23/12/2024

Letër publike kryeministrit Albin Kurti

0
Gani-Mehmetaj

Kush nuk ka kontribuar në Fondin e Pensioneve të Serbisë, nuk merr pensione nga shteti i Kosovës

Zoti Kryeministër

Nuk e kuptoj pse nuk e zhvlerësuat Ligjin e Pensioneve, ligjin më antishqiptarë në njëzetë vjetet e fundit, të votuar nga PDK, LDK,AAK? Pse zyrtarët tuaj po e zbatojnë këtë ligj antishtetëror me fanatizëm të çoroditur si asnjë administratë tjetër. Po ua tregojë arsyet e kësaj letre

Shkruan: Gani Mehmetaj

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (Departamenti i Pensioneve) ditë më parë ma lëshoi një vendim të kundërligjshëm, me të cilin e zhvlerësoi vendimin e mëparshëm. Kështu, pas një viti ma zbriti pensionin nga 265 euro, në 90 euro, edhe pse sipas ligjit i kisha 20 vjet(1978-1998) përvojë pune në gazetën e përditshme “Rilindja”, ndërsa ata i kërkonin 15 vjet. Kontratat e vendimet po ashtu i kisha në rregull.

Në arsyetimin e vendimit zyrtarët tuaj shkruajnë se meqë gazeta “Rilindja” nuk i ka paguar kontributet në Fondin e Pensioneve të Serbisë, shteti i Kosovës ma ndërpret pensionin!

Arsyetim më të çoroditur nuk kam lexuar në njëzetë vjetet e fundit. Keni lexuar ju çorodi më të madhe?

Ku e morën vesh zyrtarët tuaj se “Rilindja” nuk i paska paguar kontributet në Fondin e Pensioneve të Serbisë pas vitit 1987? Morën dosjet nga administrata e Milosheviq- Vuçiqit? Gënjyen pa fije turpi? Apo dikush mi ndërseu? Pos meje ata ua ndërprenë pensionet edhe dy kolegëve, Gani Mulliqit e Avni Spahiut.

Që të jetë cinizmi më i madh, qindra gazetarë e punëtorë të Rilindjes nuk i kanë paguar kontributet për Serbinë, edhe po të donin, sepse Serbia e mbylli xhirollogarinë tonë. Pra asnjë gazetar a punëtor i Rilindjes pas vitit 1987 nuk ka kontribuar për fondin e pensioneve të Serbisë. Por zyrtarët tuaj na veçuan ne të treve.

Pse ky veçim, zoti kryeministër? A ishte kjo përpjekje e zyrtarëve tuaj t’u komprometojnë? Ishte hakmarrje e ndonjë faqeziu? Apo i urdhëroi dikush?

Administrata juaj e zbatoi ligjin më antishqiptar të Kosovës, Ligjin e Pensioneve që e kanë votuar deputetët e Kuvendit të Kosovës (PDK, LDK, AAK etj), sepse donin të  fusnin kontrabandë “veteranë lufte”, ata që kurrë nuk e kanë kapur pushkën, as nuk e kanë nuhatur erën e barotit. Thuhet se futën afër 40.000 veteranë të rrejshëm, ndërsa nxorën nga lista e pensioneve mbi 10.0000 punëtorë shqiptarë që nuk i dhanë para Serbisë së Milosheviqit. Kështu për herë të dytë i lanë në varfëri të skajshme, mbi 10.0000 familje shqiptare, sepse me 90 euro bukë nuk ngopën. Sa e kanë rrogën ata deputetë e zyrtarë që e bënë këtë krim?

Serbia sigurisht i ka falënderuar deputetët që e votuan ligjin, sepse ndëshkuan ata që nuk i paguan kontribute Millosheviqit. Por nuk e kuptojë pse po i lejoni që zyrtarët tuaja ta zbatojnë me më fanatizëm se ata të mëparshmit ligjin antishqiptarë.

Gani Mehmetaj, shkrimtar, publicist (ish gazetar i Rilindjes)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok