Letër publike kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama: Dilni ju lutem sa më parë nga Open Balkan!
Nga Enver Bytyçi
Zoti kryeministër,
Shumë herë kam dashur që t’u kërkoj publikisht daljen nga Open Balkan, për t’i dhënë fund kësaj marrëdhënie në dashuri pa kufi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Por nënshkrimi i marrëveshjes për koordinimin e politikave të Jashtme midis Serbisë dhe Rusisë nga shefat e diplomacisë së dy vendeve, më bën të jem i vendosur si kurrë më parë në këtë kërkesë timen.
Ju gjithnjë e justifikoni Ballkanin e Hapur me domozdoshmërinë e ruajtes dhe forcimit të paqes në rajon. Këtë lloj alibie e përdorët edhe në fjalimin tuaj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Por kjo marrëveshje dëshmoi se Open Balkan është një iluzion! Eshtë një lojë e Serbisë për të fituar kohë! Eshtë një iniciativë e shpikuar në margjinat e interesave serbo-ruse, me qëllim rivendosjen e hegjemonisë serbe në Ballkan! Eshtë një urë shpëtimi dhe urë-kalimi për një revansh tjetër të Beogradit kundër kombeve e popujve jo-serbë!
Se Ballkani i Hapur ka qëllime imperialiste të koordinuara nga Moska dhe Beogradi e dëshmoi edhe marrëveshja e fundit midis ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov dhe ministrit të Jashtëm të Aleksandër Vuçiq, pra Nikolla Selakoviç. Të lidhësh një marrëveshje si kjo në kulmin e luftës në Ukrainë dhe kur presidenti rus kërcënon botën me luftë bërthamore, është sikur të ndërtosh një tunel nëntokësor antibërthamor, në të cilin të bashkohen e të rrinë bashkë Vladimir Putin dhe Aleksandër Vuçiq. Ajo marrëveshje jo vetëm që vjen në kundërshtim me paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, por i kundërvihet hapur poltikave të BE-së, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për pasojë edhe interesave të Shqipërisë, Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë.
Për këtë arsye ju kërkoj me insistim të lëshoni Ballkanin e Hapur, së paku si shenjë mos-pajtimi me këtë marrëveshje, e cila forcon dhe konsolidon marrëdhëniet ruso-serbe, në vend të pretendimit tuaj për dobësimin e këtyre marrëdhënieve! Ju kujtoj se në historinë e dy shekujve të fundit Serbia ka qenë dhe vijon të jetë shkaktare e luftërave dhe gjakderdhjes të popujve ballkanikë, para së gjithash shqiptarëve. Dhe e din pse ka ndodhur kjo? Sepse prapa Serbisë ka qëndruar gjithnjë Rusia. Sepse përmes Serbisë Rusia historikisht ka ruajtur ndikimin dhe prezencën e saj në rajonin tonë. Dhe viktimë e këtij ndikimi kanë qenë gjitnjë shqiptarët! Fakt është se Open Balkan po dëshmohet si mekanizëm i prezencës ruse në Ballkan dhe alibisë serbe për atë që ajo e quan “neutralitet”!
Koordinimi i politikave midis Moskës dhe Beogradit është shprehje e një aleance strategjike të vjetër e të re midis Rusisë dhe Serbisë, aleancë e cila në ditët e sotme ekziston vetëm midis Kremlinit dhe Iranit, Sirisë e Bjellorusisë. Serbia është vendi i katërt në botë, që solidarizohet përmes një marrëveshjeje të tillë me sulmet ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës. Presidenti Vuçiq deklaroi në OKB se ashtu siç luftohet për sovranitetin e Ukrainës, OKB duhet të angazhohet edhe për sovranitetin e Serbisë (në Kosovë)! Dhe kjo ndodh se ju zoti kryeministër nuk angazhoheni që Beogradi të njohë krimet kundër njerëzimit kundër shqiptarëve. Ndërsa ehe ju folët në OKB për krime kundër njerëzimit që Rusia ka kryer në Ukrainë!
Në vend të kësaj, Ju vazhdoni të bëni avokatinë e Aleksandër Vuçiq në të gjitha takimet bilaterale e multilaterale, si dhe në samitet dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare, deri në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ju kërkoj me insistim të ndërpritet kjo lloj avokatie si dhe pjesmarrja në Open Balkan, sepse ato shkojnë jo vetëm kundër intersave të shqiptarëve, por shkaktojnë gjithashtu përçarje dhe destabilitet në rajon! Vuçiq ndjehet i inkurajuar nga avokatia juaj, gjë që e përmendi në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së!
Zoti kryeministër,
Vendimi i qeverisë dhe presidentit serb për të lidhur një marrëveshje në fushën e bashkëpunimit në politikën e jashtme me Rusinë i ngjan marrëveshjes Ribentrop-Molotov të vitit 1938, në prag të Luftës së Dytë Botërore. Një vendim i tillë dëshmon se Serbia edhe më tej mbetet e përkushtuar për aleancë dhe ndikim të Rusisë në rajonin tonë. Ndërkaq ky vendim na dëshmon se Open Balkan nuk ka legjimitet. Mungesa e legjitimitetit të kësaj iniciative lidhet me faktin se për pjesmarrjen dhe formimin e tij nuk është marrë asnjë vendim legjitim në Parlamentin e Shqipërisë, i cili është bartës i sovranitetit të popullit. Në asnjë demokraci nuk është kryeministri bartës i këtij vullneti! Vetëm parlamenti mund të autorizojë pjesmarrjen ose jo të një vendi në organizata dhe iniciative si ky i Open Balkan.
Mungesa e legjitimitetit të kësaj inciativë trivjeçare buron edhe nga fakti se ajo nuk ka hierarki, nuk ka struktura dhe i mungojnë shkallërt e vendimmarrjes. Pra është një instrument i bazuar në vullnetin e tre liderëve kryesorë të të tri vendeve anëtare. Një organizim rajonal pa rregulla lejon që secili shtet të ndërtojë marrëdhënie me shtetet e tjera, të cilat bien ndesh me interesat e vendeve të rajonit, anëtare të tij. Kjo ka ndodhur rendomë me Ballkanin e Hapur! Kjo është një arsye tjetër për të cilën ju kërkoj pa ngurim që ju të largoheni nga kjo iniciativë!
Eshtë e vërtetë se unë kam qenë që ditën e parë kundër iniciativës së Minishengen, të shndërruar më vonë në Open Balkans. Kam dhënë aq shumë argumente kundër tij sa nuk mund t’i rrjeshtoj në këtë kërkesë që jua dërgoj ju. Më besoni, nisem vetëm nga motivi për mbrojtjen e interesave kombëtare të shqiptarëve. Kurse fakti që iniciativa e Open Balkan është e pa konsultuar me faktorët politikë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë e gjetkë, ka shkaktuar një përçarje si kurrë më parë të këtij faktori. Për pasojë konsideroj se roli i Shqipërisë në rajon e më gjerë është dobësuar në favor të forcimit të rolit të Serbisë. Serbia ka fituar supremaci politike e diplomatike në raportet e saj me Kosovën, të cilën e kërcënon çdo ditë me luftë!
Eshtë koha e fundit, zoti kryeministër i Shqipërisë, kur ju mund të reflektoni e të bëni diçka të dobishme për vendin tonë dhe për kombin tonë! Çdo ditë që Shqipëria dhe ju vazhdoni të mnbeteni pjesë e Ballkanit të Hapur është një goditje dhe cënim i rëndë i interesave të saj! Ju duhet të kuptoni se nuk është Shqipëria ajo që mund ta tërheqë Serbinë në orbitën e Perendimit, por është Serbia ajo që kaq lehtësisht e tërheq Shqipërinë në iniciativat e saj ruso-serb, si ky Open Balkans!
Kjo duhet të marrë fund sa më parë!
Duke ju kërkuar mirëkuptim e reflektim të thellë,
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi
Drejtor Ekzekutiv i Institutit të studimeve të Europës Juglindore, Tiranë!