17/11/2024

LIBRI “AT NDON BELUSHI, KOLOSI RILINDËS I DY SHEKUJVE

0

Krijuesit në Bibliotekën e At Antonio Bellushit, Frasnitë, 6 maj 2024 (Foto nga Rexhep Rifati)

Musa Jupolli e Mentor Thaqi –  “At Ndon Belushi, kolosi rilindës i dy shekujve”

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë zgjeroi aktivitet e saja gjatë dhjetë vjetëve të jetës së saj. Njëra nga hapësirat e aktiviteteve që dha forcë e energji të re krijuese, ishin vizitat dhe aktivitetet në Kalabri, kurorëzuar më orën letrare ”Pranvera Arbëreshe 2024”- Frasnitë (Frascineto), fshati historik arbëresh i At Antonio Belluscit. Aktivitete intensive hulumtuese e publicistike gjysmëshekullore të Rexhep Rifatit, ishin hapja e shtegut drejtë portës së Arbërisë, ishte rruga e prekjes nga afër e jetës, e mallit dhe pritjes vëllazërore.  Studiuesja e njohur,  Ornela Radovicka do shprehet: “Miku ynë Rexhep Rifati, i pa përtuar ka sfiduar edhe orën biologjike, i pa lodhur dhe i gjendur në çdo kohë, ka krijuar ura midis botës arbërore dhe asaj Kosovare në Diasporë”.
Këto ura mes vëllezërve i pasuroi Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM),  me 6 e 7 maj të këtij viti duke organizuar, mes tjerash, takimin me Rilindësin  e madh, At Antonio Belluscin dhe vizitën në Bibliotekën e tij. Shtëpia e tij shekullore është Bibliotekë kombëtare, është arkiv kombëtar që nuk ka krahasim me bibliotekat tjera sado të reja e me shumë stoli qelqi. Kjo bibliotekë është tani, veç tjerash, është arkiv i njohur i pasur me materiale burimore arbëreshe e shqiptare duke u shndërruar në qendër hulumtuese albanologjike.

Me 6 e 7 maj ishte takimi vëllazëror dhe emocionues  me At Antonio Belluscin. Ai nga ballkoni i tij me flamuj iu drejtua vizitorëve me plotë dashuri e respekt zemre ashtu siç vetëm ai dinte:
“Mirë se vini O vëllezër! Ju kam pritur me shekuj dhe ju pres gjithmonë me shpirt e zemër, e vatër, ashtu si pret Arbëri.  Kam folur me Zotin dhe Ai nuk më merr pa u përqafuar me juve, po ju pres me padurim dhe me shumë hare! (Këtë ua kishte thënë në telefon zotit Rexhep Rifati dhe zotit Mentor Thaqi, para se të shkonim në Frasnitë)

Gjaku dhe gjuha janë pasuri e jonë, pra thesari që e ruajtën identitetin arbëror.” Pikërisht me këto fjalë hapet libri i ri kushtuar At Antonio Belluscit: At Ndon Belushi, kolosi rilindës i dy shekujve” ( At Prof. Dr. Antonio Bellusci ).
Dyzet e tri ditë më vonë, më 19 qershor 2024, ditë e mërkurë, shpirti i Rilindësit të dy shekujve, At Ndon Bellusci, merr rrugën e vet në pavdekësinë qiellore.   Një ditë më vonë mbahet ceremonia lamtumirës në Kishën shekullore arbëreshe të Frasnitës, vendlindja  e tij. Çdo gjë në Frasnitën arbëreshe dhe katedralen e saj, ka gjurmë përkujdesje të familjes Bellusci dhe birit të saj At Antonio Bellusci. LKSHM u përfaqësua nga dy nënkryetarët e saj, Rexhep Rifati nga Zvicra dhe Hazir Mehmeti nga Austria.
Nuk do harrohen fjalët e kryetarit Katapano, Ambasadorit Vehbi Miftari, studiueses Ornela Radovicka, shkrimtares dhe aktivistes Maria Antonietta Rimoli, Priftit Arbëresh të Frasnitës (Frascineto) me origjinë rumune, Zoti Gabriele. Lexime rasti në gjuhën arbëreshe nga priftër arbëresh.  Dhembje! Vargu i gjatë ngushëllues mbi arkivolin e At Antonio Belluscit shprehte falënderimin për veprën e tij, krenarinë që madhëroi Frasnitën, Arbërinë e gjithë shqiptarinë.

“Shteti Shqiptar duhet ta nderonte birin e tij, që kishte bërë shumë për të! Njeriun Tonë kaq të nderuar në botë, i njohur në 5 kontinente”. Asnjë përfaqësues nga Shqipëria, asnjë telegram ngushëllimi. E pa falshme! As nga Akademia e Shkencave!  Nga Shqipëria kishin ardhur me dhembjen e madhe për mikun e tyre,  Brizida Gjikondi, nga shoqata “Tamara Gjikondi” dhe  Franco Calimà, nga shoqata “Pal Engjëlli” në Tiranë.

Në hyrje të librit, autorët:
Musa Jupolli, kryetar dhe Mentor Thaqi, sekretar, hapin shkrimet në librin e tyre dhe të LKSHM-së me titull  “At Ndon Belushi, kolosi rilindës i dy shekujve”:  “Arbëreshët Poemë e një kulture të lashtë në dashuri të gjuhës dhe gjakut arbëresh.”  Mentor Thaqi: “Ndon Belushit tuaj dhe tonë RILINDËSIT më të madh arbëror të dy shekujve të fundit, shkrimtarit, historianit, poliglotit, meshtarit, pedagogut, filozofit, publicistit dhe Njeriut të Zotit e të Kombit…
Do ta ruajmë në mendje e zemra edhe bekimin që morëm prej Tij!“

Libri përmban aktivitet në Frasnitë në maj dhe shkrime me rastin e shkuarjes në Amshim të At Antonio Belluscit. Pastaj, shkrime hulumtuese nga Isak Shema, Don Lush Gjergji,  Ornela Radovicka, Rexhep Rifati, Hazir Mehmeti etj. Libri është përmban poezi nga poete e poetë të Lidhjes që i kushtohen At Belluscit.

Së pari herë në Kalabri, LKSHM organizoi orën letrare   ”Pranvera Arbëreshe 2024” ku lexuan krijues e krijuese arbëreshe dhe 40 krijues nga Mërgata (diaspora), pjesë e Lidhjes.

Me 19 qershor Lidhja mori lajmin e hidhur për kalimin e At Antonio Belluscit në amshim. Ishte kjo një humbje e madhe për të gjithë Arbërinë e shqiptarinë. E gjithë Gjitonia e Kalabrisë u vu në organizimin e përcjelljes nderimi të birit të saj i cili e bëri krenar me veprën e tij madhore kombëtare. Nga Kosova ishte Ambasadori i Republikës së Kosovës pranë Selisë së Shenjtë Vehbi Miftari. Ai tani me punën e tij po e madhështon lidhjen vëllazërore mes Kosovës dhe arbëreshëve në veçanti dhe Selisë së Shenjtë në përgjithësi.
Mbi të gjitha këto ngjarje të majit dhe qershorit, kryesia e Lidhjes… vendosi për të nxjerrë librin përkujtimor në nderim të At Antonio Belluscit dhe arbëreshëve në Kalabri dhe Sicili.

Autorët, Musa Jupolli dhe Mentor Thaqi  shkruan dhe zgjodhën me kujdes shkrime nga krijuesit kushtuar At Antonio Belluscit, pastaj telegrame ngushëllimi, rrëfime nga takimet, poezi,  baza e librit i cili u shtyp në LENA GAPHYC në Prishtinë.

Pas botimit, u takuam në Sheshin Zahir Pajaziti me Musa Jupollin dhe Ambasadorin Vehbi Miftari ku rikujtuam takimet tona në Kalabri me At Antonio Bellusci dhe arbëreshët.

Në shekullin tonë pa dyshim, se Prof. Dr. Antonio Bellusci  është figura më e madhe të cilin me të drejtë e krahasojnë me Fan Nolin. Po, AI  është pasardhësi i vërtetë i Fan Nolit me veprën e tij si hulumtues, shkrimtar, përkthyes, publicist, meshtar, veprimtar, aktivist politike me  filozofinë e tij vizionare. Vërtetë, Burrë i Madh i Kombit!

Libri do shpërndahet tek anëtarët e Lidhjes dhe biblioteka gjithandej hapësirave arbëreshe e shqiptare kudo.
Përgëzime për autorët e librit për shkrimet e tyre dhe mbledhjen e redaktimin e shkrimeve të shumta.  Përgëzime LKSH në Mërgatë për aktivitetin e saj.  LKSHM, themeloi çmimin “At Antonio Bellusci” i cili iu nda dy gazetarëve aktiv, shkrimtarë e aktivistë dhe nënkryetarë të Lidhjes, Prof. Rexhep Rifatit në Zvicër dhe Prof. Hazir Mehmetit në Austri.

LKSHM ka  përpiluar planin e befasisë së këndshme në nderim të At Prof. Dr. Ndon Belushit në 90 Vjetorin e lindjes.  Orë letrare e radhës në bashkë nderim me dy personalitete tjera që At Belushi i kishte për zemër.

Rrugë të mbarë librit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok