17/12/2025

LIBËR PËR UÇK-në DHE NATO-n QË E ÇLIRUAN KOSOVËN

0
Skender-Kapiti-UCK

Libër i ri: Në vlugun e madh të punëve në këtë fundvit, Lena, nxori në dritë librin e Skënder Kapitit, veteran i UÇK-së dhe sekretar i mobilizimit të luftëtarëve vullnetarë në hotel “DRENICA” në Durrës, me titull “PA UÇK-në dhe NATO-n NUK DO TË KISHIM SHTETIN E KOSOVËS”.

Librin e redaktova me vullnet dhe dhashë këtë vlerësim:

Nga Bedri TAHIRI

Që kur vajta për herë të parë në Durrës, fill pas çlirimit të Kosovës, më priu një fat i mbarë që u njoha me njërën prej familjeve më atdhetare dhe intelektuale të këtij qyteti të lashtë, me Kapitët.  Ama, Skënderi, veçohet prej të gjithëve. I urtë, serioz, i  heshtur, fjalëpaktë, i tërhequr, i matur, i thellë në mendime, i arsyeshëm. Një botë e tërë e pazbuluar. Sa më shumë që rrija me të, në debate, në promovime librash, në manifestime, në akademi përkujtimore, shkencore e letrare, aq më shumë e kuptoja talentin e tij prej mendimtari guximtar, tolerant,  i gatshëm  për t’u përballur me sfidat e jetës hileqare.

Skënder S. Kapiti nga Durrësi, i formësuar me trashëgimi, me bindje dhe me edukatë të thellë kombëtare, kundër ideologjisë së gënjeshtrave dhe të pavërtetave, kundër shëmtive të atdheut e të kombit, autor i veprave “Triumfi i kombit”, “Njeriu filozof, etik e politik”, “Moralokracia”, “Pesë letra drejtuar kombit”, SHBA DHE REFORMA E DREJTËSISË NË SHQIPËRI-VETINGU”. etj., këto ditë të mjegulluara politike gjithandej trojeve shqiptare, na e erdhi edhe me një libër mjaft interesant e me porosi të qarta “PA UÇK-në dhe NATO-n NUK DO TË KISHIM SHTETIN E KOSOVËS”.

Autori  Skёnder S. Kapiti, me një guxim të paparë intelektual u kundërvihet dukurive negative të shoqërisë sonë, e cila,  herë- herë, sikur e humb toruan dhe, gati pavetëdijshëm, bie në situate të palakmueshme, duke rënë pre e orekseve të sëmura të prijësve të vet…

Kombi ynë ka mbijetuar, sepse ёshtё njё komb vital, i fortё dhe dinamik, megjithёse i lodhur dhe i përçarë ai ka triumfuar mbi sfidat dhe vёshtirёsitё e mёdha, sepse nё rrethana vendimtare i kanё dalё nё krye atdhetarё largpamёs qё kanё kontribuar me gjithçka kanё pasur pёr popullin dhe atdheun e tyre.

Në këtë vazhdë doli në skenë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e prirë nga sypatremburi e altruisti Adem Jashari, i cili, me gjithë familjen e ngushtë e familjarët e gjer u shndërrua në Flakadan të pashuar lirie e frymëzues për gjithë shqiptarët deri sa erdhi Dita e Bardhë- Liria!

Asnjë armik i jashtëm dhe as  i brendshëm, asnjë “gjykatë speciale”, asnjë dashakeqës e shpifës, asnjë pushtet dhe asnjë politikë e korruptuar nuk do të munden që as me censurë, as me intriga dhe as me shpifje , as me pazar politik dhe as me para nuk do të munden që të spekulojnë dhe as ta korruptojnë e mashtrojnë memorien kolektive dhe historinë e lavdishme të UÇK-së- shkruan Skënder Kapiti.

Luftën dhe historinë e ushtrisë më të re të Evropës, të UÇK-së e ka shënuar edhe historia e Aleancës ushtarake më të fuqishme të Botës, NATO, e cila në luftën për çlirimin e Kosovës ishte aleatja e UÇK-së në luftë kundër makinerisë dhe shtetit kriminal e gjenocidit serb...

Lufta e UÇK-s është vlera më e madhe kombëtare si një lufte heroike, burrërore, çlirimtare e patriotike e cila ndryshoi dhe e ktheu historinë dhe kohën në favor të shqiptarëve. Pa UÇK-në Kosova edhe sot do të ishte nën sundimin e kolonizatorit serb.

Edhe sot e nё vazhdimësi kёrkohet qё elementёt patriotё tё kontribuojnё sa tё munden qё tё mos e lёnё qё populli tё bjer pre e gabimeve dhe mashtrimeve dhe tё tё kёqijava politike e korruptive e atyre qё kontrobandojnё me interesat e kombit dhe tё atdheut pёr pёrfitime pushteti e politike dhe qё tё mos bjerё pre e çoroditjes qё vjen nga dёshpёrimi i politikёs qё nuk ka as interesin e as pasionin patriotik.

Ky është mesazhi që del nga libri i fundit i Skënder S. Kapitit “PA UÇK-në dhe NATO-n NUK DO TË KISHIM SHTETIN E KOSOVËS”, andaj duhet kuptuar e mbajtur vath në vesh nga secili që i ka dy kokrra mend në kokë.

Dhe, autori, tekefundit,  ka të drejtë morale e kombëtare, të jap porosi, ngase vjen nga një trung i lashtë trimërie e atdhetarie. Madje, edhe vetë, ishte pjesë e luftës, ishte sekretar i mobilizimit dhe regjistrimit të vullnetarëve, shqiptarë e të huaj, që vinin nga perëndimi dhe ia mësynin fronteve të luftës në Kosovë. Hotel DRENICA, me pronarin e saj, luftëtarin sypatrembur e atdhetarin Gani Kapiti (vëllai i autorit Skënder Kapiti), u bë qendra kryesore e këtyre organizimeve luftarake. Në këto procese ishin edhe vëllezërit tjerë të tyre, Sylejmani, Fatmiri (lokalin “Kapit”) e Naimi (lokalin “Kosova”, lokalet e të cilëve si dhe vetë shtëpitë e familjarët e tyre, ishin vënë në shërbim të Kosovës (mos harroni, Kapitët janë kosovarë, që kanë përbiruar për vesh gjilpëre).

Dhe, edhe  unë, personalisht, duke u njohur mirë e mirë me punën e tyre të pakursyer në shërbim të Kosovës e të çështjes kombëtare, veçan të formacionit  më të suksesshëm ushtarak në gjithë historinë tonë- UÇK-së,  në fund të librit tim për këtë familje atdhetare, pata ber një kërkesë, pas të cilës qëndroj përherë derisa të realizohet: Hotel „DRENICA“ i Durrësit të shpallet SHTËPI MUZE!

Në kapitullin  e fundit të librit “Të këqijat më të mëdha Shqipërisë dhe Kosovës po u vijnë nga politikanët dhe korrupsioni i tyre”, autori me plot të drejtë shpërthen kundër politikanëve e korrupsionit që i ka kapluar ata, të cilët, si në Shqipëri, si në Kosovës, po e ngufasin demokracinë…

Në të përfunduar, pa e zgjatur më shumë, ngase edhe ashtu libri kuptohet e përjetohet vetëm duke u lexuar, këto mbresa leximi po i përmbylli me uratën: shkrimtari Skënder S. Kapiti e pastë shëndetin e na dhuroftë edhe të tjerë libra të tillë, për të na këndellur si shoqëri që kemi marrë tatëpjetën!

Galicë, nëntor 2025

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok