Kurt Kola, simboli i kalvarit, një jetë që sfidoi Gulagun komunist me zë, zemër dhe penë
Nga Albert Vataj
Kurt Kola simboli i qëndresës së burgjeve dhe internimeve të diktaturës komuniste nuk është më. Ka ndaluar hapat e tij të rëndë ai burrë shtatlartë, rruga e të cilit ka nisur në ferrin komunist që kur ishte ende fëmijë, për të rendur sfidues deri në fillimditën e sotme 29 janar 2022 kur ju dorëzua vdekjes. Është fikur ai zë buçitës, që nuk heshti kurrë, ai zë që kumboi e kushtroi për të mos pranuar të hesht. Pena e tij denoncuese nuk shkruan më, as zemra nuk troket më në atë kraharor gjëmues. Në atë kurajë simbol, ka mbetur vetëm kujtesa e betejave të bëra, luftrave të fituara, zjarreve të ndezura.
Më mbetet të them se humba një mik të mirë.
Referuar një njoftimi paraprak në profilin e tij në Facebook për librin “Tranzcioni neokomunist në Shqipëri”, që kishte publikuar, e telefonova për ta takuar, por ai kishte disa ditë në spital dhe më premtoi se do takoheshim sapo të dilte. Nuk e takova dhe më ka mbetur vërtetë peng. E pata mik të mirë për shumë vite. E kam intervistuar disa herë dhe kam punuar me kolegun Ilir Vata në gazetën “Liria”, organ i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë, drejtuar prej tij, gazetë të cilën Kurt Kola e mbështeti dhe e suportoi, duke e shndërruar atë të në një tribunë të vërtetë të fjalës së lirë, një strehë prehjeje dhe denoncimi për të gjithë të përndjekurit, hallet dhe dertet e të cilëve gjetën dyer të mbyllura dhe injorime të vazhdueshme, madje edhe atëherë kur në pushtet ishte e djathta, ajo e djathtë që pati si kalë beteje, rehabilitimin e shtresës së përndjekurve politikë. Pavarësisht mundësive të kufizuara, ai u përpoq të bënte maksimumin për mbrojtjen dhe përfaqësimin e shtresës së Ish-të Përndjkurve Politikë, deri edhe në ngujimet e urisë dhe kacafytjet me regjimet postkomuniste, regjime që s’mundën të ishin veçse zgjatime të diktaturës së burgjeve, persekutimeve, vrasjeve politike, kampeve të punës së detyruar.
Ndoshta nuk arriti të bënte sa duhej dhe sa donte ai, por nuk u spraps nga përpjekjet, nga denoncimi i krimeve të komunizmit, duke qenë gjithnjë një pishtarë që driti në natën e errët të manipulimit, denigrimit dhe mospërfilljes së shtresës së përndjekurve.
Kurt Kola nuk ju dorëzua diktaturës, burgjeve, mureve të qelive, torturave dhe makinacioneve të Sigurimit të Shtetit, por i’u dha sëmundjes në një betejë të konsideruar fituese, por që pati fund fatal. Kurt Kola, njoftoj i biri Bilali, është ndarë kështu nga jeta në moshën 85-vjeçare, duke lënë pas një vepër vlerash dhe kontributesh. Ishte prezent për vite të tëra, duke bërë maksimumin për të qenë një zë kushtrues, në aktivitetin e ngjeshur sa kohë drejtoi ish të përndjekurit. Politika, edhe pse u rrek dhe arriti të përdorte të persekutuari, sërish bëri fare pak të dëmshpërblyer dhe rehabilituar këtë shtresë. Kurt Kola ishte kudo duke bërë maksimumin, duke qenë një përfaqësues dinjitoz i të përndjekurve, duke shtytur tej caqet e kufizuara nga politika për rolin e të përndjekurve. Ai ka vite që është larguar nga roli aktiv i të qenit aty ku duhej, për të bërë sa të mundej për të përndjekurit, ne media dhe gazeta, por mbi të gjitha përmes librave të tij, të “Ëndërra burg”, “Në Shqipërinë Burg” dhe “Tranzcioni neokomunist në Shqipëri”, në të cilët ai flet për kalvarin e tij nëpër burgje, Golgotë që nuk ishte vetëm e tij por e të gjithë atyre që ishin kundërshtarë të regjimit komunist.
Sot ai nuk është më, por emri dhe vepra që la do të mbeten një shënjim identiteti dhe dinjiteti i një njeriu që luftoi sa ishte gjallë dhe vdiq duke u ndeshur me pleqërinë dhe sëmundjen. Ish-të Përndjekurit Politikë kanë humbur një zë të fuqishëm përfaqësimi, një vullnet të paepur përpjekjesh, një penë denoncuese që skaliti me shpirt dhe kujtesë kalvarin.
Shpirti jot u shpërbleftë me dritën e parajsës miku im Kurt Kola!