LDK pas Rugovës
Nga Milazim Zeqiraj
Pas ndarjes nga jeta të Presidentit historik, Ibrahim Rugova, më 21 janar 2006, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duhej ta ruante unitetin, frymën dhe vizionin rugovian. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi.
Kryetarët pasues, z. Fatmir Sejdiu dhe z. Isa Mustafa, drejtimin e partisë e morën me zhurmë. Gjatë udhëheqjes së tyre u krijuan përçarje të brendshme dhe ndarje që e dëmtuan rëndë LDK-në.
Në vend të forcimit të unitetit dhe vazhdimit të filozofisë politike të Rugovës, ata në strukturat e larta të partisë instaluan individë pa karrierë politike në LDK. Prurjet e reja filluan të dominojnë në parti dhe krijuan grupacione për interesa personale, duke e harruar vizionin politik dhe reformën. Grupacionet e dobësuan partinë dhe kohezionin e saj. Përçarjet në Kryesi ndikuan negativisht edhe të anëtarësia.
Një ndikim jo të mirë patën edhe koalicionet qeverisëse, të cilat, për një pjesë të anëtarësisë, nuk ishin në përputhje me orientimin tradicional të LDK-së. Gjatë këtyre qeverisjeve, LDK tregoi një standard të lartë në udhëheqjen e shtetit.
Përkundër gjithë kësaj, partia u sulmua nga grupe brenda saj, por edhe nga kundërshtarët politikë, duke iu atribuar përgjegjësi për çështje si Asociacioni i komunave me shumicë serbe, demarkacioni me Malin e Zi dhe korrupsioni. Nga këto akuza, LDK-ja kurrë nuk arriti ta bindte opinionin publik, i cili, sipas saj, ishte manipuluar nga e majta.
Këto akuza nuk ishin përgjegjësi reale e partisë, megjithatë ato ndikuan në opinion, sepse në publik nuk u sqarua asnjëherë në mënyrë të plotë roli i LDK-së në krijimin e Asociacionit dhe në procesin e demarkacionit me Malin e Zi.
LDK dhe koalicionet qeverisëse
Në qeveritë e koalicionit, puna e LDK-së u vlerësua nga opinioni si konstruktive dhe në të mirë të vendit.
Në të gjitha rastet kur LDK ishte në koalicion, partnerët ndërmorën mocione kundër qeverisë, duke i injoruar marrëveshjet e arritura me LDK-në, ndërsa ajo ishte korrekte ndaj marrëveshjeve dhe angazhimeve të marra.
Gjatë kësaj periudhe, kundërshtarët politikë, duke parë kundërshtitë brenda LDK-së, ushtruan presion politik, e në raste të caktuara edhe dhunë ndaj Kryeministrit dhe institucioneve të Kosovës, me qëllim dobësimin e partisë dhe përçarjen e elektoratit të saj.
Thellimi i krizës në LDK
Kriza në LDK u thellua veçanërisht gjatë qeverisjes me LVV-në. Sipas shumë të dhënave, kriza në qeveri nuk buronte nga qeverisja, por filloi kur Kryeministri z. Albin Kurti e shkarkoi z. Agim Veliun.
Kriza u thellua edhe më shumë kur administrata amerikane e kërcënoi Kosovën me tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Kosova.
Këto ishin arsyet që LDK të dilte nga qeverisja me LVV-në. Ky koalicion zgjati vetëm rreth 50 ditë. Sipas shumë anëtarëve të LDK-së, ky ishte një nga momentet më të vështira në historinë e partisë, por vendimi u mor për të mirën e vendit.
Më pas u krijua Qeveria Hoti, ku disa deputetë të LDK-së ishin kundër këtij koalicioni me AAK-në.
Kjo qeveri punoi mirë, por ra pasi një deputet, vota e të cilit kishte qenë vendimtare për formimin e saj, u shpall se nuk ishte certifikuar në përputhje me rregullat.
Ndarja e madhe e LDK-së
LDK veproi për të mirën e vendit, por u ndëshkua nga një pjesë e anëtarësisë së vet.
Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, LDK përjetoi një ndarje të madhe politike, ku një pjesë e figurave të larta të saj u larguan dhe më vonë u rreshtuan në kampin politik të LVV-së, duke u bërë krah i kundërshtarit dhe kritikut të ashpër të Presidentit Rugova dhe të LDK-së.
Dorëheqja e z. Isa Mustafa
LDK, në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021, u ndëshkua rëndë nga elektorati i vet dhe partia pësoi një rënie prej 12%. Atë e votuan rreth 111.000 anëtarë mbështetës besnikë të LDK.
Pas rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare, z. Isa Mustafa dha dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së. Dorëheqja e tij krijoi një standard të ri politik brenda partisë: Një akt moral dhe demokratik kur kryetari merr përgjegjësi dhe largohet nga detyra. Kjo u pa si një akt i përgjegjësisë politike dhe një praktikë demokratike.
Pas dorëheqjes së tij, në krye të LDK-së u zgjodh z. Lumir Abdixhiku. Zgjedhja e tij riktheu shpresën të një pjesë e elektoratit, pasi ai premtoi reforma të thella, një qasje të re politike dhe deklaroi: se, në rast të një rezultati të dobët zgjedhor, si kryetari do të japë dorëheqje.
Të gjitha këto krijuan një frymë pozitive në anëtarësi
dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2021, LDK-ja arriti një rezultat dukshëm më të mirë, duke krijuar përshtypjen se partia kishte rifituar energjinë dhe besimin e një pjese të qytetarëve.
Në vitin 2021, LDK-ja gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e znj. Vjosa Osmani Presidente e Republikës së Kosovës, bartëse e listës zgjedhore të LVV-së.
Znj. Vjosa Osmani, deri në zgjedhjet e vitit 2021, ishte anëtare e Kryesisë së LDK-së, kandidate për kryeministre në zgjedhjet e vitit 2019, kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruese e detyrës së Presidentes pas dorëheqjes së z. Hashim Thaçi. Të gjitha këto funksione i kishte ushtruar si anëtare e LDK-së dhe në fund, pa hezitim, me votat e LDK-së u zgjodh Presidente e vendit, me kusht që ta zbatonte Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Opozita nën udhëheqjen e z. Abdixhiku
LDK-ja ndërtoi një opozitë aktive dhe prezantoi platformën politike për qeverisje me sloganin “Rruga e Re”.
Megjithatë, sipas kritikëve brenda partisë, reformat e premtuara nuk u realizuan në masën e pritur. Ata, në emër të reformës, i margjinalizuan ose i larguan nga strukturat drejtuese shumë anëtarë të brezit të parë të LDK-së, të cilët kishin kontribuar në themelimin dhe ndërtimin e saj, me arsyetimin se partia duhej bërë më atraktive për brezin e ri.
Pas një opozite të mirë, LDK në tri palë zgjedhje nuk arriti rezultatin e pritur.
Pytja e anëtarësisë ishte ku qëndron gabimi ?
Partia me udhëheqjen e re solli optimizëm dhe një rritje të përkohshme të besimit. Debati mbi reformimin e partisë dhe rikthimin e plotë të parimeve rugoviane mbeti i hapur. Në tri palë zgjedhje radhazi nuk u arrit rezultati i pritur.
Disa kritikë rezultatet e dobëta zgjedhore në zgjedhjet e fundit i lidhin edhe me koalicionet e mëparshme me PAN-in dhe me LVV-në. Sipas tyre, këto koalicione e kishin dëmtuar identitetin politik dhe bazën tradicionale të LDK-së.
Në të njëjtën kohë, krizën e tanishme e lidhin me faktin se një grup preferon koalicion me PDK-në, ndërsa grupi tjetër preferon koalicion me LVV-në. Këto mendime konsiderohen të pabazuara.
Në këto momente, LVV-ja nuk ka nevojë për koalicion për krijimin e pushtetit, andaj këtu nuk shihet forca e LDK-së në krijimin e qeverisë.
Sa i përket institucionit të Presidentit, mendoj se partia ka forcë, por me kusht që kandidati të jetë nga LDK-ja, për të mos e lënduar anëtarësinë.
Arsyeja e thirrjes së Kuvendit të LDK-së për shkarkimin e kryetarit
Pas humbjeve të fundit, mungesës së analizës zgjedhore dhe mungesës së reflektimit nga kryetari, delegatët, nën presionin e anëtarësisë, u detyruan të siguronin numrin e nevojshëm të nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm për shkarkimin e kryetarit.
Pas përfundimit të procedurave statutore të partisë, z. Lumir Abdixhiku e thirri Kuvendin për datën 30 korrik 2026.
Për anëtarësinë e gjerë të LDK-së, më e rëndësishme sesa shkarkimi ose mosshkarkimi i kryetarit Lumir Abdixhiku është ruajtja e unitetit të partisë dhe reflektimi pozitiv në anëtarësi.
Kryetari ka dhënë maksimumin e tij politik, por fakti mbetet se LDK-ja prej vitesh renditet si forca e tretë politike në vend. Prandaj, sfida kryesore nuk është vetëm ndryshimi i individëve në udhëheqje, por rikthimi i partisë rreth frymës rugoviane, e cila përfaqëson një nga vlerat themelore të shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.
