23/12/2024
Agron-Tufa

(Në mbrojtje të z. Agron Tufa)
Nga Thanas L. Gjika
Qëndrimi që mbajmë këto ditë ndaj kërkesës së Z. Agron Tufa, drejtor i “Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit”, për doreheqje nga detyra dhe kërkim të strehimit politik në Zvicër, tregon se cilës mendësi i përkasim.
Ata që e mbrojnë këtë intelektual të shquar dhe shkrimtar të talentuar ndaj sulmeve banditeske të shërbëtorëve të klanit Hoxha i përkasin shqiptarëve me mendësi demokratike të vërtetë (të kuptohemi jo të PD-së e cila nuk reagoi ndaj kësaj ngjarjeje). Kurse ata shqiptarë që shkruajnë e thonë se Agron Tufa është një ballist a fashist, si deputeti Spartak Braho me shokë, u perkasin njerëzve me mendësi të pandreqëshme komuniste, njerëzve me mendësi të kalbur, mendësi që kapitulloi me turp me shembjen e Murit të Berlinit më 1989 dhe fitoren e pluralizmit në Europën Lindore. Shërbëtorët e klanit Hoxha që luftojnë personalitete te shquar të demokracisë shqiptare si Agron Tufa dhe Visar Zhiti me shokë, janë sot po aq qesharakë dhe jashtë kohe sa dhe atëhere kur ngjireshisn duke bëritur se Shqipëria ishte feneri ndriçues i Marksizëm Leninizmit në Europë.
Të mos mbrosh sot jetën e kërcënuar të z. Tufa nga shërbëtorët e klanit Hoxha që përbëjnë shumicën e klasës sunduese të sotme, është një indiferencë e denueshme…
Krijimtaria dhe puna e tij e guximshme, si dhe akti i largimit për mbrojtjen e jetës së tij, të bashkëshortes e të pesë fëmijëve duhen përshëndetur prej çdo shqiptari të ndershëm. Vetëm duke dalë hapur në mbrojtje të tij sa më shumë shqiptarë, do të bëhen më të ndjeshëm dhe institucionet e politikës europiane se në Shqipëri sundon neokomunizmi.
Agron Tufa me veprat letrare dhe me aktivitetin e tij si drejtor i ISKK, e tregoi veten qytetar 24 karatsh. Ai punoi që të nxirrte në dritë dhe t’i dënonte krimet e diktaturës komuniste, si u bë në shumicën e vendeve të Europës Lindore. Mirëpo te ne, shërbëtorët besnike të klanit Hoxha, këta njerez pa moral, këta njerez që kanë lyer duart me gjak shqiptari të pafajshëm, iu turrën dhe ia bënë skëterrë jetën Agronit dhe familjes së tij. Zoti Brokaj e quan pa fakte intelektualin ndriçues Agron Tufa “person të padëshirueshëm, falsifikator, mashtrues, një pinjoll i kolaboracionistëve të dikurshëm… një person delenxhi, provokator, plagjiat, hajdut dhe një i arratisur tashmë turpshëm, i diskredituar para gjithë shqiptarëve.” Dhe i jep këshillë qeverisë: “ta shkrijë atë gjoja institut të drejtuar nga një person i papërgjegjshëm dhe të rishikojë shumë qëndrime në raport me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.”
Gjithë keto thënie dhe këshilla tregojnë se sa shumë u djegin të vërtetat që ka zbuluar ai institut dhe drejtori i tij, shërbëtorëve qorra të Enver Hoxhës. Si nuk e kupton z. Brokaj se të tilla intervista dhe fjalime mbaheshin në vitet 1945-1953 për të mashtruar shqiptarët se partia po e pastronte atdheun nga ata gjoja armiqtë e tradhëtarët, që nuk ishin tjetër veçse intelektualë properëndimorë dhe nacionalistë atdhetarë.
Zgjohu z. Brokaj dhe kupto se pa u dënuar krimet e diktaturës komuniste që montuat ju me komandantin legjendar, Shqipëria nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian. Ju, dhe të gjithë ata ish-komunistët dhe ish-sigurimsat që jeni sot në pushtet, nuk keni kuptuar ende se nuk kishit të drejtë morale të bënit pjesë në parlamentin pluralist gjoja si deputetë të partisë së re Partisë Socialiste. Ju duhej të ishit larguar nga gara politike se ishit pjesë e partisë që kapitulloi me turp. Ashtu si asnjë nazist nuk u lejua të merrte pjesë në parlamentin gjerman pas kapitullimit të nazizmit edhe ju nuk kishit të drejtë morale të merrnit pjesë si deputetë në parlamentin pluralist. Sunduat 47 vjet me dhunë dhe kapitulluat, tani keni 28 vjet që sundoni si pluralistë, si neokomunistë, por erdhi koha të shporreni nga skena politike, po ashtu me turp. Ata që e luftuan dhe e luftojnë z. Agron Tufa janë njerëz pa moral, kurse ata që e kanë mbrojtur dhe e mbrojnë, janë njerëz me mendesi demokratike të vërtetë.
Kryeministri Rama, i cili nuk u shpreh në mbrojtje të këtij intelektuali e zyrtari të lartë shtetëror të kërcënuar në mënyrë të vijueshme, tregoi se i ka ardhur koha të japë sa më parë dorëheqjen e parevokueshme. Vetëm ky akt i tij mund të ndihmojë për të shpëtuar Shqipëria nga banditët e kohës së diktaturës që vijojnë të jenë deputetë në parlamentin e sotëm pluralist…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok