14/10/2024

LIDHJA E DYTË E PRIZRENIT, 1943

0

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Lufta e Dytë Botërore dhe shpërbërja e ish-Jugosllavisë, tek shqiptaret zgjoi shpresat për një zgjidhje të drejt të çështjes së tyre në rrethanat e reja të krijuara. Një pjesë e lëvizjes politike e ushtarake, gjatë asaj kohe në hapësirën gjeografike shqiptare ishte në krah të bllokut antifashist. Kjo radhitje jepte shpresë për të drejtën e popujve për vetëvendosje. Se problemet kombëtare të trashëguara nga e kaluar do të zgjidhen drejt, duke ua njohur edhe popujve të mbetur nën pushtim të drejtën e vetëvendosjes, prandaj forcat e LNÇ-së në Kosovë nxorën Rezolutën e Bujanit (31 dhjetor 1943-1,2 janar 1944), ku vendosën bashkimin e Kosovës me Shqipërinë[1]. Por ekzistonte edhe mendimi tjetër ku merrnin pjesë të gjithë nacionalistët të cilët me kohë kishin hetuar tradhtinë e madhe që po përgatitnin komunistet jugosllav, ngase përvoja historike kishte krijuar bindje tjera, se bashkëpunimi i Lëvizjes Antifashiste me LNÇJ dhe PKJ do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në Kosovë dhe në trevat shqiptare. Për këtë arsye, ata kërkonin të mbronin me çdo mjet kufirin etnik nga synimet grabitqare serbo-malazeze-bullgare[2]. Përfaqësuesit e këtij grupimi, pas kapitullimit të Italisë, dolën me idenë për thirrjen e një Kuvendi kombëtar në Prizren, i cili do të hidhte bazat për krijimin  e një organizate kombëtare, me mision të ngjashëm me atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878. Mbrojtjen e Kosovës nga sulmet serbe e malazeze, krijimin e Shqipërisë në kufijtë e saj etnik[3].

-Takimi i parë themelues për Lidhjen e  Dytë të Prizrenit

Takimi përgatitor për mbajtjen e Kuvendit Themelues për Lidhjen e Dytë të Prizrenit u mbajt me 11 shtator 1943, në Prizren. Sipas Qazim Bllacës, Mbledhjen themeluese të Këshillit organizues e kryesoi Asllan Boletini[4]. Në takim kishin marr pjesë:XhaferDeva, Musa Sheh Zade, Sheh Hasani, TahirZajmi, Lukë S. Mjeda, Qazim Bllaca e PjetërVuçaj.[5]Në të dhënat autentike të pjesëmarrësve në Kuvendin themelues ky Këshill quhet Grup nisjatuer i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në ditën e parë këtë Këshill e përbënin patriotët: Sheh MusaShehzade (kryetar),( i cili me sukses e udhëhoqi komitetin Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit prej datës 26 shtator deri në Kuvendin e Dytë më 12 tetor 1943[6]), Shefqet Shkupi, Sheh Hasani, Asllan Boletini, Qazim Bllaca, PjetërVuçaj, TahirZajmi, Hevzi Meraku, LukSimoni, QemalBalila, Haxhi Fahriu dhe Sokol Dobroshi (anëtarë).[7]

Në këtë takim u vendos që Kuvendi Themeluesi i Lidhjes të mbahet me 16 shtator 1943 dhe vendimet e marra nga ana e delegatëve në mbledhjen e datës 11 Shtatorë 1943[8], kishin rëndësi të madhe për zhvillimet e mëvonshme politike e luftarake, që përmblidhen në këto pika: a) Thirrje e një mbledhjeje të përgjithshme popullore me shpirtin dhe me frymën e Lidhjes së Prizrenit, në të cilën të përfaqësohen të gjitha krahinat e Kosovës, të Dibrës, të Strugës, të Tuzit dhe të Ulqinit, përmes delegatëve të zgjedhur nga ana e popullit; b) Për derisa të themelohet e të caktohet një autoritet suprem nga mbledhja e përgjithshme dhe për me mbajt qetësin dhe rendin publik, si edhe me i përgjigj kërkesave që impononin rrethanat e interesat e atdheut; c) Me krijua këshille autonome- ekzekutive ; ç) Ngarkim i këshillit ekzekutiv të Prizrenit me përgatitjen e mbledhjes së Kuvendit, hapja e të cilit parashihej të bëhej më së  voni,  deri me 16 Shtatorë 1943[9]. Dhe menjëherë pas përfundimit të takimit të parë iniciues, anëtarët e saj fillojnë përgatitjet për mbledhjen e Kuvendit. Konsultohet populli dhe bëhen zgjedhje te rregullta. Gati në të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët u caktuan delegatet që të marrin pjesë në Kongres.

-Kongresi i parë themelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit

Kongresi u mbledh ne Prizren, nga data 16 deri me 20 shtator 1943. Ne te morën pjese 45 delegate te zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kongresi punimet i zhvilloi në Shkollën “Bajram Curri”. Atë e hapi kryetari i Këshillit organizues, Musa Sheh Zade. Në të merrnin pjesë: 120 përfaqësues të popullit nga: Ohri, Struga, Gostivari, Dibra, Shkupi, Tetova, Prizreni, Sharri, Theranda, Kolesjani (Luma), Rahoveci, Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Rugova, Peja, Istogu, Drenica, Pazari i Ri, Senica, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova dhe Malësia e Gjakovës u vunë themelet e Lidhjes[10].

Punimet e Kongresit i hapi Musa Sheh Zade, duke tregua për arsyen e këtij tubimi, dhe masat e nevojshme që duhet ndërmarr kundër okupuesve të atdheut. Në kryesi të punës së Kongresit u zgjodhën: Musa Sheh Zade- kryetar, AqifBlyta-Nënkryetar, Prof. Rexhep Krasniqi- Nënkryetar, BedriGjinaj – Sekretar[11]. Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes se Dyte te Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do te angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike.

Pas 4 ditë pune të madhe u propozua dhe u zgjodh  kryesia e Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë Prizrenit prej 7 vetave:  Rexhep Mitrovica (kryetar), Musa Sheh Zade dhe profesor Kolë Margjini (nënkryetarë), Sheh Hasani, Asllan Boletini, Tahir Zajmi dhe Qazim Bllaca, anëtarë.Pas përfundimit të kuvendit, lidhja filloi me aktivitetet e saja dhe brenda një afati të shkurtër arriti që të themelojë në të gjitha rrethet komitetet e rretheve, ndërsa nëpërmjet tyre edhe ato komunale dhe të fshatrave[12].

Me propozimin e TahirZajmit, Kuvendi Themelues proklamoi Bashkimin e Kosovës, Dibrës, Tetovës, Strugës, Ulqinit dhe Tuzit me Shqipërinë, si pjesë integrale të saj dhe kërkoi  bashkimin edhe të Qarkut të Mitrovicës që i takonte Zonës gjermane të pushtimit. Ndërsa delegati nga Gjilani Avokati Esat Berisha kërkoi nga Kuvendi që të ndërhynte për rishikimin e vijës së demarkacionit me Bullgarinë, gjë që nënkuptonte përfshirjen brenda kufijve të Shqipërisë të trevave shqiptare që ndodheshin nën pushtimin bullgar. Po ashtu edhe delegati nga Rugova, SaliRama, kërkoi që Shqipërisë t’i bashkoheshin edhe tokat shqiptare që kishin mbetur nën Malin e Zi[13].

Duhet të konstatohet se, për rëndësinë historike dhe për të treguar vazhdimësinë e përpjekjeve

shqiptare për Shqipërinë Etnike, Vendimet e Kuvenndit themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit do të nënshkruheshin më 19 shtator 1943, pas orës nëntë, në Ndërtesën e Selisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.[14] Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte organizata më e rëndësishme politike-ushtarake në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare, e krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore[15]. Ajo u angazhua deri në fund për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet.

-Statuti i Lidhjes së Dytë të Prizrenit

Në kuvend u miratua statuti i organizatës, i cili ishte formuluar asisoj që kishte edhe karakterin e programit politik. Statuti  përbëhej prej 22 pikash dhe ishte miratuar nga Këshilli Ministror më 12.11. 1944, i nënshkruar nga Rexhep Mitrovica[16].

Sipas Statutit, organizimi i Lidhjes përfshinte Kuvendin dhe Komitetin Qendror me seli në Prizren, pastaj komitetet e qarkut, rrethit, komunës dhe katundit. Komiteti Qendror u kryesua së pari nga Rexhep Mitrovica (18-26 shtator 1943),  pasi ai u emërua Kryeministër në Qeverinë e Tiranës,  dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Lidhjes. Pas largimit të Rexhep Mitrovicës u shfaq nevoja që të thirret Kuvendi i II i Lidhjes së II-të të Prizrenit për tu zgjedhur udhëheqja e re.

-Kongresi i Dytë i Lidhjes së Prizrenit

Më 17-20 janar 1944, u mbajt Kuvendit i dytë i jashtëzakonshëm i Komitetit Qendror të Lidhjes II të Prizrenit, po ashtu në Prizren.  Në të u zgjodh udhëheqësia e re: kryetar u zgjodh Bedri Pejani, dhe dy nënkryetar: Musa Sheh Zade dhe KolëMargjini, ndërsa anëtarët : XhevatBegolli, NexhipBasha, Esat Berisha, Asllan Boletini, MuhametAgolli, EkremJegeni, Rexhë Meta, Mahmut Begu, KadriKupi, SylejmanAshqijadhe dy të tjerë[17].Nga sa u pa më lartë, Komiteti Qendruer i Lidhjes, në vijimësi të aktivitetit, numrin e anëtarëve të Komitetit Qendruer nga shtatë sa u zgjodhën në Kuvendin themelues, më 18 shtator 1943, e shtoi në katërmbëdhjetë, të zgjedhur në Mbledhjen e Dytë të Përgjithshme, më 17 – 20 janar 1944.Komiteti Qendror i organizatës kishte edhe  katër sektor:  Sektori financiar- që e drejtonte ShasivarAliu; Sektori për kulturë dhe propagandë e drejtonte Luan Gashi; Sektori ushtarak drejtohej nga AbdullahHenci dhe Sektorin për transport e drejtonte Sadik Vala[18]. Kuvendi miratoi edhe statutin e Lidhjes, i cili u dekretua nga Këshilli i Nalte, me 14 mars 1944. Lidhja gjithashtu do të kishte dhe organin e vet që do të quhej “Lidhja e Prizrenit”, në faqet e të cilit do të propagandohej ideja e krijimit te Shqipërisë etnike dhe do të denoncoheshin krimet e kryera nga serbomëdhenjtë ndaj shqiptareve te Kosovës.

-Takimi në Rogovë

Sipas sektorëve të komitetit, sektori ushtarak ishte i një rëndësie të veçantë. Po ky sektor filloi formimin e ushtrisë së saj. Më 15 mars 1944, në Rogovë, afër Gjakovës u mbajt takimi i ashtuquajtur i “Takimi i Rogovës”, nën udhëheqjen e Bedri Pejanit. Në takim merrnin pjesë edhe disa anëtar të Komitetit Qendror dhe në të u thirrën  bajraktarët e njohur nga e tërë Kosova. Në të merrte pjesë komandanti i sektorit për gjithë Kosovën, QazimKomoni. Në këtë takim u morën vendime të rëndësishme  për mobilizimin e popullatës: të mobilizohet e tërë popullata nga mosha 20 vjeçe e deri në 35 vjeç, dhe këta ushtar do të quheshin “Kreshnikët”; ndërsa të mobilizuarit nga mosha 35-e deri në moshën 50 vjeçe do të quheshin “Vullnetar”[19]. Kjo ushtri do të rrinte nëpër vende të veta, por do të ishte e organizuar dhe e gatshme për çdo eventualitet. Këtë organizim  e mori përsipër komandanti Qazim Komoni.

-Kongresi i Tretë i Lidhjes së Dytë të Prizrenit

Kongresi III i Lidhjes së Dytë të Prizrenit u mbajt në 17 qershor të vitit 1944. Në të morën pjesë delegatët nga të gjitha trevat shqiptare, përveç delegatëve nga Plava, Gucia dhe Rozhaja, të cilët nuk mundën me marr pjesë, për shkak të luftërave që zhvilloheshin në ato anë. Në këtë kongres u shkarkua Bedri Pejani nga detyra e kryetarit të Komitetit Qendror të organizatës dhe në vend të tij u zgjodh XhaferDeva, si duket nën ndikimin gjerman[20].  XhaferDeva posa emërohet kryetar fillon me riorganizimin e Komitetit.  Në komitet formon shtatë sektorë: Për vete mori Sektorin administrativo- politik, Në Sektorin ushtarak emëroi Asllan Boletinin; për Sektorin e financave caktoi Rexhep Metën; për Sektorin e transportit caktoi- Esad Berishën, për ekonomi caktoi Mahmut Shaban Pashën; për shëndetësi u caktua Dr. Burhan Shporta dhe për rini caktoi BedriGjinën[21].

Në Kuvend gjithashtu u analizua angazhimi i Lidhjes dhe i Komitetit Qendror  për mbrojtjen e Kollashinit dhe të sektorëve të tjerë që rrezikoheshin nga depërtimi i forcave çetnike-partizane serbo-malazeze. Kuvendi konstatoi se Lidhja kishte ndërmarrë hapa konkrete për forcimin e bashkëpunimit dhe për koordinimin e përpjekjeve me krahinat e tjera të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçante me Malësinë e Mbishkodrës, të Mirditës, të Dibrës dhe të Matit, me drejtuesit nacionalistë të cilët luftonin për Shqipërinë etnike[22]. Kuvendi shtroi nevojën e armatimit të mëtejshëm të popullit të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare. Ai vuri si detyrë, që krahas regjimentit të Pejës dhe të Prishtinës, të formoheshin edhe regjimentet me qendër në Tetovë dhe në Dibër, si dhe të vazhdohej me krijimin e formacioneve “kreshnike” e “vullnetare”, që do të vepronin në rastet ku rrezikoheshin rajone të veçanta.

-Komiteti i Rinisë Nacionaliste Shqiptare për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar.

Me formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në shtator të vitit 1944, u themelua Komiteti i Rinisë Nacionaliste Shqiptare për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar, me seli në Prishtinë. Kuvendit fillimisht iu kishte drejtua  IdrizShahmani, duke iu tërhequr vëmendjen të pranishmëve mbi  rrezikun komunist për tokat shqiptare. Mbi këtë bazë u aprovua Programi politik-ushtarak, ”Disiplinari i Rinisë Nacionaliste Shqiptare për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar” dhe u zgjodh KQ i Rinisë Nacionaliste i përbërë prej nëntë vetash. Në radhët e Komitetit bënin pjesë Adem (Selimi) Gllavica (kryetar), Sali Vala-Siçani, Luan Gashi, AvdylHenci, ShahsivarAliu, FuatMuharremi dhe anëtarë të tjerë. Atdhetari ShahsivarAliu u caktua që të drejtonte formacionet ushtarake të vullnetarëve të rinj. Gjithashtu u formua Komanda e përgjithshme e Rinisë për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar, që do të udhëhiqej gjithashtu nga ShasivarAliu[23]. Në kuadër të komandës u caktuan të formoheshin katër zona operative: 1. Ferizaj-Kaçanik-Gjilan; 2. Prishtinë-Lipjan-Podujevë; 3. Mitrovicë- Vushtrri-Skenderaj; dhe 4. Rrafshi i Dukagjinit[24]. Pas formimit të Komiteti të Rinisë Nacionaliste, formohen edhe komitetet në Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Ferizaj dhe në Gjilan

Faza kulmore e veprimtarisë së Lidhjes së Dytë të Prizrenit arriti në vjeshtën e vitit 1944, kur ajo mobilizoi forcat vullnetare për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare nga ushtritë e bashkuara komuniste bullgare, maqedonase, serbe e malazeze, të cilave u shkuan në ndihmë edhe brigadat partizane të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në këto përpjekje forcat e rinisë shqiptare, të rreshtuara në batalionet “Hasan Prishtina”, “NazimGafurri”, “Zija Gashi”, të Drenicës, të Llapit dhe të Sanxhakut, zhvilluan luftime të përgjakshme, përgjatë vijës mbrojtëse të Kosovës, veçanërisht në sektorët: Ferizaj- Kaçanik- Gjilan; Prishtinë- Lipjan- Podujevë; Mitrovicë- Vushtrri- Skenderaj[25].

-Formimi i “Komiteti të Rinisë Intelektuale” të Lidhjes së II-të të Prizrenit, 1944

Pas formimit të organizatës politike e ushtarake të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Kryesia e Lidhjes kishte marrë përsipër që të formonte edhe Komitetin e Rinisë Intelektuale. Me 7   mars, 1944, ftoi të gjithë intelektualët dhe intelektualet e qytetit të Prizrenit, në një mbledhje në sallën e shkollës Bajram Curri.

Kryetari i Komitetit – Bedri Pejani, kishte hap mbledhjen dhe me pak fjalë kishte fol mbi programin e Komitetit; mbi veprimtarinë e zhvilluar deri në atë moment; mbi shkakun e mbledhjes dhe mbi kontributin që duhet të  japi për Atdheun çdo shqiptarë e veçanërisht çdo intelektual, në këto çaste me rëndësi të madhe historike  Kombëtare[26]. Në këtë takim u propozua dhe njëzëri u zgjodh kryetari dhe anëtarët e rinj: Kryetar u zgjodh Kudret Kokoshi, ndërsa Selman Riza, Ibrahim Fehmiu, Dr. DurmishCelina, Dr. Burhan Shporta, SylejmanAliu dhe ShefqetVeliu[27] ishin zgjedhur  anëtarë të Komitetit të Rinisë Intelektuale.

Më 11 mars 1944, Komiteti i Rinis Intelektuale kishte fillua punën e rregullt në veprimtarinë e tij. Po atë ditë kishte miratua programin e vet dhe kishin vendosur po në këtë mbledhje: 1. Botimin e një gazete të përjavshme, dhe e kishin pagëzua me një emër simbolik “Lidhja e Prizrenit”. Në shkrimet e së cilës u propagandua me të madhe ideja e krijimit të Shqipërisë Etnike dhe pa kursyer as një mjetë duhet mbrojtur ata kufij. Trajtonte tema me shumë interes për kombin dhe shtetin shqiptar, por nga numri i 12  prillit 1944, kishte hapur edhe rubrikën “Tragjedia e Kosovës” në të cilën njoftonte opinionin e gjerë për krimet e masakrat që ishin bë dhe bëheshin në Kosovë. Gazeta botohej nga Komiteti Intelektual Shqiptar, ku merrnin pjesë penat më të mira të kohës. Po ashtu në komitet vepronin edhe grupet si: Grupi Kulturorë; Grupi Artistik; Grupi Sportiv; U hapën kurse për të rritur dhe (burra e gra); dhe grupi për organizimin e Gruas Shqiptare;[28].

Në mbledhjen e datës 15 mars 1944, Komiteti i Rinis Intelektuale kishte marr këtë vendim: Grumbullimin e ndihmave që do të mblidhet në favor të Ushtrisë Kombëtare. U formua Këshilli Kulturorë, Këshilli Gazetar, Këshilli për përpilimin e programit të mësimeve që do të jepen ndër seksione të ndryshme, Këshilli Artistik dhe Këshilli Sportiv[29].

-Përfundim

Dhe duke e parë e analizuar Statutin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dhe formimin e organizatës së Rinisë Intelektuale Shqiptare,  mund të vijmë në përfundim se Statuti dhe veprimtaria e organizatës kishin karakter kombëtar dhe demokratik ngase në pikat e tyre mbi të gjitha qëndronte çështja kombëtare duke luftuar për një Shqipëri Etnike në tokat e veta dhe më konkretisht nëpër mes Statutit bënte organizimin e forcave të gjalla popullore dhe intelektuale për të realizuar programin e lëvizjes kombëtare mbarë shqiptare dhe për të shpëtuar vendin nga më e keqja. Dhe është demokratike ngase në asnjë dokument apo material që del nga kjo organizatë gjatë periudhës sa veproi ajo,  askund nuk ka asnjë shenjë sado të vogël që kishte me shfaqë ndjenjën, pikëpamjen dhe qëndrimin shovinist[30], të cilat deri në fund ngelën të huaja për parimet themelore të Lidhjes.

[1]Hethem Çeku, Shekulli i ilegales (Proceset gjyqësore kundër ilegales shqiptare në Kosovë, Dokumente),Prishtinë, 2004

[2]JahjaDrançolli, Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe veprimtaria e saj (shtator 943- nëntor 944), E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë etnike– ( 1 ), Prizren- Hamburg, 2005, 73

[3]QerimLita, Referat për komitetet Nacional Demokratike shqiptare, Prishtinë, 2009

[4]MiloradVaviq, GjorgjeLiqina, JovanPavlovsk: XhaferDeva, AndrijaArtunoviq,VjekosllavLuburiq, VanqoMihajlov; Zagreb, 1985, 335

[5]https://pashtriku.beepworld.de/files/Kosovaneudhkryq/prof.pirraku.jpg (20 maj, 2021)

[6]Wikipedia (Enciklopedi e lirë), Musa Sheh Zade (1870–1945), 20 maj 2021

[7]Po aty,

[8]BranisllavBozhoviq, MiloradVaviq, Surovavremena na Kosovu i Metohiji, Beograd 1991, 275

[9]TahirZajmi,Lidhja e II e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës, Bruksel, 1964; http://www.zemrashqiptare.net/news/5725/tahir-zaimi-lidhja-e-dyte-e-prizrenit-dhe-lufta-heroike-e-popullit-per-mbrojtjen-e-kosoves-i.html

[10]TahirZajmi, Lidhja e II e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës, Bruksel- 1964, 43-44

[11]Po aty,

[12]QerimLita, Referat i komiteteve… vepër e cituar, po aty

[13]ZekiriaCana, Shpalime Historike, Prishtinë, 1998, 550

[14]https://pashtriku.beepworld.de/files/Kosovaneudhkryq/prof.pirraku.jpg (20 maj, 2021)

[15]SabitSyla, Shteti shqiptar dhe çështja e Kosovës 1939-1981, Instituti I Historisë, Prishtinë 2012, f. 88.

[16]ASHAK, Gjykata e Qarkut- Prizren, Programi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, 1945; Ago Basha, Lidhja II e Prizrenit, një çast historik që meriton vëmendje (zhvillim), ttps://vargmal.org/dan2200

(10 korrik 2018); FazliHajrizi, Rexhep Mitrovica në Lëvizjen Kombëtare, Prishtinë, 2008

[17]Arkivi i Gjykatës së Qarkut – Prizren, Prokuroria Publike e Kosmetit, Aktakuzë e Bedri Pejanit, Prizren, Nr. 54/46-3, me 22 kallnuer 1946

[18]SinanHasani, Kosova të vërteta dhe mashtrimet, Prishtinë 1986, 130

[19]Po aty; Muhamet Shatri, Kosova në Luftën e Dytë Botërore, Prishtinë, 1997, 35

[20]Hamdi V. Thaçi, Drenica epiqendër e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, Prishtinë, 2016,172

[21]Arhiv Republike SUP-Serbije, Beograd, do. 70/9, D0002, s. 11-12

[22]MuhametPirraku, Lidhja e Dytë e Prizrenit sipas shkrimeve autentike të pjesëmarrësve, https://pashtriku.beepworld.de/files/Pirraku/pirraku2008/muhamet_pirraku_lidhjaedyteprizrenit_8.7..08.htm,  (11 korrik 2018)

[23]TahirZajmi, Lidhja e II e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës, Bruksel- 1964, 43-44

[24]Muhamet Shatri, Përpjekjet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit për jetësimin e aspiratave jetike të kombit shqiptare,https://vargmal.org/dan2200 (10 korrik, 2018)

[25]TahirZajmi, Lidhja e II e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës, Bruksel- 1964, 46-48

[26]Gazeta “Lidhja e Prizrenit”, viti I, nr. 2 më 26.3.1944.https://vargmal.org/km/dbv11101

[27]MiloradNikoliq, Prishtina i njenaokolina  u NOR i revoluciji 1941 1944, Prishtinë 1985, 648

[28]Gazeta “Lidhja e Prizrenit”, viti I, nr. 2 më 26.3.1944… gazetë e cituar

[29]Po aty

[30]SabileKeçmezi-Basha, Ballafaqimi me dëshmitë historike, Prishtinë 2018,232-233

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok