Lamtumirë Ismet Bellova!
Nga Ilir Çumani
Komentatori më unik i sportit shqiptar Ismet Bellova e dha frymën e fundit. Me zërin, pasionin dhe gjuhën e veçantë të komentatorit sportiv, ai la pas jo vetëm emocione, por edhe gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar, në kujtesën kolektive të sportdashësve.
Për dekada me radhë, ndeshjet nuk ishin thjesht lojë për ata që e dëgjonin timbrikën e veçantë të Bellovës. Ato shndërroheshin në rrëfim, në dramë sportive, në art të fjalës së thënë me ndjenjë dhe kulturë. Ai nuk komentonte vetëm rezultatin; ai lexonte shpirtin e lojës, emocionin e tribunave, frymën e fushave të blerta anembanë Shqipërisë dhe jashtë vendit. Përmes tij, futbolli merrte zë njerëzor dhe dimension kombëtar.
Të mëdhenjtë nuk harrohen. Ashtu si zëri i tij nuk u shua kurrë në kujtesën e atyre që u rritën duke e dëgjuar. Edhe sot, kur kohët ndryshojnë dhe ritmi i sportit bëhet gjithnjë e më i shpejtë, figura e Ismet Bellovës mbetet pikë reference — simbol profesionalizmi, përkushtimi dhe dashurie të sinqertë për sportin.
Ai e shkroi bukur, me fjalë të zgjedhura dhe me gërma të arta, një epokë që tashmë mban emrin e tij: një epokë belloviane, ku komentimi nuk ishte zhurmë, por kulturë qytetarie; jo thjesht pasion, por përgjegjësi publike.
Largimi i tij nga jeta është një humbje e madhe e Historisë futbollistike shqiptare, por trashëgimia që la pas është një pasuri që nuk venitet. Ismet Bellova do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë sonë sportive dhe e kujtesës shpirtërore të Shqipërisë.
Prehu në paqen e merituar, Mjeshtër i Madh.
Tiranë, e diel – 21 dhjetor 2025
