Kur shteti kthehet në spektator nga vala e vrasjeve që po kalb sistemin tonë!

0
Petrit-Dibrani

Nga Petrit Dibrani

Ditët e fundit nuk po tronditemi thjesht nga kronikat e zeza, po mjerisht po përballemi me pasqyrën më të frikshme të ekzistencës tonë: kapitullimin e plotë dhe të hapur institucional para krimit.

Statistikave të ftohta që raportojnë rritje të frikshme të vrasjeve tashmë u janë vënë emra, gjak dhe britma të pashpresa për ndihmë.

Rasti makabër i Arlinda Zekajt në fshatin Vitomiricë të Pejës, e cila u vra mizorisht me sëpatë vetëm dhjetë minuta pasi patrulla e policisë e la në shtëpi dhe vetëm tre ditë pasi i ishte përgjëruar prokurorisë, për mbrojtje nuk është një ngjarje e izoluar.

Ajo është thjesht simptoma e fundit e një kanceri sistemik që ka prekur çdo hallkë të rendit dhe ligjit në vendin tonë.

Kur një grua e shkruan me dorën e saj letërpërgjërimin drejtuar shtetit:

“Uroj që të mos vijë dita kur ju të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, dhe shteti e kthen atë mbrapsht drejt xhelatit të saj, ky nuk është thjesht dështim.

(Kjo është bashkëfajësi e pastër kriminale përmes neglizhencës.)

Një dështim që nuk zgjedh mjet dhe as viktimë.

Kjo krizë e sigurisë publike i ka shtrirë rrënjët kudo.

Brenda pak javësh kemi parë familje të shuara, vrasje mes prindërve dhe fëmijëve, dhe atentate e larje llogarish që ndodhin në mes të ditës në zonat tona ku jetojmë.

Krimi ka humbur frikën nga shteti, sepse shteti ka humbur autoritetin përballë kriminelëve.

Nëse i analizojmë këto ngjarje, dështimi institucional ndahet në tri nivele të tmerrshme:

  1. Kolapsi i Inteligjencës dhe Parandalimit!

Policia po funksionon si një kompani shërbimesh funerale ose si arkivues lajmesh.

Ata nuk parandalojnë dot krimet e organizuara, nuk arrijnë të çarmatosin personat me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe dështojnë plotësisht të bëjnë vlerësimin e rrezikut për viktimat e dhunës në familje.

  1. Burokracia e Prokurorisë!

Letrat urgjente të qytetarëve që njoftojnë se po u merret jeta mbyllen sirtarëve ose trajtohen me plogështi. Për prokurorët tanë, jeta e një njeriu po vlen sa një numër protokolli.

  1. Kultura e Pandëshkueshmërisë nga Gjykatat!

Kur personat me dosje të trasha kriminale lihen të lirë, kur dhunuesit dënohen me gjoba qesharake apo me kusht, sistemi u jep një mesazh të qartë vrasësve:

“Vritni, sepse ligji nuk ju bën gjë”.

Gruaja po vritet me ligj në dorë!

Siç e shkroi e ndjera Arlinda në letrën e saj profetike: “Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan dhe jo burri”!

Kjo fjali duhet të gdhendet në muret e çdo stacioni policie, prokurorie e gjykate në këtë vend.

Qytetarët tanë po vriten pikërisht sepse besojnë te institucionet.

Ata dorëzojnë denoncimet, presin mbrojtjen e premtuar kushtetuese, dhe në këmbim marrin harresën dhe vdekjen.

Shteti ka dështuar në kontratën e tij të parë dhe më elementare me qytetarin: garantimin e së drejtës për jetë.

Kur rrugët tona pushtohen nga plumbat e krimit të organizuar dhe dhomat e gjumit kthehen në thonjëza të përgjakura të dhunës në familje, askush nuk është më i sigurt.

Koha për ngushëllime ka mbaruar. Duhet llogaridhënie!

Ne nuk mund të mjaftohemi më me deklarata të kopjuara në rrjete sociale nga krerët e shtetit, që thonë se “jemi të tronditur” apo me premtime boshe për “reforma”.

Tronditja u takon familjarëve të viktimave, ndërsa zyrtarëve u takon përgjegjësia dhe llogaridhënia.

Në një shoqëri normale, pas një dështimi kaq skandaloz ku viktima vritet 10 minuta pasi policia e shoqëron në shtëpi, zinxhiri komandues jep dorëheqjen ose shkarkohet brenda orës.

Na duhet një hetim i pavarur dhe penal për çdo polic, prokuror dhe zyrtar që ka pasur në dorë dosjet e këtyre viktimave dhe ka zgjedhur të heshtë ose të neglizhojë.

Nëse ky reagim nuk ndodh sot, nëse nuk shohim dorëheqje dhe arrestime zyrtarësh për neglizhencë kriminale, atëherë ky shtet nuk është më i paaftë, ky shtet është zyrtarisht “palë me kriminelët”!

Dhe gjaku i viktimës së radhës, do të rëndoj mbi të njëjtat duar institucionale që sot zgjedhin të heshtin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok