Kur Universiteti shërben si lavatriçe për të shpërlarë ndytësira politike
Nga Ndue Ukaj
Kur Universiteti shërben si lavatriçe për të shpërlarë ndytësira politike, më nuk kemi të bëjmë me krizë, por me një gjendje të tmerrshme kulturore e etike, të një shoqërie të deformuar deri në palcë.
Universiteti i Prishtinës, me nderimin që sot u bëri dy njerëzve pa asnjë cilësi në fushë të dijes e të Res Publicas, iu propozon të rinjve dhe studentëve të këtij vendi, si modele, profilet e egërshanëve, mendjeve të cekëta dhe atyre që shkollë jete e kanë urrejtjen e destruktivitetin.
Po, sepse, Kurti e Osmani meritojnë mirënjohje e nderim për gjuhën e pjerdhur politike e sociale.
Meritojnë nderim për standardet më joetike që kanë zhvilluar në këtë vend.
Për gënjeshetra pafund.
Për keqqeverisje brutale.
Për rrënimin e raporteve të Kosovës me botën.
Për përlyerjen me zyft të zi të historisë më pozitive të vendit tonë.
Në këtë gjendje, kaq amorfe e kaq të përdalë, nuk është shqetësues fakti se drejtuesit e Universitetit, nuk kanë sitë diturore e as standarde etike. Ata demonstrojnë atë që dinë të bëjnë më së miri: zellin e shërbimeve. Se janë të cekët e mendje të shtrembëta.
Ama të trishton heshtja e shurdhëria e qindra mendjeve të tjera, që supozohet se të drejtën e mendimit e të shprehjes, nuk e kanë deleguar në oborrin ndyrë të pushtetit.
Akti i sotshëm nuk është vetëm akt turpi, por shenjë e një gjendje të pashpresë të shoqërisë sonë.
Ky akt tregon baltën kultutor e etike, në të cilën është katandisë vendi ynë, e të cilin, askush nuk e ka deformuar më shumë – këto gjashtë vite – se këto dy figura politike pa cilësi, që u nderuan sot.
Të nderososh dy poiltikanë destruktivë e pa cilësi, në këtë gjendje anarkie politike në vend, dhe në kohë fushatash elektorale, kjo tregon ligësi brutale.
Nejse, me gjasë është e aksimotike shprehja: se njerëzit u gëzohen të ngjashmëve, pra, njerëzit pa cilësi, i nderojnë njerëzit pa cilësi. Se në ta shohin vetveten. Stërkeqjen e tyre.
