13/02/2026

LIBRI I REXHEP SHAHUT  “LUFTA IME PËR KOSOVËN”  NJË LIBËR TOTAL

0
Shahu-Lufta-Kosova

(Mbresa nga leximi i librit)

NGA AGRON TUFA

  1. Ku ishe ti, hero?

Edhe pse ka kaluar një çerek shekulli nga episodi kulminant i luftës në Kosovë (1998-1999), i cili përbën aktin dramatik të katarsisit tonë dhe përfundoi, fatlumnisht, për herë të parë në histori, me zgjidhjen e ngërçit të brengës sonë kombëtare për Kosovën, poeti dhe gazetari i njohur Rexhep Shahu na e sjell në vëmendje këtë luftë. Koha e kaluar ka krijuar tashë distancën e mjaftueshme për ta ripërtypur e për të bërë një bilanc gjakftohtë të asaj nyje dramatike, kur të gjitha nivelet e shoqërisë shqiptare të Kosovës u përballen me dilemën ekzistenciale hamletiane: ma qenë a mos me qenë. Ora e madhe për shqiptarët ra dhe ata u gjenden të pambrojtur përballë një armiku shekullor, të ulët e mizor, që priste zbatimin më në fund të likuidimit fizik të shqiptarëve, për të përmbushur, më në fund, utopinë politike makabre, që e kishin projektuar preshtur me elaboratet shqiptarocide që nga koha e Ilia Garashaninit.
Libri i Rexhep Shahut “Lufta ime për Kosovën”, pavarësisht se ka kaluar një çerek shekulli, shtrohet në tryezën tonë të leximit si një referendum me një qerthur pyetjesh për çdocilin prej nesh: “Ç’bëre ti për Kosovën? Ç’bëre ti, burrë, ti grua, ti djalë e ti vajzë, ti plak e stërplak atëherë kur Kosova drithërohej e shkrumbohej, masakrohej e dhunohej, turpërohej e mbytej në lotë nga makina asgjësuese e ushtrisë serbe dhe çakejtë e pasosur paramilitarë? Kjo pyetje eptohet e zgjedhohet në librin e Rexhep Shahut duke u përthekuar me pyetje të tjera: Ç’bëtë ju, elita e politikës së pasluftës me fatet e Kosovës së lirë? Ç’bën secili prej nesh brenda e jashtë Kosovës me lotët dhe plagomën e kujtesës së djeshme? Sa peshojnë ato në vetëdijën tonë dhe si reflektohet kjo në realitetin e sotëm? A kemi mësuar vallë t’ia dimë peshën lirisë së fituar dhe si reflektohet kjo në cilësinë e lirisë së sotme?
Janë pyetje që ngrihen vetvetiu dhe të shoqërojnë gjatë gjithë leximit të këtij libri tejet të rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë, absolutisht për çdokënd që ka ndjenjën dhe vetëdijen se është shqiptar. Prandaj them se zoti Shahu na vë me këtë libër para një referendumi të pashmangshëm për kujtesën dhe ndjenjën e identitetit kombëtar të secilit. Edhe pyetja e shtruar me mprehtësinë më të hidhur e qortuese në këtë libër – “Ku ishe ti hero?” – e cila shpërthekohet fije-fije në pyetjet e tjera – ku ishit ju? Ku ishin ata? Ku ishim ne? – shtrojnë qortimin e përjetshëm para sehirtarëve të luftës, para atyre që u fshehën, u shmangën, e për më zi, rendën të dalin në ballë të UÇK-së, pasi lufta kishte mbaruar, si luftëtarë, duke marrë përfitimet e duke qitur në harresë heronjtë dhe dëshmorët e vërtetë.
Sidoqoftë pyetjes kyçe për ndërgjegjen: “Ku ishe ti hero?” – Rexhep Shahu i përgjigjet gjatë gjithë librit duke rrëfyer e dëshmuar nga pozicioni i “Ku isha unë?”. Dhe po, autori i mbetet korrekt pozicionit të tij si gazetar i luftës që misionin e tij profesional e qytetar ia përkushton dramës së madhe të mbijetesës, përballjes shqiptaro-serbe me armë, duke thyer mitin dhe duke provuar se “edhe serbin e vritka plumbi”.  Ç’armë kishte Rexhep Shahu në dorë për luftën e tij për Kosovën? Një radio. Ai e shndërroi “Radio-Kukësin”, i vetmi burim lajmesh e informimesh nga të debuarit dhe fronti i luftës, i vetmi burim kuraje në dëshpërimin e përgjithshëm të qindramijëra të të dëbuarve me emisione e posaçme dhe inervistat me njerëz të thjeshtë, luftëtarë dhe udhëheqës të lartë Lufte, si heroi Sali Çeka etj, pa llogaritur dhjetëra diplomatë, gazetarë të huaj, ekspertë dhe misionarë diplomatikë ndërkombëtarë. Përgjatë 16 muajsh, aq sa zgjati Lufta e Kosovës, Rexhep Shahu nuk është thjesht gazetari i aftë e i pasionuar i luftës, por shpirti i tronditur e i rrënqethur që vuan, qan e lëngon, që ngushëllon dhe shpreson bashkë me valët e dhjetramijërave të dëbuar që dynden vazhdimisht, brenda kampesh e spitalesh, por gjithë duke përcjellë ngushëllim, kurajë e shpresë. Ai është i përfshirë si njeri i drejtpërdrejtë i të njëjtit gjak me të dëbuarit, si nip kosove me loken prizrenalie, jo vetëm si idealist i rritur që në fëmijëri me mitin e përmallshëm të Kosovës së munguar. Për këtë periudhë me pikën e vlimit ndezullitës të ngjarjeve, autori thotë diku:
“Si dëshmi të vetes për pasardhësit e mi, dua ta lë këtë libër, si justifikim modest për gjithë mungesat në familje që kam bërë në jetë, pasi e kam patur punë të parë, detyrë të parë, kjo ka qenë një luftë pasioni, luftë e veshtire me mikrofon, luftë e mundimshme dhe e ashpër e shumë stresuese me fjalë.
Ende sot më dridhet trupi e më mbushën sytë me lotë se më jehojnë në vesh kërcënimet nga receptori i telefoninit që e kisha te koka e krevatit, telefon që u bë si central ndërkombëtar për dhjetra familje të dëbuara nga Kosova që gjetën strehë në pallatin ku banoja në 1999, se „do ta grabisim vajzën”, „nuk do ta gjesh më vajzën”, „shko leri tre milionë lekë te nevojtoret e qytetit, te axhensia“…
Me krenari të lënduar, autori fshikullon me realizëm dhe logjikë të esëllt mefshtësinë e shtetit shqiptar, që nuk arriti të mbronte dot as territorin e vet, por e la të mbillej me mina nga ushtria serbe për 1400 hektarë territor, prej të cilëve patën pasojë dhjetra të vrarë e qindra të gjymtuar. Ka në libër, ndonëse të përmendura kalimthi, disa episode negative e turpëruese për çdo shqiptar të politikës majtiste ish-komuniste, servile, e të dyshimtë, që qeveriste asokohe kritike për kombin Shqipërinë-amë.

Si është kompozuar libri “Lufta ime për Kosovën”
Unë do ta quaja një libër total, të një gazetari prefesionist e të përfshirë njerëzisht, që në fillim me të gjitha fijet e shpirtit në dramën e shqiptarëve të Kosovës. Libër total, sepse aty janë shkrirë herë kronologjikisht, herë diakronologjikisht të gjitha llojet e narrativave nga parashtrimi i raportimeve dhe përshkrimi i situatave, tek intervistat me një mori personalitetesh dhe autoritetesh lokale, shtetërore, kosovare e ndërkombëtare rreth të cilëve plekset fati i luftës dhe i të dëbuarve. Kjo na sjell atmosferën autentike e të papërsëritshme të luftës, të parë nga vija e parë e kufirit dhe si të tilla të pazëvendësueshme kanë vlerë historike. Por narrativa që e dominon apo më saktë i jep tonin librit është monologu autorial dhe përsiatja e dendur emotive e vetëdijes së autorit, shpesh të përndezur e të lënduar nga faktet historike dhe përsëritjet e dhunës gjenocidiale të terrorit serb në Kosovë. Monologjet dhe meditimet mbi çastet e lavdishme të luftëtarëve të UÇK-së, që thyejnë mitin e paprekshmërisë së serbëve në terren. Këto përsiatje e mbështjellin me një thurimë të dendur tekstin e librit duke e bërë faqe pas faqje atë një sagë të dhimbjes dhe krenarisë. Por nganjëherë kahu i përsiatjeve ndryshon, bëhet i hidhur e ironik, tallës madje, të modelit të instaluar mburravec mbi qëndresën dhe burrërinë të kënduar veçse në tel të sharkisë dhe çiftelisë, larg nga përballja e vërtetë në një luftë të përbetuar për atdhe, siç qe përballja e UÇK-së. Por Rexhep Shahu as nuk e absolutizon këtë përballje, nuk e quan atë përcaktuese e vendimtare për çlirimin e Kosovës. Vlerën më të madhe autori quan vetë krijimin e UÇK-së, vetë fillimin e luftës dhe mësimin e madh konkret që “dhe serbin e shpon plumbi”. Sikundërse ka dhe serbë që nuk duan me qenë bisha vrasëse dhe braktisn e luftën e dorëzohen, siç jep rastin e dorëzimit vullnetar të 22 ushtarëve serb në policinë e Kukësit.
Padyshim në libër zënë vend të gjerë intervistat e kohës së pikut të luftës me personalitetet shqiptare e të huaj, me ushtarë e komandantë lufte të Kosovës, çka risjell ne libër faktin se Kukësi ishte epiqendra e vëmendjes botërore, surpriza më e bukur e mikëpritjes dhe solidaritetit njerëzot me gjymë milionë kosovarësh të dëbuar. Kukësi për këtë nuk u nderua me çmimin “Nobël”, por rishkundi dremitjen etike kombëtarë të ndjenjës së dashurisë së gjakut e racës sonë të njëjtë, të zbehur nga sundimi faraonik i komunizmit.
Libri është shkruar në kohë e gjendje shpirtërore të ndryshme, sipas barometrit të lajmeve të luftës, çka i jep librit një rrjedhë natyrale, me regjistrat retorikë e stilistike që ndërkëmbehen. Ka në libër përshkrime, hamendje e dyshime, enigma të pazgjidhura, artikuj të mirëfilltë e polemika, madje edhe në kohën e pasluftës, por elementi më i çmuar, “kripa”, sipas meje, është stërpikja rregullisht e tekstit me dialogjet e regjistruara, improvizime të paparashikuara të gazetarit. Janë dialogje thelbësore dhe autentike të momenteve kritike. Këto fragmente kuvendimesh të shpejta që lëvizin e zhvendosen në dyndjen e refugjatëve janë prekja e magmës së gjallë njerëzore në kulmin e dramës dhe përmbajtjes së saj me dinjitet. Këto copa dialogjesh janë gjilpëra e barometrit të rrethit njerëzor në rrethin e dëshpëruar vicioz ku i ka shtyrë lufta, përballja për jete a vdekje me armikun e përbetuar. Këto copa kuvendimesh të shpejta, të regjistruara në ecje e sipër, në të cilat rreh pulsi i gjallë i jetëve njerëzore në Orën e tyre të Ligë, janë shkapërderdhura njëtrajtshëm në libër dhe autori i quan “materiale”. Pra, regjistrime zërash e fatesh në shtjellën e luftës. Janë zëra të zakonshëm, tokësorë; janë zëra të arsyeshëm dhe zëra idealistë, të përbetuar të përballen me vdekjen e të mbushur, çuditërisht plot shpresë fitoreje në kulmin e dëshpërimit midis masës së dëbuar qindramijëshe. Janë zëra nga të gjitha moshat e gjinitë, sikundërse dhe zërat e luftëtarëve të rinj, një pjesë e të cilëve dëshmuan me vepër dhe ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës. Janë zërat e psikes së kombit në orën e vet fatale.
Prandaj këto zëra të mbijetuar falë regjistrimit të Rexhep Shahut, si në nxitim e sipër, ashtu dhe të mirëmenduar e të ftuar në studio, kanë vlerën e pallogaritshme të një thesari dëshmues, e unë do të doja ta besoja për shumë gjatë, për shekuj, sepse janë radiografia dhe sizmika e shpirtit kolektiv të shqiptarëve të Kosovës, para dilemës së mbijetesës nacionale: “Me qenë, a mos me qenë?”
Se vetëm pas kapërcimit të kësaj dileme shekspiriane të ekzistencës, shtrohen variacionet e pyetjeve të sotme: si me qenë?
E kjo tash është një temë tjetër që, gjithsesi, rrënjët i ka tek përvoja dramatike e luftës së Kosovës, e pasqyruar gjallërisht në librin “Lufta ime për Kosovën” nga zemra e madhe përdëlluese e një intelektuali patriot e humanist, siç është Rexhep Shahu ynë.
Dhe Lufta e gjithkujt për Kosovën mbetet po ajo që ka qenë, po ajo që shtron Rexhep Shahu në këtë libër: kjo luftë nuk ka mbaruar, gjithsecilin ajo e pret përpara, në frontin e madh e të vështirë të betejës me veten.

Zvicër, Janar 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok