/2024
Ali-Podrimja

(Lexime poetike. Ali Podrimja: “Kërkon atë që nuk mund ta gjej”)

Nga Prend BUZHALA

Poeti i kërkon falje të kaluarës, lashtësisë së qenies sonë.

Kjo do të thotë t’i kërkosh falje vetë historisë, për tretjet e shumta në shkulmat e kohës, tretje vlerash identitare, shpirtërore, hyjnore, dhe, gjithsesi edhe etnike… Tretje e dhimbshme! Qenie e rrudhur, e kruspullosur, e rrëgjuar, pa atë forcë lirie…

Poetët e vënë në spikamë këtë gjëmë të qenies sonë.

Te poezia “Kërkon atë që nuk mund ta gjej” të Ali Podrimjes nga vëllimi poetik “Lum Lumi”, lexojmë vargjet:

Lumi

Ti kërkon diçka

që kurrë nuk mund ta gjej

Ti kërkon diçka që moti e kam humbur

Pse Lumi

gjithmonë kërkon atë që nuk mund ta gjej

kur e di

jashtë lëkure nuk mund të dal

Mirë e ke Lumi

vetëm vazhdo me tënden ti

unë megjithatë deri në vdekje

do ta kërkoj atë që e humb

Jeta pas humbjes është e pleksur me pikëllim, kurse vargjet ftojnë për ta përballuar atë. Ato na ndihmojnë ta ndiejmë këtë ndjesi, të bëhemi bashkëpjesëmarrës në këtë bashkëndjesi, për të komunikuar a përcjellë një mesazh. Përcillet jehona e dhembjes, e shuarjes, kurse poezia shndërrohet në memorie lirike, në një vrojtore e rrëfyestore të historisë. Duke e pranuar këtë humbje, poeti e gjen paqen e vetvetes. E gjen pas shumë dekadash: ai e pranon idenë e vdekjes së tij, mu aty ku ndodhi humbja e tij! E gjen atë që e humb!!! Paradoks ironik i fatit, apo jo! I fatit personal dhe i atij kolektiv! Ai nuk e kërkon hepiendin, por gjetjen e së humburës. Humbjen e vet; për ta lënë pas vetes shpirtin e tij. Vazhdën e këtij shpirti. “Ti kërkon diçka që moti e kam humbur.” E humbura personale bëhet mishërim i humbjes kolektive, historike. “Asnjëherë mos e mbytni pikëllimin tuaj, por kujdeseni dhe vlerësojeni atë derisa të ketë një interes të veçantë dhe integral. Të pendohesh thellë do të thotë të jetosh përsëri”, shprehet diku Henry David Thoreau.

Ishte kohë e dhimbjeve të mëdha.

E kur nuk i patëm të tilla dhimbjet, mund ta shtrojë pyetjen e tij poeti, në secilën kohë.

E pranon humbjen, sepse dëshiron ta kapërcejë atë. E pranon vdekjen, sepse ajgëton diçka përtej saj! Dhe pranon të bashkëjetojë me to: me humbjen e me vdekjen. Për ta rindërtuar qenien e tij, për t’i mbushulluar boshllëqet e shuarjeve. Kujtesa shndërrohet në thesar. Atë që e do, është pjesë e qenies sate. “Të jetosh në zemrat që lëmë pas nuk do të thotë të vdesësh.” (Thomas Campbell). Paradoksalisht, vargjet duan të na thonë që thellësia e dashurisë, dashuria e thellë ndaj qenies që e do, nuk humbet kurrë. Humbja nuk ekziston!

Ekzistojnë vargjet e përjetshme që nuk e pranojnë humbjen.

Poeti e kërkon shpagën e historisë.

(1 gusht 2021)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok