21/12/2024
Kimete-Berisha1

Nga Kimete Berisha

  1. Këtu të gjithë janë të mërzitur…

me borxhe deri në fyt,

me një këmbë në atdhé e me tjetrën këmbë larg;

Këtu, çdo gjë, kushton më shtrenjtë se dinjiteti.

Kosova u bë burg i hapur.

E burgun, që tha poeti, e bëjnë të paduruar të burgosurit.

  1. Kush ka pasur punë me ish të burgosurit e ka provuar se kur ‘ata’ dalin nga burgu, bëhen vet burgu, kur ata kthehen në Liri – bëhen burg për të gjithë të tjerët.

Sipas tyre, ata gjithmonë dikush i ‘përndjekë’, prandaj flasin me zë të ulët, ose nuk flasin fare….

ata gjjthmonë dikush ‘i urren’ dhe gjithmonë dikush ‘dëshiron’ t’i ‘kthejë’ në burg!

Kështu, si një ‘burg i hapur’ u bë Kosova, ku të gjithë duan të dalin nga burgu.

Por për dikë u bë vonë të dalë nga burgu, sepse nuk ka ku të shkojë.

  1. Kanë mbetur vetëm gra të shtëpisë, pleq që kanë aq pare sa për ta kapërcyer kufirin e ilaçeve, dhe fëmijë që më nuk luajnë.
  2. Të gjtha rrugët i kanë mbyllur.

Me gurë të ngjyrosur ‘kuq e bardhë’ , kryetari i Prishtinës i ka mbyllur rrugët.

Ata gurë duken, si ‘arkivolë të vegjël’, të pavarrosur, të vendosur pamëshirē skajeve të trotuareve, për ta ndarë ‘vdekjen nga vdekja’.

Kufiri mes xhadesë dhe trotuarit mund të ishte saksia me lule, por kryetari, ka shije artistike ‘vdekjeje’ dhe me ‘vdekje’ i mbyll të gjitha rrugët.

Parku tek tekniku duket si pushimore e varrezave (përballë spitalit), ndërsa mbeturinat i vlojnë e kontenjerët ia kanë përmbysur.

Puna më e madhe që e ka ‘bërë’ kryetari i Prishtinës – ua ka ndërruar orarët autobusëve, në vend se t’ua ndërrojë ngjyrën e portokalltë.

  1. I pari në botë, Xhelal Sveçla e ka hetuar se terroristët serbë kishin veshur uniformat ushtarake të KFOR-it italian.

Hiç nuk është dashur të na tregojë. Janë disa ‘sekrete’…

– Anipse e kam një simpati për të, sepse kur paramilitarët e Vetëvendosjes më kërcënuan me ‘shfarosje’, Xhelal Sveçla menjëherë e dërgoi policinë të më ofrojnë ndihmë.

  1. (Një ditë, në sheshin Nëna Terezë, njëri i tha shokut të tij, shok a dashnor a çka e ka pasur, punë për të…

– ‘E sheh këtë gazetaren, kokën ia kisha shtypur derisa e kisha mbytur’, dhe atë procesin e shtypjes së kokës ime e përshkruante me duar’.

Unë i buzëqesha.

Mashkull….of, në çfarë meshkujsh ka rënë katundi.

  1. Të gjithë thonë se ‘do të ketë luftë’, por kjo mua nuk më ka penguar t’i përgatis turshitë, për herë të parë.

Me rastin e arritjes së pavarësisë në aspektin e turshive, jam gëzuar shumë.

Dhe, e kam zbuluar se xhelozia s’kish mbarim, se kish xhelozi të tmerrshme edhe në mesin e amviseve, se kujt i dalin turshitë më të mira.

Por, xhelozia në rrezitje (që s’ta pranon shqiptari se je rrezitur më shumë se ai, është xhelozia që më ka çuditur më së shumti deri tani).

  1. As horoskopi nuk ka fjalë të mira për juve.

Por, ne ‘binjakët’, për shembull, tash, pas një viti, jemi më mirë.

Kur ia shikoj atë ‘heshtjen’ Kadri Veselit në Hagë, ma kujton veten, që gjendjen time e mbaj sekret, askush kurrë nuk e di se si ndjehem vërtetē.

Kadri Veseli (binjak në horoskop): as nuk qan, as nuk kërkon mëshirë, as nuk qesh…nuk i ngutet, veç sa për t’u dukur i gjallë – pak buzëqesh.

  1. Unë e konsumoj ‘heshtjen’ si ushqim që nuk më ngop.

I mbyll dyer e dritare, e dëgjoj heshtjen, e há heshtjen, e pijë, dhe e ndjej se si heshtja, si fshesë, e pastron kokën time nga mendimet e tepërta.

  1. Se, nëse do të isha në vend të Hashim Thaçit – kurrë nuk do të jepja intervistë nga burgu, e nuk do të sillesha si Mandela, i urtë si plak i mirë, i butë si nanë e përrallave.

Unë do të tregoja drejtë, dhe do të thoja: Me mend t’sotit kurrë në jetë nuk kisha luftuar për juve, o idiota….

  1. Një ish i burgosur politik, të cilit në moshën 17 vjeç në Goli Otok ia thyen krejt dhëmbët dhe kur babai e vizitonte në burg, e ‘takonin’ me

këmishën e përgjakur të të birit…

vdiq pa asnjë pare në xhep (m’duket 5 euro i kish pas’),, kurse hajnat, kriminelët, tradhtarët, kurvat e mashtruesit, ata thitë-mangut.

  1. E çka është kjo, Perendi!

Kjo është ‘ajo’ pabarazia që ma ka humbur besimin, deri aty sa po të kishte Zot-ta aq sa ka yje në gjithësi, nuk do t’më dilnin boll.

  1. Ti nga dritarja e burgut i sheh tradhtarët, kriminelët dhe kurvat duke e shijuar lirinë dhe pasurinë, kurse ty Liria jote të futi në burg.
  2. Nuk kam më ëndrra.

Dhe nëse dikush do t’më trokiste në derë me një ‘ofertë’ për një jetë më të mirë…

do të mendoja si Mozarti ‘Mos është kjo ndoshta vdekja’!

  1. Kadri Veseli ka qenë aq amerikan, sa që në shkrim tim ‘Armiku publik i Kosovës’, ku unë e kam cituar Mark Twanin që thotë ‘Amerika e ka Senatin më të mirë që mund të blihet me pare’, ka pas ‘reaguar’ i shqetësuar nga ‘konstatimi’ im që nuk ishte i imi.

– Unë e shfrytëzova Mark Twain për ‘nevojat e mia’ të tregimit.

Por Kadri Veseli, i cili sigurisht nuk e kishte ditur kush është Mark Twain, kur e ka kuptuar, më ka kërkuar falje.

Kur e kam takuar në separenë e një restoranti, m’u duk zotëri i madh, u ngrit në këmbë, më përshëndeti, më kërkoi falje…

por ama ishte i ulur me një ‘spiun shqiptar të Serbisë’, asi të UJD-it (i cili u bë edhe ambasador).

Këta kanë mendur se i ‘zbusin tradhtarët’ dhe i bëjnë patriotë.

Ama, asgjë, kurrë nuk është zbutur në natyrë.

Arusha ka mbetur arushë.

  1. Të njëjtin ‘gabim’ si komandantët, e bën edhe Albin Kurti që e ka rrrethuar veten me ‘shqiptarë të Serbisë’, të cilët kur UÇK kërkonte Liri, këta kërkonin Jugosllavi.
  2. Kanë qenë rreth 50 mijë bashkëpunëtorë shqiptarë të UDB-së, sipas Demaçit…

Se ku janë sot ata, tregon se si i kemi punët!

  1. Prandaj, krahas ‘luftës’ me armikun, nëse fillon lufta e vërtetë, se tash të gjitha luftërat po më duken ‘fake’ (ku dikush vritet, e tjetri argëtohet në klub nate),

mund të jetë rrezik edhe ‘hakmarrja’ qytetare…

  1. Qe, për shembull, ai djali që dëshironte shtypjen e kokës sime për hir të Albin Kurtit, ai nuk e di se Albin Kurtit nuk i pengon fjala ime, sepse asgjë nuk ka bërë për ta penguar fjalën time, kurrë.

Prandaj, është në dorën e kryeministrit që në kuadër të luftës me Serbinë t’i shmanget nën-luftës qytetare, t’u tregojë ‘vrasësve’ të tij se nuk ka nevojë për ‘ushtarë që i urrejnë kritikët e tij letrarë’.

  1. Duke folur për luftën që po ‘ndodh’, Presidentja Osmani e quante me emër gazetaren ‘Christian’, thuajse e ka shoqe të mëhalles, ndërsa gazetarja e madhe e quante Vjosën ‘Madam President’!

Ndërsa presidentja fliste për luftën me Christiane Amanpour (dhe e bënte veten që gazetarja ta ndërpriste disa herë…Kur presidentja fliste për të kaluarën, gazetarja u detyrua t’i thotë: e di çfarë ka ndodhur, kam raportuar vet…Po,më trego ti mua çfarë je në gjendje të bësh për paqen sot?).

– Presidentja e ka kërkuar ndihmën e Amerikës për draftin e Asociacionit. Bukur shumë. Drafti i amerikanëve ta tregon qejfin ty…!

E presidenti serb fliste për paqe me gazetaren e njëjtë në CNN, të cilën pas seciës pyetje e falenderonte për objektivitetin….!

– Pse, Aleksandër Vuçiq që e nis luftën – flet për paqe, e Vjosa Osmani që nuk ka as ushtri të veten, flet për luftë!

  1. Lufta mund të jetë ‘fake’, por paqja nuk mund të jetë.
  2. Ndërkohë, Donika Gërvalla është në zavall të madh duke u munduar ta bindë Evropën që të marrin masa kundër Serbisë – po vet ende i paguan me paga të rregullta terroristët serbë të ‘Mbrojtjes Civile’ .

– Ndërsa, Glauk Konjufca, po kërkon nga bota ta gjykojnë dhe ndëshkojnë Serbinë, nuk ka ndërmarrë masa ndaj Listës Serbe, e cila i përkrahu, i vajtoi, mbajti zi dhe i glorifikoi terroristët serbë.

  1. E, edhe nënkryetari i Graçanicës, njeriu i Vetëvendosjes lejoi që flamuri i Serbisë të ulet në gjysmështizë në komunë, në respekt të terroristëve të vrarë.
  2. Nganjëherë ‘kërcënimi i luftës’ e mbron paqen më shumë…

Albin Kurtit i konvenon kjo ‘atmosfera e luftës’ , për t’u shmangur nga zgjidhja e problemit me marrëveshje, sepse Albin Kurti mendon se ‘marrëveshja’ i kushton më shtrenjtë se lufta.

Marrëveshja me Serbinë i kushton më shtrenjtë se ‘lufta’, sepse luftën nuk do ta bënte vet, kurse marrëveshjen (Asociacionin) do t’i duhej ta bëj vet.

P.S.

– Ky shkrim i dedikohet atyre që janë me një këmbë në Kosovë;

– atyre që sherri i pabarazisë që vjen nga toka dhe nga qielli – e kanë humbur besimin në Drejtësi;

– atyre që e kanë lënë fakultetin në gjysmë, për 3 provime…

– atyre që e bëjnë punën që e kanë mërzi;

– atyre që të fundit zgjohen nga gjumi;

– atyre që kanë dashur të jenë poetë, e s’kanë ditur;

– Atyre që nuk kanë pare për cigare;

– Atyre që jetojnë me prindër;

– Atyre që e urrejnë vargun e këngës ‘Lumja vjehrra që e thirr ‘oj nanë’;

Veç të lumturit – marsh prej këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok