Kur propaganda sfidon logjikën
Nga Prof. Dr. Ardian Ndreca
Aristoteli asht ai që ka hjedhë bazat e gjykimit logjik e logjika asht shkenca që na mëson me dallue të rrejshmen prej së vërtetës.
Kur trajtojmë çfarëdolloj enti vërejmë nji dallim prej substancës dhe gjanave dytësore (aksidentale) që e karakterizojnë atë. Gjanat dytësore janë ato që mund të mos ishin siç janë dhe mund të jenë ndryshe ngase janë.
Për shembull, ngjyra e flokëve asht aksidentale, truni jo, motori i nji makine asht substancial kurse materiali me të cilin janë ba ndenjëset e saj jo etj.
Kryeministri shqiptar ka degradue komplet nga ana mendore. Organizon ceremoni dhe poston foto automjetesh të prodhueme prej disa firmave të famshme si Toyota, Man, Range Rover, të cilat i kanë lye me bojë që nuk prodhohet në Shqipni, i kanë përforcue me pllaka metali special që nuk prodhohen tek ne, i kanë pajisë me aksesor për përdorim ushtarak që nuk prodhohen tek ne dhe na i shet si prodhime të industrisë ushtarake shqiptare!
Besoj se ai e din që ne e dijmë se në Shqipni nuk prodhohen as pagure ujit për ushtrinë, prandaj asht moralisht ma e ulët se zakonisht me u përpjekë me kontrabandue si të ishin prodhime shqiptare disa automjete që as llamarinat e targave nuk i kanë të prodhueme në Shqipni.
Tue u kthye te Aristoteli: nji automjet Toyota nuk asht pjesë këmbimit e huej e bojës dhe e pllakave metalike që i janë saldue përsipër në Shqipni!
Nji demagogji e tillë mund të barazohet vetëm me atë të kohës së komunizmit e na kujton ato sihariqet pompoze të prodhimit të traktorit të parë shqiptar, të autobuzit të parë e të hibrideve të misrit që na i kishte zili gjithë planeti.
Ah, ai sihariqi i prodhimit të bukës në vend nuk specifikonte se për fshatarsinë kooperativiste do të vijonte konsumi i hareshëm i bukës së kollomboqit, pse për ta nuk kishte bukë grunit!
Me automjetet që prodhon industria ushtarake e Edi Ramës nuk mund të luftohet as kundër elefantave të Hanibalit, por ka thanë nji plak i moçëm dikur: Perendia ma parë të merr mendjen e mandej të dorëzon në SPAK.
