22/12/2024

KUVENDI I “TURPIT”

0
u1_Perparim-Hysi

(refleksion nga një pjesëmarrës)

Nga Përparim Hysi

Ky kuvend që unë në këtë shkrim e quaj i “Turpit”,  është mbajtur në LEZHË më 2 mars 1967. Në atë kohë,  u quajt KUVENDI i dytë i Lezhës, si moment historik ose sivëlla binjak me KUVENDIN HISTORIK TË LEZHËS më 2 mars 1444 të mbajtur nga SKËNDERBEU. Gjithmonë analogjitë dhe,  sidomos, ato historike, sado të përafruara kurrë nuk janë të gjashme dhe, sa për këtë që u quajt i dytë,  është shëmtim dhe një absurditet i vërtetë.

*    *   *

Unë kam qenë pjesëmarrës në këtë të”dytin” dhe askujt të mos i shkojë mendja se çfarë shkruaj tani,  i kam menduar dhe atëherë. Pa i rënë anës dhe pas anës, “Kuvendi i dytë i LEZHËS” u mbajt për t’i bërë jehonë”Fjalës “programatike” të 6 shkurtit 1967″. Plugu ideologjik i partisë, kalitur nga ZEUSI, pothuaj bëri qilizëm mbi kokat tona dhe u lëshua me anatema të”stuhishme” kundër fesë, kundër klerikëve të të gjitha besimeve dhe kundër të gjitha objekteve të kultit.Kishte një moblizim të përgjithshëm dhe LEZHA qe zgjedhur si qyteti ku do vritej çdo lloj besimi. LEZHA qe,  po të marrë hua një figurë letrare, “trupi anatomik” ku do demonstrohej “vrasja e besimeve” dhe, pasi bisturia e partisë,  do ta priste këtë trup,  do ta bënte copa-copa dhe  do ta hidhte tek lumi Drin që, nga aty ku mbahej “kuvendi” qe, pothuaj, disa çapa. Mobilizimi qe i tillë, sa gjithë të ardhurit  u vendosën në  shpatull të malit, kur shkon  në SHËNGJIN. Mu tek këmbët tona qe xhadja dhe, po të kapërceje xhaden, përfundoje mu tek ujërat e kënetës së Kunjës.Prapa shpatullave tona, qe KIsha Katolike e LEZHËS dhe ngjitur me të qe spitali. Jemi në vitin 1967 dhe spitali e kisha ishin në krahun e majtë, kur merrje rrugën për Shkodër. Me të gjitha mjetet e kohës (shumica me karroca dhe, mandej,  me “Zetora” e nga ndonjë kooperativë më e madhe, edhe me makinë. U vendosën aty, në”shpatull” të malit dhe, ndërsa pritej,  të vinin të”dërguarët  nga TIRANA”, se nuk mjaftohej me partiakët e pushtetarët vendas, filluan “parcela- parcela” të mbaheshin leksione si”për nxemje”. Unë qeshë një nga lektorët

dhe, pse e kam përjetuar të gjithë atë “atmosferë aq festive”,  sado që kanë kaluar plot 54-vjet, kurrë nuk e harroj se si u zhvillua ky”kuvend”.

*      *     *

Isha ushtar dhe detyrën që më kishin ngarkuar për të referuar kundër fesë,  e kisha marrë me aq seriozitet, sa e kisha marrë kur dhashë provimin e  marksizmit në shkollën e mesme. Citate nga klasikët, po se po,  por gjithmonë përparësi sh.Enver që e kish “pasuruar” marksizimin. Kontaktin  me auditorin e kisha të lehtë (kisha mbajtur “leksione”me nxënësit mbi  7-vjet) dhe, tek lexoja me nerv e pasion, kujtoja se bash unë midis lektorëve jo vetëm  do isha më i përgatituri, por dhe më i pëlqyeshmi dhe më i  pranueshëm. I ri në moshë dhe kot nuk thonë që” rrushi i papjekur nuk hahet”. Mbarova dhe, ndërsa prisja duartrokitje miratimi,  ndodhi ajo që thonë në VERI:-Ndalu beg, se ka hendek. Sa tentova të ulesha tek “parcela ime”, ndjej një zë:- A vet e ke gatit a ta ka thanë komisari? Nuk kish sfidë më të madhe se kaq. Tërë jetën jam një tip që kam nevojë për fre dhe jo për shtyrje. – Vet, vet, – nuk kam nevojë për komisar unë! Tjetri,  si punëterezi dhe krejt gjakftohtë më tha:- Ushtar apo çohesh një fije në kambë? Sado që nuk më pëlqeu fare ky sfidues, qe moshatar sa babai im dhe, desha nuk desha, u çova në këmbë. Njiashtu, – vazhdoi sfiduesi, – tesh dhe diç ushtar:- Hapi krahët! Unë zbatova komandën dhe, kur të gjithë po më shihnin krahëhapur në “kambë”, dëgjoi zërin  triumfues të sfiduesit:- Ke lindur”kryq”, ushtar!!! Dhe,  pa më lënë t’i ktheja përgjigje, po gjakftohtë foli:- Ushtar, – thuej komisarit, – kur nieri e prodhon farën e tokës, atëherë nuk  ka PERËNDI!!! Gati më mbuluan djersë të fothta dhe, sado që ky”sfiduesi” më la me provim në vjeshtë,  pyeta dikë:- More kush qe ky që më zuri”kryq”? Aha, – tha bashkëfolësi, – ky që të foli asht FRAT me shkollë të madhe dhe pasues i AT FISHTËS. Kur po i tregoja një oficeri nga Dibra seç  më gjeti, ai më tha:- A e din se si thami na,  në DIBËR? Vajti shyta për brina dhe la dhe veshtë në ta!!! E FRati që më zuri kryq kish bërë dhe burg dhe, siç mora vesh më vonë, paska qenë AT ZEF PLLUMI.

*      *      *

Dhe KUVENDI… Folën e folën, e dërmuan fenë,  betohen se besojnë tek partia e sh.Enver; u prishën fejesa dhe,  kur atmosfera po ndizej,  u proklamua telegrami për besnikëri  ndaj”Vëllait të madh” si tek”Ferma e kafshëve” të Oruellit, për të  kaluar nga fjalët në vepra,  një çetë mikste me të rinj e të reja,  me”primatët e partisë e pushtetit” në rreth mësyn drejt e tek vila e FRATIT të LEZHËS. Qe vila më e bukur në gjithë qytetin dhe për të thënë të vërtetën:qe e vetmja vilë e bukur dhe me një bahçe që të kënaqte synë kur e shihje. Vila me gjithë bahçe ishte në krahun e djathtë kur shkoje për SHKODËR, sa kaloje urën mbi DRIN. Falanga entuziaste e vuri FRATIN përpara(ah, që ia kam harruar emri) dhe si ushtartë e Atilës përdhosën të gjithë bahçenë.

Mbi vilë kryqi i madh dhe pikërisht ky kryq u vu në shenjë:

-Dom X… foli një nga  partiakët,  hiqe atë kryq!

-Jo,  mor, as më shkon në mend me e hjek!

-Ashtu?- përçudi partiaku.

JU, – urdhëroi dy të rinj, – merrni atë shkallë dhe hipni e hiqni atë kryq!

Dhe DOM X… vështronte, duke u dridhur,  masakrimin e madh dhe aq fyes. Të rinjtë e hoqën dhe që nga lartësia e vërvitën në tokë.

Dhe DOMI ( po më thoni,  ju lutem,  a ka brirë trimëria) tërë mllef foli:- A e hoqët a? E hoqët nga shtëpia jeme, por i thoni partisë:- Unë kryqin e kam çetu!!!!  Kur tha”çetu”, shenjoi zemrën! Ika nga ky kuvend sikur kisha bërë turp dhe”leksionet” që mora atë ditë kurrë nuk i harroj.

*      *    *

Që të nesërmen atë klerik aq të guximshëm e burgosën se sfidoi”Vëllan e madh” dhe mësimet e”lavdishme të tij”.Kurse atij “sfiduesit” tim ia vunë pranga pak muaj më vonë. Këtë”sfiduesin” tim e kam” takuar” përmes veprës”Rrno për me tregue” dhe, për t’ia “paguar disi leksionin me aq vlerë”,  shkrova për të një ese të gjatë qëkur qe gjallë, FRANCESKANI  i MADH AT ZEP PLLUMI.

Tiranë,  1 mars 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok