22/12/2024

LETRA E JOSSEPH DIOGUARDIT DËRGUAR AT ANTONIO BELLUSHIT

0
Adil-Fetahu

Shkruan: Adil FETAHU

Jam nga ata që rrallë i përcjell emisionet televizive, sidomos të fytyrave politike dhe debatet bajate të “analistëve të gjithëdijshëm”. Në televizion shikoj sportin, kryesisht futball, sepse në sport flitet për rezultate,  ndërsa në fusha tjera kryesisht  për dështime. Ndonjë emision kulturor, që janë të rralla dhe jo  kreative. Informacionet për lajmet dhe fusha të tjera, i marr nga interneti dhe atë nga burime të ndryshme. Këto ditë rastësisht vërejta në ekran fytyrat e çiftit Josseph e Shirley DioGuardi, dhe nga kompjuteri u ktheva kah televizori, pas gjysmës së emisiont,  për ta përcjellë bisedën me këta njerëz aq shumë të angazuar për çështjen shqiptare në përgjithësi, e çështjen e Kosovës në veçanti. Më erdhi mirë që këtij çifti të respektuar,  të ftuar si mysafirë specialë në emisionin “Fol Shqip Show”,  iu bë një prezentim dhe përcjellje  e kulturuar, mbresëlënëse. Ndonëse e kisha të njohur aktivitetin e Xhoe DioGuardit, nga kurreshtja hulumtova nga biografitë e këtij çifti të vyeshëm, dhe për lexusit të cilët më pak i njohin, po paraqes këtu një biografi të shkurtër të tyre.

Josseph J. DioGuardi u lind më 20 shtator 1940, në Harlem (ShBA), nga prindërit Guisseppe DioGuardi dhe Grace Paparella. Babai i Jossephit, ishte arbëresh nga fshati Grece (Itali) i cili, si djalosh 15-vjeçar,  kishte emigruar në Amerikë, në vitin 1929. Pasi ishte stabilizuar ekonomikisht, në vitin 1939 ishte martuar me Grace Paparello-n. Ata patën tre fëmijë:  Josseph-in, të cilin e quanin Joe j.(junior), që u lind në vitin 1940, e pastaj tij lindën vajza Angela (1942) dhe djali tjetër – Richardi (1945). Prindët e Jossephit më parë kishin një dyqan me fruta perimesh, e pastaj kishin arritur të hapnin dy supermarkete. Fëmijët sapo ishin rritur pak, edhe si nxënës ose studentë, iu ndihmonin prindërve në dyqanet e tyre, gjat ditëve ose kohës së pushimeve.  Jossephi ishte i zellshëm në punë dhe në shkollë. Kreu me sukses të shkëlqyeshëm Universitetin Fordham, mori çertifikatën e liçencës për llogaritar (kontabilist), u bë anëtar dhe partner i firmës ndërkombëtare të llogaritarëve “Arthur Anderson”. Në vitin 1968, Jossephi u martua me Carol Asselta, me të cilën lindën dy fëmijë: Kara dhe John.

Prej vitit 1985 deri më 1989, Jossephi ishte anëtar i Kongresit Amerikan, përfaqësues i Wescheser-it. Pas kalimit të mandatit në Kongres, themeloi Ligën dhe Fondacionin Qytetar Shqiptaro-Amerikan. Në vitin 1997 i vdiq, nga kanceri, grueja e parë, Carol. Pas një viti Jossephi u martua me botuesen,studjuesen e pavarur dhe aktivisten për të drejtat e njeriut  Shirley Cloyes, e cila është e njohur për ne kosovarët që nga viti 1995, për dëshmitë e saja për çështjen e Kosovës në Kongresin Amerikan.

Çifti Josseph dhe Shirley DioGuardi, tërë kohën janë marrë aktivisht me çështjen e të drejtave të minoriteteve, me çështjen e Kosovës e të Çamërisë, me ruajtjen dhe kulitivimin e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe. Për këtë qëllim, ata  bëjnë vizita të kohëpaskohëshme në këto vende dhe në kolonitë arbërshe në Itali, mbajnë korrespodencë me personalitete të njohura të çështje kombëtare shqiptare. Është mbresëlënëse një letër e  DioGuardit, dërguar studjuesit, filozofit, etnografit dhe atdhetarit të njohur arbëresh nga Frasnita e Kozencës (Iali), At Antoni Bellushi, në vitin 1988, atëherë kur DioGuardi ishte kongresmen në Kongresin Amerikan. Nga përmbajtja e letrës shihet se me çfarë ndejnja dashurie e përkushtimi për çështjen shqiptare dhe për ruajtjen e gjuhës, kulturës,  traditave dhe virtyteve shqiptaro-arbëreshe angazhohej DioGuardi dhe kërkonte edhe nga At Bellushi e të tjerët, të angazhohen në këtë drejtim, që ato vlera kombëtare të ruhën e kultivohen.  Përmbajtjen e letrës së DioGuardit, dërguar At Antoni Bellushit, po e reprodukojmë këtu pa asnjë ndryshim të tekstit.

February, 24, 1988

I dashuri At Bellusci,

Më vjen keq që mu desh kaq kohë e gjatë për t’ju përgjigjur letrës tuaj të 20 nëntorit. Më duhej që ta përktheja letrën tuaj dhe dokumentet shtesë në anglisht dhe vetëm tani jam në gjendje të ulem e të shkruaj një përgjigje të menduar për letrën tuaj të mrekullueshme.

Siç keni kërkuar, unë po ju bashkangjis një biografi të shkurtër që flet për jetën time përpara vitit 1984 dhe disa nga gjërat që po bëj tani si kongresmen. Po ju bashkangjis gjithashtu një shkrim të titulluar “Premtimi i Amerikës – historia e familjes DioGuardi”, e shkruar nga disa miq. Mund të botoni pjesë të zgjedhura nga ky shkrim në botimin e muajit prill të revistës “Lidhja”.

Siç edhe e dini, emri im DioGuardi ka kuptim shpirtëror. Zoti na ka mbrojtur mua dhe popullin shqiptar.  Më 28 Gusht kur unë pata nderin të takohem me ju në restorantin e vogël në hyrje të Grecit para se të shkoja për të vizituar kushërijtë e mi Arbëresh, ishte më shumë se një koincidencë që ju qëlluat të ishit në atë zonë, në të vetmen ditë që unë isha në Greci (në vend të shumë qyteteve  Arbëreshe që iu përmendi në letrën tuaj).

Ju po bëni një punë të mrekullueshme për të mbajtur gjallë kulturën shqiptare për të ardhmën. Unë do të vazhdoj të mbështes përpjekjet tuaja dhe kohëve të fundit unë kam formuar një oranizatë arsimore në Shtetet e Bashkuara që quhet “Fondacioni Etnik Kombëtar Shqiptro-Amerikan”, për të rikujtuar dhe kultivuar kulturën dhe vlerat tona këtu në Amerikë.

Ju falënderoj për fjalët e mira dhe për krahasimet e vlefshme të karakterit tim që vjen nga një familje me prindër Arbëreshe. Unë e kuptoj rëndësinë e veçant të karakteristikave kulturore, pozitive të prejardhjes time Italiane, ashtu sikurse babai im që do të vazhdonte t’i prezentonte këto vlera këtu në Amerikë. Me vlerat tona nënkuptoj dashurinë për Zotin dhe familjen, etikën e fortë të punës si dhe përgjegjësinë financiare  (ne shqiptarët kursejmë përpara se të shpenzojmë – një gjë të tillë që duhet ta bëjnë më shumë Shtetet e BAshkuara dhe vendet e tjera).

Ju më kërkuar që unë t’ju jepja një raport nga vizita ime në Greci, atë çfarë ndjeva në zemër dhe çfarë më bëri të udhëtoj atje. Këto nuk mund të përkruhen lehtë në një letër të shkurtër, po unë do të përpiqem t’i përshkruaj ndjenjat e bukura që pata kur udhëtova me makinë në ato male ku kishte lindur babai im dhe ku shqiptarët kishin ardhur 500 vjet më parë për të qenë të lirë.

Me që kisha lexuar shumë për atë çfarë u kishte ndodhur vëllezërve dhe motrave tona në shekullin e 14-të e 15-të dhe më vonë, unë e dija që një vizitë në Greci do të më sillte më pranë njerëzve që luftuan kaq shumë  bashkë me Skënderbeun, shumë shekuj më parë për të ruajtur lirinë dhe traditat e tyre shqiptare. Është e mrekullueshme që 500 vite në Itali, nuk mundën ta shkatërrojnë kulturën e fortë shqiptare që është e pranishme sot në Greci dhe që babai im e solli me vete në Shetet e Bashkuara në vitin 1929, kur u detyrua të largohej nga Greci i varfër ekonomikisht, në kërkim të kushteve më të mira ekonomike në Amerikë. Kjo flet qartë për kurajon dhe dashurinë që shqiparët kanë në zemër, në mendje dhe në shpirt, që për 500 vjet nuk harruan prejardhjen dhe kulturën dhe i trashëguan këto veti në zemrat dhe mendjet e fëmijëve të tyre kudo që jetojnë nëpër botë. Unë jam një nga këta fëmijë, më i madhi i fëmijëve në familjen time, i lindur në një familje emigrantësh këtu në Amerikë, një vend i madh që më dha mundësinë të përparoj e të jem i suksesshëm,dhe të mund t’u rikthehem gjurmëve të babait dhe të gjyshit deri në kohën e Skënderbeut, për të kuptuar  më mirë se kush jam dhe sakrificat e mëdha që babai im dhe të parët tanë shqiptarë kanë kaluar, për të më dhënë mundësinë për të qenë sot në këtë vend të madh, si shqiptari i vetëm etnik në Kongresin Amerikan.

Kur filluam t’i ngjiteshim malit të lartë për të shkuar në qytetin e vogël Greci, me fëmijët e mi Johhn, Kara dhe gruan time Carol, unë ndjeva diçka të çuditshme dhe të mrekllueshme që po shkoja në hapat e atyre që ishin larguar nga vendlindja 500 vite më parë për t’u treguar se përpjekjet e tyre nuk kishin shkuar kot.

Më duket si drejtësi paksa poetike që pas gjithë këtyre viteve një Kongresmen merikan me rrënjë shqiptare të luftojë për të drejtat e shqiptarëve etnikë dhe minoriteteve të tjera të vogla në të gjithë botën, sidomos në Kosovë. Pesëqint vitet e fundit e kanë ndarë dhe  nga një vend, një fe, një gjuhë dhe një filozofi politike, janë bërë tre fe, të paktën në pesë shtete dhe disa filozofi politike. Falënderojmë Zotin që akoma kemi një kulturë me tradita të lashta Ilire që i kanë mbijetuar kohës.

Ajo çfarë më bënë shumë krenar për prejardhjen time shqiptare, është që jam dëshmitar i asaj që shqptaro-amerikanët po bëjnë sot në Shtetet e Bashkuara. Karakteristikat kulturore që i përmenda më sipër janë shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët katolikë, shqiptarët ortoodoksë apo myslimanë, shqiptarët besojnë fort në Zot dhe kanë besim tek vetvetja. Ata kanë familje të mëdha e të bukura edhe këtu në  Amerikë dhe i respektojnë brezat më të vjetër. Ata e duan punën, janë krenar për punën e tyre dhe arritjet dhe kontribuojnë që edhe fëmijët e tyre të jenë krenar me ato që kanë arritur përmes duarve dhe mendjeve të tyre.  Së fundi, jam i habitur se si famljet shqiptare duke përfshirë babain tim, kursejnë për të ardhmen për fëmijët dhe familjet e tyre. Këto karakteristika unë do të vazhdoj të shpalos si shqiptar etnik, për t’i bërë me dije botës se shqiptarët kanë shumë për të dhënë si njerëz të Zotit, punëtor ë, me dashuri për familjen dhe që do të vazhdojnë të kontribuojnë botës dhe gjithë njerëzimit.

Dhe shpresoj që këto mendime janë ato çfarë prisnit dhe çfarë ju duhej. Vazhdoni me punën e shkëlqyer që po bëni për të ruajtur kulturën e parardhësve tanë. Shpresoj që do të shihemi shumë shpejt përsëri. Unë planifikoj të vij në Romë me një grup Shqiptaro-Amerikanësh në fillim të Majit dhe do të përpiqemi të vizitojmë Grecin. Do t’ju jap më shumë të dhëna që edhe ju të mund të na bashkangjiteni. Shpresoj që ju të vizitoni Amerikën ashtu siç  e përmendët në letrën tuaj, që të mund të organizojmë një event që të mund të takoni vëllezërit dhe motrat tuaja shqiptarë në këtë vend të madh për shqiptarët dhe njerëz të tjerë të vullnetit të mirë.

Përshëndejt të ngrohta,

Joseph  J.  DioGuardi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok