23/11/2024

Letërkëmbimet në mes të Mustafa Merlika Krujës dhe Kapidanëve të Mirditës Gjon Marka Gjoni dhe djemve Mark e Ndue Gjon Marku

0

Nga Nue Oroshi

Letërkëmbimet në të kaluarën kanë luajtur një rol shumë të rëndësishem, dhe kanë qenë mjaftë interesante, ku letërshkruesit kanë njoftuar njëri-tjetrin dhe kan diskutuar së bashku në mes vete per shumë gjëra interesante që kanë ndodhur ne arealin shqiptarë.Një letërkëmbim mjaftë interesant dhe shumë permbajtësor ka ndodhur në mes të Kryeministrit Mustafa Merlika – Kruja dhe Derës se Kapidanëve të Mirditës. Ky letërkëmbim ka filluar me një letër që Kryeministri i Shqipërisë Etnike Mustafa Merlika – Kruja i dërgon komandantit legjendar të Shqipërisë Etnike Kapidan Mark Gjon Markut në Shqiperi ku e informon me situatën mjaft të vështirë që e kishin në luftë kundër komunizmit. Letërkëmbimet tjera zhvillohen në mes të Kapidan Gjon Marka Gjonit dhe djalit te ti Kapidan Ndue Gjon Markut. Këta i dërgonin letra Mustafa Krujës nga Roma kurse ai i kthente letrat nga Alakesandria. Është interesant se përmbajtja e këtyre letrave ishte e nivelit shumë të lartë kulturor dhe atdhetar.Ata në mes vete kishin shumë brenga që i diskutonin së bashku. Brenga e parë ishte mënyra se si të lirohet Shqipëria nga Komunizmi. Për këtë ishin përpjekjet për themelimin e një Komiteti ku do të merrnin pjesë katër partitë kryesore: Bloku Kombtar Independent , Legaliteti , Balli Kombëtar dhe Lidhja e Dytë e Prizrenit (Grupi Kosovar). Për këtë Komitet të shpëtimit të Shqipërië nga komunizmi kishin harxhuar shumë kohë nacionalistat por që tentohej të bëhej me ndihmën e amerikanëve dhe anglezeve.

Kapidan Ndue Gjon Marku për çdo lëvizje politike dhe takime që kishte Bloku Kombëtar Independent e njoftonte me përkushtim Kryeministrin Mustafa Merlika – Kruja dhe ky i kthente përgjigje duke i dhenë edhe këshilla e sugjerime se si te veprohej. Në letrën e dërguar nga Roma më,  13 – V – 1949 ndër të tjëra shkruan:

I dashtuni Mustafë,me Herbert jemi takue, ka ardhë vetë me na bâ vizitë e na ka ftue edhe për mjesditë. Folëm gjanë e gjatë. Shef nevojën e madhe për nji bashkim të shqyptarve e sa mâ parë. Tha qi Shqypnija âsht në rrezik me u dá dyshë, prej Jugosllave e prej Grekve. Shkuem prap për së dyti me Ernestin e kemi ndejë mâ tepër se nji orë e gjysë. Ballistat janë bâ me dalë mêndësh pse nuk e kishin besue qi Herberti t’u shifte me né (!) e bilé të na thirrte për bukë. Këto fjalë sigurisht i a u ka thanë edhe ballistave; por ballistat….. Edhe protokollin e Alexandrís Bazi nuk e njef!!

Kurse në përgjigjen që i kthen Kryeministri Mustafa Kruja nga Alexandria më 19 Qershor 1949 lidhur me formimin  e komitetit në mesin e shumë këshillave ai i propozon edhe këto çështje: Fort i dashtuni Kapidan, Jam i mendimit qi Komiteti të përbâhet prej katër kryetarvet: Midhati, Ismaili, Bazi e Xhaferi. Po s’u afrue Midhati kujtoj se duhet t’i a zânë vêndin Koço Muka, qi mbyll edhe nji shteg në Komitet si ortodoks. Se njimênd, na kemi edhe këto halle: Gegë e Toskë, katoliq e myslimanë. Mirë do t’ishte me i shikue edhe këto sa të jetë e mundun, sidomos edhe pse âsht bâ si traditë nëpër Kshillin e Regjencës qyshë në 1920 e deri në atê të 43-s. Sa për katolik, problema do t’ishte lehtë me u zgidhun tue hŷ ti në vênt t’Ismailit. Ndërmjet ju të dyve s’ka të damë, jeni si njâni tjetri e me këtë sy ju shikojnë edhe bota qi ju njeh. Natyrisht keni për t’organizue edhe nji sekretarjat si duhet. Në qoftë se hŷn Midhati vetë, si ortodoks, e aqë mâ mirë qi âsht edhe himarjot, un kishem me proponue qi të shtini edhe Koçon për të pestë e të paanshëm, por si të ketë dhânë dorhjekjen prej Ballit.Ndoshta mund të ju dalë ndonji kundrështim për Xhaferin prej qarqeve të hueja me të cilat keni për t’u marrë vesht. Këtu âsht bâ çmos për t’a hjekun atë kundrështim. Por po qe se ka mbetun ende, janë dý rrugë: ase thirret Komiteti me nji emën qi nuk përmênd grupe, si me thânë Komiteti i Beslidhjes Shqiptare Antikomuniste, ase fundi i fundit në vênt të Xhaferit un po ju kujtoj Prof. Miftar Spahín qi âsht prej Lume e shumë djalë i mirë. Ky ka mbetun në Greqí, se s’e kanë lânë Grekët me dalë; por ju, po qe se shifet me udhë, mund t’a nxirni.

Vlenë të përmendet fakti se gjatë këtyre letërkëmbimeve asnjëherë nuk harrohët të përmendet Kosova ku edhe përkundër kundershtimeve që Xhafer Deva të jetë pjesë e këtij komiteti Kapidan Ndue Gjon Marku dhe Mustafa Merlika – Kruja gjithnjë këmbngulnin që pjesë e këtij komitetit të jetë edhe atdhetari Xhafer Deva. Gati nuk ka pasur letër që kanë këmbyer njëri me tjetrin pa e përmendur edhe çështjen e Kosovës.Kjo ishte për faktin se këta dy atdhetar Kosovën e konsideronin pjesë të Shqipërisë ashtu siqë ishte edhe zyrtarisht në periudhën kohore kur Kryeminister ishte Mustafa Merlika – Kruja.

Gjatë këtyre letërkëmbimeve kishte edhe shumë gjëra te dhimshme për vrasjet, torturat e burgosjet e familjarve të kapidan Gjon Marka Gjonit dhe Mustafa Krujës. Në letrën që i dërgon nga Roma më, 28 Maj 1952 Kapidan Ndue Gjon Marku i jep këto informacione kryeministrit Mustafa Merlika  – Krujës ku i shkruan:

I dashtuni Mustafë,

Po të dërgoj kopjen e nji letre qi e kam marrë  e qi të përket ty. Ky qi shkruen asht i mirditas, i biri i Gjet Çupit në  Pshtjesh. Masi po vjen Aliu po t’a dërgoj me te për mos me i ra në dorë Gjelës sikur ajo qi kishe marrë disa kohë përpara prej nji miku prej Jugosllavije. Letrën po e kopjoj integralisht. Qe teksti:

Kapidan ktu po të diftoj pak disa ngjarje si mundem me i dijtun. Së parit po të diftoj për familjen e Merlikajve të Krujes se i ké miq. Sef Merlika, Mani i Merës Man Merlikës janë vra në mal. Djali i Dinit të Xhiut të Fajës asht vra tue hi në kufinin e Grekis. Shita e Mera janë pushkatue, ndërsa Dalipi ka qenë dënue me vdekje por na gjallë e kemi pasë lanë. Në burg asht Faik Merlika e për tjerë Merlikaj nuk dij. Prap në Kru asht vra Ibrahim Kupi me nji djalë të vetin e me nji të qujtunin Ten Taga, fisi i Xhaferr Tagës dhe kta janë vra në rrethim e nuk janë kapë gjallë. Mandej janë vra nji Hasan Meça e Qamil Emiri. Pushkatue janë: Xheladin Kuqi, Myftar Kuqi, Haki Pengili, Shim Hoxha, Hasan Lef Zani, Sulejman Myrteza Qira e i vllai i Sejfulla Shimës nga Burizanej. Mandej janë pushkatue prej katundesh: Pal Mhill Ndoj me gjithë kushri prej Gallate, Frrok Mhill Rrika e Kolë Tota e Prengë Pirolli me gjithë kushri prej Zheje. Mandej janë vra: Zef Dodë Perjuka prej Mirdite e Fran Miri; kta të dy i ka pré djali i Aliut Dervishit prej Gjonmi të Krujës. I ka pré bashkë me nji farë Lutfi Meçen e Kadri Shanin prej shehrit të Krujës. Mandej asht vra Mark Pirroli, djali i  Lok Pirolit prej Zhejet. Ky asht vra me kapitenin e Sigurimit d.m.th. kanë vra njani tjetrin. Mandej asht pushkatueMark Miri me 14 gurzakë prej të cillve 7 Miraj.

Asht damtue randë Nikoll Ndré Bardhoku në Mal  të bardhë. Janë vra në mal dy djemt e Gjergjit e nji i Gjonit. Mandej asht vra në mal Isuf Taf Veliu prej Miloti. Lajmet e tjera po t’i shkruej me letër tjetër.

Kapidan, në mal prej rrethit të Krujës janë kta: Gjergji i Nikollë Ndré Bardhokut me 4 kushrit e tij d.m.th. 3 djelmt e Marka Gjok Lalës e djali i Ndrec Prengës, Preng Llesh Gjergji, Ndue Pal Gjin Pjetri e Geg Zef Nue Iseni, të tre prej Skurajsh. Djali i Pal Mhill Ndoit e Pjetër Nikollë Mhilli, Pjetër Marka Ndoj te kushrit e shpis Mhill Ndoit nga Kallata janë në mal. Gjon Lok Pirolli prej Zheje, Nikollë Arapi prej Laçi, vllau i jem Marka Gjet Çupi janë në mal e kshtu shuma bahet 13 vetësh qi janë nder male prej Kruje. Kta i kemi lanë në mal, tash nuk dij gja a janë a jo, por besoj se veç janë shtue se edhe disa të tjerë kan qenë me kamë në derë.

Ky qi na shkruen asht prej Mirdite  e njofim shumë mirë, prandej të gjitha ato qi thotë janë të vërteta sepse nuk asht nji njeri qi rrenë. Lajmet janë aman sa t’idhëta por nuk kemi se shka me ba. Veç Gjelës mos i kallxò.

Edhe pse i jepte në këtë letër lajme mjaft të hidhura Mustafa Krujës, Kapidan Ndue Gjon Marku nuk harronte që ta këshilloj se këto informacione të dhimshme mos ta njoftoj të motrën e ti Xhela Muka, që gjatë tërë kohës në Aleksandri e kishte shoqëruar vëllain e ti Mustafa Krujën dhe pikërisht ishte kjo grua atdhetare e cila kishte ruajtur komplet shkrimet, studimet dhe dokumentet e Mustafa Merlika – Krujës dhe i kishte sjellur në Shqipëri.

Është mbresëlënes sidomos kur Mustafa Merlika Kruja dhe Kapidan Ndue Gjon Marku përmes letrave komunikojnë për Gjenologjinë e Kapidanëve të Mirditës.I tërë ky diskutim dhe kjo analizë e hollësishme që mund ta bëjnë vetëm personalitetet që kanë njohuri shkencore si dhe janë të pajisur më të dhënat e traditës brez pas brezi, zhvillohet në letrën e Kapidan Ndue Gjon Markut të datës , 28 Maj 1952 e dërguar nga Roma, dhe letrës të Mustafa Merlika  – Krujës më 24 Kallnuer 1953 e dërguar në Romë nga Ramleh.Në këtë letër Kapidan Ndue Gjon Marku i spjegon të dhënat mbi Gjenologjinë e kapidanëve të Mirditës që rrjedhin nga Palë Dukagjini. Në këtë analizë shkencore Kapidan Ndue Gjon Marku e hedh poshtë pretendimin e disa studiuesve që thonë se familja e Kapidanëve të Mirditës kanë ardhur nga Pashtriku, apo siq quhej Bishtriku,por që ato pjesë të Pashtrikut i kanë shfrytëzuar për kullosa. Është interesant edhe përgjigjja e Mustafa Merlika Krujës i cili thotë se Familja e Kapidanve të Mirditës është familje Princore në Vete familja Gjomarku, dhe ai shkruan se kjo familje 13 breza kanë qenë në krye të Mirditës dhe e kanë udhëhequr më një përkushtim shumë të matur, në këtë letër Kapidan Ndue Gjon Marku i jep përgjigje Mustafa Krujës duke i thënë se në bazë të bartjes se tregimit familjar nëpër breza, shënimeve të profesor Zef Valentinit dhe shënimeve të At Nikollë Kimzës del se familja Gjomarku është me prejardhje nga familja e Lekë e Pal Dukagjinit, duke potencuar se i pari i tyre ishte Pali, a ka të bëj kjo me Pal Dukagjinin apo me Pal Kastriotin mbetët  një pikëpyetje. Në këtë debat Mustafa Kruja ka një sqarim mjaft interesant edhe për fjalën Kanuni i Lekë Dukagjinit, apo Kanuni i Skënderbeut.Ai potencon se Fjala Kanuni i Lekë Dukagjinit, dhe Kanuni i Skënderbeut është quajtur për faktin se ky Kanun ka qenë kanun autokton shqiptar dhe për tu dalluar nga Kanunet dhe ligjet e Perandorisë Osmane, ka marrë këta emra. Me këtë që thoshte studiuesi dhe largpamsi Mustafa Merlika Kruja ka nje logjikë mjaft interesante per studiuesit që do te merrën me derën e Kapidanëve të Mirditës  në të ardhmën. Për faktin se nga historia është i njohur edhe Pal Kastrioti, edhe për studimet dhe të dhënat e mevonshme se Gjergj Kastrioti ka lindur në Kaster të Mirditës dhe se po ashtu është kunorzuar në Mirditë.

Të gjitha këto komunikime që i kam studiuar në librin Kuvend Letrash me miqtë të përgaditura nga nipi i Mustafa Krujës i nderuari Eugjen Merlika, si dhe një pjesë të këtyre letrave i kam marrë edhe nga arkivi i Kapidan Ndue Gjon Markut nga e bija Bianca Gjomarkaj jep të kuptojmë se këto letra duhet ti studiojmë me një vëmndje te hollë se në çdo faqe dhe në çdo rresht paraqitën të dhëna interesante dhe shumë përmbajtësore, qoftë në aspektin e organizimit të mërgatës antikomuniste, qoftë analizat dhe studimet historike, pa lënë anash edhe shumë informacione të vrasjes, burgosjës, dhe internimeve të shumë familjeve atdhetare në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok