25/04/2024

KUSH PO I TREGON MJEKUT, AI NUK PO MË SHEH

0

Tregim humoristik
Nga Hamza Halabaku
Vishej me shije të hollë e elegancë. I natyrshëm, i thjeshtë e i sjellshëm! I kujdesshëm në të shprehur. Komunikativ e gaztor kudo që ishte.
Kur e njoha, ishte në moshën e thyer. Në familje ishte kreativ, por edhe jashtë saj ishte krijues i mrekullueshëm. Kur të jepej rasti të jesh bashkë me te në ndonjë rrugëtim, sado i gjatë që ishte rrugëtimi i përbashkët nuk ishte as i lodhshëm e as i mërzitshëm. Ishte i këndshëm e tërheqës kur bisedoje me te. Gjente tema interesante për të biseduar, ato që ishin aktuale i njihte shumë mirë, por edhe për ato të kohës së shkuar ishte i informuar.
Mësues në familje, mësues në rrugë e mësues në punë. Ligjërues i këndshëm që përherë ta kishte enda ti rrije afër e ta dëgjosh përsëri. Ishte gojartë e gojëmbël si i thonë ndryshe.
I luteshe Zotit që përherë të jesh afër tij e kur ndaheshe përherë ishe më i ditur se mësoje shumë nga biseda me te.
Kur kishte nisur të shoqërohej me pleqërinë, mjekët i kishin preferuar që të ruhej nga ushqimet, me që pas ekzaminimeve të hollësishme mjekësore, dyshonin për diagnozën me diabet.
Në fundjavën e tretë të asaj vjeshte, e tërë familja e kishin rrethuar tavolinën për shujtën e mëngjesit.
Rreth tavolinës që ishte vendosur në kuzhinë, në katin përdhes të shtëpisë, në rrugën “Ganimete Tërbeshi” të kryeqytetit ishin të gjithë anëtarët e familjes. Si kryefamiljar që ishte, gjithnjë ulej në krye të tavolinës. Atë ditë, para se të bënte lutjen e bukës, që për çdo shujtë kur ishte në shtëpi e bënte para fillimit të ngrënies, u kishte treguar një batutë pas të cilës të gjithë ata që ishin rreth tavolinës, kishin qeshur. Më i vogli i shtëpisë, kishte thënë se babi me batutat e tija përherë po na gëzon e po na e shton edhe oreksin!
Ajo ditë fundjave kishte kaluar për mrekulli. Secili ishte marrë me punët e veta. E zonja e shtëpisë kishte mbledhur ca kokrra molle e pemë të tjera që tani më ishin pjekur, trupat e të cilave i kishin mbjellë, disa vite më parë, bashkë me të shoqin, e tani frutat i hanin së bashku me fëmijët. Të afërmit e miqtë, asnjëherë nuk i lëshonin duarthatë!
Leka, çdo pasdite lexonte gazetën e ditës po, nuk e harronte as letërsinë. Lexonte romanet edhe poezinë që krijohej në vend. Letërsinë që krijohej në vend, por edhe andej kufirit ku flitej e shkruhej e njëjta gjuhë, e përcillte pareshtur. Nuk e harronte as atë globale. E donte shumë artin.
Fëmijët merreshin me studime dhe secili bënte përgatitjet për provimet e veta. Gjatë pasdites, edhe në fundjavë, të gjithë ishin së bashku në shtëpi, por secili bënte punën e vet. Askush, asnjëherë nuk kishte kohë për të humbur!
Një mbrëmje, para se të niste Ditari në Radio Televizionin e Prishtinës, që atë botë emitohej pikërisht në orën njëzetë, e kishte hapur derën e frigoriferit dhe e kishte nxjerr nga aty një enë të mbushur me ëmbëlsira. Ato ishin të llojeve të ndryshme. E kishte marrë një copë bakllave dhe e kishte futur në gojë. Drita, bashkëshortja e tij, po e vëzhgonte nga dhoma e ditës dhe për copën e parë nuk kishte folur asnjë fjalë. Pasi e kishte përtypur dhe e kishte gëlltit të parën copë bakllave, ishte menduar pak dhe e kishte marrë edhe të dytën!
– Uh, sa të mira po i bënë këto bakllavat, moj Drita, – kishte folur ai, me një zë të butë, dhe si me shumë oreks i kishte shikuar edhe pjesën tjetër të bakllavasë, të mbetur në enën që pak më parë e kishte nxjerrë nga frigoriferi.
– O sa të mirë e paske bërë, moj Drita, ke duar të arta, të lumtë! – kishte folur tani më me zë e duke shikuar në drejtim të bashkëshortes. Dhe, derisa po bëhej gati ta merrte edhe copën e dytë, Drita kishte reaguar shpejtë.
– Mos të lutem, e din çfarë të ka porositur mjeku, – tha ajo dhe po lëvizte drejtë tij.
– Hiqmu mjekut, moj e uruar! Po kush po i tregon atij. Tani më nuk po më sheh kush përveç teje.
Kishte pushuar pak pasi e kishte përtypur e gëlltitur copën e dytë të bakllavasë. Kishte mbushur një gotë ujë të freskët nga frigoriferi dhe e kishte pirë me fund
– Pse po e bën të madhe, moj Dritë?! Nuk më pa njeri përveç teje. Nuk do ti themi askujt! Po të lutem, edhe ti mos ia përmend as mjekut e askujt tjetër…!
I paske bërë të mira ëmbëlsirat prandaj…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok