21/11/2024

IM000634.JPG

Aravella Marika, Estref Bega dhe Alfredi

Nga Alfred Papuçiu

Të flasësh për librin, duke përfshirë edhe atë në gjuhën shqipe, duhen orë të tëra dhe faqe të shumta gazete. Por fatmirësisht, Diaspora shqiptare ka fatin e mirë që mund të hedhë mendimet e veta lirisht dhe ato të përfshihen media shqiptare. Nuk e them për mburrje, por shumë nga shkrimet e botuara prej saj tanimë i gjen gati përditë të marra, apo më mirë të vendosura „pa lejen“ tonë në gazetat shqip në Diasporë. Kjo është shenjë e mirë, por edhe që na bën që të mendohemi që në faqet e gazetës të japim mendime të pjekura, siç i ka hije lexuesit dhe shkrimtarit bashkëkohës europian, paçka se duhet pritur edhe disa kohë që të shkojmë si të barabartë në Europën e Brukselit.

Tani, më lejoni të kthehem tek subjekti i këtij shkrimi, që ndoshta përmban vetëm mendime personale, por edhe disa sygjerime që rrjedhin nga bisedat me bashkëkombas në Diasporë dhe miq të shqiptarëve, këto kohët e fundit në Gjenevë.

Në sallonin e ekspozitave Palexpo të Gjenevës, mbahet çdo vit Panairi  Ndërkombëtar i Librit dhe i Shtypit. Panairin e nderojnë me pjesëmarrjen e tyre autoritetet më të larta zvicerane. Panairi grumbullon mbi 700 ekspozues. Panairi vizitohet nga mëse 100.000 vetë. Ky mbetet takimi më i madh kulturor në Zvicër. 450 autorë vijnë për t’u takuar me lexuesit e shumtë të veprave të tyre. Kur e pyesin nismëtarin e këtij panairi, të nderuarin Pierre-Marcel Favre, i cili ja ka lënë stafetën një kolegeje tjetër, se si është e ardhmja e librit, ai përgjigjet me filozofinë e tij të përherëshme optimiste: „Duhet thënë se edhe ajo vuan, por si në të gjithë fushat: ka shumë këngëtarë, shumë filma, shumë nga të gjitha. Natyrisht kjo mund të shkaktojë shqetësime, duke „mbytur“ veçanërisht disa botime me meritë. Por nga ana tjetër, mund të thuhet se është diçka e mirë që shumë autorë kanë shansin e tyre. Për shëndetin e plotë të librit, të të gjitha llojeve, ka një të ardhme të mirë. Ata që lexojnë shumë mbeten gjithmonë. Edhe ata që nuk lexojnë asnjëherë, edhe nesër nuk do të lexojnë. Të shëtisësh apo të kalosh kohën me një libër, kjo është një kënaqësi e pazëvëndësueshme…Ndërsa për librin elektronik ai do të demokratizohet shpejt, por unë nuk besoj se ai do të zëvëndësojë plotësisht librin klasik, të paktën tek lexuesi mesatar“.Pyetjes se si e sheh ai të ardhmen e Panaireve të librit, ai i përgjigjet : « Gjithçka varet nga formula. Për vendet gjermanofone, që janë të prirura nga leximet publike, ato nuk kanë një « kulturë » panairi : Franfurti interesohet kryesisht për profesionistët. Kurse në Francë, panairet e librit në provinca po shtohen, njësoj si në Gjenevë, ku ne jemi përpjekur ta kthejmë në një festë me pole të ndryshme dëfrimi kulturor. Edhe nëse do t’ja kaloj stafetën dikujt tjetër, pas dy ose tre vitesh, formula është e mirë për të vazhduar ».

Pierre-Marcel Favre boton 50 libra në vit, ose më tepër se një libër në javë, pasi gjatë pushimeve verore dhe dimërore, shtypshkronjat punojnë shumë pak. Ai udhëton shumë dhe fotografon. Pastaj ai i boton ato, por me një tirazh të kufizuar. Për të zanati i botuesit është një shkencë jo e saktë. Nga të gjitha botimet që dalin në dritë, pak më shumë se gjysma i pëlqejnë lexuesit. Në këtë drejtim, sipas tij, ka të bëjë përvoja, por edhe njëfarë pasigurie. I palodhur, botuesi Favre është gati të nxjerrë një koleksion botimesh jo të zakonshme. Pierre-Marcel Favre nuk ka munguar të botojë edhe autorë shqiptarë dhe ka një respekt të veçantë për gjithë ata shqiptarë që jetojnë në Zvicër, por edhe veçanërisht për penën e artë shqiptare, Ismail Kadarenë. Ai botoi librin e shkrimtarit Fahri Balliu, me titull „La femme du diable : Nexhmije Hoxha, veuve du dictateur albanais, Enver Hoxha“ ( në shqip: „Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha“). Parathënia me titull: „Gra tiranësh“ është hartuar nga shkrimtari Ismail Kadare. Në bisedë me Pierre-Marcel Favre, në ditët e Panairit, ku e takoja shpesh në pritjet e shumta që jepeshin, ai më buzëqeshte dhe bile më bëri një propozim që më ka lënë në mendime: të botojmë sëbashku një përmbledhje me tregime dhe refleksione në gjuhën shqipe dhe frënge. Një detyrë e vështirë për mua, duke njohur përsosmërinë e këtij botuesi fisnik, me një ecuri të veçantë në jetë. A do t’ja arrij kësaj ndërmarrje serioze, krahas punëve dhe andrallave të përditshme të jetës në Diasporë? Megjithatë, do nisem për rrugë.

Në Panairin e librit në Gjenevë, është paraqitur njëherë në një hapësirë të madhe të veçantë, duke përfshirë edhe fotografi të shumta, dhe botimi „Shqipëria“ i fotografit grek, nga Selaniku, John Demos. Në ballë të ekspozitës ishte flamuri ynë kombëtar që fotografohej nga vizitorë të shumtë. Në vitet 90-të, Demos fotografoi ndryshimet e shoqërisë shqiptare gjatë rënies së regjimit komunist. Ai nëpërmjet pamjeve të shumta shprehëse, na paraqet vitet e para të tranzicionit dhe kthesat e një vendi që përballohet me një faqe madhore të historisë së tij shekullore. Shqipëria, sipas tij, është një libër i veçantë, në mënyrë të pabesueshme e plotë dhe misterioze, që të shton dëshirën që të dëgjosh zemrën e Ballkanit. John Demos në fotografitë e tij është përqëndruar në mitingjet politike, të refugjatëve që kërkojnë të afërmit e tyre, të shkatërrimit të arkivave të partisë komuniste në Shkodër më 2 prill 1991, të çiftit të sapo martuar që del i buzëqeshur para kameras, të njerëzve që mbajnë në duar flamurin kombëtar, por edhe të ditëve të zisë kur vriten të rinj demokratë në Shkodër. Ismail Kadare, figurë e shquar e mbrojtjes së letërsisë shqiptare, është autor i parathënies së albumit të botuar nga shtëpia botuese franceze me prestigj „Acte Sud“, ku shumë autorë me zë shqiptarë kanë parë dritën e botimit të veprave të tyre letrare.
„Shqipëria nuk ka pothuajse aspak imazh. Imazhi i saj është në ndërtim“, shkruan Ismail Kadare në tekstin e tij kritik, ku ai i bën pyetjen vetes mbi përfaqësimin e një populli të panjohur nga europianët. Dhe ai saktëson :« Shqipëria komuniste e djeshme, është pa dyshim, përgjegjësja kryesore e shumë gjërave (…) Ajo është bërë qesharake, duke patur si zgjedhje të ishte mbrojtësja e fundit e Stalinit. Ajo ngeli jashtë botës së civilizuar për shkak të egërsisë së saj pa precedent ». Në këtë panair ka marrë pjesë zakonisht me stendë  Agjencia e Botimeve: BOTIMPEX, me president Estref Bega, i cili ja ka lënë tashmë stafetën të birit, Edit. Bie në sy se stendat shqiptare  sjellin shumë libra: për të rritur e për fëmijë; libra letrare e historike, kulturore, fjalorë e metoda të mësimit të gjuhëve, CD e DVD, tregime të autorëve zviceranë dhe të huaj; libra për historinë e Kosovës dhe të Shqipërisë, për gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar. Ka një larmi edhe në numrin e madh të shkrimtarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, viset, si dhe autorë që jetojnë në Diasporë. Stendat shqiptare i vizitojnë dhe shumë miq e personalitete të shtypit, botues e shkrimtarë të huaj. Estref dhe Edi  Bega të „Botimpex“ kanë ardhur pothuaj çdo vit që prej mbi 20 vitesh. Vetë nuk janë botues, por nga viti në vit e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre, me sjelljen e shtypit periodik apo revistave dhe botimeve nga Shqipëria në Gjenevë dhe në Zvicër. Kanë arritur të „depërtojnë“ dhe në Kongresin amerikan, me modestinë që i karakterizon. Libra të autorëve tanë të dëgjuar që nuk i gjen në kioskat apo librat e shumtë në pazaret e së shtunës në Gjenevë, tashmë me ardhjen e botuesve shqiptarë, ato gjenden vetëm në bibliotekat e bashkëbesëlidhësve shqiptarë dhe miqve zviceranë, apo të organizatave ndërkombëtare, apo në librari dhe biblioteka të pasura, si ajo e Pallatit të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ku shkoj me kënaqësi dhe kaloj orë të tëra, apo ajo në Byronë Ndërkombëtare të Punës (BIT), OMS… Falë mirëkuptimit të autoriteteve zvicerane dhe të kantonit të Gjenevës, brezi i ri mëson shqip dhe ka libra shqip, si tek LAPSH (Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë), tek Universiteti Popullor Shqiptar, tek Biblioteka e Kryqit të Kuq të Gjenevës dhe bibliotekat në lagje, por edhe tek Payot dhe FNAC. Unë dhe bashkëkombasit e mi e ndjejmë veten shqiptarë, këtu në Diasporë, ruajmë rrënjët nga kemi ardhur, mbaj si gjë të rrallë si edhe disa miq të mi, pemën gjenealogjike të familjes sime, të përgatitur me aq kujdes nga im atë i ndjerë, shkrimtari dhe gazetari Tuni Papuçiu.

Mendime të Diasporës shqiptare për librin shqip

Si shqiptar i thjeshtë në Diasporë dua të jap një mesazh modest. Asnjeri nga ne nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë kur ka ardhur në këtë jetë dhe as mendon të nënshkruajë kur të largohet prej saj. Por çdonjeri me mendimet e tij, do apo s’do ai parlamentar „miop“, mund të shtojë një kat në kalanë e Kombit tonë, edhe duke sygjeruar diçka të vogël. Prandaj edhe kam sygjeruar disa herë që botuesit tanë të mendojnë edhe për botime dygjuhëshe, shqip frëngjisht dhe shqip anglisht, apo edhe në gjuhë të tjera, duke kultivuar dhe nxitur edhe lexuesin e huaj të blejë libra të autorëve shqiptarë. Shumë qytetare zvicerane që vijnë në stendën e librit shqip marrin libra shqip për bashkëshortët e tyre sidomos nga Kosova. Unë nuk mund të harroj kurrë letrën e profesorit të nderuar të përkthimit dhe të gjuhës frënge, profesor Vedat Kokonës, i cili kur më dërgoi atëhere librin e tij: „Thërrime me mjaltë“, shprehte keqardhjen se një pjesë e shqiptarëve nuk i japin rëndësi gjuhës shqipe dhe përdorin huazime të kota. Të jesh shqiptar dhe të flasësh dhe të shkruash gjuhën shqipe letrare, kudo që ndodhesh në botë, është një respekt për atë komb të lashtë, me figura të ndritura të Kombit tonë, si Nënë Tereza, Skënderbeu, Fan Noli e shumë të tjerë. Arkitekti me origjinë shqiptare Franco Marussich, ka një bibliotekë shumë të pasur. Ai e plotëson atë çdo vit me libra të rinj, të blerë edhe në Panairin vjetor të librit dhe të shtypit në Gjenevë. Aty gjen edhe fjalorin frëngjisht-shqip të profesorit tim të nderuar të frëngjishtes, Vedat Kokona, një fjalorth italisht-shqip dhe shqip-italisht, botime për „Arbanasit“ e Kroacisë, për Zarën dhe lagjet e shqiptarëve atje, Ballkanin, Shqipërinë, Kosovën, për historinë e shqiptarëve, si dhe relike nga Zara, ku shqiptarët kanë fshatin e tyre me emrin „Arbanasi“, kishën, korin e tyre dhe ku rrugët mbajnë emrat e paraardhësve të Frankos. Ai është këmbëngulës për të arritur diçka, pasi thotë „jam si malësorët shqiptarë, pak kokëfortë, por dua që gjithçka të jetë e përsosur“…Diku, në shënimet e tij, ai më tregon të shkruar në frëngjisht: „Mon père était de langue maternelle albanaise“ (Im atë, gjuhën amtare e kishte shqipen). Pikërisht nga këto shënime, fillova punën time hulumtuese; gjeta shumë të dhëna historike për Marukët e lashtë dhe së fundi e shtyva mikun tim, duke i drejtuar shumë pyetje, duke i marrë orë të çmuara të punës së tij admiruese si arkitekt që kërkohet kudo, të më flasë për shqiptarët që kanë vendin e tyre të nderuar në bregun dalmat.

Ky shkrim për librat shqip, është bashkëbisedim me bashkëkombasit e mi në Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë. Sidomos pas dëshirës së shprehur nga ana e miqve të mi të mirë, të mbledhur në mjediset e Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë, ku të presin bashkëbesëlidhësit shqiptarë, me gatimet tipike shqiptare, por edhe që të japin mundësi të lexosh në Bibliotekën e pasur, librat e mbledhur prej tyre, vite me radhë, shqip dhe në gjuhë të huaj. Ai është bashkëbisedim edhe me Flamur Gashin që pret libra nga Shqipëria, Kosova, viset dhe Maqedonia e Veriut në shqip për fëmijët e tij. Është dëshirë e Kamberit dhe bashkëshortes së tij mjeke, Kadriut dhe Samiut, vëllezër që e çmojnë librin shqip, Zejnullahit, Milazimit, Vehapit, Mevlanit. Libri është një përçues dijesh edhe tek shqiptarët. Në këtë drejtim lindin disa probleme që duhen zgjidhur me maturi, edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë, sidomos me botuesit tanë, por që shpesh harrojnë se konkurenca është tepër e ashpër edhe në fushën e botimit dhe të shpërndarjes së librave. Konkretisht, nëse botuesja e „Metropolis“ në Gjenevë, apo „Actes Sud“, „Albin Michel“, në Francë, „Favre“ në Zvicër, apo shtëpi të tjera me tepër prestigj në Angli, Amerikë, Gjermani, Argjentinë e gjetiu, i propozon një shkrimtari botimin e një libri të tij të ri, ajo jo vetëm që nuk u kërkon të holla shkrimtarëve për librat që do t’u botojë, por për më tepër u jep atyre të holla nga fitimet që nxirren nga botimi i librave. Po nuk u kuptua kjo nga botuesit shqiptarë, qofshin këta „të vegjël“ apo edhe „të mëdhenj“, libri shqip nuk do të shpërndahet si duhet dhe atje ku duhet. Një botues që merr paratë për botimin e një libri, pa dalë ai akoma nga shtypshkronja dhe kur e boton, as nuk e shpie në një librari të vetme në Tiranë apo gjetiu, nëse nuk ka kontroll ndaj tij për të drejtën e autorit, s’ka si të ecë siç duhet puna e librit. Kjo ka ndodhur me botimet Toena, ku një shkrimtar ka botuar pesë libra tek kjo shtëpi botuese dhe asaj i janë dhënë të hollat për to nga ai dhe kolegët e tij të huaj apo shqiptarë dhe ata nuk kanë marrë asnjë cent për punën e tyre. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me një shkrimtar të shquar që jeton në Bordo të Francës. Për më tepër librat e tyre as që janë shpërndarë, por kanë mbetur në magazinat e Toenës për vite të tëra. Nuk e di a ka kontroll nga shteti ndaj këtyre botuesve. Cuditërisht, me daljen e Internetit, shumë gjëra merren vesh edhe nga shkrimtarët shqiptarë, se sa shitet libri i tyre, diku në një librari në Francë, Zvicër, Rusi, Angli, sa ekzemplarë ka kërkuar një ambasadë e huaj në Tiranë, kur flitet për vendin e vet dhe bashkëkombasit e vetë, sa franga apo euro e propozon një ent shitës, pasi është lidhur drejtpërdrejt me botuesin, pa marrë pëlqimin paraprak të shkrimtarit. Fatmirësisht një dukuri e tillë nuk është tek të gjithë botuesit tanë. Dhe “Toena” i mban autorit në magazinat e saj me qindra ekzemplarë të librave të tij për vite të tëra në një kohë që është paguar krejtësisht jo vetëm për botimin, por edhe për shpërndarjen e tyre. Arrin deri atje sa ti thotë autorit se një libër i tij është jashtë përdorimit, si rezultat i përmbytjes me ujë të magazinave të saj. Një fjalë që e kanë në majë të gjuhës punonjësit e saj të shutmë që në fakt mbahen nga paratë e derdhura nga autorët e librave. Kulmi është kur në llogaritë e saj “Toena” i thotë autorit se janë tërhequr X ekzemplarë dhe mbeten Y ekzemplarë dhe del se në vend të 1000 kopjeve të porositura, botuesi nxjerr se ka shitur brenda dhe jashtë shtetit mbi dyqind kopje të tjera, pra 1200 kopje. Atëhere, ku qëndron serioziteti i këtij botuesi i cili përfiton nga mungesa e kontrollit të Ministrisë përkatëse, për të përfituar në maksimum nga autorët të cilët për punën e tyre disa vjeçare nuk shpërblehen fare.

Do të ishte e mirëpritur që një ditë të shihnim si të ftuar nderi Shqipërinë dhe Kosovën, që të përfaqësonin Kombin në Panaire të tilla me prestigj. Por në këtë rast do të duhej të bëhej një investim nga ministritë përkatëse të kulturës në Shqipëri dhe Kosovë. Një investim i vogël, por shumë domethënës për kulturën shqiptare, pasi „Botimpex“ apo zyra të tjera të shpërndarjes së librit, nuk mund ta përballojnë më vetë përhapjen e librit shqip. Ato nuk i mbulojnë asnjëherë shpenzimet që kanë bërë për pjesëmarrjen e tyre në këto panaire. Shqiptarëve u duhen libra për mikpritjen shqiptare, zakonet tona të mira, për mirënjohjen, për politikën e jashtme të Shqipërisë, për Europën, Ballkanin. Nëpërmjet librit mund t’i përgjigjesh edhe atij që „të vret këngën“ siç shprehet miku im Imer Cacaj, patriot, edhe atij që të cënon pa shkak, që hedh vrer, apo që është cmirëzi. Të mos harrojmë, se edhe ai mësuesi në fshat, edhe në kohë të shkuar të regjimit të E.H., në vend që të përfundonte në një pijanec, lexonte libra dhe mësonte gjuhë të huaj, edhe në atë dhomën e ftohtë atje në majë të malit. Prandaj një media që nuk kultivon një lidhje të ngushtë me lexuesin, është një media që nuk e ka jetën të gjatë, dhe sidomos kjo në kushtet e Shqipërisë, një vend i vogël, me tradita libërdashëse, por që janë zvenitur pak në kohët moderne, për shkak të disa kushteve objektive dhe subjektive. Zanati i botuesit është që të nxisë sjellje të reja në shoqërinë tonë të konsumit masiv që lindin vetëm nëpërmjet marrëdhënieve ndëraktive. Libri ka bërë miq dhe diskutojmë me ta në tryezën tonë me bashkëbesëlidhës, si për Heminguein, Nurisjenë, Panjolin, Kamynë, Zhorzh Haldasin, Hygonë, Margërit Dyras, Robert d’Angely, Marie-Luce Dayer, Francine Koch, Basil Schader e shumë të tjerë. Mjetet e tjera të komunikimit masiv si televizioni, radioja, interneti, nuk mund ta zëvëndësojnë kurrë bukurinë dhe madhështinë e leximit të një libri të mirë, tërheqës dhe që jep mesazhe miqësie, paqeje, solidariteti, mirënjohjeje. Nuk mund ta harroj kurrë atë intelektualin hungarez që rastësisht e takova diku në Gjenevë dhe pashë në bibliotekën e tij në apartamentin në Grand Sakoné, mbi 20.000 tituj librash në gjuhën hungareze dhe të huaj. Ne nuk duam të vihemi në garë me të dhe të kemi në bibliotekat tona aq shumë botime për Shqipërinë, Kosovën, viset, Maqedoninë dhe shqiptarët kudo që janë, por që krahas flamurit kombëtar apo kujtimeve familjare, biblioteka personale të jetë pjesë e pandarë e mjedisit familjar. Nëpërmjet librit të mbajmë të gjallë gjuhën shqipe edhe të shkruar, një gjuhë nga 9 gjuhët indoeuropiane më të vjetra dhe që nuk e ka prejardhjen nga ndonjë gjuhë tjetër, por që ka mbetur e paprekur, megjithëse Shqipëria ka qënë e pushtuar nga shumë të huaj gjatë shekujsh. Ashtu si edhe Kosova ka vuajtur nga regjimet e urryera serbomëdhenj. Nuk bëj ndonjë zbulim kur theksoj se emri shqip është gjetur në shënime qysh në kohën e Ptolemeut. „Shqipja nuk është e ngjashme me ndonjë gjuhë tjetër dhe shqipja e folur për herë të parë vjen nga ilirët, paraardhës të shqiptarëve, mijëra vite më parë“, theksohet në një enciklopedi britanike. Për shqipen e lashtë ka dëshmuar gjuhëtari gjerman Frans Bopp në 1854, pastaj në 1880 gjuhëtari tjetër gjerman Gustav Majer. Më tej në këtë rrugë ecën me botimet e tyre danezi Holger Petersen dhe austriaku Noerbert Jokl. Francezi Robert d’Angely që e ka patur gruan shqiptare nga Përmeti, ka botuar disa libra si „Enigma-Pellazgët“, „Etruskët në Perandorinë bizantine“, „Sekretet e Epitafeve“, „Për Perandoria osmane, shqiptarët, Epirin“, „Gramatika shqipe e krahasuar“. Fatkeqësisht vetëm një përmbledhje e „Enigmës“ është botuar në shqip. E bija e tij, Prof. Solange d’Angely, pasi m’i dhuroi me autograf të gjithë librat e të jatit për shqipen, më propozoi t’i përkthejmë ato në shqip. Po të shkojmë më tej: arvanitasi Aristidh Kola në librin e tij, të blerë nga bashkëatdhetarët në Panairin Ndërkombëtar të Librit dhe Shtypit në Gjenevë, për popullin pellazg që është paraardhës i ilirëve thekson se gjuha arvanitase është gjuhë e perëndive, është pikërisht ajo gjuhë që përmend Homeri dhe si të tillë ai nënkuptonte gjuhën shumë të vjetër pellazgjike. Pra duan apo s’duan ata pak „gjuhëtarë“ ,të paguar enkas nga përfaqësues gjuhësh që ose e kanë humbur hapësirën e tyre për shkak të migrimeve, asimilimit të gjuhës së tyre,  Shqipja cilësohet si gjuhë indoeuropiane dhe është pjesë e asaj familjeje. Alfabeti shqip ka 36 gërma. Të gjitha gërmat janë si alfabeti latin, përveç „ç“ dhe „ë“. Gërmat dyshe konsiderohen si një e vetme, për shembull th, dh, ll, gj e të tjera, por gjithsej janë 36. Anglishtja, gjuha më e folur sot në botë, ka disa ndryshime midis asaj që flitet në djepin e gjuhës në Britaninë e Madhe, në krahasim me atë amerikane, por të dyja kanë 26 gërma. Edhe alfabeti frëng përbëhet nga 26 gërma dhe gjatë një pune mbi 40-të vjeçare, përveç të tjerave në lëmin e bukur, por tepër të vështirë me librin, përkthimet, tregimet, meditimet, të kthyera edhe në këto gjuhë, shpesh për shkak të mosdijenisë së një termi, që i përkiste dendrologjisë ose iktiologjisë, më është dashur të shfletoj libra dhe fjalorë në disa gjuhë, për të gjetur fjalën e përshtatshme në shqip. Shpesh e kam patur më të lehtë, pasi shqipja duke më dhënë mundësinë të kem dhjetë gërma më tepër prej saj, fjala në gjuhën amtare ka dalë me shqiptim dhe kuptim të saktë. Linguistika nuk e ka më atë rol si shkencë kryesore që mund të përdorej nga shtete të mëdhenj për të bindur përfaqësuesit e kombeve më të vegjël, se përkatësia e tyre mbetet vetëm tek gjashtë gjuhët e përdorura në Kombet e Bashkuara, apo edhe në konferenca shkencore për probleme të mjekësisë, sëmundjeve gjenetike, shkencës në përgjithësi, letërsisë, artit. Francezët, dhe vendet frankofone, nëpërmjet „frankofonisë“, si edhe përfaqësuesve të tyre diplomatikë, pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare të librit, janë më të përparuar në drejtim të përhapjes së gjuhës frënge, në një botë që po dominohet pak e nga pak nga anglishtja. Gjuha frënge e përdorur nga Molieri, Balzaku, Hygo, Alfons de Lamartine, Zhan Zhak Ruso, Volteri, Marcel Panjol, Stendali, Aleksandër Dyma, Alber Kamysi, Zhan Pol Sartrë, André Malro, Robert Shumani, Denis de Rougemont, e shumë të tjerë të shquar, megjithëse nuk zë më atë vend që ka patur gjatë shekullit të kaluar, deri nga vitet 50-të, përsëri është e pranishme dhe më me forcë në letërsinë botërore. Gjuha angleze e Shekspirit, Hemingueit, Xhorxh Uashingtonit, Daniel Still, David Baldacit, Cërçillit, Kenedit, J.K.Rowling e „Hari Poterit“, Dan Brown i „Kodit të Da Vinçit“ etj., sot zë vendin e parë dhe ka shumë arsye që nuk ezaurohen me këtë shkrim… Të drejtë kanë edhe gjermanët, japonezët, spanjollët, portugezët, ballkanasit, duke përfshirë edhe grekët, fqinjët tanë, italianët, por edhe shqiptarët, pasi diaspora shqiptare flet dhe shkruan gjuhën shqipe, por duke respektuar edhe gjuhët e vendeve ku janë vendosur. Shqiptarët në Amerikë e duan librin shqip, bile edhe dy gjuhësh, pasi kështu fëmijët e tyre, në vend që të thonë „How are you“, të të drejtohen në shqip „Si jeni“, kur u shkon për vizitë në banesat e tyre dhe tek prindërit e tyre mikpritës.

Avec Georges Haldas

Marie Luce dhe fëmijët

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok