23/12/2024

Lamtumirë këngë e krenarisë, Rizah Izbica!

0
Rizah-Izbica

Nga Hazir MEHMETI

Kënga buron nga shpirti, e pastër, e shkruar me ngjyrat e natyrës, ngjyrat e jetës. Ajo këndohet vetëm nga ata që e kuptojnë këtë, jo të gjithë.  Dardania ishte gjithmonë e tillë, e bukur me dragoi e zana mali, heronjtë e legjendave, legjendare e legjendarë.      Vepra e tyre nuk e la të pushon lahuta asnjëherë moteve shqiptare. Zaten, Dardania ishte dhe mbeti vend i dragonjve, vend i zanave të malit, vend i partiturave jetë legjendash, vend i këngëtareve e këngëtarëve që nuk vdesin.

A nuk  flasin shekujve Gurët në Morinë, legjendave shqiptare pranë oxhakut të kullave të qëndresës e lavdisë. Ato janë e mbetën frymëzim brezave në Dardaninë e Hasan Prishtinës, Azem e Shotë Galicës, Adem Jasharit e Hamzë Jasharit.   Po, cila zanë mali krahasohet me Shotë Galicën, me Xhevë Lladrovcin! Po cili dragua krahasohet me Azem Bejtën e Adem Jasharin! Ku gjen tjetër, vetëm në zemrën e Dardanisë, në Dreninë e lashtë e të re.

Aty ku ka legjenda, ka legjendarë, aty ku ka legjendarë ka këngëtarë. Këto shkojnë së bashku në sofrën e lavdisë gjeneratave.   Dhe, ne kishim legjendare dhe këngëtarë, ne jemi të veçantë.

Sot u shua një tel, por u lind një këngë. Izbica e sakrificës, e dhembjes së madhe, sot u nda nga biri i saj Rizah Osmani, por jo nga kënga dhe kujtimi për Te.   Këngëtarët e Izbicës janë biografi në vete. Hasan e Rizah Izbica bënë dhe mbeten histori në artin folklorik shqiptar.  Kënga e tyre atdhetare ishte vigjilencë, respekt, ishte thirrje qëndrese.  Nuk ishte e lehtë kënga në robëri, ishte më shumë, ishte sakrificë për  ditën e re, për liri.  Kënga ishte e shpirtit, dhe shpirti s’mund të ndalet ani pse në robëri, kënga ishte e dënueshme, edhe shpirti i lirisë. Këtë e provuan Këngëtarët e Izbices, Hasan Osmani, Rizah Osmani, Ismet Osmani e shumë tjerë.          Kënga thërret këngën, Izbica ishte dhe mbetet shembulli më i mirë në Dardaninë e vjetër e të re.  Kur këndonin këngën e Azem Galicës, zëri shkonte larg, larg përtej fushave e maleve. Ajo fluturonte ashtu siç fluturonte heroi i këngës dhe armiku dridhej, helmohej, çartej, donte ta mbyste këngën. Po, ku mbytej kënga ore vëlla, ku burgosej shpirti mori motër! Hasani e Riza edhe në çeli këndonin, edhe në qeli lindte liria.

Ai që i këndonte dëshmorëve dje, ai sot këndohet dëshmor i kombit.  Ai që mbillte pavdekësinë dje, sot u bë i pavdekshëm. Dëshmori i Kombit Ismet Osmani kështu e kishte gatuar shpirtin e tij jetës me të atin dhe axhën e tij në kulla e llogore. I mençuri sërish kujton: kënga  dhe gjaku bashkë në rrugën e lavdisë.   Izbica e dhembjes së madhe, e kujtesës kombëtare me njëqind e dyzetë e tre lapidar.

Izbica e kthjelltësive të saj sot dëgjohet larg në kontinent me trion e saj bashkë me krenarinë shqiptare. Trio muzikore nga Izbica shpirtmadhe në auditorët e mëdha: Berlin, Vjenë, Paris..

Rizah Osmani i qetë shikonte të vëllain, porosinë e tij, shikonte nipin dhe ia kriste këngës së jetës deri në qiell ku sot  pushon i qetë.

Lamtumirë këngëtari i krenarisë, Rizah Osmani!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok