22/12/2024

LIBRI “PRANVERË E HELMUAR”, NJË DËSHMI GJENOCIDI SISTEMATIK NGA SERBIA NË KOSOVË

0
Hazir-Mehmeti

Kjo vepër dokumentare së shpejti do jetë edhe në gjuhën angleze

Nga Hazir MEHMETI

Hyrje…

Qysh në bankat e klasës së parë mësuam, se të qenit shqiptar nuk ishte e lehtë, kërkohej mençuri e trimëri, kërkohej sakrificë. Sistemi pushtues e kishte ndaluar çdo gjë që fliste mbi të vërtetën shqiptare, tragjiken e tyre e cila prekej në çdo prag dere. Çdo shtëpi kishte zinë e Tivarit, pastaj aksioni për mbledhjen e armëve, aksionin e dëbimit të qindra mijëra shqiptarëve në Turqi, burgosjet, keqtrajtimet, vrasjet që ishin të përditshme. Mësuam se Goli Otoku ishte kampi i shtetit ku shqiptarët duhen mbyllur dhe bashkë me ta përpjekjet e secilit për të drejtën e tyre që të jetojnë të lirë. Edhe, sot me trishtim shohim muret, trungjet e shtyllat ku lidheshin shqiptarët netëve të dimrit deri në “shpikjen” dhe dorëzimin e armës, shumë prej të cilëve mbetën invalid që ne i shihnim me këmbë të këputura, duar të thyera, vesh të prerë, hundë të prera, duar të thara, por nuk i shihnim të tredhur edhe pse ne e dinim se ishin tredhur me tel e darë kuajsh. Krejt kjo kishte qëllim mbjelljen e tmerrit dhe detyrimisht largimin e shqiptarëve nga tokat e tyre shekullore, të dhunuar e turpëruar. Këto akte gjenocidi ishin kohëve kudo në familjet shqiptare.

Këto masakra populli nuk i harron. Rapsodi ia thoshte këngës me krenari edhe pse burgu i rrinte mbi kokë si shpata e Demokleut. Nga këto mësime formohej brezi i ri i cili me abetare në dorë do të ngjitet drejt detyrës në shërbim të kombit.

“Shkau nuk ka besë”, porosiste plaku mjekërbardhë, dhe kjo ishte e vërteta e sprovuar nëpër vite e shekuj. E provuam edhe vetë, atë që të parët e kishin pjesë të jetës, por ne do kemi fatin e kohës së përmbysjeve të mëdha të sistemeve shtypëse totalitare dhe hapjen e portave për luftën çlirimtare shekujve e cila solli lirinë së bashku me miqtë e sistemeve demokratike botërore nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pa dyshim, helmimi i fëmijëve shqiptarë, ishte akti më kriminal serb në epokën e pasluftës së Dytë Botërore ndaj brezit të ri. Fantazma ogurzezë serbe e lindur nga Kisha Ortodokse Serbe, e hartuar nga pseudo akademia serbe, u ringjall me gjithë egërsinë e saj në Bosnjë, e mbi të gjitha në Kosovë. Në Evropë egërsira serbe e shoqëruar me barbarizmin karakteristik mbështetur vazhdimisht nga Rusia dhe Kisha Ortodokse e saj, do tregojë atavizmin e sëmurë ndaj fëmijëve shqiptarë, qysh nga fëmija trevjeçar në kopshtin e fëmijëve nga Gjakova dhe deri tek më i vjetri Alush Beqiri 66 vjeçar nga Mitrovica.

Fakte kohe…

Si pjesë e shoqërisë dhe si mësimdhënës në gjimnazet ku kam dhënë mësim punohej me intensitet për ngritjen arsimore e edukative. Falë ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974 kur kasta politike e pa forcën e shqiptarëve, u bë hap i madh në masivizimin e mësimit shqip në të gjitha nivelet. Kosova fitoi autonomi të gjerë, por jo atë që duhej, statutin e republikës sikurse kombet e tjera. Kjo ngritje ishte vendimtare në bazamentin për liri e cila dihej se do të kushtonte shumë. Shqiptarët kudo në Jugosllavi që shtojnë aktivitetet e tyre në punë e biznese, i gjeje kudo me sukseset e tyre: në Beograd, Zagreb, Lubjanë dhe gjithë bregdetin e Adriatikut. Duke parë këtë përparim të shpejtë, forcat shoviniste serbe të prira nga Akademia e Shkencave, Kisha Ortodokse Serbe, nxorën nga sirtarët e tyre memorandumet e vjetra e të reja në përgatitjen e sulmit të radhës kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, ua hapën dyert propagandës shoviniste serbe dhe atyre jugosllave në luftën e radhës kundër shqiptarëve, kinse ishte lufta kundër irredentizmit e separatizmit. Dihej qartë se shqiptarët kërkonin barazi me kombet e tjera, kërkonin me të drejtë republikën e tyre të pavarur nga Serbia. Kjo nuk do të pranohej nga politika shoviniste serbe e jugosllave. Sulmet kundër shqiptarëve ndodhnin gjithandej shtetit jugosllav. Shqiptarët u larguan nga puna dhe u burgosën. Ushtarët shqiptarë që përbënin një të tretën në gjithë armatën jugosllave keqtrajtoheshin, burgoseshin dhe vriteshin çdo ditë. Pas kësaj periudhe do të vijojë ajo e shembjes së autonomisë në vitin 1989 dhe fillimi i qëndresës gjithë popullore e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Kosovën Lindore, Ulqin, Malësi e Madhe për të drejtat e tyre. Qysh nga ky vit fillon provokimi më i rëndë serbosllav kundër shqiptarëve, më i rëndi  helmimit të fëmijëve në vitin 1990 duke vazhduar në vitet e ardhshme. Ishte ky provokimi kriminal më i egër i cili nuk është dënuar as sot e kësaj dite pas tridhjetë vjetëve. Qëndrimi serb mbeti kriminal, i njëjti siç është edhe sot e kësaj dite. Çuditërisht faktori shqiptar ndaj këtij krimi u bë i shurdhër gjatë bisedimeve, në Gjykatën e Hagës, në gjykatat komunale, në shënimet dhe ndihmën e atyre që u helmuan si dhe familjeve të tyre.

Gjatë shumë viteve mblodha dokumente e shkrime. Kjo kërkonte sakrifica, kërkonte kohë e mund krahas shpenzimeve të shumta personale.  Të gjitha janë një zero krahasuar me kontributin që dhanë qytetarët në përpjekjet për qëndresë në ruajtjen e qenies kombëtare. Fillimisht e fillova me shtypin në gjuhën shqipe të kohës në Kosovë dhe Shqipëri, pastaj në gjermanisht dhe disa gjuhë tjera. Çdo artikull që gjeja më rikthente në ato momente të rënda dhimbjeje me nxënësit e helmuar. Më vinin zërat e tyre, dridhjet e tyre, përpëlitja e tyre me vdekjen, ku secilin e mbanin tre apo katër shokë të klasës. Qysh nga fillimi i helmimeve të fuqishme më 19, 21, 22, 23 mars 1990 kjo ndodhte shpesh.

Dita e pranverës së nëntëdhjetë do të jetë e pashlyer në qenien time dhe të gjithë kombit shqiptar. Ajo erdhi e rëndë, me lule që helmoheshin e vriteshin çdo ditë. Kur në klasë sëmureshin katër e më shumë nxënës ishte e vështirë për ne. Atyre që ishin helmuar iu përsëritej sëmundja kudo që ndodheshin. Ne nuk dinim të ankoheshim, dinim vetëm të ndihmonim, ishim të bindur se do ia dalim, ishim të bindur se liria do të vijë dhe ishim pajtuar që ajo të vinte edhe pa ne. Kur bisedonim me nxënësit, ata ishin tepër të frymëzuar dhe të mbushur me urrejtje ndaj armikut, sa s’mund të mendohet sot në këtë kohë të rrethanave tjera, s’mund të imagjinohet sot nga rinia e lindur në liri dhe edukuar me një frymë tjetër.

Në ato kohë të rënda të mbushura me vaj e lot u detyrohemi brezave të rinj kujtimit dhe respektit të paharrueshëm ndaj tyre me një falënderim të madh.

Shumicën e ngjarjeve i shkrova në ditarin tim për disa vjet. Nga rrethanat represive u detyrova të kaloj në ilegalitet e pastaj jashtë vendit përkohësisht, në Austri.  Para se të nisem  të mërzitur ditarin tim ia dorëzova kolegut tim të nderuar Bedri Shyti, i cili nuk jeton më. Ai e ruajti me kujdes ditarin tim personal, së bashku me gjërat më të vlefshme të familjes së tij, të groposura në kopsht jashtë shtëpisë së tij gjatë luftës. Po të mos ishte ai, kujdesi i tij dhe familjes së tij, ditari do ishte tretur në hirin e luftës së bashku me të gjitha librat, materialet, mobiliet në shtëpinë time të shkrumbuar në fshat gjatë dy ofensivave armike serbe.

Një ndihmë të çmueshme më dha miku im, gazetari dhe veprimtari Rexhep Rifati, i cili më mundësoi takimin me shumë veprimtarë të kohës në Ferizaj të cilët meritojnë falënderim e mirënjohje: Dr.Sylejman Topallin, Dr. Dom Lush Gjergjin, Dr.Mikel D. Sopin. Motrat e nderit : Viktorina, Jela Andjeliq, Mirjana Gojeviq të cilat shërbyen aso kohe në Binçë. Falënderoj drejtuesin e Arkivit të Ferizajit që më mundësoi gjurmime të mbajtura dhe ruajtura si askund tjetër në komunat e Kosovës, vizitat në Shkollat e Ferizajit, Kishën Katolike Shqiptare në Ferizaj, Binçë, Viti, poetin dhe mikun tim Musa Jupolli në Paris, mik dhe shok i Dr. Berndard Benedettit në Francë, për materialet dhe librin nga Dr.Benedetti “Les enfants de la Guerre” me materiale interesante nga hulumtimet e tij si mjek ndërkombëtar që shërbeu në shumë vende të botës, edhe në Kosovë, Dr. Besnik Bardhin, veprimtarin e palodhur, organizator i Simpoziumit në Zagreb me temë: “Kosova sprovë e ndërgjegjes mjekësore” me 9 qershor 1990, për materialet e shumta dhe librin me vlera “Agoni e shpresa”, nga i cili mësova shumë rreth aktiviteteve lidhur me analizat dhe rezultatet nga mostrat e fëmijëve të helmuar. Veprimtaren e njohur Flora Brovina e cila dha shumë nga vetja e saj me guximin e saj. Me vlerë janë edhe emrat e miqve nga Kroacia e Sllovenia si ajo e Anton Dolenc, Kardinalit Franjo Kuhariç, Dr.Sllobodan Lang, Akademik Aleksander Stipceviç, Zenel Kelmendi. Falënderoj z. Arbër Gashi nga Ministria e Arsimit Shkencës e Teknologjisë e Kosovës

Në kontributin e këtij libri është është familja ime e cila më dha mbështetje të vazhdueshme. Falënderoj për ndihmën në materiale dhe përkthimin e tyre nga gjuha angleze, djalin tim Kreshnikun si dhe vajzën time të ndjerë Dr.Vlora Mehmeti Tërshani Albanën, Qamilen, Besnikun, Besartën dhe Kreshnikun.  Nuk ishte e lehtë kalimi i kohës nëpër biblioteka, arkiva, objekteve të caktuara deri në realizimin e tij. Kur helmimi ndodhi në shkollë ishin dy vajzat e mia Albana dhe Vlora, por nuk e kanë harruar kurrë helmimin e fëmijëve, kontrollin e banesës nga sigurimi serb, arrestimin tim dhe skamjen e përjetuar. Ndaj falënderoj familjen time duke filluar nga gruaja ime Nexhmija, pastaj fëmijët Albana, Vlora, Qamilja, Besniku, Besarta, Kreshniku. Një kohë të mirë ua kam marrë edhe 12 mbesave e nipave të mi, andaj dua t’i shënoj këtu në falënderim: Ardiani, Leona, Rina, Besmiri, Rona, Sara, Rajani, Albaniti, Albiona, Albioni, Rinesa dhe Rijoni.

Jam i vetëdijshëm që kanë mbetur shumë gjëra pa u shkruar, por besoj se do kemi studiues të rinj që do të zbardhin detaje të reja rreth helmimeve dhe veprimtarëve të kohës. Ditari im do të jetë një dokument dëshmi nga përjetimet me fëmijët e helmuar në Qendrën e Arsimit të Mesem të Orientuar “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri. Përjetimet e mia janë të paharruara. Ato janë të shkapërderdhura shkronjave të tregimeve letrare e artistike që kam shkruar dhe botuar edhe në gjermanisht e rumanisht.

Libri “Pranverë e helmuar” së shpejti do jetë i përkthyer edhe në gjuhën angleze nga Peter Tase, përkthyes e veprimtar shqiptar i njohur në Amerikë. Pra, Pranvera e helmuar, do jetë pranverë e pasuruar me lapidare kujtimi në rreshta gjeneratave të reja. Ato do mësojnë mbi gjenocidin e rëndë që përjetoj kombi shqiptar në trevat e tij shekullore në Gadishullin Ilirik. Detyrimi ynë brezave që të njohin dhe përkujtojnë ngjarjet nga jeta jonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok