Lindja e Krishtit, festë gëzimi në Ulqin
Mesha e mesnatës në Kishën e Ulqinit
Nga Gjekë Gjonaj
Ashtu si çdo vit, festa e Krishtlindjes (K’shnellave ) është pritur me një atmosferë festive në qytetin e Ulqinit nga besimtarët katolikë. Ceremonia ka nisur ditën e diel me meshat e mbajtura në kishat e famullisë katolike të kësaj komunë. Mesha tradicionale e mesnatës që të kujton lindjen e birit të Zotit është mbajtur në kishën e Ulqinit, për të vijuar ditën e hënë me mesha në kishat katolike.
Mesazhet e urimit
Meshtarët uruan të gjithë besimtarët katolikë për më shumë paqe, mirësi, dashuri, pajtim dhe falje. Në mesazhet e urimit për këtë festë të madhe që simbolizon lindjen e Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, u theksua ringjallja e shpresave të reja me vlera universale në bashkësitë shumetnike dhe shumë kulturore siç është ajo e Malit të Zi, respektivisht edhe e Ulqinit. Nga ana tjetër mjaft njerëz të besimit katolikë këtë festë e kanë pritur me fishekzjarrë, duke krijuar një atmosferë të gëzueshme.
Bredhi i Krishtlindjes
Çdo familje katolike ka zbukuruar shtëpinë e vetë me rastin e Krishtlindjeve me ngjyra të ndryshme, mes të cilave dominon ngjyra e kuqe e cila simbolizon gjakun e Jezu Krishtit, që u derdh në kryqëzimin e tij. Shtëpia, sipas traditës së vendosjes së zbukurimeve, nuk mund të paramendohet pa vendosjen ( sjelljen ) e Pemës ( bredhit) së Krishtlindjeve dhe zbukurimin e saj. Bredhi i Krishtlindjeve është një simbol që fton familjet të mblidhen në një atmosferë paqeje, pranë së cilës shkëmbejnë dhurata dashurie dhe gëzimi në frymën e Krishtlindjes. Ambientet jashtë shtëpisë janë dekoruar me drita, apo figura të tjera Krishtlindjesh, qirinj, kurora, engjëj, zile…
Ushqimi në Natën e Krishtlindjeve
Një pjesë e rëndësishme e kremtimit të kësaj feste të madhe ishte edhe ushqimi. Natën e Krishtlindjeve , sipas traditës, zonjat e shtëpisë kanë përgatitur ushqim të ligët, pa vezë, mish, sallo dhe yndyra të tjera shtazore , përfshirë edhe produktet e qumështit. Në tryezën e Natës së Krishtlindjeve kishte, peshk të pjekur e të zier, gështenja, fiq të thatë, kumbulla, mollë, dardhë, arra, perime e fruta, etj. Tri ditëve tjera amviset gatuan lloj-lloj ushqimesh të shijshme dhe ëmbëlsira të shoqëruara me pije të ndryshme për mysafirët e besimeve të tjera të cilët si gjithmonë në këtë qytet festuan së bashku. Një aspekt tjetër tërheqës i Krishtlindjeve moderne ishte edhe shkëmbimi i dhuratave, për të cilat shumë njerëz mendojnë se i kanë fillimet me dhuratat e shkëmbyera gjatë një festivali që zhvillohej gjatë muajit dhjetor në perandorinë Romake. Dhuratat e posaçme fëmijëve ua solli Babagjyshi ( babadimri) gazmor i Vitit të Ri.
Atmosferë festive në familjen Smajlaj
Ne kemi privilegjin të bëhemi pjesë e atmosferës festive me rastin e Krishtlindjeve në familjen e Toni Smajlaj nga Peja ( Kosovë), e cila jeton në Ulqin, ku vërejmë energji pozitive e gëzim shpirtëror.
“ Krishtlindja është festë shpirtërore kryesisht. Unë dhe bashkëshortja ime Cicilia nga Mitrovica i mbajmë mend shumë mirë festat në rininë tonë. Natën e Krishtlindjeve mblidhej familja, përgatitej darka, para darkës thuhej urata, shtrohej darka solemne sipas riteve e zakoneve të festës, vlohej një gotë me raki kryesisht kumbullash me qëllim që ta mbajë trupin e ngrohtë, pasi nata e 24 dhjetorit është e ftohtë dhe pastaj shkohej në kishë për të ndjekur meshën e mesnatës. Pas meshës familjarët ktheheshin në shtëpi, uleshin në tryezë dhe vazhdonin me kremtimin e ri – ringjalljen e Jezu Krishtit. Këtë traditë e ruajmë edhe sot. Darka e Krishtlindjes në familjen tonë është plot gëzim. Para se të ulemi për të ngrënë, ndezim një qiri dhe themi lutjen: “Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt, si në qiell ashtu në tokë. Buklën tonë të përditshme falna sot!” E gjithë familja vazhdon me lutjen: “ “Të falem Mari, hirplotë e Zoti me ty, e bekuar je mbi të gjitha gratë, i bekuar fryti i barkut tend, Jezus “ dhe e përfundojmë me lutjen “ Kjoftë lumnia e Atit”. Natën e festës hamë darkë të gjithë familjarët dhe pastaj shkojmë në kishë të shohim meshën. Në jetë asnjë gjë nuk dua më shumë përveç një familje të mbledhur dhe të rregullt. Kur ke një familje të tillë, ke gjithë botën”, shprehet Toni Smajlaj
Jemi të gjithë vëllezër e motra
Ulqini është një qytet me bashkëjetesë fetare të shëndoshë, ku myslimanë e të krishterë bëhen bashkë, e kremtojnë çdo festë te njëri-tjetri, duke respektuar ritualet dhe festat e secilit. Kështu ishte edhe sivjet me rastin e festës së Krishtlindjeve. Një shembull për modelin e të cilit kanë nevojë vendet e tjera në një kohë kur krimet dhe aktet terroriste ndodhin në emër të fesë. Besimtarët e besimeve të ndryshme në Ulqin, të bindur se gjithçka kemi e jemi është dhuratë e Zotit, shprehen se e kanë për detyrë të mbështesin njëri-tjetrin, të ndajnë së bashku gëzimin për kremtimin e festave, por edhe në dhimbje, sepse kemi nevojë për afërsinë dhe solidaritetin e miqve, me shpresën që edhe asaj do t’i bëjmë ballë së bashku, pasi jemi pjesë e të njëjtës familjeje njerëzore, të gjithë motra e vëllezër. Krishtlindjet e sivjetme e shoqëruan qytetin e Ulqinit me një dekor të shndritshëm ngjyrash dhe dritash.
Politika uron besimtarët
Liderët politikë të Komunës së Ulqinit kanë përcjellë mesazhe urimi për festën e Krishtlindjes.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, shkruan se është shumë e rëndësishme që në këto ditë feste të kujtojmë vlerat që ato paraqesin, si paqja, gëzimi dhe lumturia. “Uroj që po këto vlera të mbizotërojnë në familjet tona dhe që shëndeti e lumturia të na përcjellin edhe vitin e ardhshëm”, përfundoi urimin e tij Bajraktari.