LDK-ja mes rënjes dhe ngritjes historike!
Politika është aftësia për të parashikuar atë që do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe të kesh aftësinë që më pas të shpjegosh pse nuk ndodhi. (Winston Churchill)
Shkruan: Florim Zeqa
Veprimtarët e viteve të ’90-ta nuk janë shpirta të robëruar
Ne veprimtarët e viteve të 90-ta, nuk e kemi të lehtë të pajtohemi me realitetin e pasluftës, e në veqanti të këtyre viteve të paspavarësisë. Ne, që nuk jemi mësuar t’i themi të zezës e bardhë, nuk mund t’i themi as sot, as nesër dhe asnjëherë.
Ata që më njohin nga aktiviteti politik i viteve të 90-ta e kanë më lehtë të më kuptojnë, ndërsa të tjerët që më njohin vetëm përmes shkrimeve, besoj se kanë arritur mjaftueshëm të më kuptojnë për angazhimin tim indirekt politik në shërbim të popullit dhe vendit të shenjt.
Përkrahja ime e vazhdueshme ndaj LDK-së, nuk ka qenë përkrahje ndaj një lideri të cakuar, nuk është sot dhe nuk do të jetë as në të ardhmen, sikurse që edhe kritikat nuk janë personale dhe nuk kanë të bëjnë kundër një individi të caktuar, por kundër një orjentimeve të gabuara politike.
Pas shkuarjes në amshim të liderit historik, Ibrahim Rugova, LDK-ja nuk guxon të personifikohet me liderin partisë, për arsye se personaliteti i Rugovës është i pazavendësueshëm dhe i paarritshëm së paku edhe për njëqind vjetët e ardhshme.
Kritikat e “buta” ndaj LDK-së, nuk janë personale dhe nuk kanë të bëjnë me individ të caktuar, dhe as për rrënimin e askujt, por me përmirësimin e imazhit të LDK-së-të vetmës shpresë reale për ndryshime pozitive në vendin tonë.
Ata, që më njohin mirë nga aktiviteti politik i viteve të 90-ta, përgajtë viteve të krenarisë kombëtare, e dijnë mirë se nuk jam njeri i posteve dhe privilegjeve, po të isha i tillë do të isha përkrah atyre që sot mbështesin kaolicinin aktual qeverisës.
Në kohën e antarësimit tim, për më tepër se një parti, LDK-ja ishte levizje gjithëpopullore për çlirim nga pushtuesi, parti shtetndërtuese dhe shtetformuese e shqiptarëve të Kosovës.
Veprimtarët e viteve të 90-ta, nuk janë shpirtëra të robëruar nga grupet e interesit, por janë shpirtëra të lirë, janë forca vërtetë e filozofisë politike rugoviane dhe atdhetarë të devotshëm të çështjes kombëtare.
Veprimtarët e viteve të ’90-ta shprehin lirshëm pakënaqësinë e vet kundër atyre që deri dje e kishin gojën plot akuza për vrasje politike, krim të organizuar e korrupsion, vjedhje, mashtrim në drejtim të rivalit politik, që deri dje thoshin, koalicioni me këtë apo atë parti është i pamundshëm dhe i papranueshëm, ndërsa për interesa personale përqafoheshin pikërisht me kapësit e shtetit!
Jo grupeve të interesit në LDK
Ekziston një rregull e pashkruar në “ligjet” e universit; “nëse nuk mësohet nga gabimet e së kaluarës, ato përseriten prapë”. Nisur nga kjo, po na del se më së paku të ketë mësuar LDK-ja.
Andaj bazuar nga përvojat e deritanishme, LDK-së nuk i duhet kthimi prapa, por ecja përpara, nuk i duhet përseritja e 2006-s e ndarjes fatkeqe (kuvendi i karrigëve), sikurse që nuk i duhet ndarje tjetër fatkeqe siq ishte ajo e vitit 2021.
Elektorati rugovian i LDK-së, në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim nuk guxon të bëjë hapa prapa, nuk guxon të bëjë “eksperimente” të reja me elemente të vjetëruara, kur në radhët e saja ka plot kuadro të reja, të përgaditura mirë, me gjak dhe frymë të pastër rugoviane që janë të zotët të bëjnë ndryshime epokale në parti.
LDK-ja nuk është pronë private e askujt, por është vlerë dhe pasuri kombëtare e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Andaj “rebelimi” i qindramijëra votuesve besnik për mbrojtjen e vlerave rugoviane në këtë parti është po aq i arsyeshëm dhe me vlerë sa vet ekzistenca e shtetit.