23/04/2026

Lamtumirë Rexhep Qosja

0
Qosja-Zholi

Nga Albert Z. Zholi

Sot nuk është një ditë e zakonshme për kujtesën tonë kombëtare. Sot është dita kur fjala bëhet më e rëndë, heshtja më e thellë, dhe mirënjohja më e madhe se kurrë. Sot i japim lamtumirën një njeriu që nuk ishte thjesht një studiues, as vetëm një shkrimtar, por një institucion më vete, një ndërgjegje e gjallë e kombit shqiptar.

Jetove 89 vjet, por në të vërtetë, jeta jote nuk matet me vite. Ajo matet me veprën, me ndikimin, me gjurmën që le pas në mendjen dhe shpirtin e një populli të tërë. Dhe kjo gjurmë është e thellë, e pashlyeshme, e përjetshme.

Ishit drejtues i Institutit Albanologjik në një kohë kur dija dhe identiteti kërkonin mbrojtje dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Si shef i Degës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, ju formësuat breza të tërë studentësh, studiuesish dhe dashamirësish të gjuhës sonë. Si kryeredaktor i “Jeta e Re”, ju dhatë zë mendimit kritik dhe krijimtarisë letrare në një periudhë të rëndësishme të historisë sonë kulturore.

Por mbi të gjitha, ju ishit zëri. Zëri i shqipes së bukur, i shqipes së pastër, i shqipes që rridhte natyrshëm, me elegancë dhe thellësi. Për shumë prej nesh, ju ishit modeli se si duhet folur, si duhet menduar dhe si duhet dashur gjuha jonë. Veprat tuaja dramatike, si “Beselam, pse po më flijojnë”, “Sfinga e gjallë” dhe “Vdekja e një mbretëreshe”, të botuara më 1978 në përmbledhjen “Mite të zhveshura”, mbeten gurë themeli në letërsinë shqipe. Po ashtu, romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” është një nga veprat më të rëndësishme të prozës sonë moderne. “Porosia e madhe” mbetet kryevepër.

Për mua, ju ishit shkencëtari që fliste shqipen më bukur: rrjedhshëm, qartë, pa ndalesa dhe plot figura letrare. Nga takimet dhe intervistat tuaja kam mësuar sa e bukur, e thellë dhe e lashtë është gjuha shqipe.Nga intervistat dhe ligjëratat tuaja kemi mësuar jo vetëm për letërsinë, por për shpirtin e një kombi, për rrënjët tona të lashta dhe për përgjegjësinë që kemi ndaj tyre.

Në fushën e letërsisë, ju ishit ndër ata që e çuat dramën shqipe në një nivel tjetër. Bashkë me Teki Dervishi dhe Beqir Musliu, ju i dhatë asaj dimension filozofik dhe thellësi psikologjike, duke e bërë një pasqyrë të mendimit modern shqiptar. Veprat tuaja, si “Mite të zhveshura”, nuk janë thjesht krijime letrare, por reflektime të thella mbi njeriun, shoqërinë dhe fatin tonë historik.

Edhe në jetën publike, ju treguat një integritet të rrallë. Kur ju u propozua të merrnit drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju zgjodhët të qëndronit besnik ndaj parimeve tuaja, duke dëshmuar se udhëheqja nuk është vetëm pushtet, por mbi të gjitha përgjegjësi morale. Ju dinit të udhëhiqnit, por dinit edhe të tërhiqeshit, një virtyt i rrallë që vetëm njerëzit e mëdhenj e zotërojnë.

Për shumë prej nesh, ju ishit më shumë se një figurë publike. Ishit frymëzim. Ishët dëshmi se dijetari mund të jetë njëkohësisht edhe atdhetar, se fjala mund të jetë armë, por edhe urë, se kultura është themeli më i fortë i një kombi.

Ju i përkisni asaj plejade të rrallë të rilindësve modernë që nuk u lodhën kurrë së punuari për ta ngritur lart gjuhën, historinë dhe dinjitetin shqiptar. Në çdo fjalë tuajën, në çdo rresht që shkruat, ndjehej dashuria për këtë tokë dhe për këtë popull.

Sot, ndërsa ju japim lamtumirën, nuk po ndahemi nga ju. Sepse njerëz si ju nuk largohen kurrë. Ata jetojnë në librat që lënë pas, në mendjet që kanë ndriçuar dhe në zemrat që kanë prekur.

Prandaj kjo nuk është vetëm një lamtumirë. Është një premtim. Premtimi se do ta ruajmë dhe do ta çojmë përpara atë që ju ndërtuat me aq përkushtim. Se do ta duam dhe do ta mbrojmë gjuhën shqipe ashtu siç na mësuat ju. Intervistat e mia me Ju mbeten për mua leksione diturie dhe atdhetarie.

Lamtumirë, mjeshtër i fjalës.

Lamtumirë, mendje e ndritur.

Lamtumirë, atdhetar i paepur.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok