21/12/2024

LIBRI I CILI SOLLI MES NESH TRIMIN HALIT (AZEM) ÇUKA

0
Mehmeti-Qazim-Azemi

“Ai që nuk njeh të kaluarën nuk do ta kuptojë as të ardhmen” (Eco)

Nga Hazir MEHMETI

Promovimi i librit HALIT (AZEM) ÇUKA, me autor  Qazim Azemi në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri, vlerë  historike kombëtare.

Në ambientet e bukura të sallës së Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina” u rikujtua njëri nga personalitet e historisë sonë të lavdishme, Halit Çuka, i cili  tërë jetën ia kushtoi luftës për liri kundër pushtuesve serb në kohët e rënda për kombin shqiptar. Emri i tij ishte halë në sy për pushtuesit deri në çlirimin e Kosovës. Familja e tij ishin në shënjestër dhe ishte e vështirë jeta e secilit anëtar në sistemin komunist i cili ua konfiskoi pasurinë deri në trohën e fundit nga magjja.  Por, mendja e ndritur e familjes e brumosur me ide përparimtare stërgjyshore u pasurua me shkollimin e shumë prej tyre edhe autori i librit, Prof.Qazim Azemi.  Shkollimi hapi shtigje të reja në luftën për çlirimin e kombit dhe sot jemi të lirë të përkujtojmë lirshëm trimat që dhanë jetën e tyre për liri.   Vushtrriasit përjetuan dhe mësuan për figurën e Halit Çukës si asnjëherë më parë.   Nderim i veçantë ishte prania e të parit të komunës Ferit Idrizi i cili mbajti fjalë rasti në respekt të veprës së trimit Halit Çuka. Ai përgëzoi autorin e librit për veprën e re monografike me rëndësi për historinë kombëtare.

Redaktori…

Prof. Bedri Tahiri, shkrun:  “Personalitetin e Halit Çukës e përplotësojnë dhe veprës i japin karakter shumëdimensional, duke kapërcyer atë familjar, jetëshkrimet për bashkëluftëtarët dhe bashkëveprimtarët e tij të shumtë, të cilat autori asnjëherë nuk i lë anash dhe u jep vendin e merituar. Të gjithë ata: vëllezër, miq, kushërinj, bashkëveprimtarë, dashamirë e atdhetarë të njohur, përherë janë krahë përkrahë me të, në beteja e në kuvende, në organizime e në veprime. Halit Çuka ishte kryetar i Komitetit për mbrojtjen e Kosovës në Komunën e atëhershme të Samadrexhës.”

Recensenti…

“Halit Çuka e ndoqi rrugën e shumë patriotëve të shquar të kombit tonë, të cilët angazhoheshin për avancimin e çështjes kombëtare, të nuk kursyen as gjënë më të shtrenjtë pasurinë, jetën e vet dhe djemve të tij, ku tërë pasurinë që kishte e shkriu për çështjen kombëtare.” (Hysen Azemi, recensent).

Autori…

Në fjalën e tij autori i librit Qazim Azemi para publikut që mbushte sallën mes tjerash tha: “Ka qenë periudhë e vështirë kur njeriu s’ka mundur t’a përmend emrin e babait, të gjyshit, me pretekst se ata kinse qenë “armiq” të popullit. Por, kujtesa e popullit mbajti të gjallë veprën e tij, emrin e tij. U tregua, u këndua dhe bisedua për atdhetarin dhe dëshmorin e kombit Halit Çuka, i cili dha jetën për liri. Gjatë hulumtimeve të mia në Arkivin Historik të Kosovës, edhe aty mungojnë materialet me të dhëna lidhur me konfiskimin e pasurisë dhe personave të likuiduar gjatë viteve 1945/46, janë të zhdukura nga dora gjakatare serbe. I falënderoj të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët, të cilët më kanë ndihmuar në çfarëdo forme deri në realizimin e librit”.

Qazim Azemi lindi në vitin 1946 në Dumnicën e Poshtme. Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Vushtrri dhe Fakultetin Filozofik drejtimi i  Gjuhës në Universitetin e Prishtinës. Punoi profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollat e mesme të Vushtrrisë ku ishte edhe drejtor shkolle. Është nipi i Halit Çukut, i cili lind gjashtë muaj pasi pushtuesit komunisti serb ia pushkatojnë të atin. Ai rritet nën përkujdesjen e nënës në rrethana ekstreme shtypëse ndaj familjes patriotike Çuka.

Prof. Qazim Azemin, e kisha kolegë në Qendrën Shkollore të Vushtrrisë e cila përjetoj sulme të vazhdueshme nga pushtuesit serb. Ai ishte sypatrembur në mbrojtjen e shkollës shqipe. Duke pasur një kolektiv nga intelektual punëtor e patriot Qendra Shkollore e Vushtrrisë, ishte halë në sy të armikut, andaj u bë cak i sulmeve të vazhdueshme. Kjo qendër shkollore përjetoj diferencimin nga i cili pësuan disa mësimdhënës, mes tyre edhe Qazim Azemi. Shkolla përjetoj helmimin e nxënësve nga agjentët policor e ushtarak serb në vitin 1990, një krim për të cilin nuk foli drejtësia, përjetoj mbylljen e shkollës dhe dëbimin me dhunë nga lokalet shkollore. Por, kolektivi nuk u gjunjëzua, vazhdoi punën mësimore në shtëpitë shkolla të popullit arsimdashës gjithandej Vushtrrisë deri në çlirimin e vendit.  Halit Çuka dhe trimat e kombit ishin frymëzim në luftën për liri për secilin deri në realizimin e idealeve të tij dhe dëshmorëve tjerë të kombit.

Sot Halit (Azem) Çuka kthehet krenar në Vushtrrinë dhe Kosovën e tij të lirë për të cilën dha jetën, dha bijtë dhe pasurinë e tij.   Biblioteka e Vushtrrisë u pasurua me veprën e re e cila do flet brezave që vijnë.

Autorit, Prof. Qazim Azemi, i dëshirojmë shëndet dhe shumë vepra tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok