25/12/2024

LËNDINA ME FLAMUJT E UKRAINËS…

0
Zhiti-Ukraina-Flamujt

Nga Visar Zhiti

Në rrethinat e Chicago-s, në afërsi të shtëpisë në Roselle, para një kishe të madhe ukrainase me kryqin që vezullonte nën diellin e pasdites, pamë se lëndina aty ishte plot me flamujt të Ukrainës sikur të kishin mbirë nga toka e bekuar.

– Ndalim, – i thashë mikut tim, Taipit, shqiptar nga të Maqedonisë dhe ai e ktheu makinën menjëherë për andej.

Pa i thënë gjë shoku-shokut e ndjemë se donim të nderonim atë vend, luftën e atij populli për lirinë. Dhe kjo frymë dukej se i frynte flamujt si një erë e shqetësuar, por e ngrohtë. E verdhëllemta sikur na jepte ar dhimbjeje dhe bluja shpresë qiellore, teksa në krye të lëndinës prirej hijerëndë Flamuri i madh amerikan…

U afruam te memoriali, prekëm me dorë shkronjat e bardha si eshtra, ku nga ana e rrugës shkruhej në anglisht “Heronjtë nuk vdesin kurrë”, ndërsa nga ana e Kishës po kjo ishte në gjuhën ukrainase. Ngjitëm shkallët… edhe ato të kujtesës… dhe shqiptarët në Ballkan kanë derdhur gjakun lumë për të qenë të lirë, tani kanë dy shtete, mund të bëjnë më shumë së bashku duke patur dhe mbështetjen e aleatit jetik, SHBA-së. Prandaj ne e kuptojmë Ukrainën, mbase më mirë se popujt e tjerë… dhe u futa mes flamujve të tyre që sikur mërmërisnin fjalë plagësh dhe m’u nëpërmend një poet i ri ukrainas, që e kisha njohur në një festival poezie në Europë, pak para se të fillonte lufta e vendit të tij kundër agresionit rus, ai u mbyll në mbrojtje të atdheut dhe iu hap botës. Dmytro Chystiak, përktheva dhe unë poezi të tij, njëra sikur po më vinte nga larg dhe tani, kur po ecja në lëndinë mespërmes flamujve si në një ëndërr të të rënëve:

*  *  *

Ti ecën akacieve të lulëzuara

Dhe nata e majit

nuk ndjehet fare. –

Duart i ngroh

në një zjarr të largët…

Dhe ndjek akaciet e lulëzuara,

Jehona je ti në natën e majit –

Zëri i një zjarri u përndez

dhe u bë qiri…

Erërat do të qetësohen,

por bilbilat s’do të heshtin.

Duart e bardha rrjedhin në errësirë

dhe fluturojnë drejt së tërës,

Lulëzimi i akacieve tashmë varet

nga ty ose nga yjet…

Zëri i poetit mbi akaciet e verdhëllemta, që m’u bënë flamuj me copa qielli nëpër to. Diçka po i thosha mikut tim, Taipit, për emblemat dhe poezinë dhe ai po më tregonte për përpjekjet e shqiptarëve këtu, mes tyre dhe ai, për luftën e Kosovës, sa bashkë u bëmë dhe paslufta sikur na largoi nëpër punërat tona, kur duhej të ndodhte e kundërta. Se gjithmonë është stina e flamujve të dashurisë. Ne jemi liria e botës dhe Atdheu është kudo që jemi. Të besojmë dhe të qendrojmë… Nga ty varet ose nga yjet…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok