23/12/2024

LAKURIQI NATËS DHE I DITËS

0
Kalosh-Celiku

NGA KALOSH ҪELIKU

Katundi e ka një të mirë të përjetshme natyrore: e di Lakuriqin e natës dhe Lakuriqin e ditës. Që të dy, janë namqorra. Që të dy, shohin vetëm natën. E, asnjëri ditën. Fatkeqësia, edhe: që të dy, përplasen në mes të ditës kokë më kokë mbi urë si ato dy dhitë kryeneqe te ai rrëfimi artistik në Abetare. Mjerë ti, nëse je nisur në rrugë për në “Baba Tomor”, dhe takohesh ballë për ballë me këta dy lakuriqë nate të shekullit. Fitorja, me viktima të pafajshme dhe shkatërrimin e shtetit historik shqiptar.

Serbia i përsëritë provokimet politike – luftarake me shekuj, mos i përmend ato të hershmet para Luftës Dytë Botërore. Dëshmi historike: demonstrat e 1968 -ës në disa qytete shqiptar në ish Jugosllavi, ato të studentëve të 1981 -it, në Prishtinë, 1997 -ta, në Shqipëri, viti 1998/99 në Kosovë, 2001 -ta në IRJ Maqedoni. Tashti, kohën e fundit, edhe 2023 -ta, në Shqipëri dhe Kosovë. Personazhet, ose “patrioti  vonuar”, si të doni thoni ju lexuesit e këtij shkrimi publicistik, janë të njëjtit “patriotë kuqezi”: Mic Sokola, që e “rrokin” topin për fyti. Rasti fundit, përkeqsimi i gjendjes politike në Mitrovicën e Veriut mes Kosovës dhe Serbisë. Persona të papërgjegjshëm dhe të arratisur si pilitikanë pa tru në kokë, nxisin me deklaratat e tyre pakrye një luftë të re, mes Kosovës dhe Serbisë. Ende, pa e marrë veten Republika e Kosovës nga Lufta e kaluar shqiptaro-serbe në vitin 1998-1999 -të. Viktimat e pafajshme dhe personat e pagjetur edhe sotekësaj dite, ende pa varre. Luftë, që nuk e trembë as Patriotin e Vonuar dhe të arratisur partive politike shqiptare dhe “maqedonase”. Që, deri Dje deklaroheshte shkrimtar “maqedonas” me  poste politike dhe vende pune të “vëllazërim-bashkimit”, e Sot kërkon “Shqipëri Etnike” si publicist “shqiptar”: “Nuk është gjithaq e frikshme ushtria serbe në kufi me Kosovën, as bandat serbe që e destabilizojnë veriun e saj, sa të trishton mendësia e ‘mendimtarëve’ shqiptarë që nuk e kanë kuptuar se shteti të takon vetëm për aq sa je i gatshëm ta mbrosh atë, e të cilët pyesin: çka nëse na sulmon Serbia e neve nuk na mbrojnë perëndimorët?” Deklaratë, trusakate. Në vend, që në këtë gjendje luftënxitëse, kur zjarr na digjet mbi krye, të kërkojë durim si Ibrahim Rugova, dialog dhe paqe. E, jo luftë?!

E çuditshme, ë?! Shqiptarët, tridhjetë vite me radhë merren me shkatërrimin e atij gjysmështeti Shqipërinë, që e krijuan me shumë përpjekje dhe mund Rilindasët shqiptar. Nuk e kam fjalën në këtë shkrim parashikues për “Rilindasët” e sotshëm shqiptar. As, për demokratët e përçarë të Sali Berishës “nongrata” me dy-tri parti politike pa kokë. E, çka krijuan lakuriqët e natës, dhe të ditës: Kombin “Kosovar”?! Kosovën republikë?! Vëllavrasjen?!

Serbët, moti me zor na i kanë dhënë këto të drejta kombëtare qytetare në ish Jogosllavi. Kosova, vërtetë ishte Krahinë Autonome, por i kishte të drejtat e barabarta të një republike Jugosllave. Institucione politike, arsimore dhe kulturore. Polici të veten shqiptare. Shkolla dhe Universitete. Serbi, asaj kohe si kusht: që, të punësohet në institucionet shtetërore të Kosovës, patjetër duheshte ta njoh edhe gjuhën shqipe. Në atë kohë (komunizëm), nuk i kemi dashur ato shpërblime dhe dhurata të “vëllazërim – bashkimit”, i kemi refuzuar si popull. Shkaku, se: kemi qenë një gjuhë, një komb shqiptar. Vërtetë, me shekuj i ndarë me kufinj politik, por i bashkuar me flamurin e Skënderbeut. Gjuhën shqipe, kulturën dhe letërsinë.

Moti serbët na kanë lutur që ta pranojmë “kombin” kosovar, e ata të na shpallin republikë nën Jugosllavi, të themi publikisht, se: nuk kemi asgjë të përbashkët me ata shqiptarët matanë kufirit politik, vëllezërit e Shqipërisë. Dhe, ja përçudi: e pranuam vetë në mënyrë vullnetare “kombin” kosovar pas Luftës së fundit të Kosovës (1999), Kosovën e shpallëm republikë. Edhe, flamurin e kaltërt të “kombit” kosovar. Vallë, a nuk është mjaftë më për shqiptarët me provokime dhe luftëra për liri dhe dy-tri Shtete shqiptar?! Ende, ky popull duhet të përgjaket më shumë nga vetëvetja, sesa nga armiqtë historik shekullor?!

Faji nuk është te Lakuriqi i natës dhe Lakuriqi i ditës. Po, te populli shqiptar. Patjetër, duhet të vetëdijsohet një ditë ky popull me shekuj në robëri. Nuk ka nevojë, i madh e i vogël të dali të protestojë dhe kënaqet me brohoritje, flamuj partiak, pankarta dhe parulla partiake në rrugë. Nateditë, kërkojë liri, japë viktima, burra, gra dhe fëmijë, shkatërrojë pasurinë e Atdheun, që është krijuar me djersë e gjak. Përmëkeq, zgjasë jetën për pushtet Lakuriqit të natës dhe Lakuriqit të ditës. E ka vetë në dorë armën vendimprurëse të luftës për Liri. Votën e lirë demokratike për Ditën e Nesërme: zgjedhjet vendore dhe parlamentare. Edhe, e vendosë fatin e vet njëherë e përgjithmonë si popull demokratik shqiptar në një shtet. Shqipërisë, i duhet një gjak i ri t’i qarkullojë nëpër damarë! Politikanë parashikues për Ditën e Nesërme. Fuqi e re demokratike. Gjaku, që i qarkullon sot nëpër trup, është gjak komunist.

Edhe pse, rrëzë Kalasë së kaçakëve të Zajazit, ende vonohet Pranvera. Nuk këndojnë lirshëm zogjtë, nuk fluturojnë dallëndyshet, nuk kanë ardhë ende lejlekët. E, në anën tjetër, patriotët e vonuar anë e mbanë Atdheut, ende nuk zbresin dot nga bina para fushatave parazgjedhore. Sheshi. Pushteti. Rrëzë kalasë, përpara Muzeut të Luftës ende vazhdojnë t’i skuqin sheshet me flamuj kuqezi. Këngë patetike patriotike. E shpalosin programin e tyre zgjedhor përpara zgjedhjeve parlamentare me premtime. Radhiten njëri pas tjetrit me kravata kuqezi në rendin e parë, secili më trim se shoku, fotografohen para kamerave televizive, përcjellin “selfije” në Facebook dhe Instagram…. Ndizen, tym e zjarr… Flakë, nxjerrin nga goja. Koburet, i nxjerrin nga brezi… E vrasin shkaun… Ndërtojnë, shkolla, Universitete, rrugë… Fabrika… Ujësjellës… Salla sportive… Varre… Përmendore… E bëjnë “Shqypni Etnike”… Ndonjëri, shkoi edhe më larg: gjatë një fushate parazgjedhore në një katund të Kërçovës, u tha me plotë gojën të pranishmëve në shkollë:

– Ne do t’ju ndërtojmë rrugë me korridore evropjane… Ujësjellës… Xhami me katër minare… Salla sportive… Edhe shkolla moderne…

– Po, ne: nuk kemi fëmijë? U dëgjua zëri i një fshatari, diku nga fundi i sallës.

– Edhe fëmijë do t’ju bëjmë ne, burrat e Partisë.

– Hi – hii – hiii… Qeshën, disa të rinj kopila me flamuj partiak në dorë.

Dhe, vërtetë në qytetin e Kalosh Zajazit – Kaçakut të maleve, çdo katër vite para fushatave parazgjedhore vendore dhe parlamnetar e bënin Shqypni Etnike. Edhe, nëpër katundet dhe qytetet e Shqipërisë me kufinj politik. Majë plepave dhe shtëpive nëpër katunde valonte flamuri kuqezi. Jehonin këngët patriotike me çifteli, dajre e lodra:

Vjen Valiu, or pi Manastëiri:

Ju Zajazaz, bre , ku më jini?

N’Karbunëicë, more, pusëi kini!

Sefer Kaçakun ju çaush e kini

Kadri Dangën bylykbash më kini.

More, Sefer, bre, musteçeverdhë

Shkruj nji letër, more, ta çojmë n’sher

T’na çojnë xhephane, t’na çojnë fishekë

Se me komita, jalla, liftojmë vetë!

More komit, bre, i bugarit

A i njef trëimat e Zajazit?

T’apin plumjin, jalla, permes ballit!

Mor komita, bre, komita të rëi,

S’ kini pa ju, shyptar me sëy,

Ta majnë houtën, jalla, drejt në sëy!

E, në realitet: vendlindja e Kaçakut të maleve – Kalosh Zajazit, binte e zgjoheshte nga gjumi me Robërinë mbi kokë. Liria nuk e donte këtë vend të ashpër malor. Çerdhe kaçakësh brez pas brezi: Emin Xhambazi (krahu djathtë i Dervish Carës), Sadin Selmani, Sulltanë Qafa, Sefer Zajazi, Sulë Jetimi, Xha Nefruz Çeliku, Osman Gjini… Që, nëpër shekuj nuk arriti dot ta bëj zap, ta fusë nën zgjedhë as Mbreti, e as Krajli. Nëpër shekuj kishte bërë kryngritje maleve, nga një luftë e kishte nisë për çdo vjet, herë me Krajl, e herë me  Mbret.

Xha Nefruz Çeliku, fillkat vetë në malet e Garanës, në Çelvjollcë kishte bërë luftë flakë më fkakë me bullgarin, e kishte vënë vetë me gur kufirin në mes Bullgarisë dhe “Shqipnisë Madhe”. Burri i fuqishëm, dhe trim pas fitores duke u kthyer në fshat, rrugës me dorë për fyti e kishte mbytyr edhe një ujk, që i kishte dalë përpara në pusi. Sulltanë Qafa, që me gërshërë të dhenëve, te shkallët ia vrau tre vetë Mikales së Brodit, për t’i dalë zot pragut të Shtëpisë. Katundit të nemur nga Sulltani e Krajli mes atyre maleve me borё verё e dimёr.

Dhe, sot: ne, jetojmë ende me dasma, fushata zgjedhore, dhe “fitore” partiake me emrat dhe luftërat e atyre burrave të pushkës e penës. Trimëritë, që ende i mbanim gjallë nëpër këngë, e në të vërtetë: ende, nuk ua kishim bërë as varret. E të mos flasim ndonjë rruge, ose shkolle t’ua vënim emrat e tyre. E ku më në mes të katundit, ose qytetit t’u ngrisnim edhe përmendore. I thirrnim sa herë që ishim në rrezik, kur na duheshte vota e popullit, fuqia e tyre për luftë me protesta “demokratike paqësore”. Të nesërmen, posa i ulnim bythët nëpër kolltuqe në Qeverinë e “vëllazërim-bashkimit”, ministri e kabinete, ua harronim edhe emrat.

Përsëri, duheshte të kalojnë katër vjet, që ne: përsëri, t’i ngrejmë nga varret ata burra të pushkës e penës. Ne me këngë e çifteli, e ata me pushkë e penë gjatë fushatave parazgjedhore përpara popullit për ta dalldisur të na i japë votat me propagandë politike. Edhe nëpër libra me poezi patetike, opinione në gazeta e portale elketronike. Thirrje, para kamerave televizive: O burra, zgjohuni nga varret! Rrokni armët dhe Penën, se: na mbytën të gjallët!

Në fund, pasi i fitojnë zgjedhjet parlamentare, përsëri ia fusin gjumë dimëror të arushës. Argatë e hyzmeqarë, kokë më kokë në Qeveri… Lypës te “Ura e Gurit” mbi Vardar me torbën plotë taxhi, varë përqafe me një kordhë kanapi deri në fund të këmbëve.

Delengrënësit, i presin te mrizet e deleve, nën hijet e dardhave gorrice…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok