04/12/2024

KUSH ËSHTË JOSEP BORRELL – PËR SHQIPTARËT?

0
u6_Borrell-Thaci

Nga Frank Shkreli

Shefi i ri i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, vizitoi ditët e fundit, Prishtinën dhe Beogradin, për herë të parë në detyrën e tij si kryediplomati i BE-së. Në këtë kapacitet, natyrisht, se ai do të merret me bisedimet, ose me të ashtuquajturin, “dialog” midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë.  Emërimi i tij nuk ishte aspak një lajm i mirë për Republikën e Kosovës dhe të shqiptarëve.  Në të vërtetë, Josep Borrell mund të jetë njeriu më i pa-përshtatëshëm në Evropë – pas presidentit të Republikës Çeke, Milosh Zeman – për të ndërmjetësuar cilën do gjë qoftë midis Prishtinës dhe Beogradit.

https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-nje-ze-nazi-fashist-e-anti-shqiptar-nga-qendra-e-evropes/

Me thënë të drejtën, më duket pak e çuditshme se si Parlamenti Evropian ka zgjedhur një person që është shprehur haptazi kundër pavarësisë së Kosovës dhe vjen nga një vend si Spanja e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, megjithëse shumica e vendeve të BE-së kanë bërë një gjë të tillë.  Duke e ditur se si i tillë, në detyrën e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrel do të ishte përgjegjës edhe për polititkën evropiane ndaj Ballkanit Perëndimor, përfshir Kosovën dhe Shqipërinë, e sidomos si përgjegjës kryesor për politikën dhe për bisedimet e udhëhequra nga Brukseli midis Serbisë dhe Kosovës, e që synojnë në “normalizimin” e marrëdhënieve midis tyre.

Pra, aktualisht, kemi Shefin e ri të diplomacisë evropiane, në personin e Z. Josep Borrell, — i cili personalisht është kundër pavarësisë së Kosovës, vjen nga një vend anëtare e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës — për të ndërmjetësuar bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, e cila jo vetëm që nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, por që e konsideron si pjesë të pandarë të saj.  A mund më thotë dikush, më i mençur se unë, se si do të zhvillohen bisedimet për normalizim midis Serbisë dhe Kosovës gjatë mandatit 5-vjeçar të Zotëri Josep Borrell, me besueshmërinë më minimale të nevojshme, sidomos nga Prishtina zyrtare?

Në “Curriculum vitae”, prej 17-faqesh, që i ka dorëzuar parlamentit evropian, para se të emërohej në detyrën e kryediplomatit të BE-së, Z. Borrell, shprehet se, “Jam dëshmitar okular i nevojës për të pasur një Evropë më të fortë, një Evropë e cila mbron vlerat evropiane anë e mbanë botës, përballë kërcënimeve që prekin të gjithë evropianët”, është shprehur ai.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Z. Borrell, kryesisht, fjalët i kishte të mira, ose të pakën, indiferente dhe nuk u shpreh haptas kundër pavarësisë së Kosovës, duke thënë se, “Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor, ndërsa shprehu gatishmërinë që të lehtësojë çdo dialog ndërmjet Kosovës e Serbisë”.  Unë nuk e dijë se si do të lehtësojë dialogun, në mënyrë të besueshme — një person i cili  në të kaluarën ka mbajtur një qëndrim të njohur kundër pavarësisë së Kosovës, një person i cili vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, për të ndërmjetësuar midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila jo vetëm që nuk njeh pavarësinë e Kosovës, por pretendon se Kosova është Serbi?!  Duket se Parlamenti Evropian nuk i ka llogaritur punët mirë kur zgjodhi Z. Borell si Shef të diplomacisë evropiane, duke i njohur mirë qendërimet e tija ndaj pavarësisë së Kosovës – që nuk përputhen me shumicën e vendeve të BE-së — por edhe duke ditur se marrëdhëniet Serbi- Kosovë janë gjithnjë ndër çështjet kryesore në Evropë, në mos çështja numër një e pazgjidhur.

Për rolin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe në rajon.  Megjithëse në takimin me Presidentin e Kosovës, Z. Thaçi, Z. Borrell tha se Bashkimi Evropian nuk është në garë me Shtetet e Bashkuara – duke përmendur takimet e fundit në Prishtinë dhe Beograd të ambasadorit amerikan në Berlin, Z Richard Grenell, si përfaqësues presidencial për bisedimet Kosovë-Serbi.  Por nga ana tjetër, ai nuk u durua pa kritikuar, ndoshta edhe duke u tallur, në mënyrë të tërthortë gjatë takimit me Z. Thaçi në Prishtinë, me “planet e shumta” dhe “për çdo gjë”, siç i cilësoi ai, të amerikanëve, anë e mbanë botës” — nga Lindja e Mesme e deri tek Kosova, sipas tij.  “E rëndësishme është që të mos ketë plan, por të përfshihemi sinqerisht me palët sepse aq sa e di unë, amerikanët nuk kanë shpenzuar asnjë euro në Kosovë ndërsa ne kemi shpenzuar më shumë se një miliardë euro në vitet e fundit dhe në kuadrin e investimeve në infrastrukturë ne jemi duke investuar 150 milionë euro për të përmirësuar infrastrukturën”.

Në rregull i nderuar kryediplomati evropian, por ju vizituat Prishtinën dhe Beogradin ditët e fundit, jo për të parë se kush ka investuar më shumë në Kosovë, sepse kjo nuk është një çështje që kërkon zgjidhje urgjente, por për të ndërmjetësuar dialogun politik Serbi-Kosovë, që të dy vendet të shkojnë drejtë një njohjeje të përbashkët diplomatike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane.  Ky është problemi dhe jo sasia e investimeve, për të cilat, jam i sigurt se Kosova është shumë mirënjohëse.

Por, angazhimi diplomatik i amerikanëve, kohët e fundit, ka të bëjë, pikërisht me këtë pikë, me përparimin drejtë njohjes së dyanshme — e jo me faktin se kush ka investuar më shumë në Kosovë, megjithëse edhe pretendimet e Z. Borell për investimet evropiane, janë një çështje debati, besoj unë.  Jam i bindur gjithashtu se as amerikanët, nuk janë në ndonjë garë me Bashkimin Evropian përsa i përket Kosovës, por janë të vetdijshëm se për pothuaj për 11 vjet tani, që Bashkimi Evropian ka kryesuar dhe ndërmjetsuar, ose “lehtësuar” bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit, mund të thuhet se asnjë përparim me rëndësi nuk është arritur në këtë drejtim.  Përkundrazi, palët duket se janë më larg se kurrë më parë prej njëra tjetrës, kjo ndoshta edhe falë ngërçit politik në Kosovë dhe mosmarrveshjeve skandaloze midis Tirans e Prishtinës zyrtare, por edhe influencave të huaja, jashtë rajonit, siç janë politikat ruse dhe turke.  Madje Turqia ka investuar shumë më shumë në Serbi se sa në Kosovë, por megjithkëtë, Serbia nuk po e shikon me sy të mirë Kosovën, as nuk po ndryshon asnjë qëndrim ndaj saj, megjithse Presidenti turk, Z. Erdogan ka deklaruar vite më parë se, “Kosova është Turqi”.  Ndoshta kështu i intereson Beogradit.

Gjithkush e di, i nderuar Z. Borrell se pa Shtetet e Bashkuara asgjë nuk ndodh as në Kosovë dhe madje as në Evropë.  Madje, pa Shtetet e Bashkuara nuk besoj që as sot Kosova do të ishte e pavarur.  Por ka qenë Presidenti Xhorxh Bush i riu, i cili i lodhur duke pritur Evropën e vjetër për të marrë një vendim në lidhje me pavarësinë e Kosovës, i cili ka deklaruar, më në fund, në Tiranë në vitin 2007 se “mjaft, është mjaft, Kosova është e pavarur”.

E njëjta gjë po përsëritet edhe sot, 13 vjet pas kësaj deklarate nga ish-udhëheqsi amerikan,  në lidhje me bisedimet Beograd-Prishtinë, për njohje të ndërsjellt diplomatike.  Për 11-vjet, Bashkimi Evropian ndërmjetësoi “lehëtsimin” e bisedimeve Kosovë-Serbi dhe rezulatet dihen.  Edhe nëqoftse është nënshkruar ndonjë marrëveshje, asnjë prej tyre nuk është zbatuar nga Beogradi.  Përkundrazi!

Fakti se parlamenti evropian ka emëruar si Shef të Politikës së Jashtme evropiane, Z.Josep Borrell, kam drojë se është një shenjë e keqe se parlamentarët evropianë nuk janë seriozë aq sa duhet për “lehtësimin” e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit, megjithëse vet Z. Borrell deklaroi në Prishtinë ditë e fundit se, “synimi dhe përkushtimi i tij mbetet lehtësimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë”.

Por për të dalur me sukses në bisedime të tilla, duhet të jetë një ndërmjetës i paanshëm, me një besueshmëri të lartë dhe të pa cenueshme, i konsideruar si i tillë nga të dy palët.  Për ndryshe është kot.  Ju Z. Borrell duhet ta dini edhe vet se, fatkeqsisht, nuk jeni njeriu i përshtatëshëm për një rol të tillë.  Është më mirë të tërhiqeni që në fillim nga roli për të ndërmjetësuar “lehtësimin” e dialogut Serbi-Kosovë dhe të emëroni një përfaqësues të posaçëm të BE-së për bisedimet Prishtinë-Beograd, i cili të bashkrendonte ngusht veprimtaritë evropiane me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në dialogun Serbi-Kosovë.  Nga perfomanca që pashë gjatë vizitës tuaj në Prishtinë, emërimi i një të deleguari të posaçëm evropian për këtë mision të rëndësishëm– jo vetëm për marrëdhëniet midis dy shteteve të pavarura Kosovë e Serbi, por edhe për paqën në Ballkanin Perënidimor dhe në mbarë Evropën –një gjë e tillë të bëhet sa më parë, aq më mirë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok