08/01/2025

LIBËR – MONUMENT I PËRJETSHËM DEDIKUAR QINDRA E MIJËRA ATDHETARËVE SHQIPTARË, QË FLIJUAN EDHE JETËN PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS

0
Basha-Ekzekutimi-Shqiptareve

Prof. Dr. Sabile Keçmezi Basha:  Ekzekutimi i shqiptarëve nga OZNA dhe UDB-ja jugosllave (1944-1945), Prishtinë, 2024

Nga Prof. Dr. Ismet Salihu

Autorja prof. dr. Sabile Keçmezi Basha, gjatë studimit disavjeçar, ka hulumtuar një temë, një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme në aspektin historik, human, moral dhe, mbi të gjitha, patriotik. Në këtë studim, në këtë libër voluminoz, në baza shkencore, opinionit shqiptar ia prezanton biografinë dhe veprimtarinë e qindra e mijëra aktivistëve dhe patriotëve shqiptarë që gjatë këtyre 100 viteve të fundit u sakrifikuan për çlirimin dhe formimin e shtetit shqiptar. Këta veprimtarë përgjatë shekullit XX nuk e ndërprenë aktivitetin dhe luftën e tyre për çlirimin e dy të tretave të tokave shqiptare, të cilat padrejtësisht mbetën nën juridiksionin e shteteve që u kufizuan me Shqipërinë.

Studimi i prof. dr. Sabile Keçmezi- Bashës, veçmas është me rëndësi, ngase, me prova e fakte të pamohueshme shkencore, ia prezanton publikut përpjekjet, luftën si dhe sakrificën e popullit tonë për çlirimin e dy të tretave të tokave shqiptare, të cilat mbetën nën juridiksionin e ish-republikave të ish-Jugosllavisë: Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, por edhe nën shtetin grek.

Në epiqendër të luftës për çlirimin e territoreve shqiptare, në studimin e autores Basha, me arsye vend qendror zë veprimtaria e atdhetarëve shqiptarë që përpoqën për çlirimin e Kosovës nga pushtimi jugosllav e serb.

Me të drejtë autorja Keçmezi-Basha, pas prezantimit të shkurtër të gjendjes së shqiptarëve të Kosovës së okupuar nga Mbretëria e jugosllave, që nga përfundimi i Luftës, në vitin 1918, në epiqendër të studimit ka paraqitur pozitën e Kosovës gjatë periudhës 1945-1948. Kjo periudhë është një ndër periudhat më të rënda e më të vështira të popullit shqiptar. Me prova bindëse, autorja e prezanton Kosovën dhe popullin e saj shqiptar në vigjilje të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, veçmas tradhtinë që iu bë popullit shqiptar të Kosovës, e cila u manifestua në Mbledhjen e Dytë të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës, mbajtur në Prizren në vitin 1945, kur gjoja “me dëshirë të popullsisë së saj, Kosova i bashkohej Serbisë federale në kuadër të Federatës jugosllave”.

Për ta kundërshtuar këtë riokupim të Kosovës, populli shqiptar, shumicë dërrmuese i Kosovës, gjatë pesëdhjetë vjetëve në vijim, kurrë nuk e ndali rezistencën në mënyra të ndryshme.

Në rrjedhën e rezistencën, nga intelektualët dhe patriotët shqiptarë, gjatë tërë këtij gjysmë shekulli, u formuan dhe vepruan pandërprerë organizata të shumta ilegale shqiptare, të cilat në programin e tyre politik të përbashkët e patën çlirimin e Kosovës nga okupimi i Serbisë. Kjo rezistencë dhe ky aktivitet i patriotëve shqiptarë për çlirimin e Kosovës nga okupimi jugosllav dhe serb  ishte jashtëzakonisht i vështirë dhe me sakrifica të shumta.

Këtë rrugëtim të vështirë dhe me sakrifica të veprimtarëve dhe patriotëve, autorja Keçmezi- Basha e prezanton me fakte dhe kundërveprime të okupatorit serb, i cili  i arrestoi dhe u shqiptoi dënime drakoniane; deri me burgime të përjetshme, madje edhe me pushkatime pa gjyqe. Përveç dënimeve drakoniane me burg, ndaj patriotëve shqiptar u zbatuan torturat më barbare që njihen vetëm në historinë e burgjeve të shteteve më diktatoriale.

Pjesa e dytë e librit të autores Sabile Keçmezi-Basha është pjesa më voluminoze dhe dominante. Kjo pjesë mban titullin “BIOGRAFIA DHE VEPRIMTARIA E DISA ATDHETARËVE QË U PUSHKATUAN NGA OZNA DHE UDB-ja JUGOSLLAVE”.

Në këtë pjesë autorja për disa qindra veprimtarë, në mënyrë sublime dhe të detajuar, prezanton vendlindjen, ditëlindjen, shkollimin, veprimtarinë patriotike disavjeçare, organizimin e tyre në organizata ilegale, arrestimet dhe dënimet afatgjata me burgim, madje edhe duke i varur e duke i pushkatuar. Në këtë kapitull autorja Basha gjithashtu në mënyrë të veçantë e prezanton sakrificën e numrit të madh të patriotëve shqiptarë, të cilëve u janë shqiptuar dënimet me vdekje, të ekzekutuara me pushkatim. Gjithashtu, ka pasur raste jo të pakta, kur të burgosurit shqiptarë janë pushkatuar edhe pa aktgjykime të gjykatave.

Pjesa e tretë të librit mban titullin “TË EKZEKUTUARIT SHQIPTARË NGA OZNA DHE UDB-JA JUGOSLLAVE (1944-1990)”.

Autorja Keçmezi-Basha, në bazë të hulumtimit të literaturës së gjerë, e sidomos pas hulumtimit në arkivat e gjykatave dhe të dosjeve të policisë serbe në Kosovë dhe burimeve të tjera relevante, me emër e mbiemër dhe vitin përkatës, në këtë pjesë i prezanton 45.754 shqiptarë të vrarë. Nga ky numër, shumica dërrmuese janë vrarë gjatë përfundimit të Luftës, përkatësisht gjatë viteve 1944-1945. Këta në fakt ishin patriotë të shquar shqiptarë, të cilët me armë kundërshtuan riokupimin e Kosovës nga Serbia.

Veçmas duhet të theksohet se, edhe pas përfundimit të luftës, në përmasa më të vogla vazhduan diskriminimi, dhuna, përndjekja dhe vrasja e shqiptarëve nga regjimi serb. Kështu, autorja Keçmezi-Basha në këtë studim, me fakte dhe prova të pamohueshme, e paraqet edhe numrin e vrasjeve, kryesisht të të rinjve shqiptarë, në periudhën e pasluftës nga OZNA dhe më vonë nga UDB-ja. Kështu, sipas të dhënave që autorja Keçmezi-Basha i thekson në këtë libër, nga OZNA dhe nga UDB-ja jugosllave, në vitin 1946 janë vrarë 242 shqiptarë, në vitin 1947 – 141, në viti 1948 – 63 e kështu me radhë. Ndërkaq, gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981, regjimi serb vrau demonstrues paqësorë. Kështu, gjatë demonstratave të vitit  1981, vrau 25 të rinj shqiptarë, sa vrau (pra 21 të rinj shqiptarë) edhe në vitin 1982. Kështu, UDB-ja serbo- jugosllave ka vazhduar vrasjet deri në vitet ’90 të shekullit XX. Përkatësisht në vitin 1990 ka vrarë 60 shqiptarë. Në mesin e këtyre të vrarëve janë edhe Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zeka, të cilët u vranë në Gjermani më 17 janar 1982, Metush Krasniqi, i cili u vra në vitin 1986, Nuhi Berisha e Rexhep Mala, të cilët u vranë në vitin 1984 e shumë të tjerë, të cilët të gjithë janë të evidentuar në librin e autores Keçmezi-Basha, me ditëlindje, vendlindje, (aq sa ka mundur të siguroi nga dokumente arkivore), aktivitetin e tyre si dhe dënimet me burgim dhe me pushkatim.

Sipas të dhënave që prezantohen në studimin e autores Keçmezi-Basha, që nga viti 1946 deri në fund të vitit 1990, pra pas përfundimit të luftës, nga OZNA dhe UDB-ja janë vrarë 920 shqiptarë. Në këtë numër të të vrarëve shqiptarë janë evidentuar edhe 110 shqiptarë të vrarë gjatë shërbimit ushtarak në ushtrinë jugosllave.

Me gjithë diskriminimin, aparteidin, dënimet me burgim e me pushkatim, si dhe vrasjet e të rinjve tanë në ushtrinë jugosllave, populli ynë asnjëherë nuk e ndali rezistencën dhe veprimtarinë  në mënyra të ndryshme, madje edhe me armë, gjatë gjysmë shekullit vijues, që nga viti 1945. Kjo rezistencë dhe luftë për çlirimin e Kosovës në mënyrën më sublime u manifestua edhe me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë vitit 1998 deri më 12 në qershor 1999, kur një herë e përgjithmonë Kosova, pas një shekulli robëri, u çlirua nga okupimi i Serbisë..

Në fund të këtij vështrimi të shkurtër, duke pasur parasysh këtë libër voluminoz, që është rezultat i hulumtimit shumëvjeçar të autores Sabile Keçmezi-Basha, mund të konkludojmë se ky libër do të jetë një burim dhe prezantim shumë i rëndësishëm për biografinë, veprimtarinë dhe sakrificën e qindra e mijëra veprimtarëve shqiptarë, që e flijuan lirinë, por edhe jetën e tyre, për çlirimin e Kosovës. Me botimin e këtij studimi do të plotësohet një vakum i madh i historisë më të re të shqiptarëve të Kosovës dhe mbarë kombit tonë. Shumë të dhëna, ngjarje dhe veprimtari të qindra patriotëve shqiptarë, që nga viti 1944 deri në vitin 1990, të cilat janë të shkruara në këtë libër, do t’u shërbejnë mësimdhënësve tanë në shkolla dhe universitete të Kosovës, që gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme të pajisen me njohuri dhe dije për historinë tonë, për rezistencën dhe për luftën e kombit tonë, duke e vlerësuar, duke e ruajtur dhe duke e avancuar konsolidimin e shtetit të Kosovës e të Shqipërisë. Njëherësh, me këtë studim, autorja Keçmezi-Basha e ka ndërtuar një monument të përjetshëm për qindra e mijëra patriotë shqiptarë, që flijuan edhe jetën e tyre për çlirimin e dy shteteve tona, të Kosovës dhe Shqipërisë, në zemër të Ballkanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok