Kur Vesa dashuron

0
E bukur dhe pa kompromis ajo sjell fantazi, ritëm dhe entuziazëm tek gjithkush që e dëgjon, teksa vallëzon me ritmin e këngëve të saj. Si të gjithë shqiptarët e Kosovës pret me padurim që Kosova të ketë pavarësinë e saj, ku një festë e madhe do të mbledhë të gjithë miqtë shqiptarë kudo që janë. Ndërkohë ka përfunduar abumin eparë dhe një varg arritjesh të tjera kanë shoqëruar jetën e Vesës gjatë kësaj periudhe, ku duket se po i shkëlqen edhe ylli i dashurisë. Nuk dëshiron të japë detaje për ndjenjat e saj, megjithëse lë të nënkuptosh se kur bie në dashuri, bie kokë e këmbë.

INTERVISTA

Keni fituar çmimin “Best female” në Top Fest. Si e përjetuat faktin që u shpallët më e mira?
Ishte një konkurrencë shumë e fortë e po ashtu një eksperiencë pozitive, disi e palakmueshme, pasi pothuajse me të gjitha të nominuarat kisha shoqëri. Të gjitha ishin të veçanta në aspektin e tyre, por si duket kësaj radhe më priu fati mua, por edhe më erdhi shumë mirë që u shpërblye puna e sinqertë dhe përkushtimi i gjithë ekipit të bashkëpunëtorëve të mi, që të paraqitem sa më denjësisht në këtë festival prestigjioz.

Keni premtuar për një album të ri që duhet të jetë gati. Çfarë përmban ai dhe si do e përkufizonit këtë album tuaj, si albumi që…
…..që pëlqehet shumë, sepse në të ka disa zhanre të ndryshme, që secili të mund të gjej veten, por asnjëherë duke mos i ikur stilit tim, domethënë “POP”-it.

Në këngën tuaj thoni “Jemi dhe s’jemi”. Kështu ndodh gjithmonë në një dashuri?
Ka momente kur edhe në dashuri pyet veten nëse je, apo nuk je tërësisht ‘’in love’’. Jo kot është shkruar ky tekst që sidoqoftë, është shumë pozitiv.

Tek “Bija e dikujt”, ju bëni një apel ndaj femrave të trafikuara. Temat në dukje “të forta”, ju frymëzojnë?
Jam shumë e ndjeshme kur bëhet fjalë për “temat e rënda”, kam marrë pjesë në shumë aktivitete humanitare, ku duke dhënë ndihmë, kam qetësuar shpirtin tim. Po ashtu Ministria e Kulturës në Kosovë më ka shpallur “Ambasadore e vullnetit të mirë” dhe kjo më jep një përgjegjësi më të madhe për kontribut ndaj këtyre çështjeve.

Duket se pritja për statusin e Kosovës është e pafund. Si e përjetoni këtë fakt dhe cili është gjykimi juaj?
Këtë herë po përgjigjem si një qytetare e thjeshtë prishtinase, e cila është lodhur duke pritur dhe duke shpresuar për një zgjidhje sa më të shpejt, por mendoj se ia vlen. Mjafton që kemi parë solidaritetin e miqve tanë kudo në botë, e ç’ka është më e rëndësishmja, bashkimin e të gjithë shqiptarëve për një qëllim: Për një Kosovë të qetë dhe të pavarur!

Jetoni në një vend multietnik. Keni paragjykime për të dashuruar, për shembull, një serb?
Edhe pse dashuria ‘’nuk ka kohë’’ të paragjykohet, unë nuk besoj se do të isha dashuruar ndonjëherë me ndonjë serb.

I përkisni brezit të ri të Kosovës, madje jeni edhe idhulli i shumë adoleshentëve. Megjithatë, ky brez ka problemet e veta. Cilat janë ato sipas konstatimit tuaj?
Papunësia dhe pamundësia e angazhimit në fusha të ndryshme, apo drejtime të ndryshme të preferuara nga adoleshentët. Megjithatë këto probleme duket sikur po zbuten me afrimin e një zgjidhje të çështjes së Kosovës dhe kam bindjen se do të jetojmë me një rreth adoleshentësh të shëndoshë.

Nga eksperiencat artistike dhe profesionale që keni provuar cila është më e bukura?
Çdo pervojë e ka të bukurën e vet edhe pse ndoshta nuk e shijon deri sa përfundon. Por të paktën e di që ke mësuar diçka të re, e di që në të ardhmen në ndonjë përvojë të ngjashme do të jesh më e përgatitur për sakrifica të ndryshme. Kjo është e bukura.

Ku mendoni se ka më shumë hapësira për t’u ngritur profesionalisht, në Kosovë apo Shqipëri?
Pa dyshim në Shqipëri sepse ka traditë më të lashtë. Unë shkollën më të madhe e kam fituar në Shqipëri dhe besoj se do vazhdoj të profesionalizohem nga udhëtimet e shpeshta dhe përvoja të ndryshme. Përsa i përket Kosovës, mundësitë janë të pakta, por mundohemi gjithmonë që me po aq të kontribuojmë në ngritjen e profesionalizmit.

Cilit prezantues dëshironi t’i ngjani?
Ndoshta t’i ngjaj jo, sepse kam dëshirë të jem vetvetja dhe origjinale, por nëse flasim për inspirim dhe frymëzim atëherë me plot gojë them se idhulli im është Adi Krasta. Kam pasur fatin më të madh, së pari që e kam mik shumë
të mirë dhe që të jem bashkëprezantuese e tij në festivalin e RTSH-së. Kam mësuar shumë nga ai, mësime të cilat e di të sigurtë që do të më duhen për tërë jetën.

Më fol pak për familjen tuaj. Si lindi kjo vajzë kaq e talentuar? I ngjani dikujt?
Jetoj me nënën dhe dy motrat, Mjellma dhe Dea. Fatkeqësisht babai im, të cilit ia kushtoj të gjitha arritjet, ka ndërruar jetë para 5 vjetësh, por jam vajzë me fat që kam një familje e cila më përkrah dhe më ndihmon në çdo aspekt të jetës. Nëna ime ka qenë këngëtare në kohën e saj, ndaj talentin e kam të trashëguar nga ajo.

Jeni rritur në Kosovë, ku mungon deti. Ju e doni detin? Ç’plan keni për pushimet e këtij viti?
E dua shumë detin e sidomos atë të jugut të Shqipërisë. Kam debulesë Dhërmiun dhe është hera e tretë sivjet që do ta vizitoj. Këtë verë ashtu si edhe të tjera nuk do të kem edhe aq kohë për pushim, sepse do të jem e angazhuar në mbrëmje të ndryshme rinore, në Kosovë, Shqipëri, Ulqin e shumë vende të tjera.

Ka një dashuri sekrete të Vesës?
E ruaj me shumë xhelozi privatsinë. Më vjen shumë rëndë të flas për dashuri, apo për diçka që më takon vetëm mua, sepse po ta bëja publike edhe jetën private, atëherë më nuk do të ishte private. Por nuk do t’ju lë pa gjë…..them se mbahem goxha mirë në këtë aspekt.

Do të martoheni një ditë?
Eshtë ëndrra e çdokujt që një ditë të martohet dhe të krijoj një familje. Ashtu pra ndodh edhe me mua, por jo njëherë, sepse me duket se nuk jam e përgatitur për një përgjegjësi aq të madhe.

Bini shpesh në dashuri?
Nuk bie shpesh në dashuri, por kur bie, BIE…

Ku dallojnë meshkujt e Kosovës nga ata të Shqipërisë?
Meshkujt ngelen meshkuj….

Ju pëlqen më shumë të ëndërroni apo ta jetoni jetën si një ëndërr?
Për të jetuar jetën si në ëndërr, gjithsesi njëherë duhet ta ëndërrosh. I pëlqej të dyja sepse secila ka anën e saj pozitive.

Cila është ëndrra juaj?
Endrra ime gjithmone do të jetë e njëjtë. Të jetoj pjesën më të madhe të jetës me njerëzit që i dua dhe që më duan.

Cilat janë avantazhet e një vajze të bukur, siç jeni ju? Po disavantazhet?
E rëndësishme është së pari që të ndihesh e bukur në shpirt. Flas në përgjithësi, që mund ta konsideroj një plus edhe pse në ditët e sotme nuk është vështirë të jesh e bukur nga intervenimet artificiale, që unë nuk i preferoj. Por nuk besoj se ndonjë vajzë ka hasur në disavantazhe nga bukuria, përveçse do t’i largojë njerëzit që nuk kanë vetëbesim për t’iu afruar.

Në profesionin tuaj ka mjaft xhelozi. E ndieni ju këtë xhelozi?
Jam e vetëdijshme se ka xhelozi jo vetëm në profesionin tonë, por në çdo profesion tjetër, ku gjithmonë njëri është fitues apo sfidues. Nuk kam asgjë kunder xhelozisë së shëndoshë, sepse ndoshta mund të jetë një shtytje për punë, por asnjëherë një xhelozi që mund të na dëmtojë profesionalisht.

Cili është emocioni më i fortë që keni provuar në jetë?
Shumë herë kam përjetuar emocione të forta, por dua të përmend momentin, kur para dy muajsh në festivalin tonë tradicional “Videofesti muzikor”, ku ndaheshin shpërblimet për videoklipin më të mirë shqiptarë, videoklipi im u zgjodh më i miri. Kisha ndjenja të përziera, sepse isha në mesin e këngëtarëve me shumë emër dhe me shumë karrierë përpara dhe më dukej si ëndërr. Mbaj mend që më kanë ardhur më shumë se 70 mesazhe dhe nuk kam folur as me familjen nga emocioni dhe gjithë kohës vetëm kam qarë…

Po dhembja më e madhe?
Humbja e babit tim, i cili ka qenë njeriu më i afërt i imi.

Çfarë ju bën tjetër të qajë?
Nuk e kam vështirë të qaj, mjafton të emocionohem nga ndonjë e papritur, apo të shoh ndonjë fëmijë, apo ndonjë njeri, i cili ka nevojë për ndihmë dhe unë e para hidhem në vaj.

Cili është pendimi i jetës suaj?
Asnjëherë deri tani nuk kam bërë gjëra që të pendohem.

Po arritja?
Arritja më e madhe është vendi dhe respekti që e kam në shoqëri dhe tek njerëzit e afërm të mi.

Po mëkati?
Shpresoj të mos kem bërë ndonjëherë ndonjë mëkat, i cili gjithsesi do të ishte i pavetëdijshëm.

Në Shqipëri e Kosovë jeni bërë shumë e famshme. Ju shqetëson fama?
Asnjëherë nuk më shqetëson, vetëm më jep më shumë kënaqësi. Eshtë bukur të njihesh, të të ndalojnë njerëzit e të japin kritika apo komplimente. Ndonjëherë jam ndjerë në siklet kur kam pasur nevojë si çdo njeri tjetër të shfrenohem dhe e kam mbajtur veten, sepse nuk dëshiroj të bie në sy, mirëpo edhe ajo e ka anën pozitive të saj.

Mes romantikes, lozanjares dhe shpërthyses, cila jeni më shumë ju?
Një lozonjare, e cila i dashuron momentet romantike, por shpërthen nëse vëren padrejtësi ndaj saj.

Parafytyrimi juaj për Vesën pas10 vitesh. Si do jetë ajo?
Deri tani kam ndërruar shumë plane për Vesën pas 10 vitesh. Por ajo ç’ka jam e sigurt është se do të vazhdojë të jetë këngëtare dhe gazetare e përkushtuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok