10/11/2024

– Kujtohet për të kuptuar se si jemi  harruar –

Nga Visar Zhiti

Ishte datëlindja e Fan Nolit dje, atij që ka hyrë në Historinë moderne të Shqipërisë duke e lëvizur atë histori, duke i shprishur datat e saj, si deputet, si rebel, si kryeministër, është themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, guxoi si askush, “Apostull”, do të quhej në një libër të ri, të porsa dalë në Tiranë, është mërgimtari mahnitës, plot kulturë e dije, qê themelon në SHBA shoqata e gazeta e shkon deri te Presidenti për “çështjen shqiptare”, është pjesë e ndjeshme e kulturës së re shqiptare si orator, poet e përkthyes brilant, është… e çfarë s’është, veprimtar dhe ndërgjegje, kalorës skënderbejan e shkatërrues, arritës, furi, kryq dhe udhëkryq, u shkon gjërave deri në fund, pa mbaruar asnjërën, i madh dhe në gabime, baladesk, triumfator i mospërmbushjeve, gjeni i dështimeve, vigan po prej tyre, ëndërr dhe përvojë dhe kujtesë…

Dje kishte datëlindjen.

1.

E kujtoi qeveria? Se si kryeministër Noli është frikshmërisht i padobishëm, nuk bëri reformat që premtoi dhe si i majtë, solli ambasadën sovjetike në Tiranë, të parën në Ballkan, çoriditës.

2.

Po Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare u kujtua për Imzot Nolin – themeluesin e saj? Që guxoi rrezikshmërisht me patriotizëm? Atë që ai donte të ndalte, pikërisht ndikimi grek ka përparim të ndjeshëm dhe me cënime të rënda në mëvetësinë e saj.

3.

Po Noli shkrimtar, përkthyes, muzikant a u kujtua? Shqipëria që ai la, tani nuk ka fare institucion të shkrimtarëve dhe artistëve, mendimi i atyre që kanë mbetur nga Realizmi Socialist nuk e kalon lartësinë e shtatores së rrëzuar të diktatorit  Hoxha dhe ka thellësinë e gropave septike në shtëpitë e tyre, do të thoshte mbase Noli vetë.

4.

Po diaspora shqiptare në SHBA, ku ai themeloi “Vatrën” e saj dhe gazetën e saj “Dielli”, ku jetoi si lider shpirtëror, na la kishën dhe ka varrin, që duan t’ja shpërngulin në Shqipëri, gabim tjetër ky, që do t’u ngjante veprimeve të çrrënjosjeve të punëve të tij të vlefshme.

Natyrisht që “Dielli” shkruajti dhe vatranë në Boston çuan lule te vendi i shenjtë, ku prehet Noli.

Në Nju Jork tani ka një rrugë me emrin e Nolit, një metaforë e ecjes së tij, e kahut të ri, nga SHBA – aleate jetike e dy Shqipërive në Ballkan dhe gjithë shqiptarëve kudo.

Para Paramanentit në Tiranë është një shtatore e Fan Nolit, që nuk mëton t’i ngjajë atij, por mendimit dhe bëmave të tij ose më saktë si i shohim ne ato, të pakryera, vrazhdë deri në një si grotesk të qetë, etj, etj.

5.

Po Noli do të ketë dhe datëlindje nesër. Ç’do të përgatitet të thuhet për të?

Ndërkaq simboli i Nolit më duket si një figurë shahu në skakierën e realiteteve shqiptare, me ato kutitë e fatit bardhë-e-zi dhe siç thuhet në këtë lojë, ja, u bë një lëvizje me oficer (komplotet ushtarake) apo me ushtar (sa janë vrarë, jo vetëm në luftë), luaje torrën, çoje atje (po rrënohen kështjellat tona), hidhe kalin (të Skënderbeut?), mbretëreshën kujdes, (sa mbretëreshë të bukur kishte Shqipëria!), lëviz mbretin patjetër, sekretarin e parë, presidentët, etj, etj, por po një lëvizje me Nol a do të duhej? Dhe si do të mund ta bënte Shqipëria? Ai është i shumë mundësive, i sfidave joshëse si humnerat dhe si majat e maleve me borë, si përvojë dua të them, ku fryn ashtu si simfonitë bethoveniane…

Pres me dëshirë dhe me një si ankth që ç’Nol do të na sjellë në vazhdim autori i veprës së re për të, “Apostulli”, historiani i shkëlqyer Ilir Ikonomi? Se Noli mbetet dhe poeti tribun me një tragjizëm shekspirian, hokatar i trishtë si ajo që solli nga Servantesi, i dalldisur si një Khajam, që donte që ai të bëhej Shqipëria dhe mbeti i copëzuar ndër shqiptarë, vezullueshëm, si ata dhe ai, por ca më lart, olimpik, gjithë vetëtima dhe me brerore, që dhe kur s’e kujtojmë, kujtohemi se kush jemi dhe si jemi harruar…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok