22/12/2024
Albert-Vataj

Nga Albert Vataj

Ishte një kohë që si librat edhe miqtë, jam përpjekur t’i përzgjedh. Por shumë shpejt ndryshuan gjërat, miqtë ishin atë që më zhgënjyen të parët. Ndoshta puna shkoi deri te shpirttrazimi. Ishte kjo periudhë kur më mbeti të përzgjedh librat dhe të merrem fare pak me miqtë. Zëvendësuan njëri-tjetrin, përkohësisht. Miqtë kërkonin kohë t’i jepja kënaqësi t’i dëgjoja, ndërsa librat kërkonin kohë, ndoshta më shumë, të më jepnin kënaqësinë t’i lexoja. Miqtë më shpejt iknin se sa vinin, por librat qëndruan aty me mua atëditë e sot. Kishte prej atyre librave që më zhgënjyen, por asnjë prej tyre nuk shkoi deri te thyerja e zemrës apo braktisja. Megjithatë më duheshin edhe miqtë, ndërkohë që me mjaftonte shoqëria me librat. Realisht asnjë miku nuk i thash jo, kur ai pati mirësinë të bëhej pjesë e jetës sime, siç nuk ka asnjë prej atyre që ikën, që mund të thotë se i ktheva shpinën. Nga përvoja mësova diçka se shumë prej atyre miqve ndoshta ikën ngase prania ime ishte e padurueshme, sepse gadishmëria për kotfare ishte e papranueshme. Më duket se edhe llogjet apo bërllogu, nuk më bënin dhe aq mirë për shëndetin. Por kurrë nuk ika, edhe pse pati prej atyre që kafenë ma bënë helm, e ndejen ma zunë në fyt. Gjithsesi bëra ca pakte me miqtë, që nuk i bëra me librat. I pranova, u përpoqa të isha vetja me ta. Shpesh kuptoja se sinqeriteti im, duket se u’a përzinte zorrët, megjithatë unë nuk dita ndryshe, sepse kuptoja, se kur dikush është aq afër teje, ndoshta pak gjëra janë ato që të ndajnë me të dhe pse duhej që të kishte sekrete dhe të fshehta që ne të vazhdonim të pranonim njëri-tjetrin. Me fjalë të tjera i pash dhe u përpoqa t’i trajtoj miqtë si librat. Jepesha mish e shpirt. Nuk mësova kurrë të shtiresha, të mbaja maskë, të më vinte turp, apo të ndihesha në faj për gjërat pafaj. Kërkoja të njëjtën gjë nga librat, si edhe nga miqtë, të ishin të lexueshëm në çdo faqe, dhe të andshëm në çdo përjetim. Por jo, ato ishin dhe mbetën ato, si librat; që je mjaftuar me një të lexuar, madje kishte që kryeja punë me ta që në faqet e para, por edhe një të shfletuar më mjaftonte. Gjithsesi nuk i flaka, i vendosa në bibliotekën time, librat, miqtë janë duke sfiduar përditshmërinë, duke shijuar lirinë  dhe kënaqësinë e jetës. Ndoshta edhe takohemi, ashtu formalisht si dy të njohur, që koha i ka veshur me një zbehje duke i bërë të tejdukshëm, njëjtë si pluhuri mbi librat që janë aty në pritje të një shpluhurosjeje apo shfletimi. Ka raste që disa librave të harruar më shkrepet dhe nis t’i lexoj, ashtu si rikthimi i disa miqve që gjejnë tek unë vendin që kanë patur, pa vramendjen e kohës që hyri në mes, apo arsyet pa arsye që na ndau, si ato pak herë që më shkrepej të grisaj faqe nga ndonjë libër, por duke i lejuar të mbeten aty si kujtesë e një trazimi.

Kurrë nuk e kam bërë, që një libër ta flaki, pa kopertinë qoftë, apo me faqe mangët, i vërdhemun nga koha dhe tmerrësisht i vështirë për t’u lexuar me kofiçent të rënë shikimi siç jam, si dhe miqtë, nuk pata shpirt ta bëja edhe pse më shpirttrazuan mjaftueshëm për t’i urryer, por kurrë nuk e ligështova veten.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok