23/12/2024

LIRIA E SHTYPIT DHE SHQIPËRIA – NJË HISTORI E VJETËR E INTERESIMIT PERËNDIMOR

0
Frank-Shkreli

Nga Frank Shkreli

Historia e luftës për liri të shtypit ose të medias në përgjithësi në Shqipëri është e gjatë dhe e mundimshme.  Historikisht, kurrë ditë të mira nuk ka parë në Shqipëri liria e shtypit.   Madje edhe sot 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, media në përgjithësi, është nën një trysni të egër nga autoritetet qeveritare shqiptare.  Nepërmjet një projektligji të ri, qeveria e Kryeministrit Edi po përpiqet të kufizojë lirinë e shtypit duke propozuar një kontroll më të fortë ndaj mediave audiovizive dhe për komunikimet elektronike, por që në fakt, me këtë projektligj, kufizohet dukshëm liria e medias, në përgjithësi, përfshirë edhe gazetat.  Këto ditë Organizata për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE-ja) dhe disa organizata të tjera ndërkombëtare, për të disatën herë, i bëjnë thirrje autoriteteve të Tiranës që të mos miratojnë të ashtuquajturën “paketë anti-shpifje” të qeverisë dhe të bëjnë ndryshimet e nevojshme në këtë projektligj, në përputhje me standardet ndërkombëtare, në bazë të cilave Shqipëria, si çdo vend tjetër, ka detyrime dhe detyra të qarta nën Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe OSBE-në –Kryesinë e së cilës pritet ta marrë në Janar 2020.   Me shqetësime të tilla serioze nga ndërkombëtarët mbi lirinë e medias në Shqipëri, Tirana zyrtare po ve në rrezik edhe rolin e saj të parë në Kryesinë e një organizate ndërkombëtare, siç është OSBE-ja.

Nuk dua t’i futem gjendjes së sotëme të mjerueshme të lirisë së medias në Shqipëri, sepse dihet, dhe as të diskutoj për përpjekjet e OSBE-s dhe të organizatave të gazetarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, që po përpiqen të ndryshojnë ose të tërheqin projekligjin e ashtuquajtur “anti-shqipfje”, paraqitur parlamentit nga qeveria Rama, që sipas ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, kufizon ndjeshëm lirinë e fjalës dhe lirinë e veprimit të gazetarëve.  (Këtu mund të lexoni në shqetësimet e ditëve të fundit të disa organizatave ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e lirisë së medias, përfshirë OSBE-ën).

https://www.reporter.al/osbe-projektligjet-e-medias-kane-nevoje-per-permiresime-te-metejshme/
https://www.reporter.al/organizatat-nderkombetare-perserisin-thirrjen-per-ndalimin-e-paketes-antishpifje/

Por dua të kujtoj me këtë rast se liria e vërtetë e shtypit në Shqipëri — si liria që u prinë të gjitha lirive të tjera në një shtet demokratik e që është cilësuar edhe si baza e të gjitha lirive dhe të drejtave të tjera të njeriut në një vend demokratik–është dhe ka qenë gjithmonë në radarin e vendeve perëndimore dhe të mbështetësve të lirisë së shtypit në këto vende, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – si një kusht paraprak për zhvillimin e mirëfilltë të një shoqërie demokratike.

Nga kjo pikëpamje pra, nga këndveshtrimi i interesimit të kahershëm perëndimor për lirinë e shtypit në Shqipëri –shumë pak ka ndryshuar, sepse as gjendja e lirisë së shtypit në Shqipëri nuk ka ndryshuar për më mirë, fatkeqsisht, megjith ndryshimet e tre dekadave të kauara.  Si sot, ashtu edhe atëherë – të pakën 70-vjetë më parë — mbrojtësit e lirisë së fjalës në Shtetet e Bashkuara kishin shfaqur shqetësimet e tyre në lidhje me gjëndjen e lirisë së shtypit në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës.  Një prej tyre ka qenë ish-gazetari veteran amerikan Çarls Filips, i cili në prill të vitit 1950 kishte shkruar një artikull mbi gjëndjen e shtypit në Shqipëri me titull: “Shtypi i Lirë dhe Shqipëria”, (The Free Press and Albania), botuar, ndër të tjera, edhe në gazetën L’Albanie Libre.  Pikëpamjet e tija, përputheshin, natyrisht, me mendimet e shumë gazetarëve amerikanë dhe të tjerë, atëherë dhe sot, të cilët besojnë në lirinë e vërtetë të shtypit, në parimet demokratike, në përgjithësi dhe në të drejtën e gazetarëve për të raportuar lirisht të vërtetën, anë e mbanë botës dhe pa ndërhyrje nga autoritetet qeveritare.

“As perdet e hekurta dhe as diktatorët e kuq nuk mund të shtypin të vërtetën”, ka shkruar ish-gazetari amerikan Çarls Filips, 70-vjet më parë, duke vlerësuar gjëndjen e lirisë së shtypit në Shqipërinë enveriste.  “Shqipëria, njëri prej vendeve më të vogëla satelite të Rusisë është duke kaluar ditët më të zeza të cenzurës së lajmeve dhe i formacionit, në historinë e njerëzimit”.  Por, megjithkëtë, ai u bënte thirrje Shqiptarëve, mbrenda dhe jasht këtij boshllëku lajmesh e informacioni , që të mos humbisnin shpresën, se ky boshllëk po plotësohej nga: “Agjencitë e mëdha të lajmeve dhe gazeta të njohura botërore që po u raportojnë pothuaj përditë popujve të tyre të lirë, se fryma e lirisë e Gjergj Kastriotit -Skenderbe, nuk është shuar në Shqipëri.”  Gazetari amerikan shkruante se bota po mësonte të vërtetën se ç’po ndodhte në Shqipëri, në atë kohë, nga refugjatët, nga emigrantët dhe të arratisurit shqiptarë.  “Duke u përballur me vdekjen, mijëra shqiptarë të guximshëm po luftojnë për lirinë e tyre.  Ata po luftojnë me armë nepër male, po luftojnë me një qëndresë të heshtur por të fortë nepër qytete dhe kudo me të gjithë qëndresën aktive dhe pasive që kanë në dispozicion.”  Çarls Filips bënte thirrje për të ndihmuar shqiptarët që ishin kundër regjimit të Enver Hoxhës, “Me qëllim që të mos humbasin shpresën” dhe të mos ndjeheshin të harruar nga bota.  Ai sugjeronte që Amerika t’i ndihmonte Shqiptarët, “Me një vendosmëri dhe bindje të patundur, se ky popull nuk do të harrohet, se ëndërra e tij për pavarësi që dikurë mbështetej nga (ish-Presidenti amerikan) Woodrow Wilsoni, është ende e gjallë dhe nuk do të shuhej.  Ne, në Amerikë, nuk mund të pranojmë me cinizëm ose të dëshpëruar që Shqipëria dhe shumë shtete të tjera komuniste të mbeten përgjithmonë nën hije, të skllavruara”.

Përkundrazi, ish-gazetari amerikan Filips, sugjeron në vitin 1950 ndërsa shkruante për lirinë e shtypit në Shqipërinë komuniste, se Amerika dhe vende të tjera të lira dhe demokratike të botës duhet të japin ndihmën e tyre morale Shqiptarëve.  “Ato duhet t’i thonë botës se ia vlenë të luftohet gjithnjë për liri, madje edhe të vdesësh për dinjitetin njerëzor dhe për të drejtat e njeriut”, ka shkruar ai.  Ndërkohë që ka thekësuar se, “Është detyra e gazetarëve kudo që t’i ruajnë të gjalla këto parime, duke raportuar të vërtetën ashtu siç e shohin dhe siç e dëgjojnë.”

Duke shkruar për lirinë e shtypit në Shqipërinë e vitit 1950, Çarls Filips ka porositur që atëherë se, “ Gazetaria e lirë dhe demokratike duhet të marrë pjesë aktive në këtë fushatë; në mbështetje të atyre që luftojnë dhe vdesin për liri – e për më tepër në përkrahje të drejtës së tyre për të jetuar të lirë dhe me dinjitet”, ka thekësuar ai në artikullin e tij me titull, “Shtypi i Lirë dhe Shqipëria”, (The Free Press and Albania”).  Çarls Filips shprehte besimin se megjithë kërcënimet që mund tu bëhen gazetarëve dhe gazetave nga autoritetet despotike, opinioni publik, heret ose vonë, do të këthehet kundër autoriteteve shtypëse të cilat dhunojnë lirinë e fjalës, të vërtetën dhe drejtësinë.  Ai bën këtë pyetje në artikullin e tij të shkruar në vitin 1950 duke thënë se, “Kur Shqipëria të jetë e lirë dhe kur të hiqet cenzura e lajmeve dhe informacionit, a do të jetë Amerika krenare për rolin që ka luajtur në këtë fushë, a po “Bijtë trima të Shqipës do të kenë luftuar më kot” për këto të drejta?  Megjithë mbështetjen ndërkombëtare për lirinë e shtypit, shpresoj që përpjekjet e Bijve tëShqipës për liri të shypit dhe për demokraci, të mos kenë shkuar kot.

Ish-gazetari amerikan Çarls Filips e përfundon shkrimin e tij me këtë porosi për gazetarët e atëherëshëm, por që është aktuale edhe për gazetarët sot, sidomos për ata që gjënden përballë sfidave dhe kufizimeve të lirisë së veprimit si gazetarë, mungesës së pavarësisë në punën e tyre, kërcënimeve dhe ndërhyrjes politike.  Me të gjitha këto, sipas organizatave ndërkombëtare, përballet aktualisht media shqiptare në përgjithësi.  Çarls Filips porosiste 70-vjetë më parë, se në këtë luftë për lirinë e vërtetë të fjalës, janë edhe vetë, “Gazetarët ata të cilët duhet të luajnë rolin e profesionit të tyre, ashtuqë me punën e vet profesionale, të ruajnë të gjallë dhe të raportojnë të vërtetën kudo qoftë, duke luftuar, njëkohësisht, kufizimet dhe kërcënimet e zeza të despotëve”, ndaj lirisë së fjalës, të vërtetës dhe drejtësisë, si dhe ndaj profesionit të gazetarit.

Si atëherë, 70-vjet më parë ashtu edhe sot – lufta për lirinë e vërtetë të medias, bazuar në standardet ndërkombëtare, vazhdon edhe sot në Shqipëri, fatkeqësisht, pa ndonjë sukses të dukshëm.

Nga viti 1950 e deri në vitin 2019 duket se pak ka ndryshuar për më mire situata e përgjithëshme e lirisë së fjalës dhe e lirisë së vërtetë të shtypit në Shqipëri.  Kështu që, ashtu siç ishte interesimi i gazetarit amerikan Çarls Filips për lirinë e shtypit në Shqipërinë e Enver Hoxhës në vitin 1950 — provë e kësaj janë edhe shqetësimet e perendimorëve gjatë tre dekadave të fundit, të shprehuar edhe këtë javë nga OSBE-ja dhe organizatat më të njohura botërore për lirinë e fjalës.  Nepërmjet përfaqsuesit të saj për media, OSBE-ja u bëri thirrje të hënën autoriteteve shqiptare që të shprehen qartë se si do të sigurohet mbrojtja për lirinë e shprehjes në Shqipëri, ndërkohë që po propozojnë rregulla të reja për median atje, rekomandime këto të qeverisë Rama, që sipas enteve ndërkombëtare të lirisë së medias, jo vetëm kufizojnë por dhe kërcënojnë lirinë e shtypit dhe të drejtën e gazetarit për të kryer detyrën pa ndërhyrje nga autoritetet qeveritare dhe pa frikë nga gjobat e rënda arbitrare ndaj gazetarëve dhe portaleve të lajmeve.

Sa pak përparim është bërë në në 70-vjet në Shqipërinë tonë në fushën e të drejtës dhe të lirisë së fjalës, ndërkohë që bota shënoi të martën Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në kujtim të miratimit të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, miratuar ng OKB-eja me 10 Dhjetor, 1948, e cila parashikonte një botë ku të gjithë pjestarët e familjes njerëzore do të gëzonin, “Lirinë, Drejtësinë, dhe Paqën në botë.”  Fatkeqësisht, shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë në këto 70-vjetë të kaluara nuk kanë treguar gatishmërinë as vullnetin e tyre për të mbrojtur dhe për të promovuar këto liri bazë të njeriut, përfshirë edhe lirinë e shtypit, siç kërkohet në Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok