22/12/2024
Xhelal-Zejneli

Nga Xhelal Zejneli

Në vendet me shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik, edhe demokracia është në nivel të ulët. Këtu bëjnë pjesë të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, si: Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.

Në vendet e sipërthëna, vështirëështë të flitet për lirinë e shtypit, për lirinë e fjalës apo për lirinë e shprehjes. Në vendet e sipërthëna, ku bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut, nuk mund të flitet për mendim kritik të mirëfilltë. Mendimi politik kritik, në thelb, është i ndalur. I ndalur është edhe mendimi kritik shoqëror.

Ngulfatës të lirisë së shprehjes janë: pushtetarët dhe qeveritarët. Mendimin kritik e ndalojnë pushtetarët, si të nivelit vendor, ashtu edhe të nivelit qendror. Mendimin e lirë dhe kritik e ndalojnë edhe faktorët politikë, d.m.th. partitë politike.

Me fjalë të tjera, në vendet me shkallë të ulët të demokracisë, lirinë e shtypit e kufizojnë:

qeveria, qeveritarët, apo institucionet e qeverisë;

pushtetarët e nivelit vendor;

pushtetarët e nivelit qendror;

partitë politike që janë në qeveri;

partitë politike që janë në opozitë;

shërbimi sekret i shtetit; dhe

oligarkët qpo tajkunët.

Të gjithë këta faktorë të sipërthënë kontrollojnë:

shtëpitë televizive;

radiostacionet;

gazetat ditore;

revistat periodike; dhe

portale të caktuara.

Me një fjalë, nën kontrollin e njerëzve të pushtetshëm ndodhen, si mediumet e shkruara, ashtu edhe mediume elektronike të caktuara.

Për ta ndalur lirinë e shtypit, mediumet vendosin censurë. Pra, po qe se një artikull, një shkrim, nje analizë politike apo një mendim politik kritik prek interesin e pushtetit, të pushtetarëve, të partive politike apo edhe të oligarkëve, atëherë ai artikull nuk botohet, nuk sheh dritë dhe censurohet.

Ka raste kur mediumet janë të ndara. Disa mediume janë në shërbim të qeveritarëve apo të pushtetarëve, ndërsa disa të tjera janë në interes të partive politike opozitare. Të ndarë janë edhe analistët politikë të cilët vazhdimisht dalin nëpër ekrane televizive dhe marrin pjesë nëpër debate

Nuk duhet harruar se mediume të caktuara janë edhe nën kontrollin e shërbimeve sekrete të huaja. Ato mund të jenë: shërbimi sekret rus, shërbimi sekret serb, shërbimi sekret grek, shërbimet sekrete të Turqisë, shërbimet sekrete të ndonjë vendi arab, shërbimet sekrete të Teheranit si dhe shërbimet sekrete të fuqive perëndimore.

Nën kontrollin e pushtetarëve janë edhetë ashtuquajturit analistë politikë dhe ndërtuesit e mendimit publik. Këta pseudoanalistë politikë janë vegla, mjete dhe instrumente të shtetit, të qeverisë, të qeveritarëve, të pushtetarëve apo të partive politike që janë në pushtet si dhe të oligarkëve.

Detyra e këtyre kuazi analistëve politikë është që ta mjegullojnë realitetin, të shesin mjegull, ta shtrembërojnë të vërtetën, të lansojnë gjysmë të vërteta, ta zbardhëllojnë  katranin, pikërisht sikundër thotë Fan Nolinë vargjet:

Dhe Feidi faqe ndërron,

dje shante sot lëvdon,

me trumbetë po trumbeton,

kështu katranin zbardhëllon.

Shërbimet e huaja synojnë ta shtrijnë ndikimin e vet nëpërmjet kryeredaktorëve të gazetave ditore, kryeredaktorë të emisioneve politike dhe informative të studiove televizive, nëpërmjet administruesve të mediumeve elektronike, nëpërmjet analistëve politikë dhe nëpërmjet krijuesve të opinioneve publike.

Pjesë e pandarë e këtijdance macabrejanë edhe një pjesë e klerikëve, të ashtuquajturat shoqata humanitare, intelektualë të caktuar, deputetë dhe liderë politikë.

Financues të mediumeve apo të intelektualëve të caktuar, me ndikim në proceset politike, janë edhe organizma majtistë, përmasash globale që kanë për synim të promovojnë multikulturë apo idenë e të ashtuquajturitshtet qytetar. Ky farë shteti qytetar dhe kjo farë multikulture të përkujton vëllazërim-bashkimin e kohës së Josip Broz Titos.

Analistët politikë dhe opinionbërësit çdo ditë i sheh nëpër mediume dhe nëpër debate televizive. Ky lloj i shqiptarëve të ndershëm, vazhdimisht japin prononcime para kamerave.

Duhet të rikujtojmë se në vitet ‘80 të shekullit XX, shtypi i Beogradit i quante të ndershëm ata shqiptarë që shanin Shqipërinë dhe lëvdonin Jugosllavinë e Titos apo të AVNOJ-it, e cila s’ishte veçse serbosllave.

Po qe se shkrimi yt mbron kauzën kombëtare shqiptare, ai shkrim censurohet, ndërsa ti shpallesh nacionalist, konsiderohesh person me ide të vjetëruara, me ide anakronike, me ide që i ka shkelur koha apo me ide retrograde dhe romantike.

Ti atëherë duhet të bësh autocensurë. Në rrethana të tilla nuk mund të flitet për shtyp të pavarur apo për mediume të pavarura.

Kontrollimi i mediumeve të përkujton kohën e monizmit, të totalitarizmit, të diktaturës, të tiranisë, të despotizmit, të autokracisë, të autoritarizmit dhe të bolshevizmit. Me fjalë të tjera, kjo të rikthen në stalinizëm.

Shumë analistë politikë dhe shumë intelektualë, nuk janë veçse shërbetorë të pushtetarëve, të qeveritarëve dhe të oligarkëve.

Një pjesë e intelektualëve, për t’i ruajtur interesat e vet meskinë, kanë zgjedhur rrugën e oportunizmit dhe të konformizmit. Para të keqes, ata i mbyllin sytë dhe hiqen sikur nuk shohin gjë apo sikur nuk dëgjojnë gjë.

Nuk është e rastit që në vendet e Ballkanit perëndimor lulëzon krimi i organizuar, korrupsioni dhe nepotizmi në nivelet më të larta të pushtetit. Nuk është e rastit që në këto vende, tranzicioni zgjat pafundësisht, ndërsa dyert e BE-së mbeten të mbyllura. Nuk është e rastit që në shumë vende të Ballkanit perëndimor nuk vijnë investime të huaja, shpërngulja e të rinjve ndërkaq, ka marrë masa dramatike. Dhe, të njëjtët aktorë politikë, bashkë me shërbetorët mercenarëtë tyre, vazhdojnë të jenë në skenë.

Sidoqoftë, në saje të mediumeve elektronike të caktuara, shumë shkrime kritike arrijnë të botohen dhe të dalin në dritë. Me fjalë të tjera, në Maqedoni kemi edhe disa mediume shqiptare që i kushtojnë rëndësi lirisë së shtypit dhe lirisë së shprehjes, apo mendimit ndryshe.

Vetëm mendimi kritik është ai që e çon shoqërinë para. S’ka zhvillim as shtet të së drejtës, pa lirinë e shtypit, pa mediume të pavarura dhe pa mendim ndryshe.

Por, mendimi ndryshe nuk duhet të jetë destruktiv, nuk duhet të mbrojë idetë raciste, ksenofobinë, e as të mbjellë gjuhën e urrejtjes.

Për të qenë i pavarur një medium, atij i nevojiten edhe mjete financiare. Po qe se një medium,në mënyra të caktuara, financohet prej pushtetarëve apo prej oligarkëve, atëherë mos prit prej atij mediumi të punojë i pavarur.

Kalemxhinjtë kurrë s’kanë qenë të pavarur. Ata paguhen për të mbrojtur një interes të caktuar dhe jo interesin e përgjithshëm. Aq më pak, kauzën kombëtare shqiptare.

Me kuaziopinionistë politikë, me mediume të kontrolluara dhe me pseudointelektualë, rruga për në BE do të jetë e gjatë, ndërsa tranzicioni do të jetë i pafund.

Pa mbështetje financiare, asnjë medium nuk mund të funksionojë. Statusi i financimit të mediumeve duhet të zgjidhet me ligj. Vetëm kështu do të mund të flitej për mediume të pavarura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok