08/10/2024

Lamtumirë Liri Lubonja!

0

Nga Sonila Meço

Kjo është një foto ekskluzive e familjes Lubonja për programin tim Kontrata të marsit 2015.

Fatos Lubonja në prehrin e së ëmës Liri dhe vëllai Agim në prehrin e të atit Todi.

Për disa javë më është dashur t’i bëj vend në hapësirat e mia cerebrale dhe lëngun emotiv rrëfimeve të jashtëzakonshme e drithëruese, me një talent të rrallë shkrimtarije të zonjës Liri Lubonja.

T’ju them se është ndër rrëfyeset, shkrimtaret dhe mjeshtret më të nënvlerësuara të fjalës ngjan ende e mangët, sepse librat e saj janë domosdoshmëri leximi dhe visare letrare.

Historia e trishtë e një gruaje që në periudhën e regjimit komunist, nga gazetare e historiane në Institutin e Historisë për 17 vite jetoi në internim, me bashkëshortin e djalin në burg është vetëm sfondi i një mbijetese epike dhe rezistence të paimagjinueshme të një gruaje, nëne, gjysheje, intelektualeje.

Unë vendosa në program, që rrugëtimin e jetës së Tosit, ta përshkoja me rrëfimin e mamasë së tij në librin “Larg dhe mes njerëzve”, një galeri kujtimesh të gjalluara nga një mendje e kthjellët dhe frazë e kulluar. Jam përlotur, jam mbledhur kruspull, jam revoltuar, kam kapërcyer vakte prej angushtisë në stomak, e kam përqafuar së largu, e kam thirrur, i jam falënderuar si grua gruas, si nënë nënës për shkundjen e fortë që më shkaktoi ai libër. Pamjet që e vetëdijshmja dhe pavetëdishmja do t’ju krijojnë nëpërmjet përftimit të rrëfimit të Liri Lubonjës janë një Oscar i sigurt i munguar.

Zonja Liri u shua dje në moshën 95 vjeçare, jetoi triumfet e një sistemi, rënien nga postet, plandosjen prej të njëjtit regjim, zgëqe dhe sërish lirinë pas maktheve 17 vjeçare; përjetoi burgosjen 15 vjeçare të bashkëshortit Todi për futje të ndikimeve dekadente në Festivalin e 11-të të Këngës, burgosjen e djalit për “agjitacion dhe propagandë” në burgun e Spaçit, ridënimin me 16 vite të tjera burgim, me akuzën si pjesëtar i një organizate kundër revolucionare, duke përjetuar ndërkohë e vetme me Agimin, djalin, ferrin e një jete në internim, vuajtjen e tre brezave, përfshi foshnje një muajshe, sepse nuk pranoi ndarjen prej të shoqit.

Në linkun e mëposhtën nga minutazhi 1:28:00 e në vijim gjeni pasazhet e një rrëfimi në vetë të parë, që nuk duhet humbur (u përpoqa gjatë ta kisha në program, por i mirkuptova nevojën e qëndrimit larg kameras). Inskenuam një pjesë rrëfimi dhe sot, në shuarjen kësaj bote të Liri Lubonjës, po e postoj (në youtube gjenden edhe pjesët e tjera të programit) si një monument të çdokohshëm kujtese.

Dhe kompensim të një vendi, që nuk iu dha shkrimtares Liri as në liri, një gruaje që e kaluara nuk e mbajti peng, që dëshmoi kohën që jetoi në disa libra të vyer duke bërë një udhëtim tragjik drejt kuptimit të vetes e duke na e bërë të lehtë kësisoj të nxënin e raportit me të shkuarën. Edhe si proces vetjak, edhe si proces shoqëror.

T’lehtë fluturimin e shpirtit Liri Lubonja!

https://www.facebook.com/sonilamecoA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok