22/12/2024

LETËR PUBLIKE PËR GABIMET QË SHOQËRUAN TRANZICIONIN 30 VJEÇAR

0
Fahri-Dahri

Nga Prof. Dr. Agim Binaj

Fahri Dahri, ekspert ekonomie

-“Pa njohur të shkuarën nuk ndërtojmë dot të ardhmen”.

-“Baza e mirëqenies së shqiptarëve ka qenë toka, pasuritë e tjera natyrore dhe zbatimi i ligjit për krijimin e një shteti ligjor”.

Dihet se për të siguruar të ardhme më të mirë, duhet të njohësh gabimet e të shkuarës e t’i ndreqësh ato. Viti 1990 hapi një botë të re dhe për shqiptarët. U gëzuam për rendin e ri demokratik që do të çonte në mirëqenie, mbrothësi e profetësin e ëndërruar nga të parët tanë për shumë dekada.

Por ky entuziazëm e gëzim për këtë rend të ri, filloi të venitet shpejt nga gabimet që filluan të dalin në pah hap pas hapi.

Në drejtim pronës mbi tokën, të shkatërrimit të aseteve të shumta të pasurisë kombëtare duke e zëvendësuar me kioskat ose të quajturat kasolle të tregtise të lirë; të dëmshpërblimeve të ish-çifligarëve (feudalëve) që e kishin fituar pronën mbi tokën “me fermane të Sulltanëve për shërbimet ndaj Perandorisë Osmane”, dhe që llogariten rreth 10 miliardë euro, pronat që u përkasin shqipëtarëve; në drejtim të  zbatimit të ligjit e legjislacionit, të sistemit të drejtësisë në përgjithësi por edhe të luftës kundër korrupsionit që tashmë është në përmasa galopante; të problemeve sociale, kujdesit e ruajtjes së familjes, respektit për ‘të dhe statusin e saj të shtenjtë, të politikave fiskale dhe luftës ndaj evazionit fiskal.

Qëndrimi ndaj pronës mbi tokën dhe shkatërrimet e pasurisë kombëtare

Në 30 vjet asnjë hap pozitiv në mbrojtje, ruajtje dhe zhvillim të pronës. Me ndërrimin e sistemit, u vrapua për të kryer “Reformën Agrare”, që njihet me emrin “Ligji 7501 i Tokës”, i cili, me amendamentet e bëra më pas, vërtetoi se ishte një goditje e rëndë për demokracisë në parimin themelor të saj, në shtyllën më kryesore të saj, të së drejtës mbi pronën e tokës. Reforma Agrare ka dy anë; ç’pronësimin e çifligarëve (feudalëve) dhe dhënien e tokës atij që s’ka, kryefamiljarit. Prona mbi tokën jo vetëm u copëzua, por iu dha atyre që nuk u takon. Humbi e drejta zakononore shekullore mbi pronën për tokën, u shua tradita e kryefamiljarit për zotërimin e pronësisë mbi tokën, që sollën pasoja tejet të rënda në ekonomi dhe shoqëri, ndezën nga një anë konflikte edhe brenda në familje, nga ana tjetër ç’interesin për tokën saqë sipërfaqe të tëra toke mbetën djerr (pa punuar), përpos problematikave në familje e shoqëri dhe deri te tronditja në siguritë e sovranitetit. Në planin ekonomik e të zhvillimit u penguan invesitorët e brendshëm dhe të huaj, mungoi garancia e hedhjes së kapitalit. Akoma më shumë kur aty ku do të investohej mungonin pronarët ligjorë. Ligjërim të ligjit 7501 dhe sidomos i mballomave të më pasme të tij, që dihej e ardhmja antidemokratike pasojat negative iu vërtetuan në këto tri dekada në pasoja katastrofike, më e keqja është se asnjëra nga qeveritë nuk ndërmori veprime e nisma ligjore për ta ndaluar e ndrequr këtë katastrofë, për të bërë zgjidhjet përkatëse sipas eksperiencave të vendeve të tjera, sidomos atyre të Lindjes, që ashtu si ne dolen nga komunizmi, dhe në veçanti sipas eksperiencës së Kosovës.

Mbas vitit 1992, me ndërrimin e pushtetit, që iu besua së djathtës, me bindjen se ajo do përfaqësonte demokracinë, për fat të keq filluan shkatërrimet në çdo gjë të arritur më parë, me moton “Të shkatërrohet çdo gjë e ndërtuar në komunizëm”. U shkatërruan kombinate, uzina, fabrika, industria ushqimore dhe e lehtë, etj. U prenë, u dogjën vreshta, pemëtore, u prishën rezervuarët për ujitje, kolektorët, kanalet kulluese etj., dhe në vend të kësaj pasurie të krijuar prej shqiptarëve me punë prej “skllavi” u mbollën kjoskat, kasollet për tregti, duke hequr dorë nga prodhimi në miniera, në bujqësi, në blegtori, etj. U cënuan ligjet e klasifikimit të tokave, të cilat kaluan nga toka bujqësore (ara) në toka ndërtimi. Për justifikimin e këtij shkatërrimi masiv, meqë justifikimi se ato asete ishin të periudhës komuniste, vunë në lëvizje pseudo teoricienë për të argumentuar e propaganduar me “çekun e bardhë” e me “teorinë e terapisë së shokut”, “gjithçka do niset e do të ripërtërihet nga zero”, për ta pësuar edhe neve si vendet e tjera që zgjodhën po këtë model të terapisë së shokut. Ndërsa vendet si Sllovenia, që zgjodhën modelin e tranzicionit të butë që nuk shkatërroi, edhe që ato që nuk i privatizoi i mbajti si pronë shtetërorë, fituan edhe ecën drejt suksesit. Ndaj ka ende kohë e mundësi qe të studiohet ky model. Koha tregoi se këto teori ishin mashtruese, të qëllimta në dëm të shqiptarëve, të varfërimit të tyre ekonomikisht, për dobësimin e shtetit dhe me synime destabilizuese për të cënuar sovranitetin. Në vend të “çekut të bardhë”, lulëzoi droga, trafiqet e armëve, të naftës, të qënieve njerëzore, filloi korrupsioni dhe pasiguria për njerëzit.

Nuk mbetën pa u dëmtuar e vjedhur thesari i shtetit dhe bankat, që nga ajo Kombëtare. U kryen veprime jashtë ligjeve dhe normave për qarkullimin e parave. Riviheshin në qarkullim paratë e dëmtuara, nuk regjistrohej emëtimi i parave, nxirreshin në tregun e zi për këmbime valutore në përfitime nepotike. Bankat u trajtuan thjesht si prona personale, si biznes vetjak. Për veprimet shkatërruese, përgjegjësit nuk u dënuan me argumentin se kishin “sjellje të mira me fqinjët”. Për popullin qëndrimet ishin të habitshme, por pushtetarët veprimet i kryenin të paramenduara.

Demokracia u godit rëndë në nervin e saj kryesor, te “vota e lirë”. Vota e zgjedhësve, tjetërsohej me ndërrime kutish, me blerje e shitje votash, me mashtrime në numërime, fenomene negative që kanë “ymër” dhe sot. Shiteshin e bliheshin deputetë e ministra, po çmënduria më e madhe ishte shitja dhe blerja e partive. Partitë u kthyen në interesa grupesh, në biznes. Nuk flitet më për të djathtë e të majtë.

Dora antidemokraci u shtri pa droje edhe në sektorin e ushtrisë, u dëmtuan ndërtesat, u trafikuan armatimet, u shitën për skrap, etj. Humbjet e pësuara llogariten afërsisht në 70 miliardë dollarë, investim 45-vjeçar në fushën e mbrojtjes.

Zgjidhja kërkon rivendosjen realisht të shtetit të së drejtës, duke filluar nga sistemi i drejtësisë dhe Reformë Agrare mbi bazën e parimit të Aristotelit apo të tjerëve, Korifej të mendimit se “kujt i takon toka që e ka krijuar natyra dhe si duhet të ndahet ajo”. Duhet të ndahet një herë e përgjithmonë pronësia mbi tokën, të ndahet ai që e ka pronën mbi tokën me djersën e tij (me blerje), nga ai që e ka me tituj pronësie me ferman sulltani për shërbimet që i ka bërë Perandorisë Osmane.

Këtu duhet parë me kujdes edhe pronësia mbi tokën e institucioneve fetare. Për vakëfet (pasuri e paluajtshme e një institucioni fetar) të tregohet kujdes dhe vëmëndje e veçantë, duke siguruar burimet e pronësisë, nëse ato janë të blera nga institucionet fetare, të dhuruara nga besimtarët, apo të dhuruara nga fermane sulltanësh, etj.

Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Drejtësisë të ngrejnë grupe pune me profesionistë të afirmuar për të hartuar me afate të caktuara reformën e duhur agrare.

Të analizohet puna e dhënies së tapive dhe çertifikatave të pronësisë, që sipas programit elektoral, duhej të kishin përfunduar në mandatin e parë të kësaj qeverie. Reforma e re Agrare të mos jetë “pronë” e partive politike, ajo të realizohet mbi bazën e parimeve të demokracisë. Të çrrënjoset nga mendjet që ajo të përdoret nga politika në fushata zgjedhore.

Kujdes dhe vëmëndje duhet ti përkushtohet momentit që ka nxjerr në pah nevojën e rregjistrimit të pasurive të paluejtshme dhe krijimit të “rregjistrit kombëtar të pasurive përkatëse”.

Zbatimi i ligjit për të drejtën qytetare e shoqërore dhe për të luftuar korrupsionin

Krahas ngutjes për të dëmtuar demokracinë nëpërmjet pronës (kryesisht tokës), e cila varfëron popullin, cënon sigurinë dhe sovranitetin, “shigjetat vrasëse” u drejtuan në një tjetër nerv të shtetit dhe shoqërisë. U krijua boshllëk me papunësinë në vend. Kjo lindi nevojën e punësimit në tregjet e punës jashtë vendit. Të koordinuara nga lart-poshtë, majtas, djathtas, u “legjimitua” lëvizja e lirë, por jashtë ligjeve dhe rregullave. U krijuan qëllimisht kushte për shpopullimin e vendit. U tronditën familjet shqiptare, fenomene jashtë konceptit shqiptar. Pasoja të rënda me vdekje maleve, fushave dhe detrave, përdhunime, poshtërime, vrasje nga çdo krah. Imazhi i vendit dhe i popullit shqipar ra shumë, si asnjëherë më parë. Nuk ka arësyetim tjetër veç shkatërrimit të shtetit shqiptar fenomeni i “fajdeve”. Të ashtuquajtura “Piramidat” fundosën ekonomikisht familjet shqiptare. Një akt i mirëplanifikuar për krijimin e trazirave. Paratë e shqiptarëve janë të pastra, mbi këtë “bazë” shteti krijoi institucionin “Sude”, për mega mashtrim. Populli fukara vrapoi në radhët e gjata për të “humbur” edhe shtëpitë me shpresën e tre apo edhe dhjetëfishimit të depozitimit të parave tek “bankat e sudeve”. Sudet falimentuan, paratë e shqiptarëve u  vodhën nga  “mjeshtrit” e fajdeve. Erdhën revoltat e vitit 1997. Shteti shqiptar u trondit nga themelet.     Sovraniteti, paprekshmëria e kufijve shtetërorë u bënë fushë tregu. Përsëri u ngritën veshët e komshinjëve, u mprehën shpatat dhe filluan testimet për realizimin e synimeve të tyre shekullore. Zoti dhe shtetet miq të vërtetë ngritën dorën dhe thanë “ndal”. Shpëtuam nga mosekzistenca. U vërtetua se si majtas dhe djathtas interesi nacional (kombëtar) nuk ishte në agjendën shtetërore. Qendrimet me pronën, familjen dhe interesin për mbrojtjen nacionale, treguan se nuk ishin në vëmëndjen e udhëheqësve politikë dhe shtetëror. Por nuk u mjaftua me kaq. Demokracia duhej goditur fort deri në palcën e saj. Vota e zgjedhësve, nuk duhej të lihej (mbetej) në dorën e popullit. Vota e tij duhej përpunuar, duhej të shkonte aty ku vritej demokracia. Dhe kështu ndodhi. Kutitë e votimeve nuk duhej të ishin të “virgjëra”, ato duhej të zbrazeshin nga fletët e votimeve dhe të zëvendësoheshin me të tjera. Shembujt janë të shumtë dhe pafre, në të tridhjetë vitet radhazi dhe nga të dy polet politikë. Nuk anashkalohet pa kujtuar faktin skandaloz kur disa kuti votimi u kontestuan dhe u vendos për t’u rinumëruar në KQZ. Filloi marrja e kutive për rinumërim para komisionit, por u pa se ato ishin të hapura, gjë që ndërpreu numërimin. Filluan debatet nëse duhet vazhduar apo jo. Më i “mënçuri” në komision pa droje tha: “Të vazhdohet numërimi, nuk prish punë, le të jenë të hapura kutitë, brenda ato kanë rezultatin e saktë”. Ky fakt ka ndodhur në zgjedhjet e Bashkisë Tiranë, në vitin 2011, apo në zgjedhjet të tjera në Dibër e Shijak, Peqin e Lezhë. Të tilla sjellje me kutitë e votimit u përkasin të tridhjet viteve të “demokracisë”. Në vitet 1996, 1997, 1998 e më pas si rrjedhojë e mosfunksionimit me dashje të votës së lirë, kriter bazë i demokracisë, vendi gati shkoi në luftë civile. U hodhën parrulla “veriu kundër jugut”. Populli i kuptoi qëllimet e mbrapshta dhe e pengoi vëlla vrasjet që politika e kishte synimin e saj.

Po a mundet që politikanë të tillë të kësaj kohe me gjithë këto të zeza, po të shtojmë dhe ngjarjen e Gërdecit që u vranë disa dhjetra njerëz, apo vrasjet në Bulevardin “Dëshmorë e Kombit”, kërkojnë të kthehen përsëri dhe të qeverisin shqiptarët? Historia e Romës së Lashtë në shek. I pas Krishtit, na kujton Neronin, kur i vuri zjarrin Romës, për të ardhur përsëri në pushtet.

Politika 30 vjeçare u karakterizua nga gabime të rënda kushtetuese, si dhe me konflikte artificiale e kërcënime, fasade për palët politike por zbrisnin me ndikim të madh çorientues tek populli. Vazhdohet me kërcënime, me sharje, në çdo fjali përdoret fjala vjedhje, hajdut, korrupsion, etj, pa u vërtetuar nga drejtësia me barrë prove që krijojnë neveri e urrejtje dhe hedhin pluhur mbi të vërtetën. Insinuata, kërcënime e akuza që mund të bëjnë efekt vetëm tek ata me zemër të “dobët”, ose me ndonjë “cen” dhe të frikësohen. Qeverisja mbahet e merret jo me demagogji e kërcënime por me votë dhe paraqitje programeve të zhvillimit. Politikanëve u duhet të hedhin ide, projekte, programe për të fituar garën e votimeve, jo nervozizmë deri në shpërfytyrim. Me hakërrime mes palëve, garën e fiton ai që nuk trembet, nuk vret, nuk shpif, nuk kërkon pushtet tavoline. Duhet mësuar se demokracia nuk është urrejtje, as frikë, as shpifje, por garë për një mirëqenie më të mirë, për një familje më të konsoliduar, për pronësi të merituar, dhe ruajtje e mbrojtje të saj për interes nacional natyror, etnik etj. Por mesa duket, disa politikanë ende nuk e kanë kuptuar demokracinë. A e dini pse? Sepse ata çdo veprim apo mosveprim e shikojnë në rafshin personal duke harruar ose bëjnë sikur harrojnë që mbrapa tyre janë anëtarët e partive, janë familjet e tyre, mbarë shoqëria, gjë që i detyron të ndërrojnë mendësi e kahje dhe të përafrohen në demokraci. Nëse dëshirojnë të kenë sukses në politikë dhe t’i shërbejnë me të vërtetë demokracisë dhe zhvillimit, jo me konflikte, por me vepra, me të vërtetat, me programe të besueshme për të mirën e Shqipërisë, mund të mbijetosh në politikë dhe të pasohesh nga populli votues.

Si përfundim, në 30 vite, populli shqiptar u manipulua, u mashtrua dhe vendi humbi shumë nga imazhi i mirë. Ishte mëshira e Zotit dhe ndihma e sinqertë, vllazërore e shteteve miq që shpëtuam nga thonjtë e “tuçmakëve” antishqiptarë. Shqiptarët kërkojnë heqjen dorë nga veprime anti-demokratike dhe protesta paqësore në kërkim të të drejtës së tyre për një shtet të lirë, demokratik e një qeverisje të mirë, “një qeveri si buka që hahet dhe uji që pihet” siç kërkonte i madhi Sami Frashëri.

Zgjidhja duhet kërkuar në bërjen e një Reforme Zgjedhore pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve partiakë, reforma që të sigurojë saktë e në kohë atë çfarë shprehin zgjedhësit me “votën e lirë”. Çdo ndërhyrje nëpërmjet mjeteve monetare, materiale, favoreve, manipulimeve, shantazheve etj., duhet të ndëshkohet ashpër deri në shpalljen të paligjshme të kandidatit dhe seksionit të partisë, që e ka përgjegjesinë si të tillë, madje të shkarkohen edhe drejtuesit partiakë të atij seksioni, etj.

Politikanët tanë duhet të mbajnë parasysh ndër shumë të tjera dhe porositë e njerëzve të mençur si Alcide de Gasperi, ish kryeministër i Italisë, së “politikanët mendojnë gjithmonë për zgjedhjet e ardhshme, burrat e shtetit mendojnë për brezat e ardhshëm”. Vetëm kështu do të sigurohet rrugëtim i mbarë drejt së ardhmes. Asgjë nuk duhet të jetë dogmë. Progresi dhe zhvillimi sigurohen duke përfituar e përshtatur të mirat e së shkuarës dhe duke ndëshkuar gabimet, sidomos të atyre që kanë sjellë pasoja të rënda në ekonominë shqiptare dhe varfërimin e tejskajshëm të popullit tonë.

Secila forcë politike ose lider politik të gjejë vetveten dhe të reflektojë para se të akuzoje te tjerët.

Qëndrim ndaj kujdesit, ruajtjes dhe respektit të familjes

Qëndrimi i politikanëve që kanë “udhëhequr dhe udhëheqin” këtë vend ndaj këtij problemi gjatë këtyre 30 viteve kanë sjellë shqetësime madhore në dëm të shqiptarëve. “Shqipëria po humb një gjeneratë që do të sjellë, pse jo dhe pakësimin në numër të kombit tonë brez pas brezi…”.

Një nga tre themelet e demokracisë është familja, e cila është goditur rëndë. Ajo nuk ka gjetur kujdesin, mbrojtjen dhe përkushtimin nga politika 30 vjeçare; është përballur e po përballet me probleme të shumta negative, si vrasje, imoralitete, konflikte, moskamje, përçarje. Është shtuar egoizmi dhe smira mes anëtarëve të saj. Kjo qelizë e shtetit, që prej vitit ‘90-të, filloi të shpërbëhej. Mungesa e pronës krijon papunësi, gjë që të papunët i detyroi t’i drejtoheshin tregjeve të huaja. Lindën lëvizjet demografike brenda dhe jashtë vendit. Asnjë kriter, asnjë interesim zyrtar. Popullsia lëvizi nga zonat rurale dhe u grumbullua në zonat urbane, në qytetet e mëdha, duke krijuar vështirësira të shumta; konflikte serioze me zaptime trojesh “pa zot”, sepse pronarët e vërtetë i “gëlltiti” ligji i qëllimshëm 7501 me mballomat shtesë. Një katraurë e vërtetë që vazhdon 30 vite radhazi, në dëm të bujqësisë, të blegtorisë dhe të pemtarisë, të zhvillimit të qyteteve etj. Lëvizjet demografike u orientuan edhe drejt shteteve të tjera, fenomen që dëmtoi interesin kombëtar. Aftësitë njerëzore të dijes dhe djersës emigruan. Vendi eci drejt shkretësisë. Dijet, muskujt dhe djersa e mbi një milion e gjysmë shqiptarëve u vu në funksion të të huajve. Asnjë masë ndihmuese nga shteti për stimulimin e të rinjve dhe të rejave për të siguruar jetesën pranë familjeve dhe vendit të tyre. Goditje të fortë ka marrë ekonomia shqiptare edhe nga diferencimet në punësime. Është tepër i dukshëm fakti që në administratat e rëndësishme janë punësuar të afërmit e njerëzve me pushtet, i ëashtë dhënë përparësi mediokritetit, është preferuar në punësim nepotizmi dhe militantizmi. Këto janë realitete me fakte të rënda, që veprojnë jo thjesht pasojë mosdije e mosorientimi, mosthellimi etj, por veprimtari të qëllimshme, të koordinuara në të gjitha drejtimet. Në mënyra të ndryshme, të kamufluara dhe të strukturuara, të gjithë keqbërësit tanë, të brendshëm e të huaj, në unison, ndihmuan në shpopullimin e Shqipërisë.

Në të ardhmen Ministria e Arsimit, Kulturës dhe e Shëndetësisë,  lipset të mos merren me reforma fasadë, por të ngarkohen sociologë, psikologë dhe trupat pedagogjike për hartimin e politikave për rikthimin e traditës te familjet shqiptare, p.sh. mikëpritja, përkujdesja për familjarë, fqinj apo shoqëri, duke hequr dorë nga gara me njëri tjetrin për makina më luksoze apo pasuri në rrugë të padrejta. Në çdo vendimmarrje të qeverive duhet mbajtur parasysh faktori psikologjik, social dhe kushtet ekonomiko-shoqërore të vendit tonë.

Vijon nesër pjesa e II

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok