Kush ishte heroi që kishte guxuar të përballej me përbindëshin?
Nga Prof. Blerim Latifi
Ky lajm gazete është i vitit 1938. Në të paraqitet vrasja e Arkanit të kohës së Kralit, Milič Kërstičit. Shkrimi më poshtë flet kontekstin e kësaj ngjarje.
Në të drejtën romake ekzistonte figura e “homo sacer”. Ajo përfshinte njerëzit e përjashtuar nga çdolloj e drejte e ligji. I dehumanizuar, i zhveshur nga çdo e drejtë, homo sacer-i mund të keqtrajtohej e vritej nga kushdo, pa pasur asnjë pasojë ligjore e morale.
Filozofi italian Giorgio Agamben ka punu shumë mbi këtë figurë, duke na dhënë disa nga shqyrtimet më të thella në filozofinë politike bashkëkohore. Tek hebreu i mbyllur në kampet naziste të shfarosjes, Agamben sheh mishërimin modern të homo sacer-it antik.
Gjatë kohës që nazizmi po hidhte hapat e parë drejt Holokaustit, në Ballkan një popull i tërë ishte kthyer në homo sacer. Ky popull ishin shqiptarët e Kosovës nën sundimin monarkist serb midis dy luftërave botërore.
Të zhveshur nga çdo e drejtë, ata ishin subjekte të të gjitha formave të dhunës shtetërore, dëbimit, shpronësimit, përdhunimit, torturës dhe vrasjes. Dhe jo vetëm regjimi, por edhe civilët serbë e gëzonin drejtë mbi homo sacer-in shqiptar.
Njeriu që e përfaqësonte në mënyrën më brutale këtë gjë ishte Milič Kërstiči, një komandant paramilitar serb, profili i të cilit na e kujton Arkanin e kohës së Millosheviqit.
Regjimi serb e përdorte Kërstičin për t’i terrorizuar shqiptarët përditë, në mënyrë që atyre t’u bëhej jeta e padurueshme dhe për pasojë ata të detyroheshin të iknin në Shqipëri apo Turqi. Dhe Kërstiçi do ta bënte me përkushtim këtë punë për shumë vjet. Ai nuk i zgjidhte viktimat e tij. Vriste gra e burra, të rinj e të moshuar, madje edhe fëmijë. I mjaftonte që ata të ishin shqiptarë, pra homo sacerë, njerëz të dehumanizuar, pa të drejta, pa mbrojtje ligjore.
Aq të tmerrshme ishin vrasjet e Kërstičit, saqë në imagjinatën popullore kishin filluar ta përfytyronin me terma mitikë. E quanin Divi i Zi, përbindësh që ushqehej me mish e gjak njeriu. Dhe në heshtje ëndërronin për ardhjen e një Shën Gjergji për ta vrarë këtë përbindësh. Dhe vërtet Shën Gjergji erdhi. Një ditë qershori të vitit 1938 lajmi mori mori dhenë: Miliç Kërstiçi ishte vrarë. Hakmarrja e pritur kaq gjatë nga nënat e fëmijëve të masakruar, kishte ndodhur.
Po kush ishte heroi që kishte guxuar të përballej me përbindëshin?
Një djalosh nga Istogu, të cilin Kërstiči e përdorte si rrogtar. E quanin Selman Kadria. Regjimi serb ishte tronditur. Kush ishte ky njer që kishte guxuar të shtinte mbi vojvodën e paprekshëm? Mijëra trupa do të mobilizoheshin për ta zënë Selmanin. U dha urdhëri që kushdo që e strehonte ose e ushqente, të pushkatohej në vend. Dhe, si në tragjeditë antike, heroi në fund bie në kurthin e ngritur nga tradhtia e një të afërmi. Të sakatosur për vdekje e dërgojnë në sheshin e Istogut për ta ekspozuar. E torturojnë mizorisht për t’ia nxjerrë emrat e atyre që i kishin dhënë bukë, por ai nuk flet. Dhe duke u rezistuar deri në fund torturave, jep shpirt. Si heroi skocez, William Wallace, skenën e torturimit të të cilit na e paraqet me një performancë të paharrueshme Mel Gibson në filmin “Braveheart”. Kërstiçi varroset me nderime shtetërore në oborrin e kishës serbe në Istog, ndërsa popat serbë e bekojnë arkivolin e tij. Siç kanë bërë me sa e sa krimenelë të tjerë serbë para e pas Kërstičit. Siç premtojnë të bëjnë edhe në të ardhmen.