Leçitja e “kryeplakut të katundit”!
Shkruan: Florim Zeqa
Leçitje apo bojkot të brendshëm politik kemi pasur që nga shfaqja e pluralizmit politik, e vazhduar gjatë dhe pas luftës në Kosovë, kur eksponent të caktuar politik e bojkotonin votimin e zgjedhjes së presidentit në parlament, i bojkotonin seancat e Kuvendit dhe pamundësonin funksionimin normal të shtetit në përgjithësi.
Leçitja i ka rendet dhe kushtet e veta
Kohëve të fundit në fjalorin e politikanëve ka filluar të permendet edhe Kanuni si mjet ligjor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Kjo ka ardhur si pasojë e paaftësisë qeverisëse dhe mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë.
Sipas rregullave të Kanunit shumçka do të funksiononte më mirë sesa po funksionon në dy shtetet shqiptare me rend ligjor dhe demokratik. Një katandisje kaq e madhe morale e shoqërisë shqiptare nuk ka ndodhur prej shekujsh në trojet shqiptare.
Në të kaluarën e largët ka qenë e rregulluar me Kanun që Katundi ka të drejt me e leçit ndonjë shtëpi apo anëtarë të asaj familje për vepra të pamira dhe padëgjueshmëri ngaj rregullave të Katundit.
Siq dihet leçitja i ka rendet dhe kushtet e veta.
Me Kanun është e ndaluar, të leçiturit nuk guxon askush me i folë, as me i dhanë, as me i marrë dhe as me i shkue në shtëpi, as me të ardhë në shtëpi, sepse atij Katundi ja ka marrë nderin dhe lihet krejt pas dore nga banorët e fshatit.
Sipas Kanunit, keqbërësin katundi kanë të drejt me e leçit, por jo edhe me nxjerr prej katundit. Leçitja i bëhet dikujt që punon krye n’veti dhe e tradhton Katundin. Mirëpo nuk leçitet vetëm keqbërësi por leçitet edhe ai që rrin dhe bashkëpunon me të.
Leçitja e Kurtit “t’madh” në katundin e vogël
E quajta katund të vogël Kosovën, ngase e tillë është në raport me shtetet e mëdha dhe demokratike, ku një qytet mesatar i një shteti evropian është më i madh me numër të banorëve sesa që ka aktualisht Kosova.
Leçitja apo bojkotimi i kryeministrit të Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare është rasti i parë dhe unikat në historinë më të re të Kosovës dhe jo vetëm, kur një liderë shtetëror të ndëshkohet kaq rëndë për kryeneqësinë e tij politike!
Kjo leçitje e Albin Kurtit bëhet akoma më e rënd për Kosovën dhe qytetarët e saj, të cilët aspironin, që në Janarin e vitit 2024 të lëviznin lirshëm pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian, për shkak se kjo leçitje nuk po bëhet vetëm ndaj individit (Albin Kurtit) dhe familjes së tij (LVV-së), por po i bëhet krejt “katundit” të vogël (Kosovës)!
Në katundin e vogël të quajtur Kosovë, përveq nga ndërkombëtaret, Albin Kurti po leçitet me (pa) Kanun edhe nga banorët e fshatit (partitë opozitare në parlament), të cilët e kanë ndërprerë bashkëpunimin dhe të gjitha format e komunikimit me Albinin dhe familjen e tij (LVV-në)
Pasojat e kësaj leçitje do të jenë të mëdha dhe shumëdimensionale për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarët e saj. Ngase më askush nuk e di si dhe kur do të përfundojë kjo leçitje e Kosovës nga ndërkombëtarët.
Me pasojat e kësaj leçitje do të mirren edhe qeveritë pasuese dhe atë për një kohë relativisht të gjatë, siq po merret kjo qeveri me pasojat e gabimeve dhe lëshimëve të qeverive paraprake.
Leçitja e “kryeplakut të katundit”, në këtë rast e kryeministrit të vendit nga bashkësia ndërkombëtare nuk i bën nder asnjë qytetari të vendit dhe asnjë partie politike në Kosovë. Kurse leçitja e kryeministrit Albin Kurti nga partitë opozitare për kauza pushteti nuk e ndihmon daljen e Kosovës nga kriza e thellë politike, përkundrazi e vështirëson akoma më shumë ecjen përpara të Kosovës dhe jetën e qytetarëve në veçanti.