17/11/2024

LIBRA PËR DOM SHTJEFËN KURTIN DHE QIRINJ NGA KOSOVA…

0

Nga Visar Zhiti

Do të më jepte librat për Dom Shtjefën Kurtin menjëherë sa të kthehej nga Kosova, se do të sillte prej andej qirinj me fytyrën ikonike të Domit.

Dhe ashtu u bë. Takimi me z. Nikolin Kurti ishte i shpejtë dhe mallëngjyes për mua: në rrugë, ku ai zbriti nga taksia sa për pak dhe do të ikte po me atë taksi se qëllimi i tij ashtu si dhe dëshira e tij ishin të dhuronte veprën për martirin Dom Shtjefën Kurti.

E njoh përkushtimin e z. Nikolin, jo thjesht si nip i denjë i Domit, por si qytetar dhe misionar i kujtesës kolektive, i një çështjeje të madhe, i patriotizmit dhe i besimit, i një të vërtetë dramatike, i dëshmisë së punës dhe veprës së njerit prej atyre, pishtar i dritës së shenjtë, që e përndoqën, e burgosën dhe e vranë, por ai e sfidoi të keqen, djallin dhe sot ndrit më shumë se kurrë.

Mora dy librat e çmuar, “I lumi Dom Shtjefën Kurti – Jeta dhe pavdekësia” me autorë Dr. Nikollë Loka dhe vetë Ing. Nikolin Kurti, botimi është dy gjuhësh, edhe anglisht, “Blessed Dom Shthefën Kurti – Life and Immortality” dhe shoqërohet me dokumentacion dhe me një album fotografish me ngjyra, që flasin, që nga Domi e deri te Papa.

Libri tjetër, i përgatitur nga Dr. Nikollë Loka sërish, është i një rëndësie tjetër të veçantë dhe historike, “Memorandumi drejtuar Lidhjes së Kombeve nga klerikët Shtjefën Kurti, Gjon Bisaku dhe Luigi Gashi”. Poshtë emra e të tyre është shkruar: Dëshmirarë të popullit martir”. Kjo trini klerikësh në vitin 1930, në janarin e ashpër të maleve, kaluan ilegalisht kufirin nga Jugosllavia për në Shqipëri, nga Tirana shkuan në Romë duke u keqkuotuar se mos kishin ndërprerë shërbimin në Kosovë, por jo, përkundrazi dhe nga Roma shkuan në Gjenevë. Në zyrat e Lidhjes së Kombeve dorëzuan Promemorien ‘Për gjendjen e minoritetit shqiptar në Jugosllavi’, si u shkekeshin të drejtat, shtypeshin, dëboheshin apo vriteshin…

Dhe ky akt madhor e bëmat më pas do t’i kushtonin jetën Dom Shtjefen Kurtit duke e çuar burgjeve të Shqipërisë, në pushkatim, por dhe në udhën e lume të shenjtërimit…

Dom Shtjefën Kurti është nga Ferizaj, më thotë në takimin tonë nipi i tij, z. Nikolin.

Dija për të. Kur ai u shpall ‘I lumtur” nga Selia e Shenjtë e Vatikanit, unë punoja në Vatikan, drejtoja Ambasatën tonë dhe erdha në meshën që u celebra në Katedralen e Shkodrës, ku u lumturuan 38 martirë shqiptarë, mes të cilëve dhe Dom Shtjefën Kurti.

Do të shfletoja librat e dhuruar.

Shtjefęni ishte fëmija i gjashtë i Jakut dhe Katrinës. Mësimet e para i mori në vendlindje, Ferizaj, më pas ndoqi Seminarin Papnor në Shkodër e më pas në kolegjin Canisianum në Insbruck të Austrisë dhe në kolegjin “Propaganda Fide” në Romë, ku dhe u urdhërua meshtar.

U kthye në vendlindje, ku shërbeu si famullitar në Ferizaj, Novosele si dhe në dioqezën e Shkupit.

Me sivëllezërit Dom Gjon Bisaku dhe Luigj Gashi, të përkrahur nga Mbreti Zogu I, përpiluan më 5 maj 1930 promemorjen, – që  kisha ndër duar, – “Gjendja e pakicës shqiptare në Jugosllavi”, që iu nis në sekretarin e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, Erik Drumund.

Dom Shtjefën Kurti ishte ai, ku rrëfehej Nënë Tereza dhe në oborrin mbretëror, ku rrëfehej Mbretëresha Geraldinë.

Gjatë Luftës II Botërore  të vështira do të ishte famulltar në kishën katolike në Tiranë (në Bulevard). U arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me 20 vjet burg si agjent i perëndimorëve. U lirua nga Burgu i Burrelit në vitin 1966, por u arrestua sërish në vitin 1971 duke shtuar “për spiunazh, sabotazh” dhe shkak ishin kryerjet në fshehtësi të riteve fetare. U fajësua për një pagëzim një fëmije, kur kjo gjë ishte e ndaluar. U dënua me vdekje dhe u pushkatua në një vend që s’dihej deri vonë.

Në librin për Dom Shtjefën Kurtin gjej faqet ku shtypi botëror i bëri jehonë të madhe kësaj vrasjeje dhe shoh i tronditur imazhet në kërkim të varrit të tij, ku paraprinte dhe z. Nikolin. Ja, eshtrat në një varr masiv.

Në reliken e shenjtë, ku ka cifla nga eshtrat e martirëve tanë, të përziera me pakëz dhè, që ne e kemi në shtëpi një të tillë, ime shoqe, Eda, lutet për jetën, për paqe e gëzime mes njerëzve.

Homazhe dhe përkujtimore per Dom Shtjefën Kurtin janë bërë në shumë vende në Europë e deri në SHBA…

Mora dhe qiririn e ardhur nga Kosova, me portretin e Dom Shtjefën Kurtit, që ma dhuroi nipi i tij, z. Nikolin Kurti.

Kur të ndes këtë qiri, do të shoh sërish nga drita e shpirtit të martirit dhe e gjithë martirëve tanë.

Vetëm me një dritë të tillë ne mund të shkojmë përpara dhe na pret një e nesërme më e bukur, shpirtërore…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok