22/12/2024

LARGIMI I PRINCIT NGA PALLATI, TURP KOMBËTAR!

0
Princi-Leka

Foto: Princi Leka me vajzën Geraldina (pas ndarjes nga ish-bashkëshortja)

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Ideologjia fashizoide-komuniste, me sundimin e egër e brutal, ka shkatërruar jo vetëm historinë dhe traditat kombëtare, por edhe mendjen dhe shpirtin shqiptar. Duke marrë shkas nga një inskenim, tashmë, i dokumentuar edhe me video, kur një “nuse princeshë”, hakërrohet dhe gërrithë, si macë e egër, bashkë me babain Gjergjin, Princin shqiptar, me një urtësi dhe edukatë supreme mbretërore. Dhe, kjo ndodhë pas tej tri dekadave demokraci!

Gjithçka është përgaditur keq, vrazhdët dhe dobët, për arritjen e dy qëllimeve, sa të poshtra, aq edhe kriminale:

1) Elia, me familje ka planifikua zhvatjen e pasurisë mbretërore;

2) Zyrtarët social-komunistë kanë projektuar damkosjen morale të Mbretit Zog dhe të Familjes                       Mbretërore në Shqipëri, deri në mosekzistencë!

Ish-kryeministri Fatos Nano, edhe pse kishte bazë familjare komuniste, ishte mendje-kthjelltë se komunizmi, me aventurierin filosllav Enver Hoxha, ka qenë tragjedi e madhe për popullin shqiptar të Shqipërisë, në veçanti, dhe Shqiptarinë në përgjithësi. Qeveria Nano, duke shpërfillur denigrimet dhe shpifjet monstrume, për Mbretin e Shqiptarëve, Ahmet Zogu, mori vendimin për rehabilitimin dhe trajtimin e Familjes Mbretërore, duke ia kthyer edhe një pjesë të pronave, në mes tyre edhe Pallatin Mbretëror. Këtë akt të mençur e fisnik e mirëpritën shumësia absolute e shqiptarëve të përbotshëm. Përjashtim bëjnë këlyshëria llumhane enveriste-staliniste, të ideologjisë ruso-sllave, në disa qarqe në Shqipëri dhe Kosovë.

Vite më parë, kur Princ Leka ishte këshilltar i ministrit të Jashtëm, Basha, me bashkëshortën time, Hatmanen, e takuam dhe biseduam gjatë. Atë ditë takova edhe dy njerëz të mirë, njëri nga Malësia e Gjakovës, Tropojë, tjetri nga Podguri, ambasadorët e suksesshëm, Flamur Gashi dhe Islam Lauka, tani pedagogë universitarë.

Takimi me Princin Leka nuk ishte thjeshtë kureshtje. Kam jetuar dekadat në Shqipëri, kam takuar refugjatët nga trojet shqiptare, jashtë Shqipërisë londineze, të emigruar atje në kohën e Mbretërisë. Ata qenë sistemuar nga Qeveria Shqiptare, nga Shkodra deri në Fier. Në kushte konfidencialiteti, në vitet

`70-a, kur isha student dhe gazetar, më kanë folur për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, që u kishte bërë administrata mbretërore dhe personalisht nga Mbreti Zog.

Shqiptarë të vrarë dhe të përzënë nga trojet e tyre në Kosovë dhe gjetkë, tokën e konfiskuar dhe të lënë kolonëve serbë e malazezë, nga Mbretëria Serbe, refugjonin në Shqipërinë e Vjetër, Londineze. Mbi bazën e tapive të tokave, që kishin pasur në Kosovë, Mbretëria u jipte aq hektarë tokë në Shqipëri. Një shembull konkret: Gjyshi i Arben Gashit, deputet i LDK-së, ishte një nga refugjatët familjar të asaj kohe. Dhe, Qeveria komuniste ua sekuestroi komplet tokat e dhuruara nga Mbretëria. Pas kthimit në Kosovë, pas LDB, pushteti komunist jugosllav, jo vetëm nuk ua ktheu tokën e konfiskuar, por i detyroi të largohen dy komuna larg Istogut, ku jetojnë edhe sot. Babait, Xhemajl Gashit, për organizimin e demonstratave të vitit 1968, së bashku me Zymber Nezirin, Ramadan Blakaj, me shokë, u përjashtua përjetësisht nga mësimdhënia

Prandaj takova, qëllimshëm, Princin Leka, i shpreha mirënjohjen për përkujdesjen e gjyshit të tij, Ahmet Zogu, për trajtimin njerëzor e dinjitoz të refugjatëve nga trevat shqiptare, të mbetura jashtë Shqipërisë. Sepse ky falenderim i mbetur peng në gjallje të tyre, për shkak të terrorit komunist, nëse dikush guxonte ta përmendte, për të mirë Mbretin Zog, e pësonte me vuajtje burgjeve politike të pambarim.

Përkundër takimeve publike, nga frika e gabimeve në gjuhë, në bisedën private, Princi Leka flet shpengueshëm dhe rrjedhshëm gjuhën shqipe. I qetë, me një edukatë sipërore, modest, me logjikë të shëndoshë. I vetëdijshëm për vendin që zë Familja Mbretërore sot, pa pretendime të veçanta, i integruar në shoqëri dhe i punësuar në vendin e duhur, gëzonte simpatinë e merituar.

I lindur dhe i rritur në mërgimin e detyruar, nuk arriti të kuptojë se komunizmi “ka krijuar njeriun e ri”, sa më larg traditës dhe fisnikërisë. Një nënë, si Elia Zaharia, bie në rolin e nënës kriminele, për interesa të pasurimit personal e familjar, shkatërron të ardhmen, jetën e vajzës të saj. Sepse një video, e inçizuar mençurisht nga Princi, flet mjaftueshëm, për një “nuse”, e cytur nga familja e saj, kërkon konflikt, deri në skandal, për ta përzënë ish-bashkëshortin, Princin Leka nga Pallati i trashëguar mbretëror. Pra, qëllimi është që familja Zaharia të përfitojë dhunshëm e falsifikueshëm pasuri marramendëse! Një shtet ligjor, zaptuesit e dhunshëm të Pallatit, do t`i nxirrte që andej, me akuzën bazike dhunë ndaj Princit dhe sajim i raportit mjekësor nga agresorja Elia.

Shembull: Një djalë Kosove, emigrant në Shqipëri, i martuar me një vajzë vendore, u lindi një vajzë. Ai u burgos, u dënua, pas burgut u internua, me punë të detyruar në fermen Çermë të Lushnjes. Kur po largohej nga Shqipëria, ish-nusja ishte martuar, por organet zyrtare nuk i dhanë asnjë adresë. “Amanet, gjeje vajzën time dhe foli se ka një babë”,- më tha ai, i përlotur për vajzën e paparë. Unë humba lirinë, u burgosa, ende pa e kryer amanetin. Dhe, pas shumë viteve, me vështirësi dhe rrezik të një burgu të tretë, në fshehtësi të madhe, e takova vajzën e ish-emigrantit nga Kosova.

Vajza, tashmë, ishte martuar, nënë e dy fëmijëve. Rrëfimi i saj ishte trishtë dhe i përlotshëm: “Nëna më ka folur gjithmonë keq dhe me urrejtje për babin. Si fëmijë, e besoja nënën. Mbarova shkollën e mesme, takova dike që e kishte njohur tim at. Më foli për vuajtjet e babit në burg dhe internim. “Ishte njeri i mirë”,-më tha ai. Por nuk u mjaftova me kaq. Nga folësi i parë, mësova një adresë të dytë. Edhe ai më foli bindshëm dhe fajësoi nënën time pse unë u rrita pa baba.

Tashmë, kisha punë me nënën time. E ndodhur para fakteve, ajo pranoi se “babai yt nuk ishte aq i keq, sa të kam folur unë. Por, këtë e bëra të jesh fort e lidhur me thjeshtrin tënd, burrin tim të dytë”. Që atëherë, nuk kam as ndjesi dhe as dashuri për nënën time, sepse e konsideroj fajtore për vuajtjet fizike dhe shpirtërore të babait tim”,- përfundoi rrëfimin e dhimbshëm, për babën, i cili u vra në Luftën e Kosovës, më 1999. Edhe Elia Zaharia, me sjelljen e saj përçudnuese, së bashku me prindërit e saj, zhvatës të pacipshëm, mund të përfundojë e braktisur, dikur, nga e bija, Geraldinë. Dëshmi vetëfolëse është video origjinale, që tashmë, është bërë virale, e përbotshme!

Pjesë e shpifjes kriminale, në adresë të Princit, janë bërë edhe një kolektiv i tërë “artistësh” jokurrizorë e korruptivë, me 144 nënshkrimet e tyre; gjykata e kapur, e cila merr vendimin skandaloz dhe skajshëm të poshtër: Nxjerrjen e Princit Leka nga Pallati i trashëguar Mbretëror!! Dhe, ky veprim është turp kombëtar. Pushtimi i Pallatit Mbretëror nga familja lakmiqare Zaharia, është përdhosje jo vetëm e Pallatit, por edhe e Mbretërisë shqiptare, si aset unik kombëtar.

Kujtoni thirrjen e shkrimtarit zulmëmadh, Ismail Kadare: “Shteti Shqiptar duhet ta respektojë, trajtojë e madhojë Mbretërinë Shqiptare, respektivisht, Familjen Mbretërore, sepse kjo është vlerë shtesë kombëtare dhe shumë e rëndësishme për Shqipërinë edhe në arenën ndërkombëtare”.

Kadareja e kishte – në derë të shtëpisë – Enver Hoxhën, por e dinte çfarë horri ishte. Andaj, apelon të harrohej ai dhe të madhohej Mbreti Zog, ashtu siç e meriton. Kombëtari Kadare respekton vlerat dhe fare nuk merakoset për kojshinë bandit. Një shembull i mirë, për të gjithë nostalgjikët lokalistë e hiçër.

Duke njohur nga afër zhurmën shurdhuese shpifëse, kundër Mbretit Zog, merakosesha për fatin në martesë të Princit Leka. Ai ishte shumë njerëzor, por krejt i vetmuar. Për gjysmë-shekulli kanë lehur Enver Hoxha me komunistët e tij. Një popull i helmuar me ideologjinë sllave. “Komunizmi është si bari i magarit, i lëshonë rrënjet thellë”,-thotë populli. Dhe, një martesë, mund të rastisë me lidhje të tërthortë apo të drejtëpërdrejtë, siç është rasti i kësaj martese fatkeqe.

– I dashur Princ, ju sugjeroj të marrësh nuse nga Kosova, sepse do të ishte një simbolikë e mirë,- i thashë unë. Princi buzagaz u gjegj: “Këtë propozim ma ka bërë edhe Presidenti Fatmir Sejdiu”.

Dëgjoje Profesor Sejdiun, sepse është burrë i mençur dhe i një familje fisnike,- i thashë unë.

Të dy orët bisedë me Princ Lekën, kaluan shpejt. Më dha edhe një numër telefoni. U ndamë me përshtypjet më të mira.

Përvijim biografik për Mbretin Zog

Familja Zogolli (Zogu) ka histori shekullore, respektivisht, nga shekulli 14-të. Me origjinë të hershme nga Bajza e Shkodrës. Një pinjoll i Familjes Zogolli rasti e dërgoi në fshatin Burgajet të Matit. Në bisedë me banorët e atjeshëm, u ankuan se janë në hall me pushtetin pushtues turk. “Po na i marrin vajzat, shtëpi për shtëpi, për seks me zyrtarët dhe ushtarët pushtues!”

Zogolli i ri, me burgajetasit vendorë, organizuan pritën mbrojtëse e sulmuese – njëherësh, duke i plumbosur manjakët turq, për të mos u dukur kurrë më në Burgajetë dhe mëtej në Mat. Burgajetasit e martuan Zogollin e ri me një vajzë nga fshati i tyre. Duke vlerësuar trimërinë e tij, e zgjodhën të parë në fshat dhe më vonë në krahinën e Matit. Parinë e krahinës e trashëguan ndër shekuj, deri në Mbretërinë Shqiptare.

Ahmet Zogu ishte 16 vjeçar, kur mori pjesë, përkrah babait të tij, Xhemajl Zogu, në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Me krijimin e Qeverisë Shqiptare në Lushnje, më 1920, Ahmet Zogu i kërkoi kryeministrit Sylejman Delvina postin e ministrit të Brendshëm. Lushnja moçalore, e bollshme me insekte, mushkonjat e shqetësonin malësorin matjan. Dhe, i thotë eprorit të tij:

– Sylejman bej, një qeveri që vuan nga pickimet e mushkonjave, pak hajr ka prej saj.

– Delvina: Çfarë të bëjmë, Ahmet bej?

– Zogu: Qeveria e ka vendin në Tiranë.

– Delvina: Esat Pasha pengon, kam frikë se shkaktohet konflikt i armatosur.

– Zogu: Unë jam ushtarak që nuk japë urdhra nga zyra, por prijë me pushkë në dorë.

Dhe, kryeministri Delvina u dorëzua.

Ministri Ahmet Zogu, me ushtarët e tij, shpartalloi forca bashibuzuke të Esat Pashës në Kavajë, Durrës dhe hyri në Tiranë, duke e shpallur Tiranën kryeqytet. Të mundurit ishin mbeturina turkoshake të Haxhi Qamilit, të cilët i kishin kallur flamujt kombëtar dhe selitë e hapura të Qeverisë të Ismail Qemalit, njësoj si disa “komandantë” të LPK-së, alias të PAN-it, hafije të Serbisë, që digjnin flamujt e Dardanisë të Ibrahim Rugovës.

Rusia me Stalinin e saj, donte një qendër komuniste në Ballkan dhe e pikëtoi Shqipërinë, si shteti më i brishtë. Klyshëria e Stalinit e organizoi të ashtuquajturin “Revolucion Demokratik”. Kreu i këtij “Revolucioni”, Fan Noli, pas këndelljes, duke pranuar fajin-krim, tashmë, të bërë, pendohet dhe u kërkon ndjesë shqiptarëve: “Revolucioni Demokratik nuk ishte as Revolucion dhe as Demokratik, ishte një puç dhe asgjë tjetër”.

Kjo i rrëzon pallavrat falsifikuese e shpifëse të lakeut jugosllav, rus, kinez Enver Hoxhës dhe të lehaqenëve “historianë” komunistë, të djeshëm dhe të sotëm, për Mbretin e Shqiptarëve, Ahmet Zogun. Kthimin e Zogut në pushtet nuk e bënë as rusët dhe as serbët, por e sollën Qendrat e Vendosjes të Evropës, me luftëtarët dhe pushkët e malësorëve dibranë, kuksianë dhe matjanë, për ta mbajtur Rusinë larg Ballkanit.

Komunistët janë këmbëngulës në poshtërsinë e tyre. Krimineli Stalin provoi më 1935, përmes disa oficerëve agjentë të Rusisë, të prirë nga Riza Cerova, hero i Enver Hoxhës, rrëzimin nga pushteti të Mbretit Zog. Gjykata e dënoi me varje dhe disa të tjerë me burg. Asim Vokshin, me disa kosovarë të tjerë, i fali Mbreti, duke i konsideruar – si të mashtruar -, “sepse ata nuk mund të jenë as me rusët dhe as me serbët, ngaqë i njohin të “bëma” e tyre kundra-shqiptare”.

Pas pushtimit italian të Shqipërisë, në vitet `40-a, personalitete si Faik Konica dhe Fan Noli, po konsultoheshin se kush mund ta udhëhiqte rezistencën kundër pushtuesit në Shqipëri? Ishin të një mendjeje se këtë mund ta bënte vetëm Mbreti Zog, tashmë, në mërgim. Por, shqiptarë nga Kominterni i Stalinit, në bashkëpunim me Serbinë, kishin piketuar të tjerë agjentë të tyre. Ishin kolonët serbë dhe malazezë të Pejës, të cilët në fshatin Vitomericë, e zgjodhën Enver Hoxhën të parë të komunistëve shqiptarë.

Zogu ishte politikan me pervojë. Ai e dinte se nuk ka të bëjë vetëm me pushtuesin italian, por edhe me Jugosllavinë dhe Rusinë, të cilët e njihnin kahjen e tij Perëndimore dhe anti-sllave. Prandaj, nuk mund të shkonte “si cjapi tek kasapi!”

Një seminar i organizuar nga historiani kanadezo-amerikan, në Durrës, i doktoruar në çështjen e Luftës së Dytë Botërore (LDB), me theks Shqipërinë, shtroi një pyetje të vetme: “Shqipëria a bëri luftë çlirimtare apo civile?” Rezultoi kjo e fundit. Komunistët e Enver Hoxhës, i kishin vrarë, si derra e egër, kundërshtarët politikë, nacionalistët, njësoj siç bënë edhe soji i tyre, PLK-ja në luftën e Kosovës, por edhe pas luftës!

Andaj, Shqipëria nuk gëzoi dëmshpërblimet e luftës, sepse nuk kishte asnjë betejë ballore me  pushtuesin. Ndërkohë historiani, organizator i seminarit, numëroi me dhjetëra beteja të partizanëve të Hoxhës, kundër nacionalistëve, respektivisht, “Ballit Kombëtar” dhe “Legalitetit”, partia e Mbretit. Dhe, kjo ishte përgjigje e mjaftueshme, se Shqipëria bëri luftë civile, qytetare ndër shqiptare. Për rrjedhojë, nuk përfitoi asgjë nga fondi i reparacioneve të luftës, rast i vetëm nga aleatët e Aleancës fitimtare.

Shqipëria u detyrua ta rishkruajë historinë e kohës së re dhe më të re, të sotme, duke e pastruar nga falsifikimet groteske të “historianëve” komunistë, për pesë dekada radhazi, përfshirë edhe figurën e Mbretit Zog. Të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Kosova, edhe pse disa “komandantë” të partive-banda të PAN-it, rezistojnë rishkrimin e historisë të falsifikuar në stilin enverist, siç është denigrimi i figurave historike shqiptare, të cilët bënë shumë për lirinë e Shqipërisë dhe të Kosovës. Horrakët falsifikatorë, janë ngulmues në përvetësimin e luftës së pabërë. Kanë shkruar edhe libra, por nga frika e ndëshkimit nga Gjykata e Hagës, tani po i mohojnë!

Sa të ideologjizuar me dogmën enveriste-staliniste janë disa “historianë”, madje jo vetëm ata, në Kosovë, për ilustrim, përmendim dy nga ata: Dr. Asdren Shala, nga Gjakova, në përballje me Prof.Dr. Nevila Nika, nga Tirana, (stërmbesa e Hoxha Kadri Prishtinës, kryetar i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës). Gjakovari ishte një kopje enveriste, në trajtimin e figurës të Mbretit Zog. Po t´i bëhej testimi këtij “biçim historiani”, do të përjashtohej nga procesi mësimor, si profan dhe falsifikator i vrazhdët i historisë. Në fund, zonja Nika porositi historianin gjakovar “për të lexuar më shumë!”

Rasti i dytë, në debat Profesori Nexhmedin Spahiu, në përballje me Dr. e historisë Hakif Bajrami, me temen shkrimi i historisë shqiptare në shekullin e fundit. Dopio komunisti, titist dhe enverist, Bajrami, lavdëroi për trajtimin korrekt të historisë të Luftës së Dytë Botërore. Akuzat shpifëse të Enver Hoxhës kundër Mbretit Zog, i aprovon, përfshi edhe vrasjet e disa kundërshtarëve të tij.

Realisht, vrasjet e disa figurave pozitive shqiptare, janë realizuar nga trekëndshi antishqiptar: Serbia, Franca dhe Greqia. Asnjë hetim dhe gjykim nuk ka gjetur fakte, për përzierjen e Mbretërisë Shqiptare në atentatet, që lakeu filosllav ia faturon asaj. Profesor Spahiu e quajti Dr. Hakifin “falsifikator të historisë të Kosovës, së bashku me bandën e historianëve falsifikatorë të historisë së Shqipërisë të Enver Hoxhës”.

Askush nuk i përmend tej 30 atentatet, e organizuara kundër Mbretit të Shqiptarëve, Ahmet Zogut. Reformat e bëra, shpronësimet e çifligarëve, bartja e mineraleve në Itali e gjetkë, ku shtroheshin dhe asfaltoheshin rrugët e Evropës, ndërkohë që infrastruktura rrugore në Shqipëri, ishte mjerane. Homeri shqiptar, At Gjergj Fishta, kur e pa bartjen shpërdoruese të pasurive shqiptare, nga agallarët, të zhveshur nga shqiptarizmi, do ta shprehte zemratën thekshëm: “Lë ta dijë bota mbarë, se Gjergj Fishta nuk asht ma shqiptar!”

Pra, nëse edhe këta bastardë janë shqiptarë, unë nuk dua të jem, e kishte menduar Fishta. Këte shprehje të dhimbjes, komunistët e Hoxhës, e keqpërdorën qëllimshëm, kinse, Fishta mohoi përkatësinë kombëtare. Dhe, urrejtjen ndaj tij e shpërfaqen turpshëm e kriminalisht, duke e zhvarrosur dhe tretjen pa gjurmë të eshtrave të tij. Zulmëmadhi Fishta është njëri nga 6.000 intelektualët shqiptarë pa varr!

Kur Ahmet Zogu filloi qeverisjen, Shqipërinë e gjeti hallakamë dhe nuk i vinte era shtet. Duhej guxim i madh për të bërë reforma dhe rend. Anarkia ishte kulmore. Karvanet me ngarkesa tregtare nga Prizreni në Shkodër dhe nga Dibra, (Ilirida), në Tiranë, grabiteshin, dhunshëm, nga cubat-banda të veriut. Ishte Pjetër Arbnori kur deklaroi në Parlamentin Shqiptar se “na ishte një Mbret, i cili me dy policë e bëri zap, (diciplinoi), të gjithë Malësinë (Veriun e Shqipërisë)!” Këtë të vërtetë, e pranoi edhe Parlamenti shqiptar.

Vetëvrasjen e Bajram Currit, ia faturuan Mbretit Zog! Madje, inkriminuan të gjithë fisin -Krasniqe-, pse togeri Kadri Mehmeti i fisit Krasniqe, ishte në krye të aksionit, për ndjekjen e bandave anti-qeveritare, rrjedhimisht, kundra-shtetërore. Realisht, Bajram Curri ishte një figure kombëtare, një luftëtar i Shqipërisë Etnike. Por ishte i mashtruar nga propaganda komuniste. Nga Malësia e Gjakovës, agjitonte për “hazreti Leninin”! E vërteta është se Lenini ishte një fashist teorik, i cili kërkonte bashkimin e shteteve me Sovjetët rusë. Ndërsa Stalini ishte fashist praktik, që bënte bashkimin nën pushtetin Sovjetëve, me dhunë e përgjakje, duke abuzuar me mujëshinë, forcën që kishte Rusia, e maskuar me internacionalizëm.

Është për keqardhje se edhe babai i tij, Shaqir Curri, u vra nga forcat e Lidhjes së Prizrenit, së bashku me Pashë Maxharrin, gjerman nga Magdeburgu, në Kullën e Avdullah Pashë Drenit në Gjakovë. Vetëvrasja e Bajram Curri ishte dhimbje kombëtare. Po të mbijetonte rrëmujës, përgjatë vendosjes të rendit dhe të qetësisë, Curri ynë do të falej, – si i mashtruar -, nga propaganda lehaqene staliniste, njësoj siç u falë oficeri Asim Vokshi, me kosovarët e tij, pjesë e këtij “biçim Revolucioni”. Mbreti Zog e ka vlerësuar shumë figurën e tij dhe e ka trajtuar dinjitetshëm familjen, duke i dhënë pension familjar. Edhe në kohën e pushtimit të Shqipërisë, familja e tij ka gëzuar pension.

Por, sjellja në pushtet e Enver Hoxhës, nga emisarët jugosllavë, Popoviq e Mugosha, Familjes Curri iu ndërpre pensioni. Dhëndri kosovar u dënua, si nacionalist, me 20 burg politik të rëndë. Vajza kishte një vajzë dhe jetonin në varfëri të skajshme. Në vitin 1970, Enver Hoxha bëri vizitën e parë dhe të vetme në Tropojë. Ai takoi dy pleqtë e Malësisë, bashkëluftëtarë të Bajram Currit: Ali Niman Doçin dhe Sali Mulosmanin. Ndonëse ishte takim “gju me gju”, i qajtën hallin e Familjes të Bajram Currit: “Mbretëria dhe pushtuesit i kanë dhanë pension familjes, por qeveria jote ja ndaloi. Ne, me gjithë hallet tona, po i dërgojmë në Shkodër ka pak bylmet, djathë të dhive”! Prej atëherë familja Curri gëzoi një ndihmë modeste sociale. Mbesa e vetme e Bajram Currit, pati një jetë të vrazhdët, me babën burgjeve dhe u shua herët kësaj bote.

 

Për afro gjysmë-shekulli është propaganduar se regjimi i Zogut e luftoi nusen e vejë të Azem Galicës, duke mos ia mundësuar shërimin e një plage të luftës. Është një trillim sa i vrazhdët, aq edhe i poshtër, sepse Shota jetonte në fshatin Derven afër Fushë-Krujës, me vëllezërit e saj, me tokë pjellore dhe bagëti të bollshme. Është përfolur, kinse, ky trajtim ka qenë hakmarrje, për planifikimin e atentatit të Azemit, kundër Mbretit Zog në Tiranë. Këto janë broçkulla.

Kam njohur familjen e Shotës, e cila ka gëzuar respekt, pa asnjë telashe me pushtetin e Mbretërisë. Rrahime Radisheva, mbesa e Shotës, njëherësh edhe kopje e Shotës në pamjen fizike, një drenicake e bëshme dhe e mençur, kishte vajzën e martuar ke Shaljanët e Lubozhdës të Istogut, refugjatë të vitit 1929, në Mamurras të Kurbinit. Ishte kjo lidhje që na afroi më shumë më familjen e Shotës.

Familja e Shotës e pësoi keq, nga regjimi i Hoxhës, kur në vitet `70-a filloi afrimi i shqiptaro-jugosllav, nismoi edhe goditja e familjeve kosovare, të cilat ishin shquar për rezistencë kundër pushtetit të vjetër dhe të ri të Serbisë. Një nip të Shotës, shofër, e larguan nga puna, filloi përgjimi nga Sigurimi dhe nga rreziku faktik i arrestimit, u arratis në Francë. Që atëherë, kjo familje u deklasua dhe – nuk pa asnjë ditë të bardhë-.

Mbreti Zog është akuzuar nga Hoxha dhe komunistët e tij, se i dërgoi refugjatët në toka moçalishte. Dhe, nga pickimet e mushkonjave, njerëzit shëndet lig, kryesisht, të moshuar, nuk i përballuan dhe disa syrësh e pësuan. Por, ku t´i vendoste administrata e Mbretërisë? Në malësitë e varfra, “ku hante pula gurë”,- siç shprehet populli. Vërtet, Mbretëria bëri zgjidhjen më të mirë të mundshme, duke i sistemuar refugjatët nga Fusha e Shkodrës e deri në Myzeqe, Lushnje dhe Fier. Ata zgjeruan hapësirat e tokave punuese, duke hapur kanale kulluese dhe hequr shkurret, shtuan krerët e bagëtive dhe, shumë syrësh, u pasuruan. Qeveria komuniste e Hoxhës, i akuzoi si të privilegjuarit e Mbretit Zog, i shpalli “kulak”, i deklasoi dhe i përndoqi tërë jetën, në pritje të burgjeve politike.

Mbreti Zog ishte ushtarak. Sistemin e drejtësisë e kishte të huazuar nga Franca, me ligjet e famshme të Napoleonit. Kuadri gjyqësor ishte i shkolluar në Universitetet e zëshme të Evropës. Kuadrot e tij nuk ishin si Policia e Shqipërisë dhe e Kosovës të sotme, duke i njoftuar, paraprakisht, kriminelët “ikni, se po vijmë për arrestim”, (natyrisht, nuk përgjithësojmë). Dhe, që nga 7 prilli 1939, me rënien e Mbretërisë Shqiptare, ka pushuar drejtësia në Shqipëri dhe kurrë më nuk ka arritur të vendoset drejtësi e mirëfilltë. Në Kosovën e pas luftës, janë bërë shumë qindra vrasje politike. Dhe, bandat e punësuara në polici dhe drejtësi, e kanë sabotuar arrestimin dhe dënimin e kriminelëve hajna e vrastarë.

Është shpifur pa doganë fare për Mbretin Zog. Është thënë e stërthënë se Mbreti i ka falur tokë Serbisë. Kurrë nuk ka ndodhur kjo. Dr. Valentina Duka, në studimin e saj serioz: “Historia e Shqipërisë 1912-1950”, një pjesë të madhe ia kushton Mbretërisë Shqiptare. Dr. Duka shkruan se kam hasur në Marrëveshje shtetërore dy palëshe, të bëra, fatale për Shqipërinë, por kurrë dhe në asnjë rast nuk kam parë të jenë zbatuar ato. Mbreti Zog ishte një diplomat i shkathtë dhe në kushtet e një shteti të dobët, në raport me shtetet tjera, detyrohej të manevronte, për të përfituar në kohë. Dhe, këtë e ka arritur me sukses. Epoka e revanshizmit të fashizmit, nuk ka dhënë as shans e mundësi për diplomaci, pavarësisht shkathtësive diplomatike. Thjeshtë, ka vendosur raporti i forcave.

Mbretëria Shqiptare dhe personalisht Mbreti Zog është konsideruara si Mbretëria më interesante e kohës. Prandaj ka zgjuar interesimin e studjuesëve, kronikanëve, ambasadorëve, konsujve, historianëve dhe të politikanëve të përbotshëm. Për Mbretin Zog dhe mbretërimin e tij, janë shkruar tej 300 libra, kryesisht, nga autor të huaj. Është konsideruar si Mbretëria më liberale ballkanike, me orientimin e qartë pro perëndimore, me një gërshetim harmonik të traditës

dhe modernes.

Ai, si askush tjetër, mirëkuptoi plagët fizike dhe shpirtërore të shqiptarëve, të mbetur jashtë shtetit shqiptar. Vrasjet dhe dëbimin e tyre, nga gjenocidi serbomadh. Andaj i lejoi të qarkullonin, fshehurazi, në vatrat e tyre lindake, “për të nxjerrë gjak”, por, vetëm kundër zullumqarëve dhe dorasëve serbë e malazezë, pa cenuar familjet e tyre. Në Shqipërinë hallakamë, me gjakmarrje dhe cubëri, grabitje e hajni, vuri rend e ligj. Ndër shqiptarët përmenden tri rendet shoqërore të kohës:

1) Qetësia në kohën e Mbretrisë;

2) Bollku në kohën e pushtimit të Italisë. Ndërkohë që në Itali kishte krizë buke, ushqimi, në Shqipëri e mbushi                     tregun, për t`u dëshmua si pushtues humanitar!

3) Periudha namkeqe e komunizmit – dajaku i partisë!

Shqiptarët e pranojnë se Ahmet Zogu e konsolidoi Shtetin Shqiptar. Realisht, Mbreti Zog është themelues i Shtetit Shqiptar. Sepse, nga Shpallja e Pavarësisë të Shqipërisë, më 1912, nga plaku i nderuar, Ismail Qemali, nuk kishte mbetur asgjë nga shtetësia shqiptare, sepse pushtimet e copëzuara nga fqinjët lakmiqarë, kishin rrënuar e fshirë elementet shtetare. Edhe pse këtë e dijnë ata që e kanë për detyrë ta ligjësojnë këtë të vërtetë sipërore, por, ende nuk po e bëjnë këtë. Hapi i parë, për ta njohur Mbretin Zog, themelues të Shtetit Shqiptar, është bërë me emërtesat e bëra Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, i përmasave botërore, i bërë nga Italia pushtuese.

Shqipëria ka traditë shtetërore. Ndarja emërtuese e Bulevardit në fjalë, është domëthënëse dhe e bërë nga njerëz të mençur dhe kombëtar. Në mes të Bulevardit, është Sheshi i Heroit kombëtar të Mesjetës, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu; në veri të Bulevardit, është Sheshi i Mbretit të Shqiptarëve, Zogu i Parë, themeluesi i Shtetit Shqiptar; dhe në jug të Bulevardit është Sheshi i Shenjëtorës Shqiptare Nëna Tereze. Tri sheshet e emërtuara, natyrshëm, janë shoqëruar me shtatore meritore.

Rrjedhimisht, pas Gjergjit tonë të Mesjetës dhe deri me sot, nuk ka pasur shtetar më meritor se sa Mbreti Zog. Dhe, logjika dikton se fotografia e Lartmadhërisë duhet të vendoset në Institucionet shtetërore. Për një vendim të tillë, duhet të mbizotërojë arsyeja faktike dhe mirëkuptimi shqiptar. Shqipëria ka pasur njerëz të shquar, atdhetarë të devotshëm dhe luftëtarë trima. Por, disa syrësh kanë pasur role episodike, afat-shkurtra, që nuk e arrijnë as për së afërmi Mbretin Zog, qoftë në kohë-zgjatje të veprimtarisë atdhetare, qoftë në cilësi unike.

Demokracia plurale në Shqipëri, ka korrigjuar dhe rishkruar historinë e kohës së re dhe të kohës të sotme, gjë që Kosova ende nuk e ka bërë “as lavrën e miut” në këtë fushë. Nuk ka arritur të gjejë kockat e 6.000 intelektualëve, të ekzekutuar me gjyq e pa gjyq dhe të lënë pa varr, nga diktatura satanike komuniste. Por, të paktën, emrat dhe e veprat e tyre i bëri publike. Dhe, kjo nuk është pak.

Kriza e stisur artificialisht, e paramenduar për qëllime të ulëta përfitimi material, jo vetëm nga ish-bashkëshortja e Pincit Leka, Elia, por edhe familja Zaharia dhe aktorë të tjetër korruptivë e mafiozë, me dijeninë dhe aprovimin edhe të klanit enverist, brenda partisë social-komuniste të Shqipërisë.

Shqiptarët e përbotshëm janë skajshëm të shqetësuar, për padrejtësinë unike, që i bëhet Princit Leka, duke kulmuar me nxjerrjen e dhunshme nga Pallati Mbretëror, nga shtëpia e tij e trashëguar ligjshëm. Sepse ky veprim është i pa paraprijës në kohë normale dhe, pa mëdyshje, një turp i madh kombëtar. Mos harroni edhe porosinë e artë të Kadaresë: “Shteti Shqiptar duhet ta respektojë, trajtojë e madhojë Familjen Mbretërore, sepse është vlerë shtesë kombëtare, por edhe simbolikë në arenën ndërkombëtare”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok