23/11/2024

Nga Edison Ypi

“250 Aventura nga Alice Taylor” është i vetmi libër Shqip i shkruar pa hile. Pa asnjë hile. Të vogël apo të madhe, të pranueshme apo të papranueshme.

Ky libër nuk është shkruar në kafene apo në restorant, me të dëgjuara, apo me thashetheme, apo me pëshpërima.

Ky libër është shkruar në terren, në skenën e madhe të Teatrit Shqipëri. Ku flladi freskon, era fryn, shiu lag, breshëri godet, njerzit shpesh rrihen rrallë pajtohen, daullja kërrcet, sofra shtrohet, mishi kafshohet, imambajalldia kullufitet, rakia pihet, muhabeti bërtitet në kupë të qiellit, ndonjëherë edhe pushka kërrcet.

Ky libër nuk ka në asnjë grimcë të tij asnjë subjektivizim, hamendje, apo trillim.

Ky libër parashtron fakte të përjetuara nga autorja në vetën e parë ku ngjarja ndodh ose përshtypjet krijohen. Por të shkruara me aq talent, përgjegjësi, seriozitet, rigorozitet, profesionalizëm, sa edhepse krejt i ndryshëm prej tyre, mund të barabitet vetëm me kryeveprat klasike.

Ky libër nuk është shkruar me paramendime të qëllimshme, synime të fshehura, nënkuptime të ngatërruara.

Ky libër është një libër i hapur, të cilit, kushdo që e lexon, mund t’i heqi apo t’i shtojë me lugën, thikën, apo pirunin e mendjes, gjithçka që e supozon të tepërt apo të mangët. Kur kjo ndodh, ky libër nuk ndryshon aspak.

Ky libër është një oqean, nga cilido breg i të cilit të kridhesh, megjithse përmbajtja ndryshon, do provosh gjithmonë po atë kënaqësi që ta jep përmbajtja e zgjedhur, po atë lehtësim që ta fal thurja mjeshtërore, do ndjesh po atë freski që ta dhuron stili i zhdërvjellët, po atë çlodhje që ta shkakton befasia, po atë emocion që ta jep rrjedhshmëria.

Ky Libër është një mrekulli që do ishte mëkat të mos e lexojë gjithkush që nuk është analfabet.

Ky libër, nuk është libër.

Ky libër është një “Bibël” që asnjë i huaj që dëshiron ta njohi sadopak Shqipërinë dhe shqiptarët, duhet të kujdeset të mos i mungojë në çantë, dhe shqiptarët e interesuar që të dinë sa të bukur dhe të larmishëm e kanë vendin e tyre, ta mbajnë nën jastk për tu konsultuar dhe qetësuar sa herë u del gjumi nga ëndërra të liga.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok