23/12/2024

KUSH PO E DËSHIRON NDARJEN E KOSOVËS?

0
u1_Idriz-Zeqiraj

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Pakoja e presidentit Ahtisari, iu imponua Kosovës, në rrethanat e konsolidimit të shtetit të brishtë të Kosovës. Favoret për pakicat, ishin enorme, në raport me pakicat e shteteve të rajonit dhe më gjerë në kontinent. Të paktën, nuk është ngulmuar, që kjo të ndodhë edhe me pakicën shqiptare në Serbi, përkatësht, në  Kosovën Lindore, të cilën, paradoksalisht, e tkurrin, cinikisht, në “Lugina e Preshevës”, duke përjashtuar dy komunat tjera: Bujanovcin dhe Medvegjën.

Megjithatë, pranimi i kompetencave të papara, të panatyrshme, për pakicat, sidmos për serbët lokal, ishte një tregues se shqiptarët kanë parësinë absolute, në sjelljen fisnike me pakicat. Por, kjo u keqpërdorë nga Beogradi, i cili, me qëllim të destabilizimit, të Kosovës, të alarmimit të Qendrave të Vendosjes, se nuk ka jetë të përbashkët me shqiptarët, organizoi ngjarjet e mars-prillit 2004, nëpërmjet agjentëve të tyre në Kosovë.

Duke marrë shkas nga një ngjarje e trishtme, me mbytjen e tre fimijëve të Qabrës në Lumin Ibër, u organizuan protesta të dhunshme, të përgjakshme, kundër serbëve dhe kishave të tyre në Kosovë. Ishin veprime banditeske, të palogjikshme, larg çdo kodi shqiptar dhe norme njerëzore. Në krye të këtyre protestave, u vunë krerët  e organizatës të OVL të UÇK-së si dhe kryetarët e PDK-së dhe AAK-së të komunave.

Në mbrojtje të serbëve, ndërhynë forcat e sigurisë të UNMIK-ut dhe KFOR-it. U vranë një duzinë njerëzish, kryesisht, të rinj shqiptarë dhe të moshuar serbë, qindra të tjerë u plagosën dhe asnjë nga krerët organizatorë të protestave, nuk pësoi gjë. Shqiptarët u koritën, u turpëruan dhe u fikën, sepse me buxhetin e Kosovës, u ndërtuan shtëpitë dhe kishat serbe.

Ndërkohë, me kërkesën e Beogradit dhe aprovimin e ndërkombëtarëve, vuri në tavolinë tezën e decentralizimit të pushtetit të komunave, ku fituesit e parë ishin pakicat, përkatësisht, serbët lokalë. Nuk u ndalën me kaq. Kërkuan krijimin e Bashkësisë të Komunave, me shumicë serbe. Dhe, bënë 10 komuna, fshat e komunë! Dhe, që këtej u kalua në kërkesën ekstreme, Asociacionin, “Zajednicën”, siç e quajnë ata, me kompetenca ekzekutive.

Ishin, pikërisht, protestat e dhunshme të mars-prillit 2004, të cilat shërbyen si preteks që Serbia fitoi status të zonës së mbrojtur, për kishat dhe manastiret ortodokse. Kulmon Manastiri i Deçanit, i cili zgjeron diametrin e truallit kishtar për 12 hektarë, duke grabitur pronën shoqërore.

Është ky pëvehtësim arbitrar, i cili ka bllokuar punimet e autorrugës, e cila do të lidhte tri shtetet: Kosovë, duke u nisur nga Deçani, për të çarë bjeshkët, drejt Malit të Zi, Plavës, Gucisë, për të zbritur në Shqipëri, Valbonë dhe për të vazhduar tutje në Malësinë e Mbishkodrës, duke përfunduar në Adriatik.

Më 2013, Hashim Thaçi e nënshkroi marrëveshjen fatale, për Asociacionin me të drejta ekzekutive, madje, me praninë dhe garancinë ndërkombëtare! Ishte një nënshkrim konspirativ, pa e konsultuar asnjë institucion të vendit! Sikur nuk mjaftoi kjo, më 2015, e bëri nënshkrimin e dytë edhe Isa Mustafa, në cilësinë e kryeministrit!

Pra, nuk u gjykuan hafijet e Serbisë, që i “dhuruan” Kosovës Demarkacionin, decentralizimin të pushtetit komunal, për të ardhur ke Asociacioni! Dhe, nuk u dënuan as ata, që nënshkruan e vulosën këtë gjëmë, e cila po e rrezikon Kosovën, të kthehet në një shtet jo funksional, rakitik e dështak!

  1. Duke mos ndëshkuar argatët e Serbisë, të cilët e realizuan projektin e saj, për protestat vandale; duke mos dënuar konspiracionët e zyrtarëve, që nënshkruan Demarkacionin dhe Asociacionin.

I trimëruar nga veprimet paraprake dhe mosndëshkimi i autorëve, Hashim Thaçi, i shantazhuar nga Serbia, me dosjen e zezë kriminale, të luftës dhe të pas luftës, për krimet në Kosovë, kryesisht, kundër kundërshtarëve politikë, nis lobimin për shkëmbim territorësh, përkatësisht, të ndarjes të Kosovës!

Për të qenë i shpenguar, në veprimtarinë kriminale të tij, ai shfrytëzoi pazaret e pista, të kohës së luftës, me Qeverinë në Ekzil, duke zhvatur prej saj milionat, që kurrë nuk u përdorën për luftën!

Në gjallje të Presidentit Rugova, Hashim Thaçi u pengua të ngritet në karrierë. Sepse Dr. Rugova kishte informacion se ai flirtonte me Shërbimin Informativ francez, të cilin e ndërlidhte edhe me Serbinë. Dr. Rugova ka paralajmëruar, se “Hashimi nuk duhet lejuar të ngritet në pushtet, sepse është i rrezikshëm për Kosovën!” Kjo porosi në gjallje, mbeti si amanet, pas shkuarjes së Tij në amëshim. Por, bastardët e LDK-së, e shkelën amanetin e kryetarit Rugova.

Thaçi, me SHIK-un e tij, katapultoi në krye të LDK-së, njerëzit e tij. Koalicionet me LDK-në ishin formale. Realisht, ai e sundonte LDK-në, njësoj si partinë e tij, PDK-në. Edhe përzgjedhja e ministrave, nga radhët e LDK-së, bëhej me aprovimin paraprak të Hashimit.

Institucionet vitale, siç është Gjykata Kushtetuese dhe të gjithë aparatin e drejtësisë, i kishte “pronë” të tij. Kujtoni eksterritorin e Manastirit të Deçanit, i nëshkruar nga Thaçi dhe i aprovuar nga Gjykata Kushtetuese dhe, pastaj, Parlamenti! Ai kishte kapur, komplet, shtetin e Kosovës!

Nënshkrimet konspirative, për Demarkacionin, Asociacionin, janë veprime fatale të Hashimit dhe të ministrit e kryeministrit të LDK-së, të dirigjuar nga ai, pa përfillur fare strukturat e partisë apo institucionet shtetërore!

– V a z h d o n –

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok