26/12/2024

Kush është Fahri Xharra, luftëtari me penë i idesë së shqiptarit dhe prejardhjes së tij qiellore?

0
Fahri-Xharra

Shkruan  Mentor Nazarko

Në botën kristiane, në fillim të Modernizmit, gjeneratat e reja të intelektualëve vinin nga shkolla formuese të dorës së dytë, me prestigj më të pakët: Lefèvre d’Etaples nuk e mori kurrë doktoraturën e tij, Erazmusi mori një diplomë me pak vlerë në Universitetin e Torinos dhe Thomas Hobbes e kreu të tijën me shumë mundim…

Është ky një citat që shkëputa nga një shkrim i mrekullueshëm i Konica.al me titull “Themeluesi i madh rrëfen sesi një historian arab i mesjetës zbuloi të ardhmen e botës”, ku flitet veç të tjerash, për rëndësinë e kontributit të autodidaktëve, apo të jo specializuarve në gjetje idesh, zgjidhjesh, krijimesh, shpikjesh, tezash, hipotezash me rëndësi të madhe për shoqërinë apo sektorë të ndryshëm të aktivitetit njerëzor… emrat e shquar të përmendur në artikull janë njerëz që kanë lënë gjurmë në historinë njerëzore, jo thjesht të kombeve të tyre.

Në fakt, një përfundim i tillë, që konfirmon se elitat akademike janë të papërshkrueshme, janë selektive, janë shpesh penguese të së resë, mund të jetë alibi e mirë për vlera të dyshimta. Nuk është ky qëllimi i kësaj interviste, pyetjet e të cilës po bëhen publike për njërin nga kontributorët kryesorë të portalit tonë Konica.al.

Fahri Xharra, është një kërkues pasionant i historisë së hershme të shqiptarëve. Faktet që ai sjell në vëmendje të lexuesve, tezat e tij janë provokuese të një nënshtrese të re mendimi dhe veprimi shoqëror që po krijohet në viset tona, me themel vendosjen në krye të cilësorëve identitarë të individit, fenë e tij myslimane para kombit. Xharra nuk shkruan vetëm për këtë, por dhe për gjurmime mbi paraardhësit e shqiptarëve, apo banorët e hershëm të këtyre trojeve.

Ndonjëherë ai bëhet bartës i ideve puritane që krijojnë debate të forta, që ekzaltojnë historinë e shqiptarëve në mënyrë unike. Disa ngjajnë qesharake për snobët, që adhurojnë tjetrin dhe përçmojnë shqiptarin. Disa, për ta thjeshtuar-janë fillesa të një muri, – kanë gurë të mirë për një mur, por nuk janë vetë muri.

Por gjithçka duhet kuptuar: në kohën e divulgimit të shkencës, historia e thjeshtëzuar mësohet më kollaj se një tekst akademik. Për më shumë jetojmë një kohë të çuditshme: shqiptarët kanë shumë dëshirë të lexojnë për historinë dhe po përjetojmë një kohë të ringjalljes së krenarisë kombëtare. Kësisoj shkrimet e Fahriut krijojnë ndjenja të forta: ose pëlqehen shumë, ose urrehen shumë.

Fahriu me mobilizimin identitar që krijon, është një aktivist i fortë kombëtar. Pse na nevojitet? Sepse në viset tona po përhapet i fortë virusi i një përkatësie universale fetare, diçka që e dobëson esencën tonë kombëtare, ndërsa fati i Kosovës, në kuptimin e interesave të saj ekonomike, financiare, etj., nuk është përkufizuar ende dhe duhet synuar mobilizim i forcave më të mira të saj për të negociuar ruajtjen e saj si është. Pa u mpakur, pa humbur, pa bërë lëshime. E kam fjalën për përplasjen e Kosovës me Serbinë në arenën ndërkombëtare që shumë shpejt do bëhet ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare.

Për shkak të qëndrimeve të veta kategorike, shkrimet e tij krijojnë shumë reagime. Atë e kërcënojnë lloj profilesh në mediat sociale, që me gjasë krijohen prej ekstremistësh të blerë të një islami radikal që po vepron në viset tona, i financuar nga jashtë.

Por Fahriu ka krijuar një steriotip pune të përditshme që është i jashtëzakonshëm për inxhinierin 70-vjeçar, që ka punuar për njërën nga kompanitë e mëdha të botës. Ai kërkon, shkruan, thjesht për historinë e shqiptarëve. Pa shpërblim, vullnetarisht, me privacione, në një jetë të thjeshtë në Gjakovë.

Fahriu është një autodidakt në histori,  dhe ai privilegjon hipotezat e një të kaluare të ndritshme për shqiptarët.

Sido që të përkufizohen shkrimet e tij, është krejt e qartë se ato janë një kontribut i madh. Ato janë fillesa për një lexim të sistemuar të historisë për rininë, nëpërmjet provokimit të ndjenjës së krenarisë, apo të refuzimit të kësaj origjine kaq të shndritshme të shqiptarëve sa të bën të vetëndihesh qiellor.

Mirëpo këto gjykime janë thjesht të miat.

Që ju ta kuptoni se kush është Fahri Xharra, pse shkruan, cili është frymëzimi i tij jetësor, sistemi i tij i dijeve, ne kemi përgatitur një grup pyetjesh që po ia bëjmë publike në portal.

Për ata që nuk e njohin, cili është Fahri Xharra? Çfarë studimesh keni kryer? Kur vendosët t’i përkushtoheshit historisë së shqiptarëve?

Pse?

A mund ta thoni si në një përrallë të bukur, cila është linja e jetës në këto vise ku banojnë sot shqiptarët? Domethënë, kush ka qenë para nesh, para tyre, që prej kur këtu ka patur jetë njerëzore? Dhe sa e besueshme është teza juaj, apo konstruksioni juaj?

Duket sikur shumë përfundime tuajat janë kategorike, ndërsa mbeteni në fushë të hipotezave, pa prova autentike. Për shembull hipoteza e prejardhjes pellazgjike. Një studiuese amerikane po më thoshte se shqiptarët ndoshta janë si pasojë e takimit të ilirëve antikë me pellazgët, por pellazgët nuk janë paraardhësit tuaj, pse këtu nuk ka gjurmë të shkrimit si ka të grekëve të lashtë…

Ju e teproni ndonjëherë, kur nuk diferenconi pjesën nga e tëra. Për shembull nuk ndani mirë islamin radikal, apo politik, nga ai zyrtar.

Cili ka qenë momenti që sipas jush ka përcaktuar ekstremizimin e strukturave fetare islame në Kosovë? A e keni lexuar Veton Surroin, që e lidh këtë me hedhjen në kosh të disa mijëra kopjeve të përkthyera të Kuranit…dhe interpretimit të tij tradicional?

Nëse ju lexon ju, shqiptarët ngjajnë si të parët që kanë populluar universin, që kanë folur, që kanë shkruar, etj., etj. Ngjajnë sikur gjenden kudo, deri në Sardenja, etj., etj., kur dihet që popujt atëherë kanë qenë krejt të vegjël. A nuk ju duket pak e tepruar të besosh se fara jonë qenkësh e përhapur në gjithë këto vise njëherësh, apo qoftë dhe në distancë kohore të shkëputur?

Nëse është kështu, pse ne atëherë jemi kaq të prapambetur në raport me popujt a kombet e tjerë, më të vegjël a më të mëdhenj se ne, që mbase nuk kanë prejardhje kaq të lavdishme?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok